Mendime
Lama: Ta shpëtojmë Kosovën nga pseudodemokracia
E hene, 03.11.2014, 07:05 PM
Ta shpëtojmë Kosovën nga
pseudodemokracia
Nga Alma Lama
Studiuesit e fushës e quajnë pseudodemokraci. Ajo karakterizohet nga mbajtja e zgjedhjeve “të lira dhe të ndershme” (shpesh të manipuluara) ku mund të marrin pjesë parti të ndryshme, por realiteti dhe rregullat politike e bëjnë të pamundur, me përjashtim të mjeteve të jashtëzakonshme siç janë protestat, largimin e partisë qeverisëse, nga pushteti.
Një vend mund t’i ketë institucionet, gjykatat, gjykatën kushtetuese, por kur sistemi është joefektiv dhe i manipuluar, atëherë ky vend quhet pseudodemokraci.
Secilit që i lexon këto rreshta, tani në mendje i vjen Kosova e cila zhvilloi një palë zgjedhje të rregullta, i ka edhe institucionet, por e ka të pamundur të përmbushë vullnetin e shumicës së votuesve.
Ky kurth në të cilin ka rënë e ka një adresë, partinë në pushtet e cila nuk pranon rregullat e lojës demokratike, ku shumica udhëheq. Por kjo parti, pavarësisht vullnetit të saj për të mos respektuar lojën demokratike, nuk do të mundë ta realizonte kurrë këtë ambicie, në rast se krahas saj të mos ishte rreshtuar institucioni më i lartë në vend si garantues i kushtetutshmërisë, Gjykata Kushtetuese.
Pa hezitimin më të vogël, këta gjykatës, vendorë e ndërkombëtarë, kanë bërë një atentat kriminal mbi sistemin demokratik të Kosovës. Kjo gjykatë është e kapur politikisht, është e inkriminuar dhe është e turpëruar përpara gjithë botës demokratike, për shkak të vendimit jokushtetues e bllokues që ka marrë. Ata gjykatës, me përjashtim të amerikanit Robert Carolan, të ndihen të turpëruar profesionalisht, dhe duhet të japin dorëheqje nga postet që iu janë besuar.
Ata gjykatës ndërkombëtarë, që kanë ardhur në Kosovë për të na ndihmuar në konsolidimin e shtetit ligjor e demokratik, i kanë turpëruar vendet e tyre përkatëse. Ata kurrë nuk do të guxonin të merrnin vendime të tilla në vendet e tyre.
Ata kurrë nuk do të guxonin, ta bllokonin Kuvendin, ta linin konstituimin e tij në duar të një personi apo pakice, ta parandalonin bashkimin e deputetëve në grupe parlamentare; ata kurrë nuk do të guxonin ta përdhosnin Kushtetutën e tyre në vendet e tyre, në këtë mënyrë siç bënë me Kosovën.
Prandaj, si deputete e Kuvendit të Kosovës, që kam marrë besimin e qytetarëve për të punuar për vlerat demokratike, u them publikisht: ju i bëtë një shërbim shumë të keq vendit tonë, ju nuk na duheni.
Sa iu përket gjykatësve vendorë ata janë të korruptuar, të pabesueshëm, të njëanshëm, vegla. Me këtë vendim ata e kanë përfunduar karrierën e tyre profesionale, edhe pse mund të vazhdojnë të jenë aty, sepse regjimi ende i mban.
Ata kontribuuan pra që Kosova të quhet me plot gojën pseudodemokraci. Jo se gjërat po funksiononin si duhet deri tani, jo se elementët e një demokracie ishin në nivel të kënaqshëm, jo se sundimi I ligjit po apo të drejtat e njeriut po respektohen, jo se qytetari gjen mbështetje nga shteti të cilit i ka besuar sovranitetin e tij; ama kjo situatë e bllokimit të transferit të pushtetit nuk kishte ndodhur më herët.
Dhe është më se e qartë se kjo nuk paska ndodhur për shkak të pjekurisë institucionale të Kosovës, por për shkak të ndërhyrjeve nga lart, që janë ambasadat e sotme apo zyrat diplomatike të dikurshme. Kjo do të thotë se Kosova është e paaftë për të qeverisur vetë, e paftë për të ndërtuar një sistem të kontrollit të pushteteve, e paaftë për të kuptuar logjikën demokratike, që është plotësisht e kundërta e kapjes së shtetit, siç u zyrtarizua këtë verë me vendimin skandaloz të Gjykatës Kushtetuese.
Në gjithë këto vite investimesh të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare për ta bërë Kosovën një vend demokratik, pasi e bëri atë të lirë, ne paskemi bërë një vrimë në ujë.
Dhe për mua kjo është brenga; kapja e shtetit është brenga; dështimi i shtetit është brenga. Sot për mua pak rëndësi ka se kush bëhet kryeministër, Isa apo Ramushi, Hasani apo Hyseni. Sot pak rëndësi ka nëse subjektet do të ulen vetë apo me imponim për të bërë një marrëveshje dhe për t’i dhënë zgjidhje krizës së shkaktuar nga Gjykata Kushtetuese, në stilin e odave e jo atij institucional të garantuar me Kushtetutë.
Për mua, sot ka rëndësi se demokracia në Kosovë ka pësuar një goditje aq të rëndë, sa do të duhen shumë vite për ta rimarrë veten.
Por a duhet të dorëzohemi përballë të keqes dhe të braktisim vlerat në të cilat besojmë?
Pavarësisht kësaj rënie të rrezikshme në humnerë, përpjekjet për ta çmontuar pseudodemokracinë nuk duhen reshtur. Është detyra parësore e koalicionit që do të qeverisë Kosovën, dhe është krejt e logjikshme që ky koalicion nuk mund të ketë në gjirin e tij, PDK-në, e cila është vetë dora që ka kapur shtetin. Blloku ku bëjnë pjesë katër parti, duhet të dalë nga gjendja amorfe e pa iniciativa, dhe ta marrë situatën në dorë.
Të respektojmë rregulloren e Kuvendit, në raste të refuzimit të kryesueses për të thirrur seancën, dhe në rast të refuzimit të subjektit që ka të drejtën e propozimit të kryetarit, për të marrë pjesë në seancë. Është alogjike që një subjekt politik të bllokojë punën e krejt parlamentit, pasi funksionon në bazë të shumicave.
Nëse po heziton ta bëjë këtë, t’ia japë edhe një shans Gjykatës Kushtetuese për të ndrequr gabimin e saj skandaloz, dhe për ta zhbllokuar situatën e krijuar prej vetë saj. Të ridizajnohet marrëveshja nëse është e nevojshme dhe të themelohen institucionet. Dëshirat personale që x apo y të bëhet kryeministër janë në mospërputhje me parimin që deri tani ka proklamuar blloku: rrëzimi i PDK-së nga pushteti. Nëse është kështu nuk po shoh arsye për të këmbëngulur në pozita.
Nga ana tjetër LDK-ja duhet të heqë dorë nga deklaratat gjysmëpersonale të kryetarëve të komunave, të cilët është mirë të merren me punët e komunave dhe jo të Kuvendit, por të dalë hapur dhe e vendosur me qëndrimet e saj. Janë deputetët, të zgjedhur me votën popullore bartësit e këtij procesi politik, dhe vetëm vota e tyre ka vlerë. Deputetët kanë përgjegjësinë kryesore për të mos lejuar kolapsimin e sistemit.
Deputetët dhe e tërë shoqëria, duhet ta dinë se nëse shkohet sërish në zgjedhje, sistemi demokratik ka kolapsuar, pasi pakica ka vendosur ndërsa shumica është shpërfillur.
Secili duhet ta shohë këtë jo një luftë thjesht për të marrë pushtetin, por për të mbrojtur sistemin demokratik dhe parimet e tij.