Kulturë
Përparim Hysi: Pranë lumit Seman
E marte, 04.08.2015, 05:30 PM
Poezi të
shkruara në gusht
Nga Përparim Hysi
1. Befas....
Befas u takuam... i bekuar çasti
Dhe u përqafuam si dikur vakti
Malli na kish marrë, ndaj si lumë vërshoi
Ah, sa çast i bardhë! Pse nuk zgjati, moj?
Të zgjaste, të zgjaste, si në pambarim
Ah, ju, o çaste! Na mbushët gëzim!
Sa i ngrohtë takimi, fjalë s'gjej ta përshkruaj
Troç flet Përparimi: për ty mike, vuaj.
2. Në krua
E florinjtë kjo ditë me diell, ti merr enët shkon në krua
Një bandill, papritur, del (diku fshehur qe, pothua)
Sigurisht, ti nuk e "sheh" (as ke punë: kush vjen a shkon?)
Por bandilli nuk di pse, të pijë ujë nga ti kërkon.
I zgjat enën që të pijë ( ti kokëulur, si me turp?!!!)
Po të ha ai syri i tij, turpin ai e ha me bukë.
Enën kthen, nga ti shikon...ujtë mori kraharorin
Zemra mu si zokth lodron, obobo si duron "zorin?!!!"
Nuk është punë, kështu s'durohet (ai enën lë për tokë)
Dhe afrohet... po afrohet ( Zot, ku je fshehur, Zooot?!!!)
Më pastaj... e çfarë pastaj? Shoqeni, nuk jam prej guri
Atë ditë në mend e mbaj ( sa i mirë që qe, gjauri!!!)
3.Djalëria
Djalëria shkoi e mbeti
Tutje- tutje, e sa vite!
E kujtoj e më zë "helmi"
Se më qenë ca vite-shpirte!
Se s'ia kisha as për pesë
Gjithmonë tetë më rrij sahati
Sikur krahë kisha si shpezë
Djalëria, një kohëmjalti.
E kujtoj me nostalgji
Se ka bëma djalëria
Dua të kthehet përsëri
Po të lë, kjo, pleqëria.
Se më qepet pas si rrodhe
Ndaj nga mendja jam duman
Ham- ham më leh si kone
Dhe dorëzohem, mor xhanan!
4. Gjyq vetes
Zë unë veten hedh në gjyq
(Ndodh kur jam "valencë e lirë")
Mu si Krisht e vë në kryq
Se iks punë s'e kam bërë mirë.
E fut veten në gajlera
Nga "gajlerat" s'ndahem paq
Më thotë iks:- Janë punë të thella!
Jo çdo gjë do të kënaq?!!!
Por kokëmushkë dhe ngul këmbë
(Dua "betejën" ta fitoj)
Veten time ha me dhëmbë
Të pandehur, e dënoj.
5. Pranë lumit Seman
Ja, sikur jam aty, tek lumi
Tani, në gusht, që ka aq "vizitorë"
Jam zhveshur, jam shtritur te kumi
Në këtë të nxehtë, ti lumë, më je "doktor".
Ja, këtë kujtoj dhe bëhem ziliqar
Se, për fat të keq,nuk jam atje
O lumi Seman, që kalon në Mbrostar...
Të dua, të dua dhe e di përse?
Sa herë aty jam zhytur e "mbytur"
Sa herë jam shtritur aty, mbi rërë
Të dua dhe tani që jam larg e i thinjur
Pa ty, o lumë i dashur, nuk jam i tërë.