E marte, 03.08.2021, 06:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Një sofër poetike e përbashkët

E shtune, 25.07.2015, 01:34 PM


FJALA E REDAKTORIT

NJË SOFËR POETIKE E PËRBASHKËT

/Përkitazi me dorëshkrimin e Gjokë Sokolit “Panoramë e poetëve të Gjakovës dhe të Tropojës”/

NGA MR. SKËNDER R. HOXHA

Aty nga mesi i janarit 2015, krijuesi Gjokë Sokoli më dha dorëshkrimin e tij më të ri me titull “Panoramë e poetëve të Gjakovës dhe të Tropojës”, i cili, nga unë kërkoi që të bëj redakturën e këtij dorëshkrimi.

Ky dorëshkrim, përkatësisht kjo Panoramë Poetike, që ka pretendime të bëhet libër, ka edhe elemente të një antologjie. Kështusoji, gjatë sajimit të këtij dorëshkrimi, autori ka hulumtuar, gjetur dhe prezantuar në një sofër poetike të përbashket 86 autorë nga këto dy zona: 67 poetë nga Gjakova me rrethinë dhe 19 poetë nga Tropoja me rrethinë, pa lënë anash edhe poetët që jetojnë, punojnë e veprojnë në Diasporë.

Të gjithë poetët e përfshirë në këtë Panoramë Poetike janë të moshave të ndryshme dhe se kanë të botuar nga disa libra me poezi, (kush më pak e kush më shumë), pra, janë të dëshmuar si poetë. Ndërkaq, vlen të theksohet se shumë prej këtyre poetëve të përfshirë në këtë dorëshkrim, janë autorë edhe të shumë veprave të zhanreve të ndryshme letrare. Mirëpo, autori, në këtë Panoramë i ka parë vetëm nga këndi potik.

Autori Sokoli, gjatë mbarështrimit të kësaj lënde, ka shkuar sipas një principi, apo sipas një kriteri, si do të thosha unë: Iu ka dukur mirë që secilin poet ta prezantojë me një fotoportret, vendlindja, vitlinja, e në disa raste edhe vendbanimi i saj apo i tij, si dhe një apo dy poezi nga krijimtaria e tyre. Pikërisht për këto elemente që ka dorëshkrimi, siç e thashë edhe më sipër, është njëlloj antologjie poetike në miniaturë.

Vërehet se poetët e kësaj Panorame, nga Gjakova me rrethinë dhe nga Tropoja me rrethinë, janë të lindur gjatë viteve të shekullit XX. Ndonjë prej tyre nuk e ka vendlindje Gjakovën as Tropojën, por që jetojnë e veprojnë aty, ndaj edhe janë të përfshirë. Kështu, të lindur gjatë viteve ’20 e ’30 kemi emra të njohur të cilët vunë bazat e poezisë bashkëkohore e moderne shqipe, si: Din Mehmeti, Anton Çetta, Rexhep Hoxha, Enver Gjerqeku; Besim Bokshi, Agim Gjakova, Pal Neçaj, Qamil Batalli etj.

Poetë të lindur gjatë viteve ’40 e ’50, e që i gjejmë në “Panoramë e poetëve të Gjakovës dhe të Tropojës”, si: Ali Podrimja, Teki Dervishi, Agim Deva, Hasan Hasani, Anton Paplaka, Flora Brovina, Skënder R. Hoxha, Nexhmedin Soba; Besnik Mustafaj, Pjetër Geci, Hasan Buçpapaj, Mevlyde Saraçi, Qemajl Juniku, Skënder Buçpapaj, Zef Osmani etj.

Ndërsa, poetë të lindur gjatë viteve ’60, ’70 e ’80 të shekullit të kaluar, e që i gjejmë në këtë Panoramë, si: Mujë Buçpapaj, Brahim Avdyli, Ali Sylaj, Besim Muhadri, Lulzim Logu, Pal Ndreca; Migena Arllati, Anton Marku, Bore Balaj, Ilir Hajdari; Yllka Domi, Gentiana Muhaxhiri etj.

Një nga shtysat që e kishin motivuar më tepër autorin t’i hyjë këtij projekti është, edhe siç thotë ai vetë në Parathënie se: “Duke e parë edhe unë me sytë e mi këtë rrugëtim të vështirë të popullit tim, më lindi ideja që ta bëj një panoramë të krijuesve të poezisë, nga qyteti i Gjakovës dhe të Tropojës, në një libër të përbashkët, ku një pjesë e këtyre krijuesve nga këto dy zona sot nuk janë të gjallë, pra mbi 20 krijues sot nuk janë më në jetë, por veprat e tyre mbesin të pavdekshme. Ata kurrë nuk pushuan me penën dhe mendjen e tyre, të shkruajnë për atdheun e tyre të robëruar, për vendlindjet e tyre dhe për këtë tokë të etur për liri”.

Zëri poetik i femrës shqiptare

Mendoj se vargjet dhe të dhënat për 17 poete shqiptare, (15 nga Gjakova dhe 2 nga Tropoja), e bëjnë këtë panoramë poetike edhe më të begatë. Zëri poetik i këtyre poeteve tona, si: Migena Arllati, Zyra Ahmeti, Shkëndije Hoda, Xhane Imeraj, e të tjerave, është tregues i mirë për të arriturat dhe kontributin që femrat shqiptare, krijuese, po i jepin poezisë shqipe në veçanti dhe letërsisë shqipe në përgjithësi.

Së këndejmi, ky dorëshkrim ia vlen të botohet libër meqë autori ka prezantuar një numër të madh autorësh nga këto dy zona, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ndonjë poet të ketë mbetur pa u përfshirë (pa dashje të autorit), e në anë tjetër, autori, me përzgjedhjen e poezive të këtyre poetëve, ka bërë përpjekje për t’i “lidhur” në aspektin tematik, motivor dhe emocional krijimet poetike të krijuesve të periudhave të ndryshme kohore.

Janar 2015, Pejë.

Mr. SKËNDER R. HOXHA

redaktor i librit



(Vota: 25 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora