E premte, 18.06.2021, 03:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Lopa e qytetit pëllet për viçin

E enjte, 30.07.2015, 07:33 PM


KALOSH ÇELIKU

LOPA E QYTETIT PËLLET

PËR VIÇIN E PALËPI

 

(Poeti rebel në autobusin urban

e kërkon “hajdutin e ndershëm”)

 

Moti kohë nuk më kishin vjedhur hajnat

Te Ura e Gurit. Në tren. Autobusin urban.

Shkaku, se: E dinin, unë kam libra

Dhe, jo para nëpër xhepa. Nën jastëk.

Sot “hajni i ndershëm” m’u vardis në autobus

Në rolin e pijanecit. Pederit të Bit – Pazarit.

Edhe, m’i vodhi paratë e rakisë të rrushit

Megjithatë, m’i kishte lënë paratë e birrës.

 

E di, hajni kishte pritur më shumë para në xhep

Fatkeqësisht, kishte harruar se shkrimtarët:

Para kanë vetëm për një birrë. Dhe, raki rrushi.

 

Porosia: duart t’i fusin në xhepat e politikanëve

E fala “hajnin e ndershëm”. “Hallall” i ka paratë.

Edhe atë, me të vetmin kusht:

Nesër, të mos i vjedhi artistët, po politikanët.

 

Nateditë e kërkoj “hajnin e ndershëm”

Në autobusin urban. Në tren. Xhami.

Para t’i jap për “bukë”. “Sadaka”  t’i lutet Zotit…

 

 

(Rrospitë Meshkuj

presin në radhë)

 

Interesnat. Dy herë në jetë

Miqtë turren të më gjejnë grua.

Moti, njëherë kur u “ndava” nga Gruaja

Dhe, sot kur më iku Gruaja e dytë besnike.

 

Hi-hii-hiii. Vërtetë, kisha pasur “miq”

Përditë, mu si dikur edhe sot më martojnë.

Herë me Miken. E, herë me një lavire.

 

Dudumët e mjerë. Hadumë të Nënës Parti

Që, nuk e dinë, se: problem nuk kam me gratë.

Po. me Rrospitë meshkuj që presin në radhë

Dhe. deri më sot nuk e gjetën një burrë. Grua

Nateditë, para këmbëve t’i luten si “Allah”…

 

 

(Ditën e sotme Zonjën Vdekje

e pres në gosti)

 

Unë, e vazhdoj jetën nën Rrap

Shkaku, se: Tre Engjuj i kam me vete.

Tri Zana Mali: Njëra më pri para

E, Dy të tjerat më mbajnë përkrahu.

Gji më japin me shtamba. Fuqi për luftë.

 

Dudumë, kot më keni vënë pusi pas ferre

Zonja Vdekje e ka një listë në brez.

Përçudi: Rrufjanët nuk i do as në atë jetë

Koha është sot, ta mbyllni gojën

Gjokun pullali të ma leni rehat nën hije!

 

Ditën e sotshme jam në Tavernë.

E pres Zonjën Vdekje në gosti:

Me dy shtamba verë. Dhe, një ibrik raki…

 

 

(Grua besnike e kam Poezinë)

 

Policia letrare e ka edhe një “gajle”

Grua tjetër, a do të marrë në jetë?!

Jo, u përgjigjem. E kam kryer obligimin

Pikë për pikë ndaj familjes. Dhe, Atdheut.

 

Trashëgimtarë kam. Edhe, gra besnike

Grua tjetër nuk më duhet në Shtëpi.

E kam Poezinë. Shoqen s’e ka në shtatë Krajli…

 

 

(Zana e Malit si dikur

nuk ua hap derën)

 

Gra besnike! Derën e keni të hapur

Krah më krah. Mund të vini Ditën

Edhe natën. Vetëm me një kusht:

Nesër, mos thoni, se: E keni me mua kopilin.

 

Derën. Edhe dritaret i keni hapur

Nateditë, ju pres me dy ibrikë raki rrushi

E dy shtamba me verë nën Rrap.

 

Koha është. Mos u trembëni, Gra asgane

Zana e Malit si dikur, nuk ua hap derën…

 

 

(E kam pasur një Nuse

dhe e dua Poezinë)

 

Mike, derën e keni hapur nateditë

Në çdo stinë. Qoftë në Dimër.

Apo,  në Verë me lule

Pse, jo? Edhe, në Vjeshtë.

 

Brez pas brezi kemi pritur miq

Edhe, armiq në këtë Shtëpi

Këmbëkryq, tek Pragu i derës. Porta.

Derën ua kemi hapur krah më krah

Me një baxhë. Dhe, dy-tri oxhaqe mbi çati.

 

Koha është, të ulemi në një sofër

Nesër, të mos kemi probleme me Rrapin.

Hijen, se, ua kam zënë me dy shtamba verë

E një ibrik me raki rrushi “hallall”…

 

 

(Lufta e Aleksandrit Madh

për Dylqinenë e Shkupit)

 

E kam policinë e Shtetit përkarshi

Edhe ndihmën e shpejtë.

Përpara Mitropolitëve të Beogradit

Krah për krahu me kryqa e Biblën në dorë.

Olimbisë me fëmijë në gji. Prehër

Që, flladitet me rraqe përmejdani, në Shkup.

 

Kuajt vjellin ujë. Vapë e madhe

Matanë Urës Gurit: Alaksandri Madh.

Shpatën e ka nxjerrë nga brezi

Luftë bënë për Dylqinenë e Shkupit…

 

 

(Lopa e Qytetit pëllet

për Viçin e palëpi)

 

Politikanët tanë e gjejnë nga një Lopë

Edhe, e mjelin përpara ekraneve televizive

Institucioneve të Shtetit me një torbë taxhi përqafe.

Ministrive. Vetëmse, Lopa e Qytetit nuk ka tambël

Shqelma qet në mes të Sheshit “Skënderebu”.

Pëllet në televizor për Viçin e palëpi.

Dudumët, kthehen në Katund edhe pa kusi.

 

Dudumë, Nëna ime i zgjidhte lopët nga soji

Përçudi?! Ju, nuk i shihni, se: I ka pi Bolla me flokë?!...

 

 

(Dielli me rreze në “Vodno”*

ua ka marrë trutë)

 

Përditë, i shoh shokët e mi “poetë”

Mes Vapës madhe si sillen pa kokë:

Herë nëpër çajtore. Herë në xhami

Përpara këmbëve të Olimbisë

Me fëmijë në gji e prehër.

 

U them: Ecni pini nga një birrë Rrapi

Kohën e keni për “republikë” në kokë!

Kësulë për të cilën miku im poet: Fadil Bekteshi

Në komunizëm vuajti edhe burg.

 

Dielli me rreze ua ka marrë trutë

Ikin me të katra sokaqeve të Bit – Pazarit.

Nateditë, përhava e ngrejnë palarenë në xhami

Dhe, strehohen në çajtore, bëjnë politikë…

1. Emërtim sllav: Majëmali në jug të Shkupit.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora