E marte, 30.04.2024, 07:09 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: I padëshirueshëm jo vetëm në Berlin

E hene, 01.09.2014, 07:17 PM


I padëshirueshëm jo vetëm në Berlin

Nga Arbana Xharra

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, u përpoq ta interpretojë takimin jobilateral me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në mënyrë krejtësisht të rrejshme. Tha se në Berlin qenka ftuar si “një burrështetas i suksesshëm”. E vërteta është se Thaçi hyn në mesin e kryeministrave më të pasuksesshëm të Ballkanit. Ai pati fatin e lojtarit të lotos. Meqë ende gjendet në pozitën e kryeministrit në largim, mori pjesë, bashkë me liderë të tjerë të Ballkanit, në konferencën e Berlinit. S’ka asgjë spektakolare në këtë pjesëmarrje. Imazhin e keq të Kosovës, të cilin e ka ndërtuar Thaçi prej vitesh, duke qëndruar në pushtet, nuk mund ta përmirësojë duke gjuajtur fotografi në “Facebook”.

Do të ishte naivitet të besohej se Merkel dhe qeveria gjermane nga një takim me Thaçin të hedhin pas krahëve faktin se Kosova ka marrë epitetin e një vendi me krim dhe korrupsion në pothuaj të gjitha poret e jetës politike dhe shoqërore. Berlini e di shumë mirë se Kosova ka probleme të mëdha me sundimin e ligjit, përndryshe nuk do të ishte kërkuar themelimi i Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve gjatë dhe pas luftës. Nëse nuk akuzohet, Thaçi së paku do të jetë dëshmitar në gjykimet që priten të fillojnë në pranverë 2015. Berlini nuk mund të harrojë se po këta pushtetarë janë shndërruar në milionerë gjatë qeverisjes së vendit më të varfër dhe më të izoluar në Evropë. Madje edhe Ukraina ka nënshkruar Marrëveshje për stabilizim-asociim me BE-në, për dallim nga Kosova e sunduar nga Thaçi.

As Berlini, as Brukseli në asnjë mënyrë nuk mund ta harrojnë skandalin me spitalin “Medicus”, ku janë kryer transplantime ilegale organesh – dhe për hapjen e kësaj kasaphane ka dhënë kontribut edhe njëri nga njerëzit më të afërt të Thaçit, Shaip Muja. Gjermania e di shumë mirë sa investitorë të saj kanë ikur nga Kosova për shkak të pasigurisë në vend, krimit dhe korrupsionit, mossundimit të ligjit. Qeveria gjermane pa dyshim se e ka kuptuar flirtin e Thaçit me autokratin turk, Rexhep Taip Erdogan, duke ia dhënë asetet kryesore të vendit kompanive turke e duke larguar në vazhdimësi investitorë seriozë evropianë.

Berlini ka të dhëna të sakta për emigrantët ilegalë kosovarë që ikin nga shteti që sot është i lirë, por pa perspektivë. Përfaqësuesit e ekonomisë gjermane kanë analiza të mjaftueshme për degradimin ekonomik të vendit. Thaçi bën gabim të madh nëse nënvlerëson njohuritë gjermane për denigrimin që qeverisja e tij i ka shkaktuar Kosovës. Atyre nuk u duhen shumë hulumtime për të zbuluar milionerët e PDK-së të pasuruar në politikë pa ndonjë biznes privat, por me tenderë publikë. Kapadainjtë e pushtetit tashmë janë të njohur si në sytë tanë, ashtu edhe të vendeve që na shohin me llupë.

Vendosmëria e Gjermanisë për t’i hapur shtegun Kosovës drejt BE-së ende nuk është e sigurt. Merkel e tha qartë: “Luftojeni korrupsionin nëse e doni BE-në”. Kjo deklaratë nuk është vetëm paralajmërim për shqiptarët, por edhe një sinjal i qartë se Gjermania e di shumë mirë se në çfarë “derexhe” jemi. Deklarata e kancelares rikonfirmon imazhin e keq të vendit tonë.

Krah Merkelit ishte edhe ish-nxënësi i Sheshelit, Aleksadnar Vuçiq, i cili, për dallim nga shumë politikanë në Kosovë, është pritur vazhdimisht në Berlin dhe Washington.

Vuçiqi mban afër vetes këshilltarë gjermanë dhe është bashkëbisedues i rregullt i Christoph Heusgen, një nga këshilltarët kryesorë për politikë të jashtme të kancelares, Angela Merkel. Këshilltarët e deritanishëm të Thaçit nga bota e jashtme kanë qenë më shumë mësues për dredhi dhe manipulime si puna e Ariel Raubvogel (rastësi apo jo: Raubvogel domethënë shpend grabitqar). Amerikanët dhe gjermanët janë përpjekur që Vuçiqin ta përfitojnë edhe si partner në zgjidhjen e çështjeve të hapura të Serbisë me Kosovën.

Ai në formularin për deklarimin e pasurisë ka bërë të ditur se ka një banesë prej 30 metra katrorë. Thaçi po ndërton shtëpi prej 700 metrash katrorë. Dhe ky nuk është aseti i vetëm që e ka nxjerrë si përfitim nga qeverisja e tij e shoqëruar me afera të njëpasnjëshme korruptive. Vuçiqi mund t’i lejojë vetes të përfaqësojë interesat e Serbisë, sepse nuk është i shantazhueshëm. Thaçi, ndërkaq, në Evropë nuk i përfaqëson interesat e vendit, por synimin e tij për të hyrë në shtëpinë e re në periferi të Prishtinës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora