Mendime
Ndue Dedaj: Lisa të mëdhenj të shkencës
E premte, 07.08.2015, 06:33 PM
LISA TË MËDHENJ TË SHKENCËS
NGA NDUE DEDAJ
Në postën
tënde elektronike ka mbërritur mesazhi i një profesori të mirënjohur, rreth një
artikulli që ke botuar së fundi. Deri këtu nuk ka asgjë e re, pasi sot
komunikohet me të gjithë, nga akademikët zëmëdhenj zhytur në palimpsestet e
shkencës e deri te fëmijët e vegjël plot kurreshtje për botën. Ajo që të
“befason” në këtë rast është se të shkruan një zotëri që i duhen vetëm sa
gishtat e dorës vite për të kurorëzuar shekullin. Profesor Ismet Elezi, i
lindur njëherësh me Kongresin e Lushnjës dhe pagëzimin e Tiranës kryeqytet, një
nga titullarët e Drejtësisë shqiptare. Aktiv dhe i freskët si në djalërinë e
tij të largët buzë Jonit. Dhe nuk është i vetmi i tillë, bile nuk kanë dalë nga
skena dhe më të moshuar se ai. Profesori merret përditë me letrat, skedat,
artikujt, botimet e fundit, siç e kemi vënë re dhe kur kemi qenë në shtëpinë e
tij, çka ngjet me të gjithë diturakët. Tema qendrore e studimeve të tij ka qenë
shteti i së drejtës. 150 tituj në Bibliotekën Kombëtare mbajnë firmën e
profesor Ismetit, punime në fushën e së Drejtës Penale dhe historisë së saj,
studime, monografi, artikuj shkencorë, reçensione etj. Ai është dhe autor i
veprës se njohur “Kanuni i Labërisë” (2006). Bir i rivierës shqiptare nga
Fterra e Sarandës, pati nisur studimet juridike në Firence, për t’i përfunduar
në Leningrad pas Luftës; një jetë kushtuar Jurisprudencës me ditë e me net, në
përgatitjen e brezave të juristëve në Fakultetin Juridik, si pedagog dhe
drejtues i kadedrës së Penales për më shumë se tridhjetë vjet, punonjës në
institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar, kontribues në komisionet
ligj-hartuese, si të Kodit Penal etj. Prej pesë dekadash është marrë gjerësisht
me të drejtën zakonore shqiptare, si një nga më të njohurit studiues të kësaj
fushe, si dhe doktorët e shkencave juridike Emid Tedeskini, Vangjel Meksi,
Syrja Popovci etj.
Por nuk
është vetëm profesor Ismeti që nuk i ka “mbyllur” librat e rëndë të shkencës si
dyert e një teatri klasik. Lexuesi ka ndjekur dhe të tjerë bardë shekullorë të
shkencës dhe kulturës që vetëm fotografia apo ekrani ua tregon moshën e shtyrë,
si historiani Kristo Frashëri në Tiranë, gjuhëtari Idriz Ajeti e shkrimtari
Mark Krasniqi në Prishtinë, ilirologu Aleksandër Stipçeviç dhe historiani Zef
Mirdita në Zagreb, mendimtari Sami Repishti në Amerikë etj. Është e pamundur që
dijetarë të këtij kalibri të mos dalin çdo mëngjes me një motiv të zejes së
tyre: promovimin e një libri të ri akademik, pjesëmarrjen në një konferencë
shkencore, këshillimin e një doktorature, diçka nga kopshti dhe pasioni i
pashuar i shkencës, paçka se me probleme të shëndetit etj. Siç është shkenca e
pamoshë, ashtu janë dhe ata, punëtorët e saj të përvutë, shpesh të pavënë re
nga bota e zhurmshme rreth tyre, kakofonia e politikës dhe vorbulla e
tranzicionit. Vitet mund të kenë ecur, por ata janë aty ku e nisën për nga
zelli në kërkimin shkencor dhe modestia organike, një virtyt që nuk e has dhe
aq te studiuesit e rinj. Është fillimi i gushtit dhe të gjithë pushojnë, nga
fëmijët te qeveritarët, por nuk ka “kohë” të pushojë një historian madhor si
Kristo Frashëri, njeriu që ka më shumë se kushdo nevojë për shllodhje.
Përkundrazi ai “ngutet” të qartësojë disa nga problematikat e nxehta të
historiografisë sonë politike, polemizon
Mund të sillen plot shembuj nga përditshmëria jo “komode” e zotërinjve të moshuar të shkencës, por nuk është ky mirëfilli qëllimi, një kortezi mirënjohëse ndaj tyre dhe aq. Diçka tjetër dëshirojmë të përcillet përmes këtyre radhëve. Ky klas dijetarësh përbën një model që u krijua me mundim përgjatë shekullit XX, kur dhe në Europë ndodhën ndryshime të mëdha në lëmin e shkencës, teknologjisë, arteve etj. Një model i pashoq që zor se në këtë mijëvjeçar do ta kemi sërish te ndonjë gjeneratë studiuesish. Rilindasit dhe albanologët e huaj europianë formuluan tezat kulturologjike shqiptare, por ata që krijuan disiplinat e mirëfillta shkencore, tekstet universitare, katedrat dhe shkollat e larta ishin këta profesorë unikë, duke kapërcyer barrierat ideologjike etj. Ndaj të mos i lëmë këta njerëz për asnjë çast në harresë, duke u kujtuar vetëm ditën kur na është bërë zakon të themi... “na iku dhe një enciklopedi e gjallë”. E kemi provuar këtë me Lasgushin dhe sot ndihemi në borxh moral që tridhjetë vjet më parë e linim të shëtiste buzë liqenit të Pogradecit me qenushin e tij simpatik të ashtuquajturin “klasik të gjallë të letërsisë”, duke u munguar auditoreve të Letërsisë në Tiranë, ngaqë për hierarkinë pushtetore ai ishte një i huaj. Gjithnjë me shpresën për më shumë vlerësime presidenciale, qeveritare e akademike për ta. Në shkurt të këtij viti ishte sëmurë rëndë profesor Stipçeviçi i mirënjohur i Zarës, pasardhësi i Teutës, që në shtratin spitalor ishte fotografuar me plisin e bardhë (qeleshën) mbi krye, në shenj nderimi për origjinën e tij shqiptare. Tekasa nuk ka munguar të rrugëtojë drejt tij Urdhëri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” nga Presidenti Nishani. Edhe dy vjet e profesor Idriz Ajetit do t’i kremtojmë njëqindvjetorin e lindjes kushedi se me ç’dhuratë në Medvegjë, Prishtinë a Tiranë. Përmbyll këto radhë e nuk mund të harrosh pamjen përrallore të bibliotekës së profesor Jup Kastratit në Shkodër në të gjallë të tij. Ai në vitet ’80 shkonte shpesh te De Rada në Kalabri dhe na e sillte poetin e madh në auditore si një frymë. Tash na lypet neve të vemi te deradiani e gjuhëtari ynë vullnetmadh, për t’ia sjellë auditorit të sotëm tashmë dhe vetë atë si një model të sukseshëm karriere shkencore për kërkuesit e rinj. Është gjithsesi një botë librash që e kanë lënë mënjanë jo pak qiellgërvishtëset dhe vilat hijerënda të tranzicionit, me gjithçka tjetër brenda kontureve moderne, por jo dhe libra. Mes këtyre prelatëve të shkencës kemi patur e kemi nivelin më elitar të komunikimit aristokratik, pa kamera, shtirje e pompozitet, që do të doje fort të mbartej dhe te politika kryeneçe dhe politikanët fjalëshumë. Mendjet e ndritura janë një minierë mineralesh të rralla. Lum si ata që dinë t’i çmojnë në kohën e dukur. Një shoqëri e ftohtë ndaj tyre, që nuk i përfill në të gjallë, është veçse një “azil” i madh i paformë dhe Shqipëria natyrore s’ka si të jetë e tillë për fisnikët e saj të paktë.