E marte, 30.04.2024, 01:57 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kosovarabi Nexhmedin Spahiu

E merkure, 03.09.2014, 07:12 PM


KOSOVARABI Nexhmedin Spahiu

Nga Kastriot Myftaraj

Nexhmedin Spahiu, i lindur në Mitrovicë në 1965 është vetëshpallur Ati i Kombit Kosovar. Sipas Spahiut tashmë ka lindur një komb i ri, ai kosovar, i përbërë vetëm nga shqiptarët e Kosovës, jo nga krejt qytetarët e Kosovës, domethënë edhe serbët, turqit, bosnjakët, romët etj. Teza e Spahiut nuk përkon me asnjë nga shkollat ndërkombëtare të shkencës mbi formimin e kombit. Dy shkollat për formimin e kombit tashmë njihen sipas emrit të përfaqësuesve të tyre më të shquar, ajo smithiane dhe ajo gellneriane. Sipas shkollës smithiane (Anthony D. Smith) kombi ka ekzistuar që shumë kohë para krijimit të shtetit, dhe krijimi i shtetit nacional nuk sjell ndryshime në natyrën e kombit por vetëm sa e zhvillon atë. Sipas shkollës gellneriane (Ernest Gellner), kombi lind pas krijimit të shtetit, nga bashkësia e të gjithë shtetasve (qytetarëve).

Sipas shkollës smithiane, me krijimin e shtetit të Kosovës nuk ka lindur një komb i ri, por thjesht një pjesë e kombit shqiptar, është bërë pjesë e një shteti tjetër. Sipas shkollës gellneriane, me krijimin e shtetit të Kosovës, mund të lindë një komb i ri vetëm nëse i tillë është vullneti i të gjithë shtetasve (qytetarëve) të Kosovës, shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë etj. Merret vesh, serbët jo që jo, por as të tjerët, nuk kanë asnjë dëshirë që të heqin dorë nga identiteti i tyre nacional, për t’ u bërë kosovarë etnikë!

Spahiu, me kurajë që nuk mund të quhet ndryshe veçse prej sharlatani, pretendon se atë nuk e shqetëson fakti që teza e tij nuk përputhet me asnjë nga shkollat ndërkombëtare të teorisë së kombit, pasi ai vetë ka krijuar një shkollë të re. Tashmë veç emrave Smith dhe Gellner, me të cilët lidhen dy shkollat e njohura të teorisë së kombit, do të kemi edhe një të tretë, emrin e Spahiut, me të cilin do të lidhet shkolla e re e teorisë së kombit. Kjo shkollë e re ka zënë fill në vitin 1995, me një artikull që Spahiu botoi në shtypin e Tiranës, në kohën që jetonte në Shqipëri. Artikulli është “Le të jetë Shqipëria shtet federal si Gjermania”(Gazeta “Republika”, Tiranë, 9 korrik 1995) Në këtë artikull Spahiu shkruan: “Me vetë shpalljen e Republikës së Kosovës dhe njohjen e saj nga ana e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, populli shqiptar ‘de jure’ në gjirin e vet ka dy kombe. Së këndejmi nuk shtrohet çështja se çfarë i dallon ato si pasojë e kohës, që shkoi por a shkojnë drejt afrimit (deri në bashkim të plotë) apo shkojnë drejt largimit”.

Pikërisht mbi bazën e këtij paragrafi Spahiu pretendon autorësinë e definicionit të kombit kosovar, përkatësisht atësinë intelektuale mbi krijimin e këtij kombi. Kurrkund në literaturën ndërkombëtare mbi kombin nuk ka një shkollë e cila të ketë krijuar dhe elaboruar një tezë si ajo që përmend Spahiu më lart. Prandaj problemi i Spahiut është se ai me definimin e kombit kosovar pretendon praktikisht edhe autorësinë mbi një kuptim të posaçëm të fjalëve “popull” dhe “komb”. Them problemi, pasiqë ai që pretendon se ka krijuar kategori të reja në shkencën e kombit, ka detyrimin t’ i elaborojë ato në libra studimore. Por Nexhmedini jep definicione në artikuj gazetash, dhe pastaj këto artikuj i përmbledh në libra, të cilët i quan studime. Më vjen keq ta them, pasiqë Nexhmedinin e njoh personalisht, por kjo është një mënyrë prej sharlatani, jo prej studiuesi serioz. Vetë Nexhmedini, në fillim të viteve nëntëdhjetë, i ka ridikulizuar ata që veprojnë kështu.

Kritikat ndaj tezës së tij të kombit kosovar, Spahiu i kundërshton duke thënë se kritikët e tij ngatërrojnë kombin me etninë. Pikërisht këtë debat e kam bërë me Spahiun në një emision televiziv ku qenë qenë të dy pjesëmarrës në Tiranë, në janar 2008. Unë e sfidova Spahiun duke i kërkuar që të më gjente një përkufizim të fjalës “etni” në cilindo fjalor anglisht, pra në gjuhën ndërkombëtare të kohës sonë. Është fakt se në fjalorët anglisht, si dhe në gjuhët e tjera të rëndësishme, deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit XX, nuk gjeje veçse fjalën “grup etnik”, që shenjonte tributë primitive, të pazhvilluara. Fjala “etni” nisi të përdoret vetëm në vitet nëntëdhjetë me rastin e luftrave në ish-Jugosllavi, megjithatë ende dhe sot nuk është bërë pjesë e anglishtes, në trajtën “ethny”. Merret vesh, kemi të bëjmë me një përpjekje të pasuksesshme për subversion semantik ndaj fjalës “nation” (komb), që e përfshin si një stad të ulët të bashkësisë, atë që shenjon fjala “etni”.

Në të vërtetë, kur Spahiu jep përkufizimin e tij të kombit kuptohet qartë gabimi i tij. Ai ngatërron kombin me shoqërinë. Pasiqë Spahiu i akuzon kritikët e tij se ata kanë nocione të turbullta, ai e ndjen se ka detyrimin që të japë gjithsesi definicionin e tij të fjalës “komb”. Spahiu këtu bën një trick duke e definuar kombin me një nga funksionet e tij, duke thënë se kombi është një bashkësi e aftë për të krijuar shtet. Ky nuk është megjithatë një definicion i kombit, është thjesht përshkrimi i një prej funksioneve të kombit.

Njerëz me identitet të ndryshëm kombëtar mund të bashkohen në një shoqëri dhe të krijojnë një shtet, madje edhe të suksesshëm, siç ka ndodhur me Zvicrën, por kjo nuk do të thotë se me këtë rast lind një komb i ri. Ironikisht këtë gjë e pohon një studiues i njohur zviceran i teorisë së kombit, Urs Altermat, të cilit Spahiu ia përmend emrin, si një prej atyre te të cilët është mbështetur, sipas praktikës së tij të përmendjes së emrave të studiuesve pa i cituar ata. Urs Althermatt, në librin me titull “Das Fanal von Sarajevo: Ethnonationalismus in Europa” (1996), të përkthyer dhe botuar në Shqipëri me titull (nëntitullin) “Etnonacionalizmi në Europë” shkruan: “Sot në Zvicrën gjermane thuhet ‘Bund’ (lidhja, federata), ndërsa në Zvicrën franceze ‘Confederation’ kur flitet për Zvicrën. Presidenti i federatës u drejtohet zviceranëve me ‘Mitburger’ (bashkëqytetarë) ose në formën më të vjetër si ‘Miteidgenossen’ (bashkëbesëlidhës). Të drejtuarit me ‘zvicerane e zviceranë’ në gjuhën politike praktikisht nuk ekziston. Burokracia kombëtare në Bern e quan veten ‘Administratë federale’. Kur fjala është për strukturën federaliste të Zvicrës si shtet kjo duket logjike. Po është jologjike, kur në të njëjtën kohë zviceranët flasin për ‘muze të vendit’ (Landesmuseum) ose për ‘Musee national’, për ‘Landesbibliothek’ (bibliotekë e vendit) ose ‘Bibliotheque nationale’. Arkivi kombëtar- përsëri një institucion politik- quhet ‘Bundesarchiv’ (arkivi federal) dhe jo ‘arkivi i shtetit’. Nocioni ‘shtet’ në Zvicër- c’ ndërlikim i gjuhës!- u lihet kantoneve”. (Urs Altermatt, “Etnonacionalizmi në Europë”, Botim i “Phoenix” & Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë 2002, f. 27)

Nga paragrafi i mësipërm unë veçoj: “Të drejtuarit me ‘zvicerane e zviceranë’ në gjuhën politike praktikisht nuk ekziston”. Merret vesh, nuk ekziston kombi zviceran!

Një tjetër kundërshtim konstant që Spahiu iu bën kritikëve të tij është se ata i përmbahen përkufizimit të kombit të Stalinit. Me sa duket Spahiu, i cili të le të kuptosh se as që e ka lexuar librin e Stalinit “Marksizmi dhe çështja nacionale” nuk e di se përkufizimi i Stalinit është i ndikuar nga shkolla gjermane e kombit kulturor, ku e ka origjinën edhe shkolla e sotme smithiane, e përmendur më lart. Spahiu e quan përkufizimin e Stalinit si përkufizim të kombit etnik, por në fakt përkufizimi i Stalinit është më tepër ai i kombit ekonomik. Duke qenë se Spahiu ngatërron kombin me shoqërinë, ai flet për komb shumëetnik dhe për komb monoetnik. Komb shumëetnik Spahiu quan kombin shqiptar, me të cilin kupton atë pjesë të shqiptarëve që banojnë në Republikën e Shqipërisë. Ky është një provokim i poshtër i Spahiut ndaj Shqipërisë që e mirëpriti në vitet nëntëdhjetë dhe i dha mundësi që të bëhej mësimdhënës në Universitetin Publik të Tiranës, ndonëse pa asnjë gradë shkencore në atë kohë. Komb monoetnik Spahiu quan kombin kosovar me të cilin kupton shqiptarët e Kosovës. Por mund të ketë shoqëri shumëetnike ose monoetnike, por jo komb shumëetnik ose monoetnik, do të thotë çdo njeri që i përmbahet teorisë së kombit. Kështu është, por Nexhmedini ka krijuar një teori të re të kombit, e cila mban autorësinë e tij. Nexhmedini i cili ka diplomuar për matematikë, dhe që pretendon se ka doktoruar në Zagreb për matematikë, supozohet që së paku të ketë mësuar se ai që pretendon se ka krijuar një teori të re duhet të shkruajë së paku një libër me metodologji shkencore, ku të shtjellojë teorinë e tij, të cilën e ka paraqitur paraprakisht në faqet e gazetave, në artikuj publicistikë. Këtë gjë ende Nexhmedini nuk e ka bërë. A thua do ta bëjë ndonjëherë?

Ndoshta Nexhmedini do të justifikohet duke thënë se nuk e bëri këtë gjë pasiqë nuk u dakordua me Ahtisaarin, me të cilin pretendon se ndan atësinë e kombit kosovar, për ta elaboruar këtë tezë. Spahiu pretendon se sipas Pakos të Ahtisaarit, që është në bazë të shtetndërtimit të Kosovës, ekziston kombi kosovar, por ky koncept është braktisur në Kushtetutën e Kosovës, që u hartua më pas. Nexhmedini i cili rëndom nuk është aspak modest, këtë herë tregohet paksa i tillë duke mos thënë se ku e gjeti Ahtisaari idenë e kombit kosovar. Por meqënëse Nexhmedini pretendon autorësinë e idesë së paku që nga viti 1995, le të kuptohet se Ahtisaari e ka marrë idenë prej tij.

Në Pakon e Ahtisaarit vërtet përdoret emërtimi anglisht “nation” për shtetin e Kosovës, por me kuptimin e shtetit. Siç dihet, në anglisht termi “nation” përdoret me kuptimin “shtet”. Ashtu si fjala “institution” në anglishten amerikane përdoret me kuptimin “çmendinë”. Kjo nuk do të thotë se institucionet në çdo rast janë çmendina. Njëjtë, shtetet në çdo rast nuk janë kombe dhe e anasjellta. Në Kushtetutën e Kosovës, të hartuar mbi bazën e Pakos Ahtisaari, shqiptarët e Kosovës njihen si pjesë e kombit shqiptar, duke u quajtur Kosova, shtet i shqiptarëve dhe i etnive të tjera (neni 3 i Kushtetutës). Shqiptarët janë të vetmit që përmenden nominalisht.

Sipas Spahiut, Ahtisaarin e rrejti Kuvendi i Kosovës, i cili kishte detyrim që të bënte një Kushtetutë mbi bazën e Pakos së Ahtisaarit, por që miratoi një Kushtetutë që nuk përmbante kombin kosovar të ideuar prej finlandezit. Por Pakoja e Ahtisaarit, merret vesh, u hartua nën mbikqyrjen e amerikanëve, po kështu edhe Kushtetuta e Kosovës. A thua që amerikanët lejuan që të gënjehen nga Kuvendi i Kosovës, për një gjë kaq të rëndësishme?

Në teorinë e kombit kosovar të Nexhmedin Spahiut, feja është një shtyllë e identitetit kombëtar. Dhe meqënëse shqiptarët e Kosovës janë 97% muslimanë, së paku nga origjina e afërt e periudhës otomane, ndonëse numri i praktikuesve është qartas më i vogël, atëherë kjo do të thotë që Islami të jetë shtyllë identitetit kombëtar kosovar. Spahiu madje, në një artikull të botuar në të përditshmen e Tiranës, “Panorama”, në 15 shtator 2011, kërkon që feja të mësohet me detyrim në shkollat publike. Për këtë tezë Spahiu përdor si “gjethe fiku” Branko Merxhanin, një minoritar grek i Shqipërisë, të cilit Gani Bobi i ka bërë një kritikë të rreptë shkencore duke e zbuluar në atë që është, një sharlatan antishqiptar. Tezën e fetarizimit të kombit kosovar Spahiu e ka hedhur në qarkullim nën ndikimin e miqve të tij, imamëve radikalë islamikë, të llojit të Shefqet Krasniqit, të cilëve Spahiu u ka dhënë shumë hapësirë tash sa vite në RTV Mitrovica që drejton.

Duke bërë një përmbledhje të teorisë së kombit kosovar të Spahiut mund të thuhet se në praktikë identiteti kombëtar kosovar do të thotë që shqiptarët e Kosovës të heqin dorë nga emërtimi “shqiptar” dhe ta bëjnë fjalën sllave “kosovar” jo vetëm emërtim të përkatësisë shtetërore të tyre, por edhe emërtim të përkatësisë nacionale të tyre. Me këtë rast identiteti i Nexhmedin Spahiut (shqiptarit të Kosovës) rezulton të jetë kështu:

Emri: Nexhmedin (arabisht)

Mbiemri: Spahiu (turqisht)

Shtetësia: Kosovar (fjalë serbe)

Nacionaliteti (etnia): Kosovar (fjalë serbe)

Religjioni: Islam

Identiteti që rezulton: Kosovarab (sllavo-islamik)

Nexhmedin Spahiu, si kosovar, qartësisht ka ruajtur në identitetin e vet çdo gjë që është serbe, arabe, turke, dhe ka hequr vetëm atë që është shqiptare, emërtimin nacional. Merret vesh, qëllimi i Nexhmedin Spahiut është Deshqiptarizimi (dealbanizimi) i shqiptarëve të Kosovës. Serbia ka pasur një agjendë për dealbanizimin e Kosovës që prej vitit 1912 kur pushtoi trojet shqiptare që përbëjnë Kosovën e sotme. Krijimi i kombit kosovar, i përbërë në fakt vetëm nga shqiptarët e Kosovës (serbët nuk do të pranojnë kurrë që ta quajnë veten pjesëtarë të kombit kosovar), me identitet të fortë islam i intereson shumë Serbisë, për faktin se kështu shqiptarët e Kosovës do të humbin edhe emërtimin nacional në gjuhën shqipe, duke marrë në vend të tij një emërtim në gjuhën sllave. Pas kësaj bota nuk do t’ i marrë më seriozisht.

Një fakt mjaft domethënës gjendet në librin me kujtime të militantit komunist shqiptar me origjinë nga Kosova, Ismet Shaqiri, i cili pas Luftës së Dytë Botërore u bë deri edhe Kryetar i Kosovës (1953). Shaqiri, në librin e vet me kujtime, tregon një episod nga jeta e vet në Jugosllavinë monarkiste të dy luftërave botërore. Në kohën që Shaqiri qe duke ndjekur shkollën e mesme në Mbretërinë e Shqipërisë, kur ai u kthye njëherë në vendlindje, atë e arrestoi policia serbe dhe i bëri presion që të ndërpriste shkollën dhe të shkollohej në Jugosllavi për teologji islame:

-Nuk do të mësosh për hoxhë?... Bez bozhan (I pafe- K.M.) si majku ti tvoju- Më shanin, më kërcënonin.( Ismet Shaqiri: «Më kujtohet», «Rilindja», Prishtinë 1978, f. 32)

Serbia atëhere, jo vetëm që i lejonte shkollat fetare islamike, por edhe paguante që të mbaheshin ato, ndërsa shkollat shqipe nuk i lejonte që të hapeshin. Këtë e bënte që shqiptarët të paraqiteshin para Perëndimit si mbeturina islamike të kohës osmane. Po për të njëjtën arsye, Serbia në vitin 1991, kur i mbylli të gjitha shkollat shqipe në Kosovë, si dhe kur i dëboi shqiptarët nga të gjitha institucionet zyrtare, ajo nuk i mbylli xhamiat dhe medreset, me të cilat ishte e mbushur gjithandej Kosova.

Nexhmedin Spahiun nuk i ka krisur dajaku serb shpinës për ta detyruar që të vetëdeklarohet kosovarab. Ai e bën këtë gjë me dëshirën e tij, domethënë me pagesë.

Në kapakun e pasmë të librit të fundit të Spahiut, me titull “Foshnjëria e kombit kosovar” gjendet edhe një vlerësim i mikut të tij nga Tirana Edison Ypi, i cili është autor i termit denigrues “kosomaq” (shqiptar i Kosovës dhe i Maqedonisë), në shkrimin me titull “Kosomaq në Shkozet”, ku flet për shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës që vizitojnë bregdetin shqiptar në verë. Edhe për Spahiun shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë janë kosomaqë që ende nuk janë deshqiptarizuar ashtu siç dëshiron Spahiu.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora