| E diele, 12.10.2014, 02:32 PM |
Letërsia dhe historia
Nga Dr. Ilir Muharremi
Është e mundur të ndahet letërsia prej historisë e cila me shekuj në vija të trasha koincidonte dhe bashkëvepronte mrekullisht. Do vëmë re letërsinë postmoderne e cila nuk prek historinë, por fantazinë. Është një vetëdije e vërtetë me përzierje fiksionesh me realitetin. Ndërtimi i ngjarjes aranzhohet mbi faktet e paevitueshme. Sikur një shpjegim ekstrem të ishte i vërtetë për joshjen e lexuesve, atëherë përse njerëzit ndjejnë kënaqësi ndaj historive të rrejshme ekstreme dhe përse interesimi bie “preh” e kësaj? Letërsia e pastër arratiset në imagjinatën e kujdesshme, ndahet nga jeta duke ngritur estetikën, përqeshjen, satirën, por prapë me mish dhe eshtra është vet jeta. Nuk ka ngjarje më interesante se vepra e Ezhen Joneskos “Rinoqeronti”. Këtu ai tërhiqet nga tradita e teatrit të vet absurd duke nxjerr në pah pesimizmin. Beranzheja mbetet i vetmuar në botën e Rinoqerontëve, përpiqet të shndërrohet në Rinoqeront, më kot, ndërsa për ata që janë kthyer në Rinoqerontë nuk jepet asnjë shpresë për t’u rikthyer në njerëz. Akti i parë përmes bisedës së Zhanit dhe Beranzhesë qartëson frikën e Zhanit ndaj shndërrimit në Rinoqerontë, mirëpo akoma ai rruan fytyrën e njeriut. Fati për t’u kthyer në rinoqerontë është i përcaktuar. Zhani kthehet pa asnjë shpresë shpëtimi. Në këtë mënyrë vepra dramatike apo çfarë qoftë ajo letrare nuk ndjek vazhdimësinë pa turbullira e cila nuk ndodh asnjëherë në situata reale të jetës, por këtë e gjejmë në të ëndërruarit, fantazuarit dhe menduarit. Sikur të ishte shndërruar Beraznheja në Rinoqerontë, ekzistenca njerëzore do merrte fund nga morali i saj. Ja pra një botë imagjinare e ndërtuar nga korrigjimi i reales në të cilin asgjë nuk është e mundshme nëse nuk ekziston fantazia.
Letërsia
në raport me njeriun aranzhon, fabrikon fatin sipas përmasës së vet. Te
“Kërrigat” dy personazhet plaku dhe plaka pas batutave të përsëritura “Rroftë
perandori”, hidhen secili prej dritares së vet, duke përsëritur këtë batutë.
Edhe kjo nuk ndodh në situata të jetuara dhe të menduarit arrin ta korrektoj të
jetuarit, sepse të jetuarit vazhdon me mundësinë e ofertës së fatit, kurse
imagjinata tejkalon. Në këtë mënyrë kjo letërsi është ushtrim inteligjent
sensibilizues nostalgjik përtej ëndërrimeve të pamundshme. Kemi edhe qëllimin e
kotësisë së ekzistencës njerëzore të cilën e manifeston Beketi. Këtë ai e arrin
vetëm duke hequr dorë nga forma klasike e dramës. Nëse e marrim në kuptim
tradicional, atëherë krijimi i dramaturgjisë së tij është pa intrigë, pa
personazhe, dialog të pakuptimtë. Por,
Marrim
historinë si ndikim në letërsinë si mungesën e perspektivës. Aty nuk trajtohet
ndonjë rrugëdalje njerëzore nga qorrsokaku shoqëror i shkaktuar nga
marrëdhëniet e realizmit socialist. Letërsia historike, nuk parasheh ndonjë
arratisje nga historia, nëse përpiqet ta bëjë prapë deklarohet si histori. Puna
e një letrari nuk është të tregoj atë
çfarë ka ndodhur, por atë që mund të ndodh. Fjala është për diçka të pa parë brenda
gjasës dhe nevojës. “Historia e Herodotit
mund të kthehet në vargje, por prapë mbetet gjithmonë histori” thotë
Aristoteli.
Arti i takon njeriut dhe shoqërisë, por gjithnjë duhet të jetë pretendues për të ardhmen. Përcaktimi i propagandës është i pazëvendësueshëm këtu. “Nëse i revoltuari duhet njëkohësisht të refuzoj furinë e hiçit dhe pajtimin e totalitetit, artisti njëkohësisht duhet t’i ikë entuziazmit formal dhe estetikës totalitare të realitetit” pohon Camus. Këtu unë shohë botën si braktisje nga e cila prapë marrim diçka. Heqim dorë nga historia, ndërtojmë horizonte të lira artistike letrare të fuqishme, filozofike, tejkaluese dhe kuptimplote. Historia ka një fund, por detyra e krijuesit nuk është ta përfundojë, por ta krijojë artin e tij që i duket i vërtetë. Njeriu nuk duhet të përmbledh histori, por ta kuptoj vendin në natyrë. “Mund të refuzohet krejt historia dhe të harmonizohet, megjithatë me botën e yjeve dhe të detit” thotë Camus duke dënuar injorantët më syrgjynosje ndaj natyrës. Vjen një ditë që letërsia jonë kthjellët nga hija historike duke u mbështetur mbi bukurinë filozofike të unitetit të vetës dhe botës. Letrari nuk mund t’ja kthej shpinën botës dhe historisë pa mohuar parimet e veta, të zgjedh artin e përjetshëm pa iu nënshtruar së keqes. Si refuzues ai duhet të shkoj deri në fund. Kjo krejt në fund do të thotë të zgjedh historinë duke vrarë përjetësisht raportin me artin. Edhe historia ka nevojë për këtë vrasje.