Kulturë
Vladimir Muça: Tranzicioni estetiko-stilistik në poezi
E hene, 20.04.2015, 06:17 PM
TRANZICIONI
(Mbi vëllimin poetik “Natë pa hënë” e poetes Hava Ajdini)
botim i entit “Feniks” Kërçovë
Nga Vladimir Muça
Në krahasimtari, në trojet shqiptare, jashtë trungut amë, poetet shqiptarë në Fyrom (Maqedoni), si në kulturën drejtshkrimore, leksikut të përdorur, në aspektin estetiko-stilistik, në konceptin e një poezie globale me nocione moderrne, në konsideratat e mia janë më të konsoliduara. Poezia e këtij komuniteti krijuesish përcjell një frymë të re sa moderrne po aq dhe kombëtare, pa ju shkëputur traditës rilindase e të migjeniadës të viteve 030. Grup-targetin poetik me Kalosh Celikun, Xhelal Ademin, Zejnepe Halili(Rexhepi) Rami Kamberin, Hava Ajdinin, Nehas Sopajn, Safet Hysenin, mund të kosiderohen grupi i krijuesve të cilët po kryejn një tranzicion estetiko-stilistik në poezi, duke futur modernitetin e dëshiruar, në luftë me arkaiken provincionale, duke e kultivuar poezinë, në një diversitet bio-shqiptar, ku nocionet e trashëguara vinë si aksesorë poetikë të domosdoshëm në kostumin e ri të poezisë .
Siç duket Zajazi ku mrizon Hyjndesha Thana dhe heroizoi Sulltane Qafa po bëhet vendi amëshumë ku rilindin muzat.
Hava Ajdini, kryetare e klubit “Mugëllimi” Kërçovë, ndonëse me dy vëllime modeste në volumtari, me produktet poetike jep kontributet e saja modeste, jo vetëm në rizgjimin e muzave në Uskanën(Kërçovë) e lashtë ilire, por me prurjet e saja poetike në një stilistikë e estetikë të re sa kombëtare aq dhe globaliste kontribuon në zhvillimin poetik në rrafsh kombëtar. Në këtë rizgjim muzash, për poeten Hava Ajdini, universi lirik është magjia ku ajo shpalos indentitetin krijues me vëllimin poetik “Netë pa hënë” botim i entit botues “Feniks” Kërçovë.
Në këtë univers lirik, autorja, me personalitetin e sajë krijues, ka ngritur kopshtin e sajë poetik, ku pa stimulantë bio-kimik të një hermetizimi importuar shabllon, pa OMGJ, kultivoi lirikat e saja sa individuale, aq dhe bio-shqiptare.
Në këtë prurje të gjerë lirike, autorja me vendosmëri, me mendimtarinë e një bude dhe ëmbëlsinë e një Safoje, evidenton rolin në menaxhimin e vargut, si dhe “bukëmirën” që përftohet në një kopësht të tillë lirik.
Triorimi që autorja i bën produktit poetik, i ka dhënë mundësinë të monumentalizojë idetë, frymëzimet që i ka falur jeta, në një menaxhim e aranzhim artistik, duke nxjerrë të bukurën artistike dhe tek ajo dhimbje e thellë për të birin, por dhe në atë “dhimbje të çastit” nga ndarjen me dashurin ku: “Mendimet me bartin tej natës në agim/ Loti pendesës rrëshqet i vagët si me inatë” apo kur: “ Tymi i duhanit mbush dhomën/ Si mjergull e dendur mbuluar”. Një përqasje e bukur në gjetjen e të bukurës artistike si tek “Lulet e së Keqes” të Sharl Bodlerit.
Në këtë kontekst e ka ngulmimin dhe qëllimin Havaja me thirrmën poetike për më shumë optimizëm dhe atje ku dhëmbja është në skajë të thellë. Ky koncept estetik e ka ftillesën që tek proza poetike në krye të ciklit “Përkushtim”. Gjithçka vjen jo vetëm si një paradigmë që do të lerë ndjesinë në gjithë librin, dhe atje ku lirizmi dashuror, natyror janë kalorësit templarë që zbulojnë botën shpirtërore të autores si bijë, si femër, si nenë. Gjithçka për Havanë vjen tronditëse, lënduese, therëse e trazuese. Do kalojnë shekuj e kujtimi s’do shlyet në atë shpirt të ndezur në materien e re librare të pavdekshme sepse: “Me lotin si ujvarë në qepallë/ Zemër përvëluar nga krahët i ndarë”, sepse për nënën: “Të gjitha stinët janë të akullta”. Autorja nga kjo dhimbje nëne vikat për më shumë optimizëm, evidenton si domosdoshmëri në mbijetesën njerëzore, si paradigmë e persihatjeve jetësore, si domosdoshmëri e gjallimit të një bote shpirtërore, goditur keqas nga absurdet e jetës.
Këto mesazhe e ngopin shpirtin e lexuesit me dëshirën për të jetuar, për të shijuar këtë alternativë e cila të vjen vetëm një herë në këtë botë. Kjo është dhe një nga amalgamat, më fondamentale që kur lindi njerëzimi.
Ndaj në këtë univers lirik, autorja duke artikuluar tipat dalluese të personazheve poetikë, veçoritë dhe përbashkësitë artistike, i ndërlidh poezitë me njëra-tjetrën në mënyrë të atillë që të ushqejnë sharm poetik nga poezia në poezi, si një kërkim dhe si një perspektivë në kontrastet shoqëror, si shprehje e lidhjeve dialektike në ligjin mohimit.
Kjo është dhe e veçanta e këtij vëllimi poetik, ku e keqja, e mira, e bukura dhe e shëmtuara, shënojnë dallimet mes tyre, por dhe përbashkësitë që gëzojnë në një prizëm artistik, si një domosdoshmëri për të shëruar plagët e padukshme të shpirtit.
Në këtë kozmondjenjësi, autorja ka gjet në mënyrë të thjeshtë të jetë sa më afër lexuesit, duke parashtuar konceptin e sajë estetik në komunikimin shpirtëror, si dhe gjetjen e figuracionit artistik. Poetja Hava Ajdini huazon paksa dhe nga tradita e Rilindjes sonë kombëtare. Ajo nuk kalomendet në kozmofoni marramendëse, apo alibira hermetike. Poetja jonë e nderuar zgjedh të interpretojë ndjesitë me të thjeshtën e artit poetik, në transmetimin e mesazheve që i burojnë lirshëm nga shpirti, kanonizuar në botën e sajë si dhe të gjithçkaje që e rrethon. Lirikat vinë gaztore, dhibjetare, shoqërore, patriotike, çelur në vrushkuj natyror. Ata e ambjentojnë lexuesin e kudondodhur, sepse kanë sharmin e depërtueshmërisë, refleksionin e autores dhe të gjithçkaje që e rrethon duke lënë gjurmë në mëndje e shpirt, ku poetja shkrihet e bëhet njësh me poezinë e sajë si pjesë e një materie të re: “Dhe hapem si një lule çdo agim/ Sa hap e mbyll sytë tretem/ Jam rimë e një vargu lirik” se: “Kurrë nuk harrohet ajo vello e bardhë/ Dhe nga syri yt shikimi zjarrtë”. Siç duket dhe nga këto dy shembuj vargëzues, karakteristikë themelore e poezisë të Havasë është: Se në konceptin e sajë poetik ndjehen nuancat e pasthirmave dhe , në ato çaste të trillit poetik ku mbisundon një heshtje e fshehur bunace, ku në nënrryma gurgullojnë me rrapëllimë lumenjt e dëshirave. Një refleksion të tillë bukur e ka përcaktuar dhe Safet Hyseni në pasthënie:
“Gëzimi dhe dhimbja, lumturia dhe vuajtja janë personazhet e sajë që enden nga vargu në varg”.
Në këto gjumërime dëshirash ndjehen krismat e dridhjeve të gjithë gjymtyrave të trupit gjer në fërgëllimën e qerpikëve e të buzëve të cilët temperojnë ndjesitë që dalin nga thellësia e shpirtit. Në estetikën dhe stilistikën e sajë, autorja mban hapur portat e ndjesive, duke sjellë imazhe dhe pejsazhe, si rrugë kalime të komunikimit të vetë vargut në një harmonizëm me lexuesin.
Gjithçka merr maja në përditshmërinë e një femre e nëne me ato trillet pikante të ngjarjeve e fenomenëve, të cilët specifikojnë ndjesitë në disa rrafshe, duke brumëzuar përjetimet në atë trekëndësh të bermudës shoqërore, të cilën e përjeton çdo poete e plotëruar me statusin social si bijë, si femër, si nënë. Autorja me poezitë “Nëna” “Endërr” “Të gjithë stinët të jenë të akullt” duke specifiuar veçantitë e përjetuara në jetën përditore, në kaleidoskopin e një lirizmi shumëdimensional, këto përjetime i transfiguron në një stad artistik, duke i veshur vargjet me purpurantën estetike.
Në tërësinë e stilit, Havaja nuk është pre e prangosjeve metrike; ajo e shkruan poezinë
siç i vjen rrjedhshëm nga burana e shpirtit, herë me kapërcime pindarike të rimave dhe asonancave e herë me vargje të puthur ku tingëllimat vinë si në vazhdimësi, aranzhuar nga vargu në varg, si ai lumi që pasi ka zbritur rrëpirat, zhurmëron ëmbël me dallgëzimet e lehta në rrymën e lumit poetik.
Poetja i kushton shum rëndësi kantilenave, muzikalitetit të tropëve e bashkëtingëlloreve me tingëllima poetike të përafërta, në puthjen e njëtrajtëshme të tyre.
Shembull është poezia monokolonë “ Sonet me kitarë”. Kjo është një tjetër veçori e poetes Hava Ajdinit: përdorimi me efikacitet i poezisë monokolonë. Kjo lloj poezie, me shumi në këtë produkt poetik vjen si veçori e ngjeshjes metrike dhe hera-herës shpërfilljes të sajë, thellimit të mendimit vertikal dhe mesazheve në horizonte më të gjera.
Sigurisht që një ngjeshje e tillë i ka dhënë mundësi që social-poezia të jetë e kudondodhur mes strofave në këtë produkt poetik. Përfaqsuese tipike është poezia “Lule kanabis” një poezi e vogël, por që ngre një problem të madh social të kohës, që po e vithis humerave shoqërinë e sotme; droga sëmundja e shekullit. Duke thirmuar: “shpatë me dy tehe/ Lule kanabis je ti” autorja na prezantohet me ekstrakte poetike të një social-poezie, primare në një mision, që njehsohet e që përcillet ng arti i të shkruarit, si protonik i jetës shoqërore.
Gjithçka në kontekstin e fjalës artistike, autorja e sintetizon me alkiminë poetike në ciklin “Me xixëllonjat” ku trillet poetike, si përmbajtëse të paradigmave, vinë në rritje të protagonizmit nga poezia në poezi; sa në një hapsirë kozmike, në një humbellë shpresash nër handikapë shoqëror.
Në përceptime të tilla Havasë i vjen në ndihmë përdorimi me bollëk i një pasurie onamanistike duke sjellë kontribute sa modeste aq dhe komplementare për regjionin ku ajo frymon, si me fjalë-formime, neologjizma dhe krahinizma të punuara me mëndjen e durimin mjedian. Ky është një kontribut në pasurimin e fjalorit e të leksiku shqip. Gjithçka në këtë aspekt vjen si një përballje e suksesshme me fjalët barbare sllave, të ngujuara në mëndjet e bashkëkombasve të cilët ne i hasim shpesh dhe në brezin e ri në viset shqiptare të Fyromit (Maqedonisë); siç i ndëgjova në Balindoll të Gostivarit, tek një mik strujë (korent) sadalet (akullore)!
Në tërësi shkrimtarët shqiptarë në Fyrom, veçanërisht poetët e Kërçovës, Shkupit, Tetovës janë avangard në luftën për të pasuruar kulturën gjuhësore në drejtshkrimoren shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra Indo-Europiane me trashëgimi sa njerëzit e kësaj toke.
Këto veçori e risi në këtë produkt librar është rezultat i një pune të lavdërueshme redaktoriale me përkushtim e profesionalizëm nga Safet Hyseni. Si kudo, e kurdoherë ai është një promotorr në evenimente të ndryshme kulturoro-artistike, duke nxjerrë në pah dhe evidentu sharmin poetik e studimor, bollëkun krijues në Uskanën Ilire, frymëzuar në shekuj nga hyjnesha Ilire Thana.
Me zgjimin e muzave, identifikimin e lexuesve me herojt poetikë dhe me autoren, në një tekst të jep mundësinë e kohështrirjen në supstanca të reja kohore, si në konceptin gjeografik dhe të atijë etnik. Kjo i jep mundësinë e interpretimit ndjenjësorë të personave të shumënjohur, por dhe të hamendësuar në një komunikim virtual, sepse fjala e gjetur poetike kur është e veshur thjeshtë e bukur me figuracionin, në kaleidoskopin e sajë të jep kënaqësinë e shumë ngjyrave vezulluese. Gjithçka, në shpirt rrezaton mirësi në të gjitha anët e në çdo kohë.
Me këto kapriata poetike, mbi të cilët po vendoset poeteka e shqiptarëve në Fyrom, nocioni arkaik është i huaj për të sepse ajo do të jetë gurë themeli për gjithçka të re moderrne, që do të vi më pas. Në konceptin metaforik, ky zhvillim i ri poetik përmbajtëson diellin e ardhmë alegorik.
Cdo krijues Uskanas (Kërçovar) Zajazas, Tetovar, Shkupjanë, Kumanovas, Struganë, Dibranë, Gostivaras do rendë pas këtij dielli, me poezi sa më të ngrohta, duke ngrohur horizontin nga lindin muzat. Ai që e gjurmon dhe që e di se nga cila galaktikë letrare vjen ky diell, gjen vetëveten, siç e ka gjetur poetja Hava Ajdini në vëllimin “Natë pa hënë”.
Ky vëllim poetik me muzën e ngjallur nga rrezet e këtij dielli, çdo lexuesi i jep mundësinë që të gjejë të bukurën artistike të kudondodhur, si në dhëmbje, kënaqsi, tek e bukura, por dhe tek “Lulet e së keqes” shpirtërore të cilat duam apo s’duam ne, i kemi bashkëudhëtar të jetës.
Dyrrah Prill 2015 Vladimir Muça
Email: vladimir_muça@yahoo.com Shkrimtar Studiues