Kulturë
Qazim Shehu: Idil i grisur
E premte, 17.04.2015, 06:11 PM
IDIL I GRISUR
QAZIM SHEHU
ËSHTË NJË KËNGË
Kënga e përbiruar,
Nga plumbat që vërshëllyen në hapësirën e saj,
Ngrihet në mit të trishtuar
Dhe na shkreh në vaj.
Me heronj, luftëtarë.
Na shpluhuros ndjesitë e fjetura
Dhe na i mohon lulet në maj
Ndjesitë e djegura.
Jeta na mësoi ta duam trimërinë
Ta duam plumbin në lule të ballit,
Dhe patëm turp të këndonim dashurinë
Midis dy luftrave ia dhamë të qarit.
Sa heroizma dhe sa këngë,
Sa luftëtarë dhe burrnesha,
Si kapaku i një qielli të rëndë
Na rrinte lart pendesa.
Se ishte një këngë që s`na ik nga kujtesa…
PINGËRIMË
Pingërin zogu në ngricë,
s`do të shuhet,
Dhe gjithë ky zjarr që mban mbi sisë,
Një therje zëri aty vuhet.
Fjolla bore derdhen mbi akull,
Fryma ime ngrin pranë zjarrit,
Pingërima e zogut dridhet në ajër,
Për zërin e ndrydhur të mëkatarit…
MËSYMJE
Më mësyn
një fije
Një degë lofate më mësyn,
Në marrinë time prej fshatari,
S`mësohem dot betonit të tymtë.
Dua të jem në një korie,
Në një lëndinë dua të jem
Ti rri larg këtij qyteti lubie
Që më mban në jerm.
E pamundur.E shoh mundësinë
Kaq të paktë për t`u larguar,
Lulet nga larg më mësyjnë
Dhe unë ndjem i papushtuar..
KUPA
Shpirti jot rri në një dru,
Në një trup tjetër frymon,
I mbaj peng sytë e tu,
Herë si engjëll, a demon.
Si shkau ai vështrim
Pjerrtzi, gjithë pezm,
Dashuria mbeti në fillim,
Një kupë me helm.
Të pirë pak nga pak,
Pa na trallisur krejt,
Të bredhë shpirti e ka hak,
Dhe ta demonizojë këtë shenjt…
ORGAZMË LULESH
Orgazmë lulesh vërshuan në trupin tonë,
I kapërthyer jam në trumzën që firon
Në zemrën time ,në brendësi.
Dhe nuk e di si do shpëtoj
Nga ky duf i kaltër e tymues,
Në farmakore do të shkoj,
Ta ta marr një ilaç dhe do rri sus.
SFERË
Do rrokullisesha më shpejt
Sesa një fjalë ta rrokullis e ta çoj
Aty ku duhet.
Fjala ka qindra gremça
Qindra hone dhe kënde,
Ngrihet me hijet e egra
Zbutet si kone.
Ditën që do e rrokullis
Në këndin e vet të shkojë,
Në petk të sferës do ngjis,
Rrokullisjen si lojë…
AI VRAÇ I ZI
Ai vraç i zi
Ai kalë i baladës,
Shket si rreze
Në majë të shpatës.
Dhe rend e rend.
Natën ,vetëm natën,
Ditën ku zë vend
E sjell mandatën.
FRYMË
Në një pllajë gurët marrin frymë
Heshton heshtja në frymë të tyre,
Herë shiu derdhet, herë brymë
Herë bora shtrohet si qefin lirie.
Sa njerëz i panë dhe s`i shohin më
Këta gurë dëshmitarë pa gojë,
Në trill vetmie .
KY DIELL
Dielli me syrin e qorruar,
Na vështron nga lart,
Kaq ligësi kemi sajuar,
Kaq inat .
Vrullon jeta në mësimin e saj,
Një grimëkohë na sjell në vete,
T`i shtrojmë dëshirat,
T`i çrendisim pasionet,
Ligësinë të hedhim.
Këtë diell në orgazëm ta shkrehim…
THURET
Thuret ankimeve të jetës
Gjithnjë një shpresë.
Një triko që fati e hedh supeve,
Nga përcëllimet.
Ç`udhë biblike duhet bërë,
Për të shkuar atje ku duam,
Ndërsa asgjë
Për trikon nuk thuhet…
IDIL I GRISUR
Idili jot është kjo mbrëmje
Kjo fushë dhe hapësira që hesht.
Shfrimi që mbeti diku brenda teje
Si një reumatizëm pleqsh.
Rri e mendoj ,po mendja kërcet
Si një portë që hapet rrallë.
Të afrohem ,idilin tremb,
Vetem me veten të përballesh…
MË GRISHE
Më grishe e më thirre
Të thirra nuk erdhe,
Ç`dashuri brenda teje kishe
Ç`ëndërr .
Koha shkon ,shpesh harroj
Të sillem rreth grishjes e afrimit,
Dhe mbete larg ..po mendoj
Si mund të jetë grishje e fillimit…