Mendime
Gëzim Hoxha: Pushime nga halli?
E premte, 07.08.2015, 06:50 PM
Pushime nga halli?
Nga Gëzim HOXHA
Shumë pushues kanë zgjedhur ti kalojnë pushimet e tyre në plazhin e Semanit dhe Hidrovorit ose në bregdetin që shtrihet në Darëzezë. Shumica e tyre janë nga Fieri, por ka dhe emigrantë, të cilët janë kthyer pranë familjeve dhe shfrytëzojnë dhe rastin për të shijuar rezet e diellit, rërën deri diku të pastër dhe ujin e kësaj pjese të detit Adriatik, i cili siç mund t’a dinë të gjithë ka ujra të cekët dhe të ngrohtë dhe breg ranor.
Të dyja këto plazhe janë të virgjër në të gjithë kuptimin e fjalës. Aty dora ndërtuese, apo më mirë të themi shkatërruese e njeriut, siç mund të thuhet për plepat e Durrësit, vënd në të cilin nuk ka mbetur asnjë plep dhe pallatet e hotelet kanë pushtuar edhe brezin e rërës por dhe faqet e maleve, nuk ka mundur akoma t’a prekë atë. Hapësirat e pamata të tyre janë të denja për një mori aktivitetesh sportive dhe artistike, që do të thithnin me qindra për të mos thënë me mijëra turistë gjatë sezonit veror duke i dhënë një mundësi të mirë zhvillimi dhe punësimi në të njëtën kohë zonave përreth dhe pse jo dhe vetë Fierit.
Pse e
them këtë? E them se frikem kur shoh shifrat zyrtare për shkallën e punësimit
të publikuara nga INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2015. Për moshat mbi 15 vjeç shkalla totale e
punësimit për meshkuj dhe femra është 45,6 %.
Po t’a shikosh sot plazhin e Semanit të vjen keq. Bregu ranor i dhënë me koncension nga komunat që sot u shkrinë nga reforma territoriale shfrytëzohet nga privatët, të cilët ofrojnë shezlone dhe çadra për 200 lekë, ndonjë kafe apo drekë në restorantet e improvizuar me dërrasa që dhe banjot i kanë jashtë dhe që përhapin një aromë të pakëndshme, parkime që i kanë bërë me ca hunj dhe ndonjë beze të lidhur në to. E keqja apo e mira e tij është se nuk ka asnjë hotel. Aty mund të shkohet me autobuza apo furgona. E njëtë është pamja dhe në Darëzezë, vetëm aty ka nja dy hotele.
E megjithatë, dhe pse kushtet janë ato që thamë, përsëri aty bëhet plazh. Një ndër pushuesit e shumtë jam edhe unë dhe mund të them se e gjej kënaqësinë. Me shoqëri, duke luajtur shah ose me letra, duke u larë, duke luajtur me rërë, ose duke kënduar me kitarë e duke shëtitur, ose thjesht duke parë të tjerët tek shëtisin, apo ndonjë çift që sapo pret të martohet dhe që vjen të xhirojë pjesë të klipit të tyre dhe për të bërë ndonjë foto për kujtim, dhe koha fluturon. Dhe nëse do të bëja edhe një herë pyetjen e cila shërben dhe si titull për këtë artikull: pushime nga halli? , do të përgjigjesha jo me J të madhe, sepse dhe duke shpenzuar pak njeriu mund të kënaqet.
Po pse vijnë në plazhin e Semanit? Arsyet janë nga më të ndryshmet. Kryesorja është ekonomike. Dhe afër mendsh të rrallë janë ata që do të mund të paguanin për një natë në Radhimë 120 € dhe ku vetëm një pjatë makarona kushton 900 lekë dhe nuk të ofrojnë asgjë veç mëngjesit, apo në Himarë në një hotel apo vilë ku një shoku im i cilli shkoi me familjen e tij pagoj 8000 lekë për natë, apo në Dhërmi 80€, a në Sarandë 30 - 50€ nata, po kështu dhe në Ksamil. Ndër arsyet e tjera është virgjëria e plazhit dhe qetësia që gjen aty, por dhe afërsia me qytetin.
Unë nuk e
di se çfarë do të bëjë kryetari i ri i bashkisë së Fierit.
Kaq lidhur me aktivitetet e ndryshme, mund të ketë dhe mundësi të tjera e mund të gjenden po ta vrasësh pak mendjen. Për sa i përket projekteve të zhvillimit psh ndërtimi i një moli për nxitjen e peshkimit i cili do të afronte vizitor jo vetëm në verë por dhe në stinët e tjera nëse do të afohej siguri për ta. Kjo më erdhi ashtu kuturu në mendje sa për të mbushur faqen por ajo që më ngacmon me të vërtet është ndërtimi i një aerodromi të vogël për helikopter taksi, të cilët do të ofronin shërbimim e soditjes së bregdetit nga lartë po edhe hedhje me parashutë në ujë. Ose ndërtimi i stallave të kuajve që do të ofronin një shëtitje me kalë bregut të detit ose gara me kuaj.
Këto
projekte dhe jo porti i Semanit i cili do t’i shkatërronte të dyja plazhet edhe pse në dukje jo aq
madhështore do të bënin të mundur ofrimin e shumë shërbimeve të reja për
pushuesit, kjo po t’i shtosh dhe çmimet e lira (nëse mbahen), do ti bënin pushimet në bregdetin e Fierit po
aq tërheqëse dhe joshëse sa dhe kudo tjetër në Shqipëri, ndoshta, edhe më.