Kulturë
Poezi nga Namik Selmani
E hene, 27.07.2015, 07:01 PM
Namik
Selmani
PËSHPËRITJE SHKUPJANE
(Mikut tim, Sami Sherifi)
Ç’janë këto përmendore
Që më verbojnë sytë e ninullen e nënë Feridesë?
Thuamë, poet
E mos ma hap grushtin e gjakosur!
Në Çair
Do marr shpatën e Skënderbeut si në muze, në Vjenë.
Te Nënë Tereza
Skuqem nga mëkati i pabërë i flamurit të njollosur.
Në Vardar
Do të ngrej një Urë për të ardhur kah teje.
Ani,
Pse nuk ka fishekzjarrë modernë nga Evropa.
O aed flokëthinjur
Kam dritë syrin e babait si shkrepëtimë rrufeje
Kam amanetet
si kallinj të tharë të lidhur misri te Muri i Odës.
Mos më mëkato
Tek eci këmbëzbathur në trasën e këngës me pëshpëritje
Tië mos hesht
Vetë të ngrejmë
Një përmendore përtej mjegullave, rudinave brigjeve
Bashkë
të bëhemi lodërtarë me palët e Vardarit dritëmagjie
Shtizat e fjalëve
Të fluturojnë qiejve si shatërvanë gazi
Janë zgjuar
Profetët e rinj nga librat e Shenjtë
Ku i bie bririt
Me fytgjakosur, me pisklamë të përjetshme
E ulem
një një shesh këmbëkryq ku gjerboj kafenë e nxehtë
Syrin e agimit
mos na e qorrërrofshin balozët modernë e mitikë.
Muzgut të Kujtesës
do ia shkul ferrën që më gjakos gishtërinjtë!
PRANVERA E DHIMBJES KOSOVARE
Hej, ç’më dhembe gjer në palcë, moj pranverë e Kumanovës
Për stinët e moshës sime ngrite krisma me lotë në faqe fëmijësh
Në kullat po më hedh predha që djegin djepet dhe lulet i përzhisin
Në mbrëmjet e tua fjala më bëhet balsam për plagët e brigjeve.
Hej, ç’më zgjove përrallat moderne, moj pranverë e Kumanovës
M’i zgjate krahët e sytë ç’m’i bëre çerdhe dallandyshesh
Mund të shkel i menduar anekënd në viset e Botës
Hej, Mixhë, më trego si e kaluat Acarin e Dimrit
Si e bëtë theqafjen e Kuçedrës së Bardhë?
Për të zgjuar dhimbjen dhe ëndrrën që fshihet mes zgjimit
Më jepni një kalë të pres në rudina agimin e artë
Dashkam
të ulem këmbëkryq në këtë qilim tek
Ku trëndafili i plagës çel dhe në bukën e sofrës së vjetër
Një valle flladi më bëka plak me moshën sa vetë Sharri
Një këngë trimash më merrka në duar si fëmijë i përjetshëm.
Hej, moj pranverë e Kumanovës ,mos m’i mbyll Portat e Blerimit!
Në vargjet e poetëve më lër të prek gjurmët që do të shkel nesër
Në se një ditë, telat e rinj të dhimbjes sërish do t’i shtrijnë,
Me Kodin e Bashkimit do t’i rilidh zemrat njëra pas tjetrës
Nuk dua të qyqojnë odat, librat, pullazet dhe lisat
nuk dua të më qyqojnë as djepet e fëmjëve, lodrat e djegura
Nuk dua të verbërohen nuset, gjyshërit,, mbesat dhe nipat
Nuk dua që të më vriten këngët dasmës me plumbat e nxehtë.
KAFET TONA
Kafet tona
Kanë shpesh fjalë si çimçakizi i mbllaçitur
Janë proteza
Dhëmbësh, pas të cilave duket nofulla dhe mishi.
Si ca degë
Që ia merr të gjitha frytat tufani i papritur.
Si ca ditë
Ku shpesh mbi supet e zhveshur vjen para kohe dimri.
Kafet tona
Na bëjnë cicëronë modernë që rizgjojnë vite.
Skuqen patatet
E në tiganin me zjarrit nuk ka duar t’i prekë
Me tenxheren
Derdhet qumështi mes fjalëve që duan përgjigje.
Krenaria e shtirur
Na bën shpesh si mullari ku këndojnë tre këndezë.
Në kafet tona
Qiellëzohet fjala e bëhët rrobë e vjetëruar
Nxitojnë
Ta hedhim në kosh ose ta japim si të ishte lëmoshë.
Aty
Nis puthja e parë pas një perdjeje a muzgut të nxiruar.
Aty çel
Manushaqja e parë që del nga gjembat që gjembojnë.
Filxhanët tanë
Prekin me duar maturisht si të prekim pjergullën e majën.
Me gishtërinj
Që dridhen e me zëra që na bëjnë princër e këshilltarë
Diku,
Garojnë me një lumë që sjell gurë, trungje e shkarpën
E sërish
Presim çastin kur do të rrufisim kafet në radhë..
LULET NË LIVADHIN E JETËS
Në cilin sinor
Dashuria ta dha fytyrëskuqjen e pafajshme të Evës
Në cilin planet
Ishte fshehur kur më shtizove gjer në Qiellin e Tetë?
Oo,
Në cilin shteg ta dëgjova këngën tënde të zemrës?
Në cilën ditë
Lahuta, fyelli, violina bënin për ne orkestër gjer tek retë?
Mikja ime,
Në cilin cep të diellit ishte fshehur fytyra e zemra jote?
Më e bukur
Se Hirushja e Përrallës që gjyshja ma pat treguar.
Ti
Ishe dhe mbete kudo me mua si princeshë hirplote
E bëheshe
Një vajzë agimi, një nuze pragu a një gjyshe e lumturuar.
Bashkë
I vumë notat në Pentagramin e këngës së ngrohtë
E premë
Shiritat e përurimit si në një ekspozitës tërë jetë
Të kujtohet
Dita kur shtrënguam butësisht pëllëmbën e dorës
E mos më thuaj
Se kur do të vijë Dita e Muzgut të zbehtë.
Kostarët për ne kositën
barin për ta pirë qumështin më të freskët
Bletarët
vunë në radhë bletët për mjaltin e pashijuar
Pendarët
Shkuan këmbëzbathur pas brazdës në ugarin e thellë.
Avionët
u ulën në gjunjë për të na marrë si kuajt e shaluar.
Bashkë kënduam
Himnin e agimeve ku urimi rizgjohet
Bashkë
E gjetëm saktësisht ilaçin ne Farmacinë e Lumturisë
E pyes sërish
Ku do ta varim çengelin e ditës së nesërme, o bukuroshe?
Ja këtu,
Ky sytë nuk kanë pikuar Lotin e Humbjes asnjë ditë.
Rrudhat
Sot na duken si brazda ku rihidhet fara
Ku fëmijët
Do prekin gjyshërimin e tyre plot lumturi.
Mos më pyet,
Për Livadhin ku thurëm kuorën me fjalë të arta
Po pyetmë
Për ëndrrën më të re që riçel si trëndafil.
ATË DITË
1.
Atë ditë
Sikur dhe zoti ma tha
Që ta puthja vjedhurisht atë grua.
T’ia përkëdhelja duart
Si të ishte një vogëlushe e bukur dhe nazike
Dhe pse në fytyrë
Mund të më jepte një pëllëmbë të ëmbëltuar
Që një ditë do më përkëdhelte bujarisht
Si të më sillte në shpirt rreze verbuese drite.
2.
Atë ditë
Sikur më tha vetë zoti:
“Shihe ndryshe shtegun nga vjen ajo grua si zanë!
Me ca sy të përhumbur burri
Përcille në shtegun që do të prekë në kthim!”
Dhe kishte një emër shenjtoreje
Ajo grua me hapin si të një princeshe
Që dhe sot
më bën dhe më trim e më nostalgjik.
3.
Atë ditë
Jetova të gjithë stinët që stinojnë te ajo grua
Kisha pranverën
Që më sillte gjoksit një fllad të freskët livadhi
Kisha verën e nxehtë
Brenda trupit vullkan të zjarrmuar
Kisha një copë dimri
Ku gishtërinjtë dridheshin si fëmijë në një lojë litari.
4.
Atë ditë
Isha me të në ethet e vajtjekthimit
Atë ditë isha diell që rrezonte e qiell në kaltërim.
Atë ditë
isha mes vorbullës në RIZGJIM.
BAJAMET E ÇAMËRISË
Mund të mos kishte dhe aq shumë rrënjë domate në bahçe.
Mund të mos kishte shumë sheqer, libra dhe shkronja.
Mund të mungonte dhe pak bukë në magje
Mund të mos kishte dhe aq relike të vjetra në oda.
Mund të kishte pak më shumë këngë kurbeti
Mund të kishte pak më shumë saze Çamërie.
Po ëndrra çame buiste dhe bëhej në çast si deti.
Ca eho gjoksi ndiznin dhe gurët nëpër brigje.
Veç kurrë, kurrë, nuk mungonin lulebajamet.
Mes gëzimit të syve e gëzimit të zemrave.
Aty Çamëria gdhendëte kujtesën prushane
Si të ishte amaneti që zgjon fjalët e pathëna të brezave.
Aty pranverën si dashurinë e parë e prisnin
Dikur mbushnin prehërin e gjysheve mes urimit.
Me ca tinguj këngësh, si rruaza pranë gjirit
Me ta prisnin dimrin dhe i hapnin dyert gëzimit.
Kanë mbetur jetime, bajamet, mes mjegullës.
Lulëzojnë e bëjnë kokrra sërish për duart e vajzave.
Kush, kush, do ia heqë gurët e gjëmbin e ferrës?
Kush, kush, do i shtrojë sërish në tavolinën e dasmave?
NJË PUTHJE QIELLORE
Merre puthjen time vjedharake, mike, në avionin e zgalemtë
Të të ngrohë në qiejt e largët, të mjegulluar a tërë kaltërsi
Le të futet në kasafortën më të saktë të shpirtit dritëpranverë
Le të bëhet shami mëndafshi që gushën e bukur të ta fshijë.
Një puthje qiellore ta sjell si relike të shenjtë për dashurinë
Vëre diku ku parfumet rrinë në radhë si lule erëkëndshme livadhi
Në të jam unë, duardridhur nga zjarri që dhe plumbin e shkrin
Në të është dhe zemra ime që vjen aty si aromë prillane flladi
Me një puthje vjedhjarake që e shohim unë, ti dhe vetë qielli
Nën lisat vetmitarë a nën bardhësinë magjike të dëborës
Në të është fjala e mjaltuar e këngës që zgjohet nën rreze dielli
E dora ime që në flokët e tu të verdhë rrijnë si palët e kurorës
Ah, kjo puthje qiellore vjedharake!
Ah, kjo ditë, që ma zgjoka jetën pranverake!!
MOS MA PIKËLLONI ËNDRRËN!
Mos ma pikëllo ëndrrën time të blertë, miku im!
Mos ia prit krahët e fluturta drejt Qiellit të Shpresës!
Nëse nuk i jep grurë hambarësh për sqepin plot uri,
Mos e lër në humbëtira pa dritë e pa njerëz!
Bëje lejlek Struge, pulëbardhë a zgalem në Jon
Një ujëvarë Niagare a si vullkan të zjarrmuar!
Bëje pëllumb postjer, i litrë të fluturojë
Të dërgojë kudo një copë të shpirtit tim të trazuar!
Vishe me mantel mbreti a me sërma princeshe!
Bëje ushtar të fortë për baltovinat e kohës
Jepi një ilaç për trishtimet që si hi mbeten
Jepi pak dashuri për të mundur ligësitë e botës!
Bëje këngë peshkatarësh për dashuritë e tokës
Jo si lakuriq nate që e fsheh nga sytë errësira
Mos ma bëni si trëndafil i tharë mes dëborës!
Mos ma bëni fije bari që ia ul kokën ngrica!
Bëjeni kalë të hazdisur për nusezanën e gëzuar
Jo si kalë balade që ecën i djersitur me dhimbje
Nëse lodheni një ditë, thirrmëni dhe mua
T;ua thur këngën më të bukur, si rreze drite
Mos ia vini kordele të zeza ëndrrës sime lozonjare
Lerini të ecë çapkënçe në rrugë, me e pa takat!
Të lodrojë si qengj a vogëlush në livadhe
Të jetë krua ku të pijë të etura të gjitha vajzat!
Mos e qëlloni me kamxhik, me sy të çakarritur!
Ajo është më e pafajshme se vetë pafajësia
Në muzgun e natës të sjell diellin e ndritur
Në Dimrin e Jetës të sjell lulet erëmira!
Mos ma pikëlloni ëndrrën!
Mos!!!
MOS MA PIKËLLONI ËNDRRËN!
Mos ma pikëllo ëndrrën time të blertë, miku im!
Mos ia prit krahët e fluturta drejt Qiellit të Shpresës!
Nëse nuk i jep grurë hambarësh për sqepin plot uri,
Mos e lër në humbëtira pa dritë e pa njerëz!
Bëje lejlek Struge, pulëbardhë a zgalem në Jon
Një ujëvarë Niagare a si vullkan të zjarrmuar!
Bëje pëllumb postjer, i litrë të fluturojë
Të dërgojë kudo një copë të shpirtit tim të trazuar!
Vishe me mantel mbreti a me sërma princeshe!
Bëje ushtar të fortë për baltovinat e kohës
Jepi një ilaç për trishtimet që si hi mbeten
Jepi pak dashuri për të mundur ligësitë e botës!
Bëje këngë peshkatarësh për dashuritë e tokës
Jo si lakuriq nate që e fsheh nga sytë errësira
Mos ma bëni si trëndafil i tharë mes dëborës!
Mos ma bëni fije bari që ia ul kokën ngrica!
Bëjeni kalë të hazdisur për nusezanën e gëzuar
Jo si kalë balade që ecën i djersitur me dhimbje
Nëse lodheni një ditë, thirrmëni dhe mua
T;ua thur këngën më të bukur, si rreze drite
Mos ia vini kordele të zeza ëndrrës sime lozonjare
Lerini të ecë çapkënçe në rrugë, me e pa takat!
Të lodrojë si qengj a vogëlush në livadhe
Të jetë krua ku të pijë të etura të gjitha vajzat!
Mos e qëlloni me kamxhik, me sy të çakarritur!
Ajo është më e pafajshme se vetë pafajësia
Në muzgun e natës të sjell diellin e ndritur
Në Dimrin e Jetës të sjell lulet erëmira!
Mos ma pikëlloni ëndrrën!
Mos!!