Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Java e Kulturës Shqiptare në Vjenë
E premte, 26.09.2014, 07:27 PM
“Agimet Shqiptare” hapin Javën e Kulturës Shqiptare në Vjenë
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
Se Pallati Auersperg ka zënë rrënjë në historinë
shqiptare jo vetëm nga mbajtja e bisedimeve shqiptaro-serbe për statusin e
Kosovës, por tani nuk rresht së shprehuri me gjuhën e kulturës, elementi më
shprehës i lirisë. Me organizimin e disa shoqatave të kyçura në Këshillin
Koordinues, u bë hapja e Javës së Kulturës Shqiptare në Vjenë. Mori pjesë
z.Roland Bimo, Ambasador i Shqipërisë në Austri, Z.Ymer Lladrovc, Konsull në
Ambasadën e Kosovës dhe zonja Lladrovci, Fitim Nuhi , Konsull në Ambasadën e
Maqedonisë dhe personalitete tjera nga diplomacia, arti e kultura nga radhët e
mërgimtarëve tanë.
Programin e hapi Mirala Shira,
kryetare Këshillit, kurse përshëndeti z.Roland Bimo, në emër të Ambasadës së
Shqipërisë. Ishte mysafir rasti i ardhur veçane për mbrëmje z.Pierre Weber,
ambasador i Luxemburgut në Prishtinë. Ai luajti pjesë nga krijimtari e tij
kompozuese në piano: Nocturne nr-1, The ether Canon etj. i cili u prit mirë nga
publiku. Programi u hap me Polonaise Heroicue ep. 53 nga Frederik
Chopin e luajtur me mjeshtri nga
pianisti Mennan Berveniku. Zëri i
tenorit Faik Hondozi ishte vërtetë i mrekullueshëm në këndimin e Il mie tesor
nga W.A.Mozart. Ai i dha sallës së Auerspegut shkëlqim në jetën e saj katër
shekullore, diçka që nuk harrohet lehtë.
E serbate, a queste acciare nga I Capuletti, Agimet shqiptare nga
A.Mula dhe disa këngë duet ishin kënaqësia apikale e mbrëmjes me zërin e
tenorit z.Hondozi. Pastaj, Cruda
sorte nga G.Rossin, Habanera Carmen nga G.Bizet, Margjelë-
nga K Jakova, Luleborë nga Simon Gjoni u kënduan me mjeshtri nga
mezzosopranoja Flaka Goranci. Ndërsa këngët: O mio babbino caro- nga
G.Schicchi. Adieu notre petite table-Manen- nga J. Massenet, Pranvera
filloi me ardhë – këngë shkodrane, u
kënduan me shije nga soprano Anjëza Islamaj. Mbresa lanë këngët e kënduara në
duet Kur perëndon dielli – nga L.Deda- kënduar nga F.Hondozi e F.
Goranci;; Ca pika shiu ranë mbi qelq - nga R.Cako kënduar nga F.Hondoz e
A.Islamaj. Programi u mbyll me këngën simbolike Dua më shumë Shqipërinë
kënduar nga F.Hondozi, F.Goranci e A.Islamaj. Publiku i duartrokiti artistët me
ngrohtësi duke iu dhuruar edhe buçetë
lulesh. Ajo që vërehej ishte
mungesa e publikut jo shqipfolës, raste të rralla kur kemi të bëjmë me
koncertet të muzikës klasike në Vjenë. Programet kulturore të radhës vazhdojnë
me ekspozitën e skulptorit të mirënjohur
Destan Gashi, orën letrare të krijuesve nga radhët e Lidhjës së Krijuesve dhe
Shkrimtarëve “Aleksandër Moisiu” në Austri dhe përfundon me aktivitet sportive
në periferi të Vjenës. Për renditjen e programit u kujdes Januz Saliuka,
ideator i aktivitetit.
Aktivitet e shtuara
kulturo-sportive të mërgimtarëve tanë janë një faktor me rëndësi në ruajtjen e
gjuhës dhe traditave kombëtare tek gjenerata e re dhe afirmim i mëtejmë i
krijimtarisë e kulturës para vendorëve. Pa dyshim krahas aktivistëve, artistëve
brenda shoqatave duhet falënderuar sponsorët aktiv të aktiviteteve kulturore
brenda mërgimtarëve shqiptarë në Austri.