E enjte, 03.10.2024, 08:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Letërsia dhe historia

E diele, 12.10.2014, 03:32 PM


Letërsia dhe historia

Nga Dr. Ilir Muharremi

Është e mundur të ndahet letërsia prej historisë e cila me shekuj në vija të trasha koincidonte dhe bashkëvepronte mrekullisht. Do vëmë re letërsinë postmoderne e cila nuk prek historinë, por fantazinë. Është një vetëdije e vërtetë me përzierje fiksionesh me realitetin. Ndërtimi i ngjarjes aranzhohet mbi faktet  e paevitueshme. Sikur një shpjegim ekstrem të ishte i vërtetë për joshjen e lexuesve, atëherë përse njerëzit ndjejnë kënaqësi ndaj historive të rrejshme ekstreme dhe përse interesimi bie “preh” e kësaj? Letërsia e pastër arratiset në imagjinatën e kujdesshme, ndahet nga jeta duke ngritur estetikën, përqeshjen, satirën, por prapë me mish dhe eshtra është vet jeta. Nuk ka ngjarje më interesante se vepra e Ezhen Joneskos “Rinoqeronti”. Këtu ai tërhiqet nga tradita e teatrit të vet absurd duke nxjerr në pah pesimizmin. Beranzheja mbetet i vetmuar në botën e Rinoqerontëve, përpiqet të shndërrohet në Rinoqeront, më kot, ndërsa për ata që janë kthyer në Rinoqerontë nuk jepet asnjë shpresë për t’u rikthyer në njerëz. Akti i parë përmes bisedës së Zhanit dhe Beranzhesë qartëson frikën e Zhanit ndaj shndërrimit në Rinoqerontë, mirëpo akoma ai rruan fytyrën e njeriut. Fati për t’u kthyer në rinoqerontë është i përcaktuar. Zhani kthehet pa asnjë shpresë shpëtimi. Në këtë mënyrë vepra dramatike apo çfarë qoftë ajo letrare nuk ndjek vazhdimësinë pa turbullira e cila nuk ndodh asnjëherë në situata reale të jetës, por këtë e gjejmë në të ëndërruarit, fantazuarit dhe menduarit. Sikur të ishte shndërruar Beraznheja në Rinoqerontë, ekzistenca njerëzore do merrte fund nga morali i saj. Ja pra një botë imagjinare e ndërtuar nga korrigjimi i reales në të cilin asgjë nuk është e mundshme nëse nuk ekziston fantazia.

Letërsia në raport me njeriun aranzhon, fabrikon fatin sipas përmasës së vet. Te “Kërrigat” dy personazhet plaku dhe plaka pas batutave të përsëritura “Rroftë perandori”, hidhen secili prej dritares së vet, duke përsëritur këtë batutë. Edhe kjo nuk ndodh në situata të jetuara dhe të menduarit arrin ta korrektoj të jetuarit, sepse të jetuarit vazhdon me mundësinë e ofertës së fatit, kurse imagjinata tejkalon. Në këtë mënyrë kjo letërsi është ushtrim inteligjent sensibilizues nostalgjik përtej ëndërrimeve të pamundshme. Kemi edhe qëllimin e kotësisë së ekzistencës njerëzore të cilën e manifeston Beketi. Këtë ai e arrin vetëm duke hequr dorë nga forma klasike e dramës. Nëse e marrim në kuptim tradicional, atëherë krijimi i dramaturgjisë së tij është pa intrigë, pa personazhe, dialog të pakuptimtë. Por, Vladimir dhe Estragoni tejkalojnë kuptimin e ekzistencës njerëzore.  Prapë marrin diçka nga ekzistenca njerëzore. Të dy personazhet presin në një fushë të shkretë, ardhjen misterioze të Godosë. Kotësia, mungesa e kuptimit, madje asnjë gjest, asnjë veprim nuk mund t’i shkul këta dy personazh nga gjendja e tyre prej njerëzish të dënuar me vdekje. Ata nuk e vrasin veten edhe pse përpjekën ta bëjnë këtë, dështimi ndodh nga rastësia. (Në rastin e parë litari është i dobët, këputet, në rastin tjetër dega e pemës nuk qe e fortë, të mbajë trupat e tyre.) Beketi ik nga realja, duke mos abstenuar. Rastësia fuqizon mendimin dhe imagjinatën. Njeriu vetëm se bëhet pengë i saj mbi mendimin. Asnjë komunikim i vërtetë nuk ndodh ndërmjet njerëzve. Të dy personazhet po ta vrisnin veten si ne melodrama, tregohet se kanë mbetur prapa nga jeta ose nuk e kuptojnë. Veprimet ua imponon ekzistenca, por prapë fiton bota imagjinare e Beketit. Kjo letërsi fiton mbi vdekjen. Duket se jeta e brendshme i kënaq personazhet njëri me tjetrin.

Marrim historinë si ndikim në letërsinë si mungesën e perspektivës. Aty nuk trajtohet ndonjë rrugëdalje njerëzore nga qorrsokaku shoqëror i shkaktuar nga marrëdhëniet e realizmit socialist. Letërsia historike, nuk parasheh ndonjë arratisje nga historia, nëse përpiqet ta bëjë prapë deklarohet si histori. Puna e një letrari nuk është të  tregoj atë çfarë ka ndodhur, por atë që mund të ndodh. Fjala është për diçka të pa parë brenda gjasës dhe nevojës.  “Historia e Herodotit mund të kthehet në vargje, por prapë mbetet gjithmonë histori” thotë Aristoteli. Po, sepse ai rrëfen për ata se që ngjau. Letrarët shqiptar nuk dëshmuan ndonjë premtim të arratisjes nga historia. “Lumi i vdekur”, “Juvenilia”, “Lahuta e Malcis”, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.... konsistojnë në përcaktim të krijimit, por gjithnjë kundër krijuesit. Edhe më thellësisht, rikrijim i tregimeve duke i mishëruar personazhet me bashkimin e së bukurës dhe të qenieve kundër fuqisë krijuese. Kjo dëshmon se historia bënë rikrijimin e tillë çfarë na është imponuar dhe të tillë çfarë është refuzuar. Nëse flasim për letërsinë kombëtare shqiptare të rilindjes, gjejmë portretizimin e kombit mbi trimërinë, egoizmin shqiptar të pa zëvendësueshëm si marathonak nga tërë bota. Lartësimi i vetvetes si diçka e pa prekshme e bastardoj letërsinë kombëtare duke mos nxjerr vlera. Përse letërsia shqiptare nuk pati perspektivë dhe ende sot nuk ka? Letrarët janë ligjvënësit e papranuar të botës. Çfarë dua të them? Çdo letrarë i mirëfilltë duhet botës t’ia jap ligjin e tij. Ligji i letërsisë shqiptare nuk ndryshoj botën, mbeti viktimë e së kaluarës nacionale, kombëtare dhe historike. Në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, takojmë njerëz të një populli të vogël, krenar me luftën që ka bërë të cilët dinin t’i respektonin traditat, mikun, të vdekurit, qofshin edhe armiq. Kadare nuk e deformon botën , andaj çdo situatë zhytet edhe më thellë në histori. Madje, nuk bënë sforcim të realitetit, por tregim të njëpasnjëshëm. Njeriu ndryshon edhe ndaj misionit, kjo është e natyrshme në roman. Ndjenjat e gjeneralit ndryshojnë shpejt dhe vazhdimisht. Në fillim të udhëtimit paraqitet i mbushur me entuziazëm për misionin historik. Por, nëse flitet për art dhe histori, atëherë ngulmimi për të pamundurën mungon. E pamundura formësohet dhe klithja dëshpëruese zbulon shprehjen më të fuqishme. Forca krijuese arrin fuqinë e vetvetes. Në fakt këtu natyrshmëria, realja historike thellohet edhe më shumë. Atëherë, si duhet arratisur nga historia sepse edhe revolucioni i shekullit XX i nënshtrohej nihilizmit. Lahuta e Malësisë", me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është quajtur nga shumë studiues "Iliada" shqiptare. Nuk ka një subjekt të mirëfilltë qendror, rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet përfytyrimet. Këtu Fati i Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik "Ora e Shqipërisë". Dhe, sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi, orët e çdo luftëtari, të çdo shqiptari. I krahasuar me Iliaden e Homerit në kuptimin përmbajtjesor të personazheve veçse kjo e Homerit vjen nga një vend i largët kanë të përbashkët përkatësinë ballkanike. Konflikti mes shqiptarëve dhe sllavëve konsiderohet natyror.  Një absolutizëm historik, por jo efikas, më shumë i efektshëm. Fishta tenton ta zgjerojë këtë realitet gjithnjë e më shumë.

Arti i takon njeriut dhe shoqërisë, por gjithnjë duhet të jetë pretendues për të ardhmen. Përcaktimi i propagandës është i pazëvendësueshëm këtu. “Nëse i revoltuari duhet njëkohësisht të refuzoj furinë e hiçit dhe pajtimin e totalitetit, artisti njëkohësisht duhet t’i ikë entuziazmit formal dhe estetikës totalitare të realitetit” pohon Camus. Këtu unë shohë botën si braktisje nga e cila prapë marrim diçka. Heqim dorë nga historia, ndërtojmë horizonte të lira artistike letrare të fuqishme, filozofike, tejkaluese dhe kuptimplote.  Historia ka një fund, por detyra e krijuesit nuk është ta përfundojë, por ta krijojë artin e tij që i duket i vërtetë. Njeriu nuk duhet të përmbledh histori, por ta kuptoj vendin në natyrë. “Mund të refuzohet krejt historia dhe të harmonizohet, megjithatë me botën e yjeve dhe të detit” thotë Camus duke dënuar injorantët më syrgjynosje ndaj natyrës. Vjen një ditë që letërsia jonë kthjellët nga hija historike duke u mbështetur mbi bukurinë filozofike të unitetit të vetës dhe botës. Letrari nuk mund t’ja kthej shpinën botës dhe historisë pa mohuar parimet e veta, të zgjedh artin e përjetshëm pa iu nënshtruar së keqes. Si refuzues ai duhet të shkoj deri në fund. Kjo krejt në fund do të thotë të zgjedh historinë duke vrarë përjetësisht raportin me artin. Edhe historia ka nevojë për këtë vrasje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora