E diele, 28.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Mendime

Bukuroca: Qosja, nga iluminist në një Kuazimodo (2)

E enjte, 13.08.2015, 07:46 PM


Numrat që flasin të vërtetën absolute për Qosjen, Kadarenë dhe Rugovën

Nga Lis BUKUROCA

Vijon nga numri i djeshëm...

Pesha e shkrimeve të tij është nacionale, si e Nolit për shembull. Se kjo është e vërtetë tregojnë numrat: Kadare është përkthyer në më shumë se dyzetë gjuhë, Qosja në shtatë gjuhë dhe shumica në gjuhë të ballkanasve. Nëse bazohemi tek “wikipedia” për të parë popullorësinë e Qosjes në botë, atëherë na shfaqet kjo shemë: për Rexhep Qosjen shkruajnë pesë autorë të enciklopedisë së lirë, edhe atë në pesë gjuhë: në shqip, në anglisht, në suedisht, në polonisht dhe një gjuhën volapyk. Për Ali Podrimjen në shtatë. Për Dritëro Agollin në nëntëmbëdhjetë. Për Ismail Kadarenë shkruhet në dyzetë e nëntë gjuhë. Pra dhjetë herë më shumë se për RQ. E si mund të bëjnë pesë gjuhë dhe dyzetenëntë dy veta kolosë? Shprehur me gjuhën politike: Kadare na rezulton superfuqi si NATO, Rexhep Qosja superfuqi si San Marino. Domethënë për elitën letrare botërore, do t' ishte mungesë kulture të mos njohin Kadarenë, por të mos njohin Rexhep Qosjen, është më se normale. Arsyeja është e thjeshtë: mesatar në narracion. Në letërsi kosovare Qosja ka më shumë vlerë letrare se Sinan Hasani, por mund të thuhet se është publicisti më i madh shqiptar, kjo është arsyeja pse me mish e shpirt është përpjekur të imponohet si monopolist i së vërtetës. Atë që nuk arriti në letërsi, u përpoq ta kompensojë në publicistikë dhe tek një shtresë e vogël e popullsisë, që nuk lexon, besohet pastaj edhe si romansier i madh.

Të shohim se sa është i njohur “tradhtari” Ibrahim Rugova, për pasardhësin e të cilit kukat Qosja dhe shprehet si plakat: “kuku çfarë na gjet”, duke aluduar në koalicionin LDK-PDK dhe në tradhtinë e pa provuar nga një gjykatë të Isa Mustafës. Sikur Qosja të jetonte në Perëndim dhe të shpallte njerëzit tradhtarë, ashtu siç i pëlqen, atëherë do t' ishte sorollatur korridoreve të gjykatave, sepse askujt nuk i lejohet cenimi i dinjitetit, derisa një gjykatë e pavarur nuk sjell prova. Ai sillet si i admirueshmi i vet, Enveri, që prodhonte vazhdimisht armiq duke qortuar dhe sharë botën.

Nga mendjemadhësia, narcizmi i tejtheksuar, ka shpallur veten polic, prokuror dhe gjykatës. Ai bën denoncim, shndërrohet në prokuror dhe merr vendime si gjykatës, edhe atë, në mënyrë demagogjike në emër të së vërtetës. T'i kthehemi krahasimit. Ishte fjala për shkallën e popullorësisë së Rugovës. Në “wikipedia” për Ibrahim Rugovën është shkruar në dyzetë gjuhë të botës. Për R. Q., në pesë. Gjuha e pestë është volapyk, një gjuhë artificiale e krijuar në shekullin 19 dhe ndoshta e flasin një duzinë njerëzish. Tetë herë më pak i njohur se Rugova. Atë që nuk arriti me romane dhe me politikë, përpiqet ta rrumbullakojë me publicistikë duke u përpjekur me zjarrmi të shfaqet si alfa dhe omega e mendimit shqiptar. Për të është me rëndësi të rreshtohet në anën e kundërt të Kadaresë dhe Rugovës, meqenëse jo me vepra, atëherë me tam-tame shpreson të dëshmojë epërsinë. Nëse Kadare do të kishte qenë osmanofil, Qosja do t' ishte bërë antiosman, prandaj arsyeton çdo populizëm të Erdoganit dhe është bërë zëdhënës i tij, duke shpërfillur verbërisht nacionalizmin osman, çfarë arabët, sipas medieve gjermane, as që e marrin seriozisht. Në media gjermane kritikohet vazhdimisht për despotizmin, për religjionin bashkangjitur politikës dhe ky qëndrim, është e kundërta e rrugës dhe normave europiane. Konstatimi qosik: unë jam më i madh se Kadare dhe Rugova. Njëri është stalinist, tjetri tradhtar.

Pashko Vasa pat falur popullin një moto për të tejkaluar dallimet, këtë e rrëzoi ai. Do ta quajnë rilindës i fundit, gjersa rrënon parimet themelore të Rilindjes. Ambasadat e shteteve kryesore që ndihmojnë Kosovën do të përshëndesin arrestimin e klerit radikal, që merrej me predikimin e urrejtjes dhe rekrutime, ky do të shfaqet pa përfunduar hetimet, do të shfajësojë ata dhe thotë: “...janë arrestuar për delikt verbal.”, thua se indoktrinimi dhe rekrutimi bëhet me heshtje, jo verbalisht.

Ai do të ankohet pse i ndërtohet përmendore Nënë Terezës si katolike, por jo Ferid Muratit dhe do të nxjerrë një konkluzion krejt të gabueshëm (por edhe këtu do të ndërsejë shumë mediokritete, që kanë nevojë për tutor psikik) se këtij të fundit, nuk i ndërtohet pse është mysliman, edhe pse Ferid Murati thotë në biografi, se i takon kishës episkopale.  Për gabimin nuk do të pendohet, as nuk do të kërkojë kurrë ndjesë. Siç nuk kërkoi ndjesë për madhërimin e Titos. Siç nuk u kërkoi ndjesë viktimave të Enver Hoxhës, pse ua adhuron xhelatin. Publicistika e tij ka shumë subjektivizëm, inat dhe fjalë rrumbullake.

Njerëz si Kadare dhe Rugova popujt e vegjël nxjerrin në dritë një herë në pesë shekuj. Qosja do të madhërojë, jo vetëm Titon, por edhe Enver Hoxhën, që kishte vrarë disa mijëra shqiptarë, disa mijëra internuar. Do të mburret me vrasësin e shumë vetave, pa pikë emaptie: “E para, s’ka zot që të më bëjë të shkruaj...kundër Enver Hoxhës...dhe e kuptoj adhurueshëm prijësin e saj Enver Hoxhën”.

Kadare nuk ka përfituar nga diktatura, edhe paratë nga librat e shitur në Perëndim, përfundonin në arkën e shtetit dhe Kadare, nuk posedonte makinë dhe shtëpi me mermer si të “Hotel Grandit”, siç kishte Rexhep Qosja në kohën e Titos në Prishtinë. Pra, Qosja përfitonte nga diktatori komunist jugosllav, por sulmon Kadarenë pse në arkën e shtetit, derdheshin honorarët e tij. Duke shpurdhur do të përpiqet të dërgojë mesazhe për qëndrim burrëror, duke kërkuar nga të tjerët vetëflijimi si të Giordano Brunos, por ai kishte pasur guxim të shkruante duke u mbrojtur nga Fadil Hoxha, të cilin nuk e konsideron tradhtar edhe pse ishte në krye të LKJ-së, por tradhtar konsideron Rugovën, që ishte në periferi të saj.

Si student e përjetoja si iluminist, si Voltaire. Pata shkuar edhe në ligjëratat e tij, por dalë jashtë se në të folur, nuk kishte atë fuqi ekspresive, që shpërthente në publicistikë, kryesisht kur lexonte shkrimet e tij Radio Tirana. Edhe profesorët në Prishtinë kishin frikë të polemizonin me të. Madje njëri prej tyre më pat folur për një plagjiat, që paska bërë Qosja, por nuk ka pasur guximin të shkruajë kundër tij. Qosja nuk polemizon me mendimin e tjetrit, ai merret me shkatërrimin e kundërshtarit duke u futur edhe në jetën private. Në mes studentëve flitej se kishte analizuar horizontalisht dhe artistikisht shoqen e Filan Fistekut dhe nuk e harroj kurrë reagimin tim naiv: “...mirë ia ka bërë, gjenive u duhet më shumë seks për frymëzim se sa një njeriu normal. I duhej Dantes, Perarkës, Benit Barbar e të tjerëve...”

Kadare, Rugova dhe Qosja janë tre personalitet shqiptare, që kanë dominuar përafërsisht çerekun e fundit të shekullit njëzet dhe hija e tyre do të përplaset tutje, por jo e çdo njërit me largësi apo shtrirje të barabartë. Kadare ka lindur në vitin 1936, Qosja në vitin 1936 dhe Rugova katër vite pas tyre. Kadare lindet në Shqipëri në kohën e fashizmit italian. Qosja në Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene. Rugova në kohën e luftës së Dytë Botërore, gjatë pushtimit fashist. Kadare jeton në Shqipëri dhe Francë, Qosja në Kosovë, kurse Rugova ka çjetuar. Vdes vetëm ai që nuk ka lënë asnjë vepër të mirë për brezin e ardhshëm. Veprat e mëdha nuk vdesin. Që të tre si vokacion të përbashkët kanë letërsinë, kulturën shqiptare çfarë edhe ka ndikuar në formimin e tyre. Qosjen e kemi kuptuar mirë sepse nuk përfaqëson një mendim filozofik shqiptar, por një potere folklorike, denigruese, ekskomunikuese publicistike. Mungesën e koncepteve filozofike ia dëshmon me kompetencë profesori i filozofisë në Prishtinë. Qosja do ta konsiderojë Rugovën frikacak. Këtë gabim tepër të madh ka bërë sepse nuk njeh lëvizjet pacifiste. Nuk ka dyshime se me rrugë paqësore nuk do të çlirohej Kosova nga Serbia, por me rrugë paqësore, iu imponua Rugova atyre që kuptonin këtë filozofi. Nuk ka asnjë dyshim se Buda, Krishti, Mandela, Gandi dhe Dalai Lama do të vepronin mu si Rugova.

Të hidhet një popull në luftë, është puna më e lehtë që mund të bëjë një udhëheqës, por a fitohet ajo luftë, kjo është krejt çështje tjetër. UÇK u shfaq në kohën e duhur dhe shfrytëzoi me mençuri famën, imazhin dhe rezultatin e Rugovës, që kishte përhapur për ne në botë si popull i qytetëruar. Rugova nga qëndrimi në Sorbonë, kishte të qartë se si duhej përfituar miqtë shekullorë serb dhe e bëri me sukses. Ky sukses ka mjaftuar për një jetë njeriu. Punën që nuk kanë mundur ta bëjnë as dy Akademi shqiptare, e bëri Rugova vetë. Për imazhin tonë, kanë ndikuar edhe Nënë Tereza dhe Kadare. Di shumë mirë se çfarë flisnim ne nëpër tubimet tona në Perëndim në vitet e ‘90 dhe me kë mburreshim. Ata të tre njihte Perëndimi dhe bazohej tek ta kur fliste për ne. Një popull i tërë nuk mund të njihet, por disa përfaqësues, e në bazë të tyre, krijohet një bindje e përgjithshme. Tibetianët nuk i njeh Perëndimi, por ka një empati shumë të madhe duke u bazuar vetëm tek Dalai Lama. Dalai Lama që refuzon luftën kundër Kinës, por nuk shpallet tradhtar pse nuk rrezikon jetën e popullit.

Vijon…



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora