E shtune, 02.03.2024, 04:15 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Muzeu

E hene, 29.09.2014, 06:01 PM


MUZEU

Tregim nga Qazim D. Shehu

Kur redaktori i dha dorën e fundit faqes së gazetës, ndjeu një lehtësim që erdh pas asaj faqeje të mërzitshme mbushur me kronikë të zezë,që bëhej edhe më  e rëndë për shkak të titujve të fryrë, për të cilat ishte mjeshtër.Redaktimi synonte të përhapte misterin e frikës dhe së panjohurës.Ai ndjente se njerëzit kur ta lexonin të nesërmen gazetën,me siguri do të mendonin se ajo amalgamë ngjarjesh të dhunshme,në një mënyrë apo tjetër po u afrohej edhe atyre.Dhe nxitës në këtë psikologji tmerri në një farë mënyre ishte edhe ai,pavarësisht se tmerri i kronikës së zezë ose provohej si një katarsis , ose si një nevojë për tu mësuar me të dhe për disa njerëz edhe si nxitje.

Tani i duhej të ikte, të pinte një kafe tek klubi përballë,sepse një mbledhje e vetvetes e largonte nga ai tmerr germash , në dukje të pafajshme.Ndërsa po zbriste shkallët e godinës dykatëshe, vuri re publicistin dhe shkrimtarin e lirë, Frano Dervishi,me një çantë të zezë në sqetull që e mbante gjithmonë sikur ajo të kishte mbirë aty që me lindjen e tij.Për shkak të shkallëve të ngushta , ai bëri prapaktheu,duke i lënë tjetrit të kuptojë se kishte ardhë vetëm për të. Publicisti i lirë botonte vazhdimisht dosierë, intervista,fejtone, polemika,dhe redaktori ia gjente mundësinë ,duke e bindur pronarin e gazetës ,se shkrimet e tij ishin të një cilësie që siguronte treg.

Në fund të shkallëve,një metër larg derës, Publicisti i Lirë qëndroi.Dukej i kënaqur dhe kishte një arsye për të kumtuar diçka.Ai i tha redaktorit se për pak minuta vinte aty këngëtarja e shquar Monda A,e cila kishte këmbëngulur në mënyrë të prerë për tu dhënë një darkë të dyve, gjë të cilën nuk e bënte me të gjithë, sepse intervista e fundit i kishte pëlqyer shumë dhe i kishte rregulluar ca punë që ajo nuk priste t`i rregullonte aq shpejt.Redaktori tha se ishte i lodhur po Publicisti i Lirë nguli këmbë se këtij rasti ata s`duhet ti bënin bisht; këngëtarja Monda A., ishte natyrë e ndjeshme, dhe aq më tepër nuk duhej fyer një femër e atij klasi.Pastaj fjala u hodh tek debati më i fundit parlamentar,analistët e porositur që grindeshin dhe servirnin parime për të cilat pas studios nuk besonin kurrë,kur para këmbëve të tyre frenoi butësisht një makinë e re,ngjyrë qumështi ,e cila në dritën e lokaleve përreth dukej më e largët.Këngëtarja nuk zbriti, po priti pa thënë gjë që ata të dy të hipnin në makinë. Redaktori ngurroi një çast por tjetri sikur iu dha pas për ta shtyrë drejt makinës, madje e kapi përkrahu.Në atë muzgëtirë këngëtarja buzëqeshi dhe nuk dihet në qe buzëqeshja e saj apo këmbëngulja e Franos dhe redaktori u gjend në sediljen e parë.

Ajo ishte një femër e gjatë, më e bukur nga ç`paraqitej në ekranin e televizorëve.Supet e zhveshura dhe flokët e gjatë sikur e njëtrajtësonin  në dritën e pakët që hynte nga xhami i makinës.Freskia e pranisë së saj e pambytur nga parfumet dukej se merrte pak forcë nga fakti që i jepte vetë makinës së re  ,diçka e natyrshme për një person vip.Ajo falenderoi redaktorin për intervistën e botuar, ishte kënaqësi për të që po e njihte.Intervista i kishte shtuar shumë numrin e fansave,të cilët i dërgonin mesazhe të panumërta në facebook.Intervista përkonte me tridhjetëvjetorin e saj dhe ishte një dhuratë e bukur për ditëlindje.

-Vërtet intervista ishte e bukur,po redaktorit iu desh të hiqte një shkrim me rëndësi politike,vetëm e vetem që kjo intervistë të përkonte me tridhjetëvjetorin tënd, -foli Publicist i Lirë,duke hetuar me bisht të syrit buzëqeshjen e saj të çlirët që u shtua edhe më nga efekti që shkaktoi ky konstatim i marrë si sakrificë begenisje ndaj autoritetit të saj artistik që tejkalonte çdo autoritet të fryrë politikani.

-Pikërisht ,kjo tërësi rrethanash të favorshme ,ku nxitësit kryesorë jeni ju, më detyron shumë,-fliste këngëtarja duke u dhënë herë herë flokëve lart, si për ti nxjerrë fjalët e Publicistit të Lirë mbi gabinë që ti dëgjonte edhe fresku i mbrëmjes.

Tashmë, kishin dalë jashtë Tiranës, makina frenoi rrëzë një lokali luksoz, me pak njerëz.Ishte një lokal i rrethuar me pemë ,në degët e të cilit vareshin drita të vockla.Kjo e bënte më romantike atmosferën,sillte një ndjellje të butë, të këndshme.Nga një altropolant, dilnin tingujt e një kënge, që për koincidencë qëlluan të kënduara nga ajo.Këngëtarja u tha atyre të zgjidhnin vetë tavolinën ku do rrinin, veçse përjashta.

-Patjetër,tha Publicisti i Lirë, brenda kemi ndenjur gjithë ditën duke punuar, kemi nevojë të marrim pak ajër të pastër.

Njerëzit që ndodheshin në lokal kthenin kokën dhe shihnin këngëtaren,e cila me indeferencën që ndjen njeriu i madh,rrinte në një pozicion të shkujdesur.Rrezatimi i bukurisë së saj i jepte ambientit një farë ngacmimi frymor.Redaktori që u ul përballë saj ,tani filloi ta kqyrte me kujdes, dhe konstatoi se ndryshe nga ç`paraqitej nëpër videoklipe, ajo ishte më e thjeshtë, më njerëzore, mbase pak më e bukur.Ai mendoi t`ia thoshte këtë, po nuk e quajti të arsyeshme, nëse një femre i paraqet dy tre elozhe ajo s`dihet si i merr.Më mirë do qe që biseda të merrte rrjedhën e saj,dhe pastaj fjalët mund të vinin gjer në pragun e komplimentimit.Këngëtarja lëvizi supet dhe flokët e saj sikur u trazuan nga era e lehtë e mbrëmjes.Sytë e saj shndritën.Publicisti i Lirë sikur t`i kishte blerë mendimet e redaktorit i thuri dy lëvdata këngëtares, veçanërisht ai i lavdëroi këngën e fundit po edhe aktrimin dhe zërin e saj të mrekullueshëm.Aspak për sfidë ose mospëlqim, nuk u kuptua sesi, këngëtarja tha se ndjehej e uritur dhe do të porosiste një darkë pa u menduar gjatë.Ajo porositi verë të shtrenjtë,gatime deti,biftek, duke pyetur se çfarë mund të kishte tjetër lokali.Erdhën në shërbim dy kamarierë ,tavolina u mbush plot.Publicistit të Lirë i ndritën sytë si maçok i uritur,ai e piu me etje shishen e birrës dhe kollofiti një copë biftek.Ndërsa këngëtarja që tha se ishte e uritur mori gotën e verës dhe filloi të uronte së pari redaktorin, pastaj tha dy tre fjalë të thata për Publicistin e Lirë.Zuska, hungëriu me zërin e brendshëm Publicist i Lirë, intervistën ia bëj unë dhe ajo lavdëron këtë, sa e pasjellshme…

Ai vuri re sesi ajo ktheu kokën anash sikur të ndjente bezdi nga diçka, pastaj u dha hov flokëve të gjatë sikur ta bezdisnin dhe u përkul nga cepi i tavolinës, po në këtë çast në feksje të sekondës, sikur të shpërthenin nga një pengim dy gjinjtë e saj sikur qëndruan për një moment në tavolinë, pastaj sesi morën një fshehje të mistershme sikur mos ishin më.Redaktori dremiste i qetë si të bluante një mendim të largët ,ndërsa Publicist i Lirë skërmitej në vetvete duke ia ngulur sytë pa turp asaj amazone estetike gjithë hijeshi e bukuri të rrallë. Riti i të ngrënit kishte dalë nga rregulli normal, redaktori hante qetësisht ndërsa Publicist i Lirë e kishte zbrazur pjatën kur,këngëtarja nxori nga xhepi njëqind euro dhe ia zgjati redaktorit.

-Nëse ti nuk ofendohesh, i tha, merri këto, e di që janë pak, të jam mirënjohës…

-Falemnderit, u përgjigj tjetri, ishte një shkrim i radhës, për të cilin unë nuk u mundova,e botova me kënaqësi,po këngëtarja në shoqërimin e këtyre fjalëve ia futi eurot në xhep.Publicisti i Lirë priti që këngëtarja ta bënte këtë veprim edhe me të,por ajo filloi të uronte.Zëri i saj i butë, i ëmbël ,nuk ia zbruante nervat që filluan t`i acaroheshin.Sa kohë kishte ndenjur ai duke e kërkuar atë,kartat e harxhuara,formulimi i pyetjeve, ecejaket dhe tani ajo…e fyente në mënyrë demonstrative.Redaktori që deri atëhere kishte folur rrallë po i bënte komplimenta ,pyeste për videoklipet e saj,turnetë në Gjermani, Zvicër, Kosovë.

-Nuk na lenë të marrim frymë,ankohej ajo,më mirë të ishte e panjohur.Veç në dashuri s`po i ecte ,njerëzit e shihnin gjysmë të zhveshur dhe e paragjykonin.Flirtet nganjëherë e nxjerrin kokën në mënyrë idhnake, kur kupton se tjetri te afrohet vetëm për para.Këndoj këngë për dashurinë dhe dashuri nuk gjej…Gjithçka është komerciale dhe e rrëshqitshme…

Nëse ata do të kishin dritë më shumë do të shihnin fytyrën e nxirosur të Publicistit të Lirë i cili po skërmiste në vetvete.Madje ai po e mallkonte këtë koketë të pasur, me një fije shprese se ajo duhej ta përforconte gjestin  për të mos e lënë atë duarthatë, ndryshe ç`kuptim do kishte, veçse këngëtarja nuk e kishte mendjen për këtë.Redaktori po fliste për muzikën e kohëve të fundit duke e shmangur me takt temën e bisedës.Amatorizmi,imitimet dhe vibracionet e tingujve sllavë e grekë nuk duroheshin më,në këtë kuptim, zonjusha e bukur Monda A.,ishte një kundërshembull dhe një sukses që tregon se çdo të thotë kur mbështetesh në tabanin tënd.Redaktorit tani i kishte ardhë goja,  ai po e krahasonte me Nexhmije Pagarushë dhe Tefta Tashkon, madje disa këngë të saj vërtet ishin më të bukura.

Sa hipokrizi , mendonte me vete Publicist i Lirë dhe vetëm për ca euro.Kjo lozonjare e paepur të cilën unë do ta merrja vetëm për një dasmë fshati i ha këto.Rrezik të nxjerrë njëqind euro të tjera, mendonte me vete Publicisti i Lirë..Kjo i dogëniste këngëtares,pasi nuk kishte dëgjuar ndonjëherë një vlerësim kaq pikant për të.Si një lule e tejdukshme, në buzët mishtore i mbillej herë pas here një buzëqeshje e ngrohë që shuhej sapo ajo mblidhte buzët për të rufitur verën.Publicisti i Lirë heshtëte,dhe mendonte se çdo kompliment për të do të qe një përpjekje e kotë.Edhe pse ishte një hamës i papërtuar,ai kishte reshtur së ngrëni, duke u kujtuar rrallë të ckërmiste diçka.

Dikush kishte vënë një disk me këngë të MondaA,dhe nata grimcohej butësisht nga zëri i saj melodioz.Ata të lokalit duhej të ishin vërtet të zotë.Publicisti i Lirë e mbante gjithnjë mendjen tek veprimi i saj, kjo po i a shtonte ngërçin në kraharor, të cilin mezi e shtynte me gllënjkat e verës  e cila po i shijonte.Ai shihte fytyrën e çelur të redaktorit, dhe i vinte plasje.Redaktori nuk linte fjalë pa e sajuar në mënyrë të tillë që pas dëgjimit të saj ajo të mos ndihej mirë.Dhe si për inat të tij këngëtarja ia mori me zë të ulët një kënge , e cila dukej se nuk rrinte mirë në shtratin e një melodie të njohur.Për çudi edhe redaktori filloi ta shoqëronte zërin e saj të ngrohtë  me zërin e vet gërvishtës  që dilte me ndërprerje si për ta torturuar edhe më Publicistin e Lirë.Ai ndjeu djersë të ftohta në ballë e kjo ndjesi iu krijua edhe nga një erë e lehtë që fryu në ato çaste.Publicisti i Lirë me trinën e dorës fshiu ballin  pa ndjerë lagështirën e djersës po vetëm ftohtësinë e lëkurës.Një ankth torturues vorbullonte në zgavrën e qenies së tij.Po ai e mblodhi veten.Duhej dalë nga kjo situatë.I shkrepi në mendje një mendim i çuditshëm, diçka i duhej shkëputur kësaj lozonjarje të pasur.

-Unë,tha kam përgatitur një panair me relike  dhe sende të artistëve.Së shpejti, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës do ta hap atë. Ti do të jeshë e ftuara kryesore, kjo dihet, je një këngëtare që të duan të gjithë.Sidomos rinia vdes për ty.Po krijoj,si të thuash ,një farë muzeu të artistëve, diçka e paparë gjer më sot. Kam sende të çmuara nga Vaçe Zela,Tefta Tashko, Mentor Xhemali etj…Nëse ju ,si personalitet i njohur ,do jepnit diçka, ky muze do të pasurohej  më shumë ...

Këngëtares ky mendim iu duk interesant.

-Po çfarë të jap unë ty, tha ajo, vetëm disqe kam…

-Kjo varëse, përshembull, do t`i bënte nder muzeut…

Ajo nuk u mendua dy herë, me gishtat e gjatë dhe të bukur hoqi nga qafa varësen e shtrenjtë dhe ia zgjati.Publicisti i Lirë e shikoi varësen me kujdes sikur trembej mos ishte kallp.

-Nuk të pëlqen ? –pyeti ajo,e kam blerë në Gjermani pesëqind euro..Publicisti i Lirë e futi me kujdes në çantë dhe uroi me dinjitetin e një burri të honepsur këngëtaren.Ideja e muzeut i pëlqeu asaj ,ndaj hoqi orën zviceriane dhe ia zgjati Publicistit të Lirë.Redaktori që s`mund të korrektonte asgjë në ato momente kërkoi një shishe ujë të gazuar, po kamarieri po vononte.

-Si të them ,tha Publicist i Lirë,do më pëlqente një fustan i juaj….

Këngëtarja qeshi me të madhe.Zëri i saj gurgulloi me shpejtësi dhe befas u ndal:

-Ta jepja edhe fustanin , po nuk mund të zhvishem lakuriq këtu…kjo besoj nuk do të pëlqente as ty….

-Mjaft, tani, tha redaktori, duke iu drejtuar Publicistit të Lirë,po zëri i tij u mbyt nga zëri i kamarierit i cili kishte sjellë shishen me ujë të gazuar,dhe e qeshura e këngëtares pas atij propozimi tepër interesant…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora