E diele, 28.04.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Mendime

Vilhelme Haxhiraj: Ku isha unë kur ti më kërkoje?

E hene, 10.11.2014, 09:33 PM


Ku isha unë kur ti më kërkoje?

(Përgjegjësia e prindit për fajet e fëmijës)

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Ajo qëndroi në pragportën e fëmijërisë, sepse vetëm ajo i dilte parasysh e qartë, e brishtë, ishte një kohë e papërsëritshme, kur ajo ndihej plotësisht e lumtur. Ndoshta në atë shtëpizë kishte ngelur një kënd i paqmë nga ajo kohë e qetë, e panjollosur, e papërdhosur, si dhe e pamolepsur me mashtrime dhe intriga. Qëndroi jashtë porte gjatë e përhumbur në mendime dhe e pavendosur...”Të hyj apo të mos hyj...? Cila jam unë në të vërtetë? Jam një hije që zvarg qorrazi ditët e ndotura të jetës sime të shpërdoruar. Sot kam ardhur nga një rrugë e largët dhe po aq e afërt, si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Rrugëtimi im ishte i kushtëzuar, i paravendosur,  ishte pa kthim pas. Tek e fundit kjo është shtëpia ku linda e që më bëri kjo që jam sot.”- me dorën e dridhur trokiti në atë portë që tani i dukej e huaj. Papritur dera u hap dhe asaj iu përplas në fytyrë ftohtësira e diçkaje të vdekur prej kohësh. Në një çast të vetëm të pranisë së saj të padëshiruar, si për të dhe për ..., aty kuptoi se asgjë nuk do të ishte kurrë  si më parë…

Të dyja përballë njëra –tjetrës..., nënë e bijë. Ashtu në heshtje, pa folur, ajo priste shikimin e qashtër, të butë e tolerant të nënës, por…

-Ti­…ti këtu? Nga dole? Nga mbive? Kishim vite që nuk merrnim asnjë lajm nga ty… çudi tani u kujtove se ke prindër, ke familje? Mirë të tjerat, por asnjë letër nuk dërgoje dot?

-Nuk po më fton të futem brenda? Gjithsesi unë ndodhem këtu, edhe pse s’ka nevojë për fjalë, pasi shikoj shumë më tepër në sytë e tu

-Natyrisht kur ngelen në udhëkryqet e jetës, fëmijët plangprishës kujtohen se kanë një derë ku mund të trokasin.

-Për këtë heshtje të gjatë, ti a nuk ndjen ndonjë lloj përgjegjësie, si nënë?

-Ti kishe një jetë të sigurt e punë të mirë, por mjerisht kërkove ëndrra në diell. Ike pa pyetur, pa lajmëruar, duke na lënë një barrë të rëndë, një foshnjë që kërkonte orë e çast nënën. Tani që u vele me të mirat dhe me jetën luksoze  në një vend të huaj, një jetë që aq shumë e doje, kurse tani erdhe ta përplasësh kokën tek dy pleq.

-Sikur ta dije se ç’ jetë luksoze kam bër, nuk do të flisje në këtë mënyrë. Gjithsesi unë erdha…

E ëma heshtëte dhe qëndronte në këmbë si gur varri.

-Çudi, si nuk më kuptove kurrë, së paku njëherë të vetme?! O Zot, sa nevojë kam pasur për një këshillë tënden, moj nënë! Sa herë kam dashur të të hapja zemrën, që të të rrëfeja të pathënat që më mundonin, por...,për fat të keq“unë isha më e mira, më e bukura, më e mençura ,e përkëdhelura e mamasë. Për ty unë isha mbi shoqet, ndaj fati...më ironizoi e më hodhi në krahët e lojës së mëkatit... Besoj tani e di se  cili ishte shpërblimi?!

-Ku isha unë kur ti kërkoje mbështetje?

-Kishe jetën tënde...ëndrrat dhe  hallet e tua, nënë...Meqë më kishe dhënë në duar të sigurta, nuk doje ta dije nëse unë kisha nevojë për ndihmë.

-Çfarë të mungonte që ju dorëzove rrugës së madhe?

-Dashuria, kujdesi dhe vëmendja jote prej nëne që nuk ia zë vendin askush.

-Unë të dhashë burrë, që ti ta ndërtoje jetën më mirë se unë...

-Po është e vërtetë. Më dhe burrë, madje në kryeqytet. Por kishe harruar se martesa nuk të jep as fat dhe as lumturi...

-Nuk di çfarë kërkoje më shumë nga jeta, nuk di?

-Për sytë e tu dhe të babait, po...Mjafton që e patë ju, edhe e kishte parë e vulosur Perëndia.

-Nuk e kishe fat, se ai ishte djalë i mirë.

-Nënë, merr sytë dhe shpirtin tim për ta parë se si e përfytyroja unë  jetën. Atëherë do të kuptosh se çfarë kam dashur unë.

-Natyrisht nuk jemi njësoj. Janë disa faktorë që ndikojnë në realizimin e një njeriu.

- Sa mirë që e kuptove. Janë mosha, koha në të cilën jeton dhe shkalla e qytetërimit, pa harruar formimin individual, ndjenjat, nivelin ekonomik etje...Veçse tani është vonë, shumë vonë , nënë.

-E di mirë se e bëra nuk mund të zhbëhet. Tashmë e keqja ka ndodhur. A e pyetët ndonjëherë zemrën time?

-Cili prind ia do të keqen fëmijës?

-Pa u thelluar, ju më nxorët në treg sikur isha bagëti. Vetëm skllevërit para se t’i shisnin i kontrollonin nga dhëmbët. Kurse mua ju më shitët lirë, vetëm për hiret trupore, për bukurinë, e cila më shndërroi në një lëkurë(peliçe) të rrallë që ka vlerë të madhe.  Gëzofi origjinal që zbukuron jakat e palltove të grave, tregon edhe nivelin aristokratik të asaj apo atij që e zotëron. Me këtë çmim të lartë,por jo të paarritshëm,  që kanë gëzofët e kafshëve të rralla si kunadhja, apo lëkura e bardhë e dhelprës polare, më detyruat ju, që unë me ato hire femërore, bleva mëkatin.  Jetën time e barazuat me vlerën e gëzofit të palltove,  që është veçse një tekë e zonjave të rënda për t’u dukur mbi të tjerat. E tillë ishte jeta ime, derisa ajo u kthye në mall ankandi, ku çmimi i tij rritej nga ofertat e epshorëve shtazarak, të cilët për të realizuar tekën e tyre foshnjarake, apo për mburrje, edhe symbyllur e zgjidhin kuletën. Kjo kam qenë unë...

-Vetë e zgjodhe atë mënyrë jetese. Tani mos të vjen turp nga vetja, vallë.

-Djalin dhe vajzën i ka ushqyer nëna me gjakun e zemrës, marrin ushqim nga trupi i saj, edukohen me atë kulturë që ajo zotëron. Sido që të bëhen, të mirë apo të këqij, ata janë pasqyrë e nënës dhe e babait. Edhe djali im që unë e braktisa, është im bir.  Po kështu edhe unë ,e mirë apo e keqe, për ty dhe për të tjerët jam jot bijë. Jam ajo llastica, “më e mira e shoqeve, më e bukura e vajzave të qytezës që e kisha mirësinë në mes të shpatullave”, apo i ke harruar mburrjet e tua që më bënë të fluturoja  nëpër ëndrra, nënë.

Po të tregoj një ndodhi të lashtë…“Një djalë për vjedhjet dhe krimet e panumërta që kishte bërë, e dënuan me varje në litar. Para se ta ekzekutonin e pyetën:

-Cila është fjala jote e fundit si pendesë apo falje para Zotit dhe drejtësisë?

-A mund t’ia them nënës ? Mundësisht afër, se dua faljen e saj.

-Patjetër...,-  dhe ekzekutorët ia plotësuan dëshirën.

E ëma iu afrua me lotë në sy duke i thënë:

-E shikon se çfarë i bëre vetes dhe mua? Më le me duar në gji…Gjithësesi ti je im bir.

-Nënë,ti ke qenë dhe je avokatja dhe gjykatsja ime. Gjuha jote më lëvdoi se isha “djalë i mirë kur unë gënjeja dhe bëja prapësira.. Gjuha jote jo vetëm nuk më dënoi për gabimet që bëja, por më rrihje krahët duke thënë: ‘Ja kështu e kam dashur tim bir’. Ishte gjuha jote që i pranonte si trimëri gjithë krimet dhe vjedhjet që kam bërë. Ndaj afrohu këtu pranë që ta shoh se çfarë lloje gjuhe ke, si nëna që ka detyra dhe përgjegjësi ndaj fëmijës.

Sa u afrua ajo dhe i nxori gjuhën, ai ia kafshoi aq fortë sa iu preh mespërmes…”-kjo është fabula e jetës së çdo fëmije.

-Nuk e pranoj. Ne të rritëm me gjithë të mirat, kurse ti, more rrugën e të paudhit.

-Prej jetës sime të vështirë, fitova përvojë e dije. I njoh detyrat dhe përgjegjësitë e prindit. Madje di dhe si e kur edukohet për së mbari një fëmijë.

Oh, nënë! Lindja e një fëmije është e njëjta gjë si lindja e alfabetit. Nëse ky i fundit është krahasuar me një nga çelësat e historisë së njerëzimit, sepse alfabeti  është kodi i çdo gjuhe që flitet në rruzullin tokësor, si dhe një nga veçoritë themelore të kombit. Kurse fëmija ngjason me mistikën e shkronjës fillestare , pra është bërthama nga ku nis gjeneza. Në këtë rast ka shumë mundësi që arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë, pasi fjalët që fillojnë me të njëjtën shkronjë mbështillen nga diçka karakteristike, na një lloj misteri të cilat i bashkon vetëm shkronja e parë. Pra edhe fëmijët e ndryshëm të një komuniteti, i bashkon të qenit njerëz, por ata i ndan nga njëri- tjetri, geni dhe kultura  e trashëguar.

Nënë, shpesh thuhet se nga ferra mbin trëndafili dhe nga trëndafili mbin ferra.Edhe në këtë rast arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë. Për saktësimin e plotë të alfabetit është dashur shumë kohë që ai të plotësohej për të realizuar marrëdhëniet gjuhësore mes njerëzve të një race. Shumë kohë duhet edhe për edukimin e një fëmije, i cili nis me ngjizjen e tij. Pra qysh në embrion, nis edukimi i çdo krijese humane. Ç’ bëre ti nënë për të më edukuar me një karakter të forte e të qëndrueshëm? Mbaj mend se më ke plotësuar të gjitha dëshirat,edhe atëherë kur nuk duhej. Plotësimi i tekave të mia, lëshimet apo anashkalimet me vend e pavend, ja ku më çuan. Sot jam një vejushë e shpërfillur, për të cilën mungon respekti i të tjerëve. Mos vallë të gjitha gabimet e fajet bijen mbi mua? Po ti, ti, moj nënë nuk ke asnjë gabim ndaj meje?

-Mendoj se kam qenë nënë e mirë. Jam munduar që të mos mungonte asgjë. Nuk doja të ishe nën shoqet e tua…

-Sedra e sëmurë prej nëne egoiste, e ushqeu egon time duke më shndërruar në një tjetër njeri. Nuk kam dashur kurrë që të jem kjo që u katandisa. Ironia e fatit më rrëzoi për tokë, porse loja e mëkatit më mësoi se si të ringrihem. Veçse jeta ime kurrë s’ka për të qenë si më parë...

 

Rreth katër krimeve të fundit në Tiranë

 

Jo më kot -, për analogji, shkëputa fragmentin e mësipërm, prej romanit tim që kam në dorë me titull “Loja e mëkatit”. Të gjithë prindërit e dinë se fëmija që përfundon  kriminel, trafikant, përdorues droge, arrogant, hajdut apo prostitutë, faji rëndon mbi familjen. Shkolla dhe formimi shkencor i jep njohuri, është vazhdimësi e bagazhit që i ka dhënë familja në procesin e gjatë të edukimit, pasi kohën më të madhe ai e kalon me prindërit apo me shoqërinë.

Jetojmë në një kohë të trazuar dhe të pasigurt, ku çdo mëngjes, qytetari sa hap sytë ndjen shijen e hidhur të kronikave të zeza, me të cilin nisin lajmet e ditës së re. Vrasjet tek ne kanë nisur të bëhen si diçka normale.  Nga e njëjta dorë vrastare humbën jetën katër djemë nënash dhe një (Alfred Musabelliu) para tre vitesh, të cilët kishin faje në ndërgjegje apo jo, me këtë duhet të merreshin organet e drejtësisë.

Po kur ama?

Vetëm kur ajo funksionon si duhet duke zbatuar me përpikmëri ligjet që sanksionon kushtetuta.

Unë, si nënë, si gjyshe, si qytetare, u përciell ngushëllimet e mia të sinqerta katër familjeve , si dhe familjes Musabelliu që humbën djemtë nga dora kriminale e shokut të tyre.

Më vjen çudi se u çanë ekranet televizive  duke dhënë opinione keqardhjeje për atë që kreu krimin dhe asnjë fjalë për viktimat. Dikush shprehet “jam me ty Luiza”, dikush tjetër  epo ç’faj ka nëna, kur i biri është 26 vjeç?”

Unë si prind i quaj gjykime të padrejta. Në vend që të analizojnë thellë këtë krim makabër, motivohen nga pozita shoqërore, kulturore apo politike e prindit. Nëse vrasësi nuk do të ishte bir i një familjje artistësh, apo i deputetes së Parlamentit shqiptar, jam e bindur se këta diskutantë apo opinionist do të ishin të parët që do të kërkonin nga drejtësia dënim kapital për kriminelin. Sepse atij i mungonte një ombrelë për ta mbrojtur nga stuhitë

Më ka bërë përshtypje rrëfimi i K.Xhuvanit, “se si u bëra vrasës”. Mendoj se të bëhesh kriminel e të vrasësh me gjakftohtësi katër persona në të njëjtën kohë, krim i përsëritur, të jesh person i kërkuar për trafikime, duhet shumë kohë. Prindërit e tij intelektualë dhe të kamur, për të qenë të lirë në përsosjen e profesionit të tyre, e kanë toleruar djalin e vetëm dhe ai me ndërgjegje se do të kishte përkrahjen e tyre, vazhdoi të gabonte. Ata të zhytur në ëndrrën e tyre, në rritjen individuale dhe në egon politike, nuk kishin kohë të shihnin gabimet e tij që me kohë mund të riparoheshin. Xhepat nuk ia linin kurrë bosh, gjë që solli pavarësinë e tij. Duke luajtur me para, si një elektron i lirë, pa kërkesë llogarie nga familja, u fut në rrugën e vesit, nga ku nuk dilte dot më. Karakteri i tij u formua me egoizëm, se ishte i biri i artistes, i deputetes dhe regjisorit, ndaj duhej të dëgjohej nga të gjithë dhe të ishte në krye, ndryshe, shokët i priste plumbi.

Ku ishte nëna kur i biri bënte jetë nate, kur dehej, sa nuk logjikonte më? Unë jam nënë  dhe si e tillë e di se ku është im bir në  çdo orë të natës, se të ditës poe po. Natyrisht ai do dalë nga burgu, siç doli edhe herën e parë e s’është çudi që të dalë i pafajshëm me kartelë mjekësore, si njeri me aftësi të kufizuara mendore. Drejtësia mos të kërkojë faje të paqena për njerëzit e zakonshëm si shpërdorues detyre,duke i futur në administratën e lartë. Mjerisht janë nëpunës të mesëm, të cilët numërojnë qindarkat dhe për ta kërkojnë qimen në qull, vetëm e vetëm t’i shohin pas  hekurave . Para ligjit në një shtet ligjor  të së drejtës qytetarët janë të barabartë para ligjit. Ndaj drejtësia duhet të shoh krimin  që e përqesh, duke i nxjerrë gjuhën e duke i thënë: “Unë jam më i fortë se ligji, ndaj ti që zbaton e kontrollon zbatimin e ligjit, s’më bën dot gjë...Unë kam vrarë dje,vrava sot dhe do të vrasë edhe nesër.” A nuk është paradoks një opinion i tillë, që në vend të kalojë nga viktimat, i dhimbset krimineli. Me të drejtë e ëma e tij, Luiza dhe e çdo vrasësi, duhet të pyes ndërgjegjen : “ku isha unë kur djali kishte nevojë për mua?



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora