E marte, 30.04.2024, 03:13 AM (GMT+1)

Mendime

Kim Berisha: Kashelasha me hoxhën!

E enjte, 04.09.2014, 07:55 PM


Kashelasha me hoxhën!

Nga Kimete Berisha

A ia kanë çu paraprakisht Policia e Kosovës imamit Shefqet Krasniqi një ftesë që të lajmërohet për intervistë në polici brenda afatit të caktuar kohor, e pasi që ai nuk i është përgjigj ftesës me sabah e kanë zënë në befasi, e kanë arrestuar papritur e me dramaticitet, si EULEX-i ministrinë e Fatmir Limajt, me 'jude Raus'.

Këto varianta policore tregojnë mirë se qeveria e Hashim Thaçit në momentet e fundit po mundohet me mish e me shpirt që të krijojë për një çast atmosferë fallco perendimore në Kosovë, ta bëjë veten lajm interesant, ta bëjë veten partnere e pazëvendësueshme e perendimit në luftë kundër terrorizmit, dhe atraktive para atyre perendimorëve që e kanë çmontuar, e kanë braktisur e kanë lënë Hashim Thaçin me gisht në gojë, pikërisht për shkak të flirtit të tij me individë dhe me organizata të dyshimta!

Por perendimorët e dinë se atmosfera antiperendimore në Kosovë e arriti kulmin bash gjatë qeverisë së Hashim Thaçit!

Prandaj, kot kujtojnë PDK-ja që kur perendimorët ta marrin vesh se qeveria Thaçi po arreston ekstremistë, atyre u gëzohet zemra dhe pastaj ia kthejnë atij përkrahjen që ia kanë marrë!

Mendova se arrestimi i hoxhës menjëherë do t'i çojë në këmbë adhuruesit dhe ndjekësit e tij të shumtë në Facebook dhe do ta 'nxijnë' Prishtinën derisa të lirohet imami!

Por, kaloi mesdita e imamit nuk i doli në përkrahje asnjëri, as Naim Tërnava, si mbikëqyrës i drejtpërdrejt i 'ekstremizmit' të tij, nuk e tha asnjë fjalë!

Sikur e ka ditur, sikur i kanë treguar.

Disa veta normal që po 'protestojnë, por në Facebook!

Dhe, ky është lajmi i vetëm i mirë: pra, lajm është që në Kosovë ndodhka, u arrestuaka një imam dhe ndjekësit e tij ditkan ta ruajnë qetësinë, e jo qysh kemi kujtuar ne se do të bëhej nami nëse do t'i arrestonte kush imamët e Kosovës!

Hoxha po dyshohet për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarje ose mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik”,

A është a s'është fajtor vendos tjetër kush, por e di se hoxhën e arrestuan me urgjencë sikur kur e zënë terroristin kamikaz në vend të ngjarjes duke organizu' sulm 'me bombë në dorë'.

Karizmën e hoxhës e krijoi politika e Kosovës dhe mediat e politikës! Veçse kolegët e tij nuk ia dolën si ky me sukses të përvetësojë intelektualë, politikanë e gazetarë!

Prandaj, nëse imami është fajtor se përhapi urrejtje dhe ekstremizëm, fajtore janë edhe ato gazeta që me vite e me fanatizëm ia mundësuan hoxhës që ta realizojë qëllimin dhe politikën e tij fetare në gazetat dhe në portalet e tyre.

BIK-u, ku hoxha e promovon fenë e tij!

Dhe, ata politikanë e policë që mburreshin me të, që ia miratuan veprimtarinë e tij, duke u ekspozuar me të publikisht dhe duke e lavdëruar kontributin e tij!

Sikur, media dhe politika t'ia mbyllte menjëherë dyert e veta urrejtjes dhe ekstremizmit fetar, të distancohej nga propaganda fetare, sot imami Shefqet Krasniqi do të ishte ndonjë hoxhë anonim, pa asnjë ndikim!

Politika dhe mediat e politikës e krijuan vetë imamin, që kur ta rrëzojnë të kenë çfarë të rrëzojnë dhe tani arrestimin e tij po e shfrytëzojnë dhe po e shndërrojnë në trofe dhe në fitore të tyre politike, tani kur i kanë punët më së ngushti!

Por, fati i hoxhës që është dualist për nga natyra!

Pra, nuk është kjo luftë e pastër dhe e sinqertë kundër terrorizmit, por kjo është përpjekje e Hashim Thaçit që duke arrestuar nxitësit shqiptarë të urrejtjes, ta kthej simpatinë ndërkombëtare për vete!

Pse e la urrejtjen të rritet kaq shumë, derisa u plak'! Kur ka mundur ta luftojë menjëherë pasi u shfaq në media e në xhamia, publikisht,

P.S. As unë, si kolegët e mi gazetarë, nuk kam shpëtuar nga presionet e vazhdueshme të disa imamëve që të heq dorë nga temat fetare, por mua drejtpërdrejt (përjashto komentuesit anonimë) më është bërë presion i çuditshëm, presion me 'fjalë të buta, me fjalë të mira, dhe me shprehje respekti'.

Pra, më kanë bërë presion duke 'më marrë me të mirë'!

Mesazhet telefonike që vazhdimisht i kam marrë nga imamë të njohur, ku kërkohej nga unë që të mos merrem 'me namaz dhe me shamia' gjithmonë kanë filluar me 'motra Kimete', dhe kanë përfunduar 'nga vëllai juaj....', prandaj nuk i kam publikuar si presione, anipse i kam kuptuar si të tilla dhe asnjëherë nuk u jam përgjigjur, thuajse nuk i kam lexuar, thuajse nuk kanë ndodhur!



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora