E marte, 10.12.2024, 11:40 PM (GMT)

Kulturë

Sadulla Zendeli-Daja: Njeriu, dhuna dhe vdekja

E enjte, 16.04.2015, 05:51 PM


Sadulla Zendeli-Daja

 

NJERIU

DHUNA DHE VDEKJA

 

Ta duash njeriun

Të jetosh në rrugë

Të kesh mendime të mbrapshta

Dhe mos ta dish’se kurrë do të kthehesh

Në vatanin tënd të pushtuar

Derisa lufta të marrë fund

 

Lufton me djallin

Dhe me qiellin e hapur

Pa e ditur se kurrë do të mbarojë

Lufta për njerëzimin s’ësht’mburojë

 

T’i shpallish luftë djallit

Ta nxjerrësh nga shtëpia

Që ta kanë marrë mizorët

Kjo e keqe shkakton

Lot gjak dhe vdekje

 

Sonte je i gjallë

Çdo minutë vdekja të pret

Fëmijë gra e pleq

Mirren nëpër këmbë

Sikur me qenë shtazë

Të egra në mal

 

Unë jam njeri

E dua njeriun

E dua lirinë

Më lejoni të kthehem

Në vatrën time

Ku e kam shtëpinë

 

Dhe kam një dëshirë:

Ndaloni luftën

Ndaloni vrasjet

O kasapë të pa mëshirë!

 

Më arrestoni në pikë të natës

Nga familja e fëmijët më ndani

Natë e zezë nuk shoh asgjë

Kokën ma keni mbuluar

Me strajcë të zezë

Syt m’i keni lidhur

Më tërhiqni me zinxhirë!

 

Kasapi i këtij shekulli të pabesë

Me hanxhare shpirtin e pafajshëm

Ma merr në shkretirë të Saharës

Trupin ma hedhin në shkretirë

Mbrojtja ime është drejtësi.

 

Zoti më solli ta dua njeriun

Ta ndihmoj për hallet e tij

Të jem kështu si jam

Të besoj atë që e adhuroj

Askujt dëm mos t‘i shkaktoj.

 

PLEQËRIA

 

Pikëllim në trup dhe në shpirtë

Iluzioni nuk bën më dritë

Mundim dhe dëshprim

Të dobëtit nuk jetojnë

Vdekjen e përjetojnë

 

Të fortit ëndërrojnë

Të shërohen për të jetuar

Vdekjes t´i bishtërojnë

Nga s’mundja që i mundon

Bëjnë çmos ta dëbojnë

 

Trup e duar dhe këmbë

Më duken si një barë e rëndë

S´mund t‘i lëvizi askund

Dua të flej një natë pa dhimbje

Na rrëfen një i munduar:

Do të flija një javë pa u zgjuar

 

Mos u tremb o njeri

Varrin ta kami bërë të mirë

Do të shtrihesh në qetësi

Dhimbjet do të ndalen

Shpirti në qiell fluturojë

Engjëjt do ta shoqërojnë

Dhimbjet do t’ia largojnë

 

Në gjumë do të jesh përgjithmonë

Zanat në varr do të të këndojnë

Dhe për ty do të vallëzojnë

Pleqëria nuk do të të mundojë

Dhimbja do të të harrojë

 

Engjëlli me lapsin si shpatë

Do të ta qëndisë një uratë:

PUSHO NË QETËSI O NJERI!

Dimbjet nuk do të përsëriten më

Do të jesh i lirë e i lehtë

Do të prehesh në atdhe i qetë

Në qiell do të fluturosh me fletë

 

MALLI

PËR VENDLINDJEN

 

Jam i lodhur në ved të huaj

Dua të kthehem në vendin tim

Aty ke ajo kolibe ime e vogël

Aty i ka mbjellur lulet nëna ime

Ato në fushë e mal lulëzojnë

Aty ku flitet gjuha jonë

Dhe shqip flasin e këndojnë

 

Vera me lule dhe e me vapë të nxehtë

Do ta ndezi llambën me dritë të qetë

Dritë të më dhurojë si dikurë

Atje orët ecin ngadalë

Jeta është e qetë dhe e gjallë

Ta kënaq shpirtin duke parë

 

Dua të shkoj në Zapode

Në kopshtije dhe sheshe

Ku lulet çelin pipa në mars

Mali të mahnit me bukur

Merr frymë nga gjethet e blerta

Zogjtë pa frikë të afrohen

U duket se je një zog shtegtar

Vijnë pranë the si do lypsarë

Ti gostisish me thërrime

Me mikpritje e ngazëllime

 

Rrënjët tona janë këtu

Ëndrra ime është shpëtim

Dua të shkoj në vendin tim

Atje ku kujtimet fluturojnë

Aty qetësia është e plotë

Aty njerëzit të kujtojnë

Dhe me urata të mbulojnë

 

Mjaftë u mundova në mërgim

Dua të shkoj në fshatin tim

Atje ku burimi shungullon

Gurra me gjashtë çepa gurgullon

 

Aty dua të jem me të rinjtë

Burra bese me shpirt të florinjtë

Pleq e plaka me zemër të madhe

Që e flasin gjuhën e ëmbël amtare

Këngët e fshatarëve të rrethojnë

Bletët nektarin lule më lule kërkojnë

 

Atje kam dëshirë të shkoj

Shiu i pranverës të më ledhattojë

T´ma lagë trupin dhe t´më freskojë

Atje ku qielli blu dhe yjet shëndrisin

Aty ku dasmorët këngës ia krisin

Aty ku nusen në kalë me duvak e çojnë

Tupanat dhe curlet prej s´largu i dëgjoj

Anise unë tinëzisht me lot qaj e vajtoj

 

 

NUK KAM KOHË TË VDES

 

Pata rastin ta takoj këtë shqiptar të vërtetë në disa aktivitete kulturore, që mbahen herë pas here në Suedi. Njeri që njehë vetëm gjuhën e të vërtetës, por edhe gjuhën e mirësisë dhe urtësisë. Më shumë se gjithçka tjetër më la përshtypje të veçantë përpjekja e tij, dëshirë e madhe - bashkimi shqiptar kudo që jetojmë dhe veprojmë. E tha këtë me shumë kujdes, sa herë që iu dha fjala. Si une e kuptoja, ai kërkonte të kishte përfaqësues nga të gjitha shoqatat.

Dhe kudo që merrte pjesë me fjalën e tij, Daja fliste çdoherë pa ndarje partiake. E shprehte dhembjen për këto dukuri të tilla, që mjerisht nuk iu shpëtojmë lehtë as këtu, dhe na dëmtojnë aq rëndë, kudo që jemi. Kështu mendoj edhe unë Dajë! Një vepër e mirë e një intelektuali ka vlerë vetëm atëherë kur bashkon, kur tregon udhën e dritës njerëzore dhe të vëllazërimit. E këtë e bëri Sejdullah Zendeli aq trimërisht, fjala e tij kudo që u tha dhe u shkrua.

Nuk dua t’i përmend veprat e tij. Ato flasin vetë. Por, nuk munda asnjehërë të mos e përmend atë që dëgjova në një promovim librash në fjalën e tij, kur iu kërkua nga pjesëmarrësit ta përsëriste një tregim. Sa të bukur, aq edhe rrënqethës. Dhe nuk mund as unë të mos e përsëris, sa herë që më jepet rasti të flas për veprën e tij. Por, tani do ta përmend vetëm pytjen që ia kishte shtruar doktorit, atëherë kur ishte i shtrirë në spital para operacionit, jo edhe pa frikën e rrezikut për jetë. Por, Daja kishte një hall më të madh kësaj here, se humbjen e jetës dhe i drejtohet doktorit: ”Më thuaj të lutem, a do të jetoj vetëm edhe aq kohë sa ta mbaroj librin e mbetur gjysmë? Më duhen edhe disa muaj jetë”.

Aq besnik i artit dhe punës së tij është Daja, emër që nuk iu falë rastësisht nga bashkatdhetarët. Është puna e tij një Jetë përpjekjesh për të mirën shqiptare. Dhe çdo intelektual i vërtetë, ku mbi të gjitha i vë për detyrë vetes, t’i fal dritën e shpirtit mirësisë dhe dashurisë njerëzore, këtë pytje do ta bënte të parën.

Me këtë rast, i urojmë jetë të gjatë, sa vetë dashuria e tij për fjalën shqipe dhe kulturën tonë, që është krenari për çdo shqiptar kudo që jetojmë. Edhe kur nuk e themi, e ndjejmë këtë thellë në shpirt, për këtë jam e sigurtë. Gëzuar 80 vjetorin! Edhe 100 vite tjera të lumtura bashkë me qindra libra uroj në jetën tënde, shumë i nderuari Sedullah Zendeli!

Lebibe Zogiani



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora