E premte, 30.07.2021, 03:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Poezi me shtrirje ideo-artistike

E marte, 28.07.2015, 07:45 PM


Vështrim libri

POEZI ME SHTRIRJE TË GJËRË  IDEO-ARTISTIKE

(Idriz Berisha: “Udhëtim mes dy drinash”, poezi, botoi “Vorea Ujko” Klinë-2014)

Nga Tahir Bezhani

Këto ditë  korriku me vapë, me temperaturë tropikale, radhazi mora nga rafti i bibliotekës librin me poezi të mikut nga Klina, Idriz Berisha, të cilin ma kishte dhuruar që nga prilli i këtij viti, gjatë një manifestimi kulturor në Klinë. Pasi  shikova pamjen teknike të librit dhe lexova emrin e redaktorit dhe recensentes, z. Prend Buzhala dhe Migena Arllati, rresht pas rreshti u gjenda në mesin e këtij libri me poezi të Idriz Berishës.

I gjendur para një vale rrëmbyese të poezive në përmbledhjen “Udhëtim mes dy drinash”, nuk e ndala leximin deri në fund të librit, me 123 faqe. Krijuesin Idriz Berisha, e kam njohur si artist të artit figurativ, i kam njohur vlerat e brushës së tij brenda e jashtë vendit, edhe në arenën ndërkombëtare, kam ditur edhe për shumë mirënjohje që ka marrë kudo që ka ekspozuar pikturat e tij. Por, tani u njoha edhe me vargjet e librit të dytë me poezi, i cili tërheq vëmendjen e lexuesit, nga cilido aspekt i kompozimit ideoartistik, si pasuri interesante, me një botë të pasur imagjinative, specifike e artistike që meriton vëmendjen e opinionit  të artit poetik.

Tani, poeti i talentuar dhe artisti i merituar i artit figurativ, duke i lidhur mrekullueshëm këto komponente artistike; të brushës e penës, me pamje e pikëpamje të nivelit të lartë, na detyron të futemi deri aty ku mundemi, në zjarrminë poetike ku poeti mjeshtërisht zbraz mendjen dhe talentin e tij, thellësive shpirtërore  në fushën arkeologjike të poezisë.

Në të vërtetë, poeti Idriz Berisha, në këtë përmbledhje me poezi, ka një gamë të gjerë të shtrirjes në problematiken e jetës njerëzore, ku këndimi brilant fillon me përkushtime ndaj miqve krijues, si Tahir Beskut e Mehmet Kajtazit, të cilët nuk janë në botën e të gjallëve, por jetojnë në amshim e të ruajtur në kujtesën e njerëzimit, si vlera njerëzore që dhanë kontribut të madh gjatë jetës. Lexojmë poezinë ”Homazh vargut tënd”: ”orët e ditës i thure varg/e netët i kishe prush/Guri i atdheut të rëndoj pa masë/të kryqëzoj mes jetës e dashurisë/Si nata që zgjatë pa kufi/Me një fjalë të heshtur ike/Të jetosh diku tej harrimit/Te kulla e Babilonit atje/A maje Olimpit” Me kaq fuqi shpirtërore poetike ka thurur vargje autori për figurat emblematike, për dy  krijues të ikur nga kjo botë. Me të njëjtën peshë vargu, poeti i këndon edhe dëshmorit të luftës së fundit, Mujë  Krasniqit, duke i dhënë edhe epitetin e Mujës e Halilit, kreshnikëve të njohur në letërsinë tonë. Për figura të tilla, krijuesit përherë janë të gatshëm e të inspiruar nga bëmat e heronjve, që të thurin vargjet që dalin nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës.

Por, Idriz Berisha, është ai krijues, i cili din t’i këndojë çdo fenomeni që është pjesë e pandashme e jetës njerëzore. Ai i këndon atdheut, bukurive të tij, i këndon fëmijërisë, ”zogjve të qiellit që shtojnë bukurinë”, i këndon varfërisë, dashurisë, traditës  e cila la gjurmë të këqija herë herë  në historinë tonë, si tek poezia “Guri i nuses”, ku lexojmë: ”Në vigun e zisë u takuam diku/Dy nuse e shumë dasmorë/Të zi korb si ferri kobzi/Çudi këtë rrugë kur e mësuan?...”Motivi te kjo poezi është i vjetër por autori ka gjetur frymëzim në fërkimet historike….

Idriz Berisha, me horizontin e njohurive dhe shkathtësive krijuese, na bind fort për formimin e tij si një personalitet artistik në fushën poetike por edhe të artit pamor. Gërshetimin dhe gjetjet metaforike i gdhend bukur me “brushën” artistike të vargut, ku kuptimet dalin sintezë e mendimit filozofik, si p. sh.: ”As ndezë as fikë nuk ishte”, ”Ky varr që ha vetë veten”, ”po vij duarthatë-veç me plis”, ”a kështu vërtetë vdiste vdekja..” etj. Shprehje të mendimeve të thella  gjejmë thuaja në të gjitha poezitë e këtij libri, të cilat ia rrisin vlerën ideo- artistike librit dhe autorit.

Mendoj se me të drejtë konsideroj se lexuesi i çfarëdo niveli intelektual qoftë, do befasohet këndshëm me poezitë  e lexuara në librin “Udhëtim mes dy drinash”, të autorit Idriz Berisha. Në këtë libër, secila prej poezive, mbi njëqind e pesëmbëdhjetë sosh, përmbajnë tema të ndryshme, përcjellë me frymëzime uragane, të derdhura me mjeshtëri joshëse fletëve të bardha, ku mendimet zënë të shpërndahen anekënd trojeve tona, plot histori, vuajtje, trimëri, heroizëm, dashuri e qëndresë të paparë për të ruajtur e gëzuar gjeneratat këtë copë tokë të lodhur…

Pa dashur t’i qasem veç e veç poezive të këtij libri, mendoj fuqishëm se poezitë e zotit Idriz Berisha, hedhur në përmbledhjen “Udhëtim mes dy drinash”, janë jo vetëm të nivelit të lartë artistik, por janë një pasuri e madhe shpirtërore për ata që e duan poezinë, janë dhuratë për dashamirët e artit poetik, janë një pasuri bibliotekare në vendin tonë.




(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora