E marte, 06.05.2025, 03:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Burhanedin Xhemaili: A. Thaçi - “Përtej mallit”

E premte, 14.08.2015, 07:33 PM


Recension

Nga Burhanedin Xhemaili

Përmbledhja poetike “Përtej mallit” e poetit dhe prozatorit të njohur Abdurrahman Thaçi për lexuesin paraqet një botë poetike më vete, e cila është krijuar me një gjuhë poetike individuale, si një thesar i çmueshëm që i mundëson në mënyrë estetike të shpalos kujtesën dhe mallin për më të dashurit: për nënën, familjen, atdheun, të dashurën, qytetin, miqtë dhe gjithçka që lidhen me përjetimet dhe kujtesën e poetit... Poezitë e autorit burimin e krijimit e kanë nga frymëzimet dhe nga imagjinata e bujshme poetike, nga përvoja e tij jetësore dhe nga kujtesa për ngjarjet e veçanta të popullit shqiptar. Përmbledhja poetike “Përtej mallit” është e ndarë në tre cikle, dhe secilit cikël i paraprinë titulli me nga katër vargje të zgjedhura, për të na udhëzuar më së miri në brendinë e poezive të ndërtuara me ngjyrime të shumta emocionale...

Vargjet e poetit Abdurrahman Thaçi shquhen për natyrën sugjestive, natyrë kjo e pasuruar me efekte estetike, me cilësi ritmike dhe melodike, si dhe me gjuhën e revoltës, mallit dhe të dashurisë. Këto veçori e bëjnë më të afërt poezinë me lexuesin, sepse gjatë leximit përjetohen impresione dhe mbresa të këndshme që rezultojnë me kënaqësi estetike dhe me përfytyrime të imazheve artistike...

Që nga cikli i parë “Pesha e mallit”, gjegjësit që nga poezia e parë “Tretje kujtimesh” poeti na krijon një imazh të ndjeshëm nga kujtimet e ngrysura në vetmi, kujtime këto që shpalosin gjendjen e tij shpirtërore larg qytetit, larg miqve të tij, dhe larg viseve arbërore... Këto momente delikate, që e rëndojnë gjendjen shpirtërore të poetit, i vërejmë në poezinë e lartpërmendur, por do të veçojmë vargjet e para që përmes figurës së krahasimit na shpalos peshën e mallit që djeg nga brendia e shpirtit të poetit në kurbet, saqë edhe gurët i përvëlon:

Një grusht kujtimesh ngrysur në vetmi

sonte po m’ përpijnë në këtë lemeri

mendja m’shëtitë nëpër ato vise arbërore

m’ përshkon një mall që gurët përvëlon.”

 

Malli për vendlindjen dhe atdheun e përshkon edhe në poezinë me titull “Përtej mallit”, poezi e ndërtuar me pesë strofa me rimë dhe ritëm, me simbole dhe me metafora, cilësi këto që e bëjnë poezinë më të afërt dhe më të dashur, jo vetëm pse me përkushtim i këndon shtëpisë dhe qytetit ku ka jetuar, por pse shtëpinë ku lindi e apostrofon me bukuri të rrallë dhe e krahason me Kullën, simbol i qëndresës kolektive, që stuhisë i bën ballë... Në këtë poezi poeti na jep shumë fotografi përmes vargjeve poetike, imazhe këto që na shprehin shqetësime emocionale dhe na përqendrojnë në përjetimet individuale dhe kolektive të popullit shqiptar nëpër “kohë pa kohë” siç do të shprehej në vargjet e tij poeti i madh Ali Podrimja. Kjo poezi e ndërtuar mirë me vargje të larmishme emocionale dhe mbresëlënëse, na shpalos përjetimet e poetit, mallin dhe dëshirën për t’u kthyer në vendlindjen dhe në atdheun e tij të dashur, ku djepi i rritës ia ruan ninullat e nënës në gji:

“Mulliri i vjetër i dënuar me vetmi

i etur për lumin që i kalon përmbi.

Djepi im i rritës, mbyllur në frengji

ninullat e nënës m’i ruan në gji…”

 

Poezitë e këtij cikli secila më vete paraqesin veçantitë poetike, dhe secila poezi e ka peshën e vet artistike dhe bukurinë estetike. Por, gjithashtu mund të supozojmë se të gjitha poezitë karakterizohen me mallin dhe dashurinë për vendlindjen dhe atdheun...

 

Në ciklin e dytë “Sonte kujtoj për ju” poeti i vendos poezitë përkushtuese që ia përkushton më të dashurve të familjes, miqve të tij, 100 Vjetorit të Pavarësisë, Shkupit...

Poezia e parë e ndarë në tri pjesë i dedikohet babait dhe motrave të poetit, dhe titullohet “Mall...” Në këtë poezi shprehet malli dhe dashuria ndaj portreteve më të dashura që i përkujton me emocione të zjarrta, edhe ate duke i kujtuar çastet më të veçanta dhe më mbresëlënëse që ia dhuron kujtesa, kjo pasuri që dëshmon për historitë e familjarëve më të dashur që i mungojnë poetit, dhe e përmallojnë në jetë...

Poezinë e dytë të këtij cikli poeti ia dedikon shokut të humbur... Vargjet në këtë poezi jo vetëm që janë të rrjedhshme dhe të ngjeshura me figura poetike, por shquhen me shprehjet poetike që shpalosin ndjenjat e veçanta emocionale të poetit, si cilësi poetike dhe estetike...

“Kujtimet skaliten në zemër

goja e mbyllur mbetet pa fjalë

vjen e shkon në heshtje nata

si statuja m’qëndron përballë.”

 

Gjithashtu edhe në poezinë tjetër që ia dedikon nënës shprehen emocione prekëse, saqë i vetëdijshëm për përjetimet e nënave shqiptare nëpër luftëra, por edhe për guximin e nënave shqiptare që kanë sfiduar lemeritë dhe skamjet nëpër kohë pa kohë, poeti do të shprehet me ndërgjegje estetike:

“E di nënë,

ti linde

kur shekulli prej shekullit

kërkonte paqë...”

 

Në ciklin e tretë “Ethe dashurie” janë përfshirë poezitë me motiv të dashurisë, të krijuara nga përjetimet e thella të poetit ashtu siç e bartin erërat romantike, si emocione të veçanta... Në poezitë e këtij cikli veçohet e bukura, sublimja dhe e madhërishmja, si kategori estetike, që e ngrejnë në një nivel më të lartë estetik poezinë e tij. Poeti në këtë rast na paraqet një shfaqje tjetër nga jeta dhe ëndrrat e tij, që rezulton me shijen dhe përkushtimin individual për të arritur qëllimin final në një rrugëtim pa shenja dhe udhëtregues, dhe gjithnjë duke i sfiduar barrierat e fshehta dhe të dukshme...

Në baladën me titull “Baladë për një natë” autori shpalos idetë dhe përjetimet e tij, por gjithnjë duke aluduar në afrimin e dritës në fund të tunelit si shpëtim nga katrahura e rëndë momentale, që i krijon dilema të mëdha edhe pse optimizmit real i shtron rrugën e realizimit...

Gjatë leximit të baladës vërejmë shqetësimet emocionale të poetit në një gjendje pasigurie, ku dominon heshtja totale dhe vrulli i dëshirave ekzistuese për një kthim pozitiv nga një largësi e pikëtakimit të zbehtë që mund të nxjerr kundërvënie të raporteve... Këtë dilemë si qëndrim emocional më së miri e vërejmë te vargu që shprehet përmes pyetjes retorike: ”Athua do të zbardh e nesërmja me mua dhe ty?!”  Në këtë baladë autori shprehet me vargje imponuese dhe lutëse për shkak të parandjenjave që ia turbullojnë mendjen, por gjithnjë duke aluduar në epilogun e mbarë:

“E gjatë më duket kjo natë, o engjëll

sa një muaj, sa një vit, sa një shekull…”

 

Në poezinë me titull “Dashuri e nëmur” poeti dashurisë i këndon në gjendje të trazuar, duke luftuar me paragjykimet e mbrapshta që e bartin në përfytyrimet sentimentale që anojnë nga pesimizmi... Vargjet në këtë poezi  me ritëm dinamik rrjedhin spontanisht, si rezultat i mendimeve dhe përfytyrimeve të shoshitura në mendjen e poetit:

“Kot t’kërkova ndër mëngjese

çast në terr e çast ndër rreze

dergjet vyshket trupi im

drithërinë për një përqafim.”

 

Në përgjithësi poezitë me motiv të dashurisë shënojnë një përkushtim më të madh të poetit për ta afirmuar këtë lloj të poezisë falë përjetimeve reale dhe imagjinare, dhe falë dëshmive jetësore që e mbajnë pezull në procesin e krijimit letrar duke krijuar poezinë subjektive me elemente intime, dhe me një unitet të ritmit dhe tingullit të fjalës poetike... “A ka njeri në botë që pëlqen t’ jetojë n’vetmi,/a meritojnë zemrat tona t’veniten pa dashuri? “

Prandaj këto poezi lirike receptohen më mirë nga lexuesi, sepse do t’i ndjejë përsëafërmi shprehjet poetike dhe do të riprodhojë në mendjen e tij shprehje dhe imazhe artistike, për shkak të efektit emocional nga përjetimi, impresionet, mbresat dhe kënaqësia estetike...

Abdurrahman Thaçi me një përvojë të gjatë letrare para lexuesit shqiptar në fillim është paraqitur me krijimet  letrare për fëmijë, e më pas me tregimet dhe novelat për të rritur, ndërsa me poezi për të rritur është paraqitur vitet e fundit nëpër revista e gazeta, ku edhe është shpërblyer. Përmbledhja e parë poetike “Përtej mallit” shenon rritjen e vlerave estetike dhe zhvillimin e individualitetit letrar të autorit...



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx