Kulturë
Poezi nga Puntorie Ziba
E diele, 12.10.2014, 10:51 AM
Puntorie
Ziba
Psallm atdheu
Në mugëtirë
flej rehat me psallmet,
e denjë për mugulli dalë nga dheu,
e harlisur
si, kur piqen qershitë.
... dhe shpirtëroj ëndrrën e kahmotshme
që më përqafon me dy krahë shtetesh.
Ah, lum si unë e lum si nè
me dy koka shtetesh
të shqiponjës sime,
me beretën krrusur përmbi
e qëndisur me muline kuq,
sa krenare më rri,
këmbë mbi këmbë,
si heroinë e kompletuar...
Me çark të syrit shkrep drejt erërave
të zhdërvjellta
deri në kaltërsi,
ku filtrohet historia e argjendtë
dhe ngul sytë shpirtngushëlluar
si një pykë,
pashë më pashë
e mal më mal
det më det,
nga hënëza buzë flakëruar
e, deri në Çamëri...
Pas 1999-tës
(Perandorakëve të sertënuar)
Kështjellarët qerthullor
të pushtuar nga suferina që fërshëllente
mbetën krimba në imazhin tim.
Të gjitha rrufetë e kësaj historie që bëhet përrallë
goditën bedenat në palcë.
Rrezet pinjolle shtangën shikimin
mbi dritën e syve,
mbi gurë rrëmih një shi i avashtë.
Gjak të sertënuar kanë perandorakët,
kurrë një kokërr loti nuk ua shikoj në faqe...
Pinjollë krimbash varrmihës ,
do të vdesin thurur për grile
gjakun do t’ua lëpijnë zagarët.
... Sa të mnershëm ciceronët
kur përtypin duhmën e lule qiqrës,
një lule qiqre vemesore,
një hithër
që mbin e vyshket, skajeve të damarëve tonë
dhe nuk përbehet në pranverën e sivjeme,
mu aty, ku pat pikuar djersa
e një të riu
të shkrepshëm
që i shkulmonte gjoksi
e mbi shpinë i qullej lëkura
me lëng gjaku
nga tërkuza nyje-nyje
e perandorakëve të sertënuar
që na prishën shpi e katandi…
Fundjeta
(Për ty Parid nga Helena e vyshkur)
Në sfondin qiellor një copëz faqeje
e mbetur nga fshati
e purpurtë, bojallie.
Në thep të gjuhës ca fjalë prej plake
që zhbirojnë qetësinë mortore
në dhomën me aromë gjellërash pikante.
Një stalaktite në pikë të ballit
vret ëndrrat e stinës me borë;
njëri sy
një gjethe qerpiku pikuar, deri në gjys të retinës,
e tjetri i hapur si arkapia e ndryshkur
me shikime të përhumbura;
një qafë rrudha-rrudha
një zinxhir me një këmbrorëz argjendi
pasuri e vetme në kutinë e Pandorës...
Dhe, më lartë sfondit qiellor
një copëz barë floku i zbardhur
një shikim i egërsuar
i zhburrëruar
prapa kulisave sterrë.
Një arsye as e gjallë e as e vdekur,
një shtat nudo trishton lakuriqët
që ikin e bëjjnë zhurmë kalimthi
mbi qelqet e dritares me aromë mortjeje,
dy duar që dridhen
kur mbërthejnë kopsat
për të mbështjellur trupin
me nëntë pelerina të leshta
nga frika se mos trishtohet
një sy mize që jep shpirt
në rrjetën e shpeshtë të merimangës
një tufë idesh
të shkruara në valëzat ajërore
se ndonjë ditë
do të reinkarnohemi
e të shihemi të njomë
si Helena e Parisi
në të njëjtin kopësht.
31 gusht 2014
Vaj për trungun
Të shitoi ai zëri i vajit tënd si kambanëz
të la me dy pëllëmbë mbi fytyrë,
të vodhën e të rropën materialistët...
Hiq duart e shiko formën në pasqyrë
njëqind dritare sterrë
as hëna e hënuar,
as dielli i diellëzuar;
pika-pika
lum loti në livadhin e syve të një idealisti.
Ti tretesh me erërat oqeaneve...
Ikin stinët një nga një,
gjurmë shiu, e bore
gjurmë erërash e gjethesh
të fluturojnë nën qerpik...
Mbase nuk mban mend nga amnezia
se je gatuar me lutje urtarësh
ditëve shenjëtore.
...Nuk ke frikë se të pështjellë mortja
që ta rropi lëkurën e ta hodhi në shtatë gardhe?!
Dhe rritet bima e helmët në grunore
shtohen brengat.
Trungu im,ti ndjell mortjen
pa ua hedhur sytë zanave
fytyrave një pëllëmbë , bardhësi qefini
më shumë varre se lule bliri përmbi.
31 gusht 2014