E marte, 22.06.2021, 02:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Ruzhdi Pulaha: Si na shpëtoi Kadareja

E enjte, 30.07.2015, 07:32 PM


Ruzhdi Pulaha: Si na shpëtoi Kadareja pa na i thyer “Shkallët” në Teatrin Kombëtar në vitin 1990

Drejtori i TK, Kico Londo, regjisori, Serafin Fanku dhe skenaristi, Ruzhdi Pulaha, gjate nje konference shtypi, ku kane folur ne lidhje me nje pjese teatrore qe do te vene ne skenen e Teatrit Kombetar ne muajin prill.

Credits by: LSA / LSA

INTERVISTA/ Flet shkrimtari Ruzhdi Pulaha: Ismail Kadare u bë avokati ynë, që na shpëtoi me intuitën dhe personalitetin e vet/

-Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, udhëheqës të Partisë dhe të Lidhjes përpiqeshin të na bindnin se ajo që ndodhi në Rumani, s’kishte vend tek ne/

– Drama “Shkallët”, kishte ndeshur në kundërshtimin e Ministrisë së Kulturës por dhe “kompetentëve “ të tjerë të censurës/

– Pas një lufte një vjeçare me Ministrinë e Kulturës, mbas shumë debatesh, diskutimesh drama u vu në skenë me regjisorin Gëzim Kame/

– Pra simbolika e dramës ishte që populli gjykon politikën dhe pushtetin/

– U dhanë rreth dyzet shfaqje, pa u hapur asnjëherë sporteli për shitje të lirë biletash/

– Personalisht i kam ftuar në shfaqje drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Shkrimtarëve por nuk erdhën/

– Ndonëse Kadri Roshi dhe Robert Ndrenika këmbëngulnin që të ishin të pranishëm, nuk i lejuan/

Nga Albert Z. ZHOLI

Kjo intervistë e dytë me shkrimtarin dhe komedianin Ruzhdi Pulaha, ka të bëjë me figurën e një prej korifenjve të letrave shqipe Ismail Kadare. Ishin vitet dramatike për atdheun tonë. Ishin ato vite kur rinia po shikonte me sytë nga perëndimi dhe regjimit totalitar po i vinte fundi. Pikërisht në fundvitet 1980, Ruzhdi Pulaha vë në skenën e Teatrin Kombëtar dramën “Shkallët”. Kjo dramë për vetë tematikën që ishte, për vetë interpretimin, u prit me entuziazëm nga publiku i gjerë kryeqytetas. Personalisht kur e kam parë këtë dramë, jam kthyer në shtëpi me lloj-lloj mendimesh në kokë. Pashë një botë tjetër, një mendim ndryshe nga i kohës që më bëri të reflektoj më shumë se miqtë e mi që se ndoqën këtë dramë. Kur shfaqja u dha në Tiranë, në Gjermani kishte rënë muri i Berlinit ndërsa në Rumani, sistemi socialist kishte marrë rrugën e tatëpjetës. Po në Shqipëri çfarë po ndodhte?! A e kishte radhën vendi i shqiponjave për një përmbysje të tillë? A ishin intelektualët shqiptarë të ndërgjegjësuar për ndryshimin? Cili ishte roli i Ismail Kadaresë në këtë ndryshim? Personalisht në atë kohë mësova shumë nga kjo dramë në atë vit të çuditshëm 1990. Shumë të rinjve që si përjetuan ato ditë, kjo vepër do të duket paksa utopi, por për mua dhe brezin tim ishte leksioni më i bukur i kohës, për artin që çau kornizat hermetike të regjimit.

Në pranverën e vitit 1990 në Teatrin Kombëtar u shfaq drama juaj “Shkallët” e cila bëri bujë dhe u prit me entuziazëm nga publiku, por shqetësoi së tepërmi Partinë dhe pushtetin e kohës. Si e kujtoni tani pas 25 vjetësh atë ngjarje?

-Në fakt drama ishte shkruar që ne vitin 1989. Ndërkohë kishte rënë Muri i Berlinit, kishte rënë komunizmi në Rumani dhe kampi socialist kishte mar rrugën e shembjes së përgjithshme si një tërmet i papërballueshëm. Sigurisht që dallgët e këtij tërmeti po ndjeheshin edhe në Shqipëri duke ndezur shpresat e popullit dhe frikën e pasigurinë tek pushteti, i cili me të gjitha format përpiqej të amortizonte rrezikun e këtyre valëve përmbysëse. Kudo bëheshin mbledhje, takime, të deleguarve s’u zinin këmbët dhe duke u përpjekur të mbulonin panikun për fundin e pashmangshëm dhe mundoheshin t’u mbushnin mendjet njerëzve se kjo furtunë historike që do të riformatonte politikisht botën, nuk do të kalonte në Shqipëri. Dhe pa dyshim një vëmendje e veçantë do t’i kushtohej shkrimtarëve, artistëve dhe institucioneve artistike, të cilët mbaheshin nën një vëzhgim të rreptë, sepse nga “ndihmës të Partisë për edukimin komunist të masave” mund të ktheheshin në armiq të Partisë dhe socializmit.

Ndër të tjera më kujtohet një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ku udhëheqës të lartë të Partisë por dhe të Lidhjes përpiqeshin të na bindnin se ajo që ndodhi në Rumani dhe po shtrihej me shpejtësi në gjithë Lindjen Komuniste nuk kishte të bënte me ne dhe Shqipëria do të vazhdonte e sigurt rrugën e socializmit. Ishte një përpjekje tejet e dëshpëruar sepse edhe ata dinin se komunizmi tek ne erdhi si një baticë ideologjiko-politike pas Luftës së Dytë Botërore, por me sa po dukej batica e kishte mbyllur ciklin e saj dhe tani kishte ardhur koha e zbaticës, për t’u tërhequr duke sjellë shembjen tragjike të atij sistemi diktatorial, shembje nga e cila nuk mund të shpëtonin as ‘kalaja jonë e kuqe’. Nën ndikimin e këtyre situatave kisha shkruar dramën “Shkallët”, për të cilën kisha ndeshur në kundërshtimin e Ministrisë së Kulturës por dhe “kompetentëve “ të tjerë të censurës, për t’u vënë në skenë….Mundësia e fundit ishte që drama të zhvishej nga dimensioni politik e social e të mbetej një dramë e thjeshtë familjare.

-Megjithatë drama u vu në skenë?

-Po, pas një lufte më se një vjeçare me Ministrinë e Kulturës dhe Komitetin e Partisë, mbas shumë debatesh, diskutimesh dhe ripunimesh që bënim me regjisorin Gëzim Kame, skenografin e ndjerë Shaban Hysa dhe trupën, duke u përpjekur të ruanim thelbin e domethënies së dramës. Më në fund u arrit që drama të vihej në skenë. Dhe për hir të së vërtetës u prit me shumë entuziazëm nga publiku.

-Për herë të parë një pjesë teatrale atakonte direkt sistemin e kohës. Vetë titulli “Shkallët” kishte të bënte me thelbin e dramës?

-Sigurisht. Faqja e parë e dramës fillon me këta vargje të marra nga akti i dyte i “Jul Cezarit” të Shekspirit.

Po ësht’ e ditur prej të gjithëve

Q’ambicj’e re përunjen e ka shkallë,

Dhe ngjitësi përpjet’ e kthen fytyrën;

Po, me t’arrirë në majë fare,

Ja kthen aherë shkallës shpatullat,

Në retë sheh, përbuz të poshtmet grada

Nga u ngjit lart…

Pra drama përshkohet nga ideja se një shkallë që të ngjit, duhet dhe për të zbritur, kurse ju që u ngjitët atje lart, kujtuat se do të jeni të përjetshëm e thyet shkallën dhe tani do të bini me kokë. Sigurisht e thënë jo kaq drejtpërdrejt, por e lexueshme fare qartë nga publiku. Dhe ishte së pari kjo që e entuziazmonte spektatorin. Sigurisht falë edhe konceptit shumë domethënës të regjisorit që skenën e ngriti në mes të sallës si një ring boksi, kurse në skenë rrinin spektatorët. Pra simbolika ishte që populli gjykon politikën dhe pushtetin. U dhanë rreth dyzet shfaqje, pa u hapur asnjëherë sporteli për shitje të lirë biletash, sepse jepeshin me autorizim për grupe spektatorësh nga ndërrmarjet, shkollat, institucionet…jo vetëm nga Tirana por dhe nga rrethet…Por ndërkohë edhe shqetësimi i shtetarëve dhe politikanëve po rritej. Sigurisht edhe shqetësimi ynë. Zakonisht shfaqjet e mia nuk i shihja nga salla por nga kabina e elektricistëve, me sytë nga lozhat ku rinin “shokët” e udhëheqjes duke ndjekur me ankth si do të reagonin, a do qeshnin, a do duartrokisnin? A do nxirrnin ndonjë blok për të mbajtur shënime…Kurse me “Shkallët” ishte ndoshta rasti i parë që lozhat e udhëheqjes mbeteshin bosh. Sigurisht, nuk ishte shenjë e mirë dhe prisnim që diçka do të ndodhte. Dhe një ditë u dha urdhri që shfaqja të pezullohej. Po hiqeshin reklamat dhe afishet dhe u njoftuam se mbas shfaqjes së asaj nate do të bëhej një diskutim i mbyllur. Bashkë me regjisorin Gëzim Kame e ndjenim se mbas shfaqjes nuk do përgëzoheshim por do të gjykoheshim.

Nuk dinim ku të gjenim dikë që të na mbronte.

Gjëja e parë që më shkoi ndër mend ishte të takoja Ismail Kadarenë. E takova diku aty pranë hotel “Dajtit” dhe i thashë se atë mbrëmje do të gjykoheshim dhe kishim dëshirë të vinte edhe ai. Do të vij patjetër, tha, me të parën.

Aktorët ishin të tensionuar dhe ky tension i dha shfaqjes një nerv edhe më të fortë.

Dhe mbas shfaqjes u mblodhëm në studion e madhe të teatrit. Që nga pjesëmarrësit u mor vesh se si do të shkonte mbledhja. Përveç Ministrit te Kulturës dhe Ministrit të Tregtisë së Jashtme (ngjarjet e dramës zhvilloheshin në tregtinë e jashtme), salla ishte mbushur me punonjës të tregtisë dhe Komitetit të Partisë. Kurse nga ne, përveç drejtorit të teatrit, meje dhe regjisorit, nuk u lejua të merte pjese asnjë aktor, ndonëse Kadri Roshi, Robert Ndrenika etj, këmbëngulnin që të ishin të pranishëm. Pra dukej se kishte ngjyrat e një linçimi politik. Shkurt, akuzat që na bëheshin ishin politike dhe pjesa u quajt antisocialiste që nxin realitetin etj., etj. Nuk po zgjatem. Dua të përqendrohem tek Kadareja.

Ai u bë avokati ynë që na shpëtoi pa na i thyer “Shkallët” e Teatrit Kombëtar. Me sa më kujtohet nga diskutimet dhe replikat e Ismailit në thelb ai tha: Ç’është kjo mbledhje absurde? Mblidhen tregëtarët e preshve e të lakrave që s’vinë kurrë në teatër dhe gjykojnë artistët?! Ç’është kjo frikë? Ç’është ky panik sepse drama thotë vetëm gjysmën e së vërtetës? Dhe ju vini të gjykoni. Sipas logjikës suaj nëse autori do të bënte një dramë për burgun duhet të vijnë e ta gjykojnë të burgosurit? Si guxoni të merni përsipër të ndaloni një shfaqje të cilën publiku e pret me entuziazëm? Ky është skandal.

Dhe pas argumenteve, autoritetit dhe personalitetit të Kadaresë burokratët u tërhoqën. Reklamat u rivunë dhe shfaqja vazhdoi të jepej. Sigurisht edhe tre-katër netë dhe u gjend nja arsye apo u mbyll sezoni para kohe dhe nuk u shfaq më.

E falënderuam Ismailin, e falënderoj përsëri edhe sot i cili gjyqin kundër artit e ktheu në akuzë ndaj politikës. Dhe kjo ndodhte pak kohë para se ai të “arratisej” në Francë. Ndër të tjera edhe kjo është një alibi tepër domethënëse se Ismaili deri në fund ishte konsekuent në bindjet dhe përpjekjet e tij dhe mbrojtjen e artit nga dhuna politike.

Po Lidhja e Shkrimtarëve çfarë qëndrimi mbajti për këtë shfaqje?

-Lidhja duke qenë tepër e politizuar mbajti një qëndrim për të ardhur keq. Personalisht i kam ftuar në shfaqje drejtuesit kryesorë të saj por nuk erdhën, sigurisht për t’iu shmangur përgjegjësisë. U botua vetëm një shkrim nga një gazetar i Lidhjes, por që nuk shprehte vetëm mendimin e tij, ku shkruhej se shfaqja ishte si një teneqe me gurë që rrokullisej duke bërë zhurmë dhe se drama kishte guxim ideor, po jo vlera artistike. Me këtë binin brenda sepse ishte koha mbi të gjitha kishte nevojë për guxim ideor dhe nga ana tjetër guximi artistik qëndronte veç të tjerash në ndërrimin e raporteve të artit me politikën, duke zbritur shfaqjen (Politikën) në mes të sallës dhe ngjitjen e publikut (Popullit) në skenë, për ta gjykuar politikën nga lart. U bënë disa shkrime kundër atij qëndrimi të Lidhjes por asnjë nuk u botua. Gjithashtu as që mund të bëhej fjalë që shfaqja të filmohej dhe të shfaqej në televizion.

-Sigurisht, ata që harruan shkallët e zbritjes ranë me kokë me gjithë sistemin e tyre, po ju jeni marë më tej me këtë simbolin e shkallëve?

Ky problem i shkallëve politike për të uzurpuar majat e pushtetit nuk është vetëm dukuri e sistemit komunist, por një fenomen i përhershëm, për çdo shoqëri ku demokracia nuk funksionon si duhet. Ka njerëz arrivistë e të paskrupullt që e shkojnë jetën me shkallë në krah për t’iu ngjitur mureve apo gardheve të pushtetit me të gjitha mënyrat. Rreziku ekziston gjithmonë. Unë kam shkruar një dramë tjetër, si vazhdim i “Shkallëve”, pas rënies së komunizmit, që ka në qendër shkalltarët e rij postkomunistë, të cilët pa asnjë skrupull shpërdorojnë pushtetin politik për t’u pasuruar padrejtësisht dhe ngjitin shkallët e pasunarëve duke shkelur mbi supet e lodhur të atyre që i kanë ngjitur duke i votuar përmes mashtrimit. Pra tani nuk bëhet fjalë për shkallë ideologjike, por për shkallët e sofistikuara të korrupsionit apo amoralitetit politik.

-Si titullohet drama e re?

-“Mallkimi”…Sepse këta shpërdorues e përdhunues të shoqërisë një ditë do t’i zërë mallkimi i popullit…Jo mallkim nga zoti, por nga ndëshkimi që u jep vet populli mbas ndërgjegjësimit se do të jemi një shoqëri e vërtetë demokratike ku sundon shteti i sa drejtës. Është në qendër përsëri Mentori, i cili kishte hedhur shkallën që e ngjiti aq lart në atë sistem, por me të rënë ai e mori shpejt veten dhe rrëmbeu një shkallë të re dhe si i regjur me “besnikëri ndaj partisë” filloi t’u ngjitet shpejt mureve të shtetit të ri demokratik, duke u ngjitur në poste shumë të rëndësishme dhe duke u bërë milioner, duke shkelur mbi supet e drobitur të atyre që e ngjitën aty lart, duke i përbuzur. Për fat të keq jemi një popull që harrojmë shpejt dhe falim shumë.

-Kur jeni takuar për herë të parë me Ismail Kadarenë dhe si ishin mardhëniet e tua me të, a keni pasur debate?

-Si gjithë letrarët e rinj edhe unë, duke qenë student, ndiqja aktivitetet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe diskutimet letrare ku jemi njohur edhe me Ismailin, Dritëronë e të tjerë. Por me këta të dy, përveç interesave letrare kishim dhe një arsye më shumë për t’u njohur më nga afër. Dy shoqe të kursit tonë, Helena (Gusho) Kadare dhe Sadie (Kecaj) Agolli do të bëheshin bashkëshorte të shkrimtarëve të shquar. Sa për Ismailin, ai u kthye shpejt në idhull për ne më të rinjtë, sepse po shikonim që ai po përpiqej të zgjeronte hapësirat e lirisë krijuese dhe po sillte një frymë të re na letërsinë tonë. Përsa i përket marrëdhënieve të mia me Kadarenë kam dy momente të paharrueshme që lidhen direkt me krijimtarinë time. Në vitin 1968 u botua vëllimi im i parë me tregime “Ndodhi të ditës”. Atë kohë u bë një diskutim promovues për librin tim dhe një vëllim tregimesh të Shefqet Tiganit, si dy autorë të rinj që vinim me librat tanë të parë. Analizën e bëri Ismail Kadareja, me një diskutim me shumë dashamirësi dhe inkurajues. Ishte nota e parë që merja në krijimtari dhe nota ishte kaluese dhe premtuese. Momenti tjetër, edhe më i rëndësishëm i takon vitit 1990. Këtu duhet të ndalem pak më gjatë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora