E diele, 10.11.2024, 09:25 AM (GMT)

Kulturë

Dukagjin Hata: Kosturi, mes letërsisë dhe politikës

E shtune, 18.04.2015, 02:58 PM


Shkrimtari dhe publicisti i angazhaur, i ka hyrë politikës, si reagim ndaj një sistemi bipartiak të korruptuar e sharlatan

Astrit KOSTURI, mes letërsisë dhe politikës

Nga Dukagjin HATA

Kur lexova romanin “Nën thonjtë e djallit” të shkrimtarit dhe publicistit Astrit Kosturi, m’u duk sikur po përjetoja ndjesinë e një ankthi sindromik, i cili e përshkon krye e fund këtë vepër të angazhuar letrare, për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në këtë epokë traumatike të quajtur tranzicion.

Romani ka shumë thekse politike, një angazhim total në kahje të të munduarve, të të pamundurve, të atyre që paguajnë faturat e luksit të shfrenuar dhe degjenerimit pa limit të politikës dritëshkurtër e politikanëve të korruptuar, kundër të cilëve ngrihet autori, me penën e tij të hollë, zhbiruese e demaskuese.

Tonet e drejtpërdrejta, fryma polemizuese dhe gjithë nerv, pasazhet mbresëlënëse, me një kolorit të pasur ngjyrash jetësore, gjuha e gjallë, e shkathët dhe me një humor të zi, therës, e bëjnë prozën e Kosturit të lexohet me një frymë dhe të vështrohet si një zbulim i beftë, plot mister dhe enigma.

Nga ana tjetër, autori tenton të bëjë një autopsi estetike, pa e fshehur qëndrimin nihilist politik, ndaj një realiteti dramatik që iu ofron shqiptarëve politika e korruptuar dhe vetë sistemi i vlerave politike të kohës, që ka degjeneruar në një oligraki mafioze sundimi e shfrytëzimi. Ky roman u prit me interes nga lexuesi dhe qarqet letrare të Tiranës, si një rrëfim shumëplanësh, me një stilistikë të beftë e diagnostikuese, për fatin e njeriut shqiptar në perandorinë e shoqërive të hapura, ku Shqipëria hyri, pas një ndalese të gjatë historike, në fillim të viteve ’90.

Kosturi shkruan me një stil dinamik dhe materien rrëfimore e mbush me jetë, përshkruan mirë ambientet, skalit personazhet dhe sjell një informacion të këndshëm rrëfimor për ta. Si një autor me përvojë, me një pasuri vëzhgimesh dhe si njohës i strukturës së romanit, Kosturi do të na sjellë shpalosjen e një bote njerëzore në tranzicion, duke  treguar se filli njerëzor shpaloset në hapësira të gjëra, por edhe për t`u dhënë atyre gjerësi.

Autori operon me simbolet, herë duke i ngritur ato në lartësinë e tyre të vërtetë e herë duke i zhvlerësuar; ai nuk është kundër tyre, përkundrazi, por është kundër simboleve dhe miteve të rremë që mbart shoqëria e intoksikuar shqiptare,e cila nganjëherë u beson idhujve të rremë,apo njerëzve të cilët petkun e krimit ia veshin kohës së shkuar dhe vetë lajnë duart si Ponc Pilati. Fraza e kulturuar e mbresëlënëse është një tjetër cilësi e aspektit rrëfimor të autorit, ashtu si dhe informimet që ai bën për ambientet të cilat flasin për një prozator që di çka të kumtojë.

Tone të forta antikonformiste dhe thellësisht realiste spikasin në librin e tij të fundit, “Nje zë, që vengon”, i cili është një përmbledhje publiçistike e viteve 2003–2013, ndoshta si pasojë e qënies së tij tepër aktive, ndaj problemeve sociale, marrdhënieve direkte që autori ka patur me njerëzit dhe pamundësisë për t’i ndihmuar ata. Vetë jeta dhe vështërsitë e saj, në këto vitet e mbas ’90-s, e kanë bindur atë, siç pohon vetë, se shoqëria funksionon djallëzisht, prej disa duarve të dukshme e të padukshme.

Ndaj, “Një zë që vëngon”, në një farë mënyre është një ofshamë e ardhur pikërisht prej këtyre gjurmëve jetësore, të një udhëtimi të vështirë, nëpërmjet të cilit ai ka dashur të bëhej sa më i mirë dhe i vlefshëm për familjen dhe njëherazi, i devotshëm për shoqërinë.

Nga ana tjetër, tonet kritike të librit, janë një gulç dhe britmë, që vjen prej gjurmëve të humbura të fisit të tij historik, të familjes së tij, që priti e përcolli aq shumë njerëz në konakun e saj të shtruar me ndershmërinë dhe bujarinë e dy prindërve të tij, prej origjinës dhe atij kodi gjenetik me emrin “Kosturi”, që përbën edhe krenarinë e tij. Por, përkundër kësaj devize, kësaj krenarie legjitime, ngrihet marrshi demagogjik i atyre që u ngritën nga zulma e mashtrimit, demagogjisë dhe zaptuan gjithçka në këtë vend, duke iu vrarë njerëzve shpresën dhe dashurinë njerëzore.

Astrit Kosturi është autor i dhjetë librave publicistikë dhe letrarë, me sentence filozofike dhe përkthime, ku spikat një penë e mprehtë, antikonformiste dhe me thekse të dukshme sociale, në mbrojtje të shtresave më të varfëra dhe më të nëpërkëmbura të shoqërisë.

Vitet e fundit njihet si kryetar i një lëvizje popullore në Shqipëri, që ka startuar katër vite më parë, me emrin “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”.

Kosturi tenton të hyjë fuqishëm në politikë, jo për t’u bërë pjesë e sistemit, por për shkallmuar atë, sigurisht jo me tam-tame revolucionare e bolshevike, por me reforma thellësisht sociale, në dobi të atyre që vuajnë pasojat e frymës së epokës sonë të oligrakisë.

Siç thotë edhe vetë në një intervistë në një nga të përditshmet e Tiranës: “As më shumë dhe as më pak, përpiqem të bëj atë që kanë bërë shkrimtarët e tjerë kudo në botë, kur shoqëritë e tyre vuanin, siç vuajnë shqiptarët sot. Pra, unë mendoj se shkrimtari dhe letërsia duhet të jenë të angazhuara, të jenë në ballë të epokës. Gjithë ky regres shpirtëror që ka pësuar shoqëria shqiptare në këto njëzet e katër vjet tranzicion, ka ndodhur dhe për faj të shkrimtarëve, të intelektualëve, të elitës kombëtare që nuk kanë qenë në ballë të aksionit për progres të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare”.

Si reagim ndaj gjithë këtij kompleksi, Kosturi kaloi në politikë, të cilën ai e konsideron si të lidhur drejtpërsëdrejti me fatet e njeriut dhe të kohës së tij.  Për fat të keq, politika jonë, në vend që të ndikojë në frenimin e këtij regresi të rëndë shpirtëror, këtij kolapsi moral e degradimi social, iu ka paraprirë atyre, për interesat e saj dritëshkurtëra.

Në fakt, arsyeja më madhore që Kosturi ka tentuar dhe tenton të hyjë fuqishëm në politikë, është dhimbja që ka për shkatërrimin e shpirtit njerëzor në këtë epokë shfryrjesh instinktive, ku e keqja brenda nesh ka dalë në sipërfaqe dhe ka vërshuar jashtë, në jetën sociale, ekonomike, politike të vendit tonë.

“Prej këtij angazhimi të përditshëm dhe prej disa vitesh, janë bashkuar mjaftë njerëz të pastër e dinjitozë, dhe mendoj se gjatë rrugës do të ketë edhe shumë të tjerë, që do të bëhen pjesë e Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH), siç dhe ka ndodhur deri tani”, thotë Kosturi, optmist se një ditë do të dalë në bregun e ëndrrës së dëshiruar, Lëvizja e tij do të bëhet faktor real në politikën shqiptare.

“Modeli im në politikë, thotë Astrit Kosturi, është Presidenti amerikan Abraham Linkoln, i cili vinte nga shtresat më të paprivilegjuara të shoqërisë dhe jetoi me ëndrrën për Amerikën të lirë e të barabratë, ëndërr të cilën e bëri realitet, duke e paguar me gjakun e tij”.

Ai mendon se duhet një politikë afër interesave të qytetarit, një politikë thellësisht sociale, që të prodhojë një sistem ku barazia para ligjit të mos jetë një retorikë, por realitet i prekshëm nga të gjithë shtresat e shoqërisë.

Megjithëse lëvizja që ai kryeson ka kahje politik të majtë, ai mendon se kauzat e vërteta, për një politikë ndryshe, të çliruar nga demoagogjia dhe shpirti i zhvatjes, nuk janë as të majta e as të djathta, por kërkojnë një angazhim të çdokujt që nuk gjen vetveten në këtë klimë të tejngarkuar zhgënjimi gati kolektiv të shqiptarëve nga politika bipartiake.

Midis artit dhe politikës, midis letërsisë dhe angazhimit direkt në fatin e shoqërisë, me anë të ndikimit politik, sipas Kosturit nuk ka ndonjë hendek të dukshëm, pasi sipas tij, një shkrimtar i vërtetë duhet të merret me politikë dhe një politikan i mirë duhet ta ketë letërsinë një armë të fortë në dorë, në ëndrrën e bukur për të ndryshuar gjithçka, pse jo, për të ndryshuar botën, çfarë ka qenë një ëndërr e kahershme e  shkrimtarëve të mëdhenj dhe e politikanëve largpamës.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora