E diele, 28.04.2024, 10:43 PM (GMT+1)

Mendime

Bukuroca: Qosja, nga një iluminist në një Kuazimodo

E merkure, 12.08.2015, 07:43 PM


Rexhep Qosja, nga një iluminist shqiptar në një Kuazimodo

Nga Lis BUKUROCA

Nuk ka asnjë dyshim se Qosja është i madh. Nuk ka asnjë dyshim se në kohën e Jugosllavisë ishte kryefjala intelektuale shqiptare, siç nuk ka asnjë dyshim se pas vitit 2000, u shndërrua në Kallëzues kryesor, pra në denoncues. Nuk ka asnjë dyshim një pjesë e veprës së tij do të lexohet edhe më vonë. Nuk ka asnjë dyshim se në çerekun e fundit të shekullit të kaluar, ka qenë ndër personazhet kryesore të Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim se ka kontribuar më herët në emancipim kombëtar edhe me ateizëm komunist. Mirëpo në veprën e tij, kryesisht në publicistikën e tij, ka ide qosjane me vlerë të madhe, por ka edhe shumë paralogjizma qosike të shprehura në afekt. Qosike sepse ka shumë ide toksike në publicistikën e tij. Shumë gjykime subjektive dogmatike. Për Qosjen i lejoj vetes të shkruaj sepse është ndër autorët, që e kam lexuar dhe çmuar më shumë, por me senilitetin, ose për shkak të shembjes së komunizmit, braktisi edhe parimet e veta dhe u shfaq me një program të ri. Edhe ky shkrim nuk do t'iu pëlqejë shumë vetave; ata që e thërrasin “baba i kombit”, mund të pezmatohen, por asnjë profet nuk ka ditur të shkruajë për të gjithë, edhe pse pikërisht këtë kanë synuar, rrjedhimisht, nuk duhet pritur prej askujt. Aq më pak prej meje. Kjo sprovë është vetëm perceptim vetjak, përjetim vetjak gjatë ngritjes së Rexhep Qosjes në një iluminist shqiptar në shekullin e kaluar dhe rrëshqitjen e tij nga smira patologjike në një Kuazimodo të Victor Hugos, nga fillimi i këtij shekulli.

Qosja në shumë qëndrime është ambivalent. Shumë teorema të tij mund të hidhen në fushën e doksave siç quheshin mendimet subjektive, që nuk rezistonin një shqyrtim të thellë logjik apo filozofik në kohën e Platonit. Për ta bërë të qartë gjykimin qosik, mund të ilustrohet me këtë shembull: thuhet se ka vende të Lindjes dhe Perëndimit. Të gjithë e besojmë. Nëse shikohet në një hartë, lokalizojmë edhe shtetet. Nëse shikohet Toka e rrumbullakët dhe rrotullimi i përhershëm, atëherë emërtimi Lindje dhe Perëndim është i palogjikshëm. Meqenëse Toka është e rrumbullakët dhe sillet, atëherë Lindje dhe Perëndim ka kudo. Shumë të vërteta qosike janë të kësaj natyre. Në lexim të parë, jo, në të dytin, po. Pra mendimet e tij, nuk shndërrohen në epistema, në të vërteta që i rezistojnë kohës dhe shqyrtimit, por janë shprehje mllefi, që pastaj një grup i përtyp si produkt të gatshëm pa vënë gjë në dyshim. Dikur e kam bërë edhe unë këtë. Nëpër shkrimet e tij, nëpër deklaratat e tij, shihet se i ka mbetur besnik mendimit folklorik shqiptar dhe nga këndi pozitiv sheh vetëm trimërinë dhe sakrificën. Ky qëndrim është certifikatë e shoqërive tribale, që mburren me flijimet e huaja dhe ato idealizohen aq shumë, sa shndërrohen në mite. Sa me vdekjet e huaja identifikohen për të treguar guximin e vet të munguar. Si në këngët kreshnike. Madje edhe motivojnë sakrificën. Bëjnë përmendore për një njeri që është vrarë në ikje e sipër, por një invalid lufte e shikojnë me përbuzje, pse ka mbijetuar, pse nuk ka vdekur që ta ngrinin në qiell. Jeta aty është faj dhe himne për vdekjen, shkruajnë ata, që me vetëdije të plotë kanë refuzuar flijimin. Albert Camus kur flet për shoqëritë post-heroike në Europë, thotë se frika nga lufta, është prurje e madhe e shekulli të kaluar. Frika pra i shpëton njeriut jetën, siç i ka shpëtuar Rugovës, siç i ka shpëtuar Qosjes. Siç u ka shpëtuar miliona vetave.

Shumë mendime qosike janë sipërfaqësor sepse me fakte rrëzohen. Ai është mirëpo shumë elokuent, retorika tij është karakteristikë e të gjitha librave, pa marrë parasysh zhanrin letrar, por gjykimet nuk kanë gjithmonë thellësinë, objektivitetin, sinqeritetin dhe përfundimin racional. Ai do ta quajë Ibrahim Rugovën tradhtar, pse ai ishte anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Anëtar i LKJ ishte edhe Rexhep Qosja. Prania e Rugovës në LKJ bën atë tradhtar, por prania në LKJ e Qosjes, bën atë patriot. Kjo domethënë nëpërmjet paradokseve, të arrijmë tek e vërteta sipërfaqësore, formale, tek e vërteta e përkohshme. Qosja nuk pranon faj të vetin aty, edhe pse i shkroi elozhe “shokut” Tito, por satanizon Rugovën, edhe pse ishin koleg partiak. Konstatim qosik: Tito është i shkëlqyeshëm, por prania e tjerëve në partinë e Titos është tradhti nacionale. Ai do ta shajë Ismail Kadarenë si stalinist, edhe pse Rexhep Qosja stalinistin Enver Hoxha konsideron të adhurueshëm të vetin. Pra, Kadare qenka stalinist, por jo Qosja që adhuron kryestalinistin e Europës, Enver Hoxhën. Atë që ai i lejon vetes, tjetrit ia ndalon, ose e shpall sakrilegj, ose e përkufizon si mungesë etike. Konstatimi Qosik: Quod licet Iovi, non licet bovi!

Qosja do ta quajë tradhtar Rugovën për shkak të pranisë në strukturat e shtetit ekzistues, çfarë pas leximit të dytë, rekomandon heshtur të quhet të tillë edhe dhjetëra funksionar shqiptarë të LKJ-së ose edhe Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe shumë të tjerë, që kanë qenë pjesëtarë të mexhlisit osman. Qosja do ta quajë Ibrahim Rugovën tradhtar, por jo Fadil Hoxhën, që bënte pjesë në elitën jugosllave, por që kishte mbrojtur Qosjen, derisa ai shkruante trimërisht, ndërkaq, të rinjtë, burgoseshin mizorisht për parullën “Kosova Republikë.” A është faji i pleqërisë tek kjo diskordancë kongnitive dhe mungesë koherencë, nuk dihet, por mund thellësisht të besohet. Nëse thuhet po, atëherë shkrehet një e vërtetë qosike, por kjo e vërtetë, është e sulmueshme, rrjedhimisht e përgënjeshtrueshme. Sidoqoftë është akademiku i vetëm në Europë ateist, që përqafohet herë me popë, herë me imamë, herë magjepset me Papa Françeskon. Ky është ateisti i vetëm në botë, që falënderon klerikë radikalë për kontribut kombëtar obskurantist, gjersa adhuron çmendurisht Enver Hoxhën. Enver Hoxhën, që kishte ndaluar religjionin, që kishte dëbuar zotin nga Shqipëria dhe zhbërë dhe zhdukur klerikët, që sot krekosen si gjela mbi pleh. Konstatimi qosik: Mirë ua ka bërë Enver Hoxha, por unë ju adhuroj. Qosja do të pengojë ndarjen e shtetit nga religjioni, siç është përjashtuar nga shteti në Europë dhe me propagandën, me qëndrimet e tij, do të ndihmojë depërtimin e radikalëve në pushtet. Ai do ta quajë edhe Hashim Thaçin stalinist, edhe pse ata dy, nuk kanë asgjë të përbashkët. Simpatia e madhe e Qosjes ndaj Erdoganit - edhe pse Orhan Pamuku i përkujton atij 30.000 kurdë të vrarë dhe gjenocidin armen- ndikoi në shndërrimin e gati të gjitha partive shqiptare në fraksione të AKP-së. Me një përjashtim. Qosja kur shfaqet për të thënë mendimin, është i bindur se gjithë të tjerët po gabojnë dhe ja tani del nga zyra, siç shfaqej dikur një zëdhënës nga Vatikani dhe përfundonte një çështje, një përleshje, një mospajtim, me sintagmën: “Papa locuta, causa finita!”, pastaj tërhiqej pa shpjegime tjera, sepse kishte folur autoriteti hyjnor!

Sedra serbe, sedra gjermane dhe mungesa e sedrës nacionale: maskarallëku shqiptar

Ai do të përpiqet të bëhet romansier si Kadare, por nuk do të mundet, edhe pse Kadare do ta ndihmojë përkthimin e tij në Francë dhe do t'i shkruajë parathënien. Fakt mirëpo është se edhe në romanet e tij, narracioni ka ngjashmëri me publicistikën. Serbët do ta fshehin edhe sot racizmin e Ivo Andriqit, saqë asnjë akademik serb, nuk do të shkruajë për shovinizmin e nobelistit të tyre. Qosja do ta quajë Kadarenë racist për të penguar shpërblimin e tij me “Çmimin Nobel” dhe do të alarmohet kundër dy gazetarëve francez, dhe do t'i qortojë ata pse propozojnë Kadarenë për Nobelin:

I them Filanit, që punon si kasap dhe ka mbaruar vetëm tetë vite shkollë: “Këtë vit do të fitojë Kadare “Çmimin Nobel”. Ai më thotë: “Ishalla... se gazum mrena, po gazum edhe jashtë...”

Telefonoj Fistekun, që ka mbaruar shkollën fillore dhe punon në ndërtimtari dhe i them të njëjtin mendim. Ai më përgjigjet: “Oh shyqyr bre...”!

Telefonoj Filanin, që është afarist dhe ka të mbaruar një shkollë të lartë dhe i përsëris lajmin. Ai më thotë: “Oh, lumi na, jam tut se des pa marrë vesh kët lajm...” Që të tre me më shumë se njëzet vite në Gjermani. Që të tre kuptojnë ç'do të thotë imazhi dhe sedrën kombëtare. Që të tre dëshmojnë vetëdije të lartë qytetare dhe shprehin kënaqësi për dinjitetin nacional shqiptar.

Po çfarë shkruan Kallëzuesi me titullin akademik? “... i vetmi shkrimtar komunist, që i shërben regjimit, i propozuar për Çmimin Nobel! Çudi, vërtet, çudi teorike dhe etike se si dy gazetarë francezë nuk thonë se Ismail Kadare jo vetëm se i nënshtrohet dogmës së realizmit socialist në romanet e tij më të çmuara në Shqipëri “Dimri i Madh” dhe “Kështjella”, por është zëdhënës teorik, ideologjik dhe politik i realizmit socialist në Shqipëri.“

E lexuat? Ky është Qosja! Kësaj i thuhet shqip: “Më vdektë djali për inat të resë!” Pyetja që duhet shkruar është kjo: pse i duhet një akademiku një denoncim i tillë në biografi? Me shpërthime të tilla inferioriteti, i kamufluar me dashurinë ndaj të vërtetës, nuk dëmtohet vetëm Kadare, por kultura shqiptare në përgjithësi. Konstatimi qosik: Enver Hoxha ishte krenaria jonë, por Ismail Kadare është turp i kombit pse ka dashur Enverin tim.

Mendoni se nuk ka pasur gjerman, që ka ditur për praninë e nobelistit Gunter Grass në rininë fashiste? Besoni vërtetë?!! Besoni vërtetë se nuk dinte askush? Natyrisht se dinin, por një intelektual gjerman kujdeset për sedrën gjermane, për imazhin nacional dhe nuk është naiv, që çdo gjë që sheh, hedh në publik. Nuk ka asnjë dyshim se dinin, por edhe gjermanët, si edhe serbet, ruanin interesin kombëtare nga degradimi dhe damkosja jashtë. Me këtë mund të dëmtohej edhe imazhi nacional dhe Grass, nuk do ta kishte fituar kurrë atë Çmim, me atë biografi. Qëndrimi intelektualëve serb dhe intelektualëve gjerman flet për vetëdije të lartë shtetërore, qytetare, nacionale dhe përgjegjësia individuale për tërësinë. Në fund, tregoi Grass vet, por nuk u denoncua nga asnjë intelektual gjerman. Akademik të tillë nuk ka në Gjermani. Denoncuesin e tillë, gjermanët do ta kishin parë me sy të keq dhe me përbuzje. Qosja jo vetëm se shkalavesh imazhin tonë, por ndërsen edhe të tjerët, pastaj lëçitet në laboratorin e tij. Duke u bazuar në gjykimet e tij, do të ngrihen kundër Kadaresë edhe një shtresë sharlatanësh, që as dy fjalë shqip nuk janë në gjendje t'i shprehin pa gabime, por, do të kërcënohen pa keqkuptime për t'u pëlqyer nga denoncuesi i madh, nga mbreti i tyre si Kuazimodo, që disa e quajnë edhe kolos. Kolos që e njohim gati vetëm ne, të cilit një profesor i Prishtinës u përpoq t'i mbushë edhe mendjen, se mund të fitojë Nobelin me një roman të përkthyer.

Qosja do të përpiqet me drama të shpërthej jashtë Ballkanit, por nuk do ta kapërcejë as Kosovën. Do të përpiqet me roman, por do të ngelet brenda kombit. Suksesin me të cilin mund të mburret Qosja, është historian i letërsisë, publicist dhe polemist i madh. Jo polemist koherent dhe parimor, por rrënues dhe selektiv. Do të përpiqet të asgjësojë çdo intelektual shqiptarë, që vëren se po ngrihet mbi të, por ata që i konsideron më të vegjël, as nuk do t'i lexojë. Për fat të mirë ka shumë publicistë dhe shkrimtarë të rinj në Kosovë, që me shkrimet e tyre dëshmojnë pjekuri më të madhe intelektuale, maturi më të madhe, objektivitet më të madh dhe horizont më të gjerë, me përfundime më logjike për ardhmërinë e vendit, se sa të Qosjes.

Vazhdon...



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora