Mendime
Kimete Berisha: Vardisje diktatoriale
E marte, 04.11.2014, 07:00 PM
Vardisje diktatoriale
Nga Kimete Berisha
Kryeministri Hashim Thaçi e lansoi një tip vardisjeje politike që nuk e njeh historia e psikologjisë njerëzore dhe as "arti i përvetësimit".
Pa u vardis s'bën, ashtu e ka punën, dhe e ka mirëkuptimin dhe përkrahjen popullore në përpjekjet e tij fataliste për t'ia thyer mendjen "bllokut". Askush nuk e akuzon pse lyp çare. Gjithkush ka të drejtë të luftojë për mbijetesë.
Kështu, Hashim Thaçi me iu vardis po i vardiset Isa Mustafës, se s'po ka shteg tjetër, ama s'po vardiset si njeri, por po vardiset keq, po e merr subjektin e tij me t'keq, herë ftohtë-herë nxehtë, egër si Xhon Wejni në film, pa një mesatare të pranueshme emocionale, se po i vjen inat, s'ka faj, vardisja ta humb burrërinë.
Vardis për vardis, vardisu bile si xhentëlmen. Se, ka njerëz, e atillë jam dhe unë, me të keq s'bëjnë punë, edhe me ditë se nami bëhet.
Veç me të mirë, me fjalë të mira, butë, urtë, por as me të mirë s'duhet me tepru se dukesh mashtrues dhe budalla, duhet taktikë e sofistikuar, që edhe m'u duk në një moment si gjynah, por edhe si njeri i mençur, dhe 'i tokës", që do ta ndajë pushtetin me shokë e shoqe, me miq e me armiq, për hir të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi deri tani ka pritur indiferent, duke shpresuar se Isa Mustafa nuk i ka "nervat e kalit", qysh i ka ai, dhe do të lëshoj pe, por tash kur e ka kuptuar se edhe Isa Mustafa i ka nervat e "kalit" si të tij, ka filluar t'i vardiset.
Por, meqenëse çdo gjë në jetë e ka marrë të gatshme, dhe me marifete të ndryshme, kurrë s'ka fituar gjë me djersë dhe me mund, ai nuk po di të përvetësojë kundërshtarin e tij.
Nuk ka perspektivë personi i cili i drejtohet shumicës parlamentare me këtë shpallje "dashurie":
Hashim Thaçi: “Asnjë ridizajnim marrëveshjesh, apo tendencë e re nuk do të funksionojë pa angazhim dhe komunikim të drejtpërdrejt me fuqinë fituese, sepse ky është një verdikt qytetar I dhënë në zgjedhjet e tetë qershorit. Çdo pretendim i ri çon në bllokadë të re”.
Personalisht mendoj se mbasi s'po u bëka pa PDK-në, Kosova s'qenka as shtet, kështu që mbasi "blloku" kanë qëndruar deri tani, le të vazhdojnë të ngulin e ta kundërshtojnë llojin diktatorial dhe të dhunshëm të bashkëpunimit dhe komunikimit që po e ofron Kryeministri, së paku derisa të mësohet të sillet si njeri normal, e jo qysh u mësu me partinë e tij të sillet si Zot,
Sepse, ai nuk po e fton "bllokun" të komunikojnë, por po i fton liderët e "bllokut" që t'i nënshtrohen, si përpara, kur "bota ishte e tij"..
Të isha këshilltare, "bllokun" do ta këshilloja të ulen dhe për së uluri ta refuzojnë bashkëpunimin me Hashim Thaçin. Dhe, në këtë mënyrë ia marrin adutin e "ekskomunikimit", dhe më s'mund të thotë askush se "blloku" s'po pranojnë të komunikojnë, por do të thonë se "blloku", gjatë bisedimeve me Hashim Thaçin, ia bëri atij të njohur qëndrimin e prerë se kësaj radhe nuk do të mund të bashkëqeverisin me të, duke e inkurajuar që në zgjedhjet e ardhme të provojë t'u afrohet, sepse gjithmonë (përveç kësaj here), do të jenë të hapur për bashkëpunim.
P.S. Hashim Thaçi ish dashur ta dijë se nuk i thuhet askujt se "pa mua s'ke të ardhme", për shkak se ia forcon edhe më shumë inatin dhe e nxit të të refuzojë pafundësisht, deri në përulje.