E marte, 30.04.2024, 04:26 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Reforma origjinale e kryeministrit

E shtune, 30.08.2014, 04:37 PM


REFORMA ORIGJINALE E KRYEMINISTRIT RAMA

Domosdoshmëria e një revanshi femëror në zyrat e partisë dhe të shtetit

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Mendoj se tashmë e kemi kuptuar të gjithë reformën tejet origjinale të kryeministrit Edi Rama - zgjedhjen dhe emërimin e sa më shumë vajzave dhe grave në zyrat e partisë dhe të shtetit.

Në përditshmërinë e skandaleve, skandali i fundit në një nga zyrat e Partisë Socialiste në Sarandë, na e ka kujtuar të gjithëve se kjo që ndodhi është pjesë e një historie shtatëdhjetëvjeçare.

Shqipëria e viteve 1944-2014 është ajo që shqiptarët po shikojnë e po dëgjojnë këto ditë nga ekranet e televizioneve. Është një e vërtetë e hidhur, e dhimbshme dhe tragjike.

Prirja e kryeministrit Rama për të sjellë sa më shumë vajza e gra në Partinë Socialiste dhe në administratën qeveritare e shtetërore të Shqipërisë ndoshta nuk ishte parë si një prirje serioze, madje mund të mos ketë kaluar pa ngjallur edhe ndjesi humori. Në fakt, ky sens reforme është i vetmi sens realist në shndërrimin e vendit dhe të shoqërisë, nga një vend feudalist shtetëror i prapambetur në një vend dhe shoqëri moderne bashkëkohore evropiane.

Socializmi që erdhi më 1944 i deqytetëroi vendin dhe e defisnikëroi shoqërinë shqiptare. Bejlerët, agallarët, taksidarët e rrëzuar u pasuan nga bejlerët, agallarët dhe taksidarët e rinj, të cilët fillonin që nga brigada e fshatit më të largët deri tek Blloku në qendër të shtetit.

Më 2014, në kohët e konsumizmit më modern - si në kohët e konsumizmit më primitiv, Shqipëria, shoqëria shqiptare, politika, shteti, ekonomia janë ato që po shikojmë në skandalet e përditshme, ku secili është më domethënës se i mëparshmi.

Nëse nuk bëhet një transfuzion sa më i plotë në sensin e kundërt të asaj që ka ndodhur tash shtatëdhjetë vjet rresht, Shqipëria, shoqëria e saj, administrata e saj, politika e saj, ekonomia e saj, financat e saj, bankat e saj, gjithçka vetëm sa do të vazhdojë të krimbet. Dhe strebat e saj, si ai i Sarandës, do të kërcejnë përpjetë, siç thotë bejtja e famshme, e do të na përplasen në fytyrë nga ekranet, nga skenat, nga sallat e Kuvendit, nga kahmos.

Shtatëdhjetë vjet rresht Shqipëria ka folur në emër të emancipimit të femrës shqiptare. Shtatëdhjetë vjet rresht Shqipëria është zhytur në obskurantizmin më mesjetar, ku femra shikohet si objekt poshtërimi, duke harruar se tek ajo është vajza, është gruaja, është nëna, është bija jonë, është motra jonë, është nëna e fëmijëve tanë, duke harruar se tek ajo është potenciali i intelektuales, artistes, politikanes, biznesmenes, i qeveritares, i shtetares.

Në shtatëdhjetë vitet e ardhshme Shqipëria e ka të domosdoshme të emancipohet në shumë drejtime, por pikësëpari e mbi të gjitha Shqipëria e ka të domosdoshme të emancipohet ndaj femrës shqiptare.

Kantandisja që e tregojnë skandalet pas skandaleve, vështirë të gjejë shembuj në shoqëritë e vendeve të tjera që kanë dalë nga komunizmi, vështirë se mund të gjejë shembuj në shoqëritë e vendeve të botës së katërt a të pestë, ajo mund të gjejë shembull vetëm në episodet biblike, vetëm në promiskuitetin e largët, kur planeti ende banohej nga shoqëritë paranjerëzore.

Shoqëria në Shqipëri mund të emancipohet ndaj femrës vetëm duke i pasur vajzat dhe gratë shqiptare në zyrat e partive, në zyrat e qeverisë të të gjitha niveleve, në zyrat shtetërore. Vetëm atëherë, pas shtatëdhjetë viteve të ardhshme, Shqipëria le të flasë në emër të emancipimit të femrës shqiptare.

Do të kishte pamjen e një revanshi gjinor, por do të ishte ndoshta në histori revanshi i parë i qytetëruar. Pa një diskriminim sa më të ndjeshëm, sa më të thellë pozitiv të femrës shqiptare, shoqëria jonë nuk mund të ecë përpara. Vetëm kështu shoqëria jonë do të jepte shenjat e para të vetëdijësimit qytetërues.

Energji mendore, intelektuale, shpirtërore të fjetura në shekuj, të ndrydhura në shekuj do të shpërthenin në mënyrat e tyre më të hijshme dhe më hijeshuese.

Shoqëria shqiptare ka prekur fundin e fundit të saj - ky është mesazhi që del nga skandali i Sarandës pas skandaleve të tjera. Lartësimi i saj do të niste vetëm nga lartësimi i femrës shqiptare.

Prandaj reforma e kryeministrit Edi Rama, për të sjellë sa më shumë vajza dhe gra në zyrat e Partisë Socialiste, të qeverisë së Shqipërisë, të shtetit të Shqipërisë është reforma më kuptimplote dhe më jetike deri sot për vendin, shoqërinë, ekonominë, kulturën, konstitucionin, jetën shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora