E marte, 30.04.2024, 03:12 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Cilin kërkon të gënjejë z. Ximas

E diele, 31.08.2014, 07:02 PM


Cilin kërkon të gënjejë z. Stavros Ximas i gazetës “Kathimerini”?

Nga Kastriot Myftaraj

Qëkurse në këtë botë janë krijuar gazetat, kur një gazetar mundohet për të sajuar një gënjeshtër, ai duhet të mendojë edhe se kujt i adresohet ajo, në mënyrë që ta bëjë atë të besueshme, varësisht intelektit të individit apo grupit të njerëzve që iu adresohet gënjeshtra. Kështu supozohet që të ketë bërë edhe Stavros Ximas i cili ka botuar në gazetën greke “Kathimerini” një artikull ku thotë se kundër Kryepeshkopit Anastas Janullatos është krijuar prej kohësh një front në Shqipëri, në të cilin janë bashkuar nacionalistët, radikalët islamikë, shërbimet e fshehta shqiptare. Sipas z. Ximas ngjarja e fundit që e konfirmoi këtë gjë ishte përkujtimi i 300 vjetorit të lindjes së Shën Kozmait nga ana e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me ç’ rast Janullatos u sulmua nga nacionalistët dhe islamikët. Gjithashtu, sipas z. Ximas, ata që sulmojnë Kryepeshkopin Anastas në fakt synojnë të godasin bashkëjetesën dhe harmoninë fetare në Shqipëri. Në fantazinë e z. Ximas, ashtu si Atlasi mitologjik mbante mbi supet e tij botën, edhe Janullatosi është shtylla e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Shqipëri.

Që 300-vjetori i lindjes së i ashtuquajturi Shën Kozma përkoi me agresionin e hapur ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, kjo është një nga ato përkime historike, për të cilën Historinë e kanë quajtur “Mësuese të Jetës”. Se Shën Kozmai erdhi dikur në Shqipëri në mënyrë të ngjashme me ushtarët dhe agjentët e fshehtë rusë të cilët infiltrojnë këto ditë me mijëra në Ukrainë. Shën Kozmai (1714-1779) erdhi në Shqipëri në 1768 pikërisht në vitin kur nisi Lufta Ruso-Otomane (1768-1774). Në atë vit me mijëra agjentë rusë (një pjesë e madhe e tyre grekë) u shpërndanë nëpër Ballkan, që të bënin propagandë proruse. Rusia kërkonte të pushtonte Konstantinopolin (Stambollin) dhe Ballkanin për ta zgjeruar perandorinë nga Balltiku në Mesdhe.

Në një biografi zyrtare të Kishës së Greqisë mbi Shën Kozmain, që është libri i Fani Mihalopulli “Kozmai nga Etolia” (i botuar edhe në Shqipëri në 1999), thuhet për bëmat e “Shën” Kozmait: “Patriku Serafim II dhe Patriku Samuil qenë rusofilë fanatikë dhe njohës të planeve të Ekaterinës së Madhe (bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Plani Grek” për ringjalljen e Imperisë Bizantine- K. M.). Edhe Kozmai kishte dijeni për lëvizjen që kishte si qëllim ringjalljen e Perandorisë Bizantine që përhapte Moska”. (Fani Mihalopullos: “Kozmai nga Etolia”, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 1999, f. 21)

Më tutje thuhet për të ashtuquajturin Shën Kozmai: “Ai ishte betuar që kur ishte në Akademi me Vullgarin dhe Xharxhullin se ishte gati të punonte për atë ide të madhe (MegaliIdea në greqisht-K. M.), madje të jepte edhe jetën për të. E dinte politikën e Patrikanës, e cila vazhdimisht ndiqte sugjerimet e Rusisë dhe ushqente idenë e çlirimit nëpërmjet kombit flokëverdhë”. (po atje: f. 21)

I ashtuquajturi Shën Kozmai erdhi kështu në Shqipëri për të bërë propagandë proruse, sikur çlirimi prej turqve do të vinte nga kombi flokëverdhë i Veriut, pra nga rusët. Kjo frymë është ringjallur edhe sot në marrëdhëniet greko-ruse. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës që bëri në Greqi, në 9 shtator 2005 vizitoi dhe Malin Athos, kompleksin e manastireve ortodokse, ku është dhe një manastir rus. Duke folur pas një seance lutjesh, Presidenti Putin e përcaktoi fenë ortodokse si një lidhje shpirtërore speciale mes Rusisë dhe Greqisë. Derisa Rusia është vendi më i madh ortodoks, Greqia dhe Athosi janë burimet e Ortodoksisë, u shpreh Putin. Gjatë vizitës në një nga manastiret, Arkimandriti Vasilieos (Gondikakis) i përmendi Presidentit Putin shkrimtarin panortodoks Fjodor Dostojevski, duke e quajtur si shembull elokuent të fuqisë shpirtërore që i jep feja ortodokse popullit rus dhe Presidenti Putin u shpreh dakord. Ndërsa kryeministri grek, Karamanlis, që e shoqëronte, e quajti Malin Athos një lidhje midis dy vendeve. Kuptohet se ç’ lidhje është ajo nën shenjën e ideve të Dostojevskit që profetizonte se Rusia në krye të popujve ortodoksë do të shpëtojë botën, pra do ta sundojë atë.

Greqia është një shoqëri thellësisht e ushqyer me mitet historiko-religjioze, të cituara më lart në librin e Mihalopullos, që ka prodhuar kleri ortodoks, që prej tre shekujve, nga koha e carit Pjotër i Madh. Prandaj në Greqi edhe sot shkruhen dhe lexohen shumë, madje besohen gjerësisht dhe janë bërë pjesë e vetëdijes nacionale, traktatet nostradamusiane të shkruara nga murgjërit ortodoksë, ku profetizohet e ardhmja e bukur e Greqisë, që do të bëhet një shtet i madh që do t’ i rimarrë një pjesë të madhe të territoreve bizantine që ia rrëmbyen turqit dhe se e gjithë kjo do të bëhet me ndihmën e një popull të fuqishëm ortodoks biond, që do të zbresë nga Veriu, për t’ i ndihmuar grekët, pra është fjala për rusët. Pikërisht ashtu siç predikonte në shekullin XVIII agjenti rus, i ashtuquajturi shenjt (Shën Kozmai), çka thuhet dhe në hagiografitë që janë botuar për të në Greqi.

Anastas Janullatos e ka Shën Kozmain atin e tij shpëirtëror, sa i përket ndjekjes së kësaj tradite rusofile. Në ceremoninë për shenjtërimin e katedrales ortodokse të Tiranës, që u bë në qershor të këtij viti, Janullatos nuk ftoi përfaqësues nga Kisha Ortodokse e Ukrainës. Arsyeja e vetme për të cilën Janullatos e bëri këtë gjë ishte se Kishën Ukrainase nuk e njeh Rusia (Patriarkati i Moskës). Dhe i vetëshpalluri Patriark Ekumenik i Konstantinopolit (them i vetëshpalluri se që nga viti 1918 nuk ka një patriark me titull të plotë dhe të rregullt), miku i Janullatosit, Vartholomei, duke qenë në shërbim të plotë të politikës ruse, refuzon të njohë Kishën Ortodokse të Ukrainës, si autoqefale. Ky Vartholomei, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e Tiranës, në qershor, i njeh ose jo autoritetet kishtare në shtetet e reja të krijuara pas Luftës së Ftohtë, varësisht interesave të Greqisë, Rusisë dhe Serbisë. Kështu ai nuk njeh Kishën Ortodokse të Maqedonisë, se Greqia nuk e njeh Maqedoninë si shtet, nuk e njeh Kishën e Malit të Zi, se atë nuk e njeh Kisha e Serbisë, dhe nuk i njeh Kishat e Ukrainës dhe Moldovës se ato nuk i njeh Kisha Ortodokse e Rusisë.

Rusia, Greqia dhe Serbia kërkojnë që ta përdorin kontrollin mbi kishën ortodokse në këto vende, si mjet për të ushtruar ndikim politik, dhe eventualisht për të bërë subversion shtetëror, siç kanë vepruar historikisht. Veçanërisht kjo gjë po vihet re tani në Ukrainë, ku mungesa e një Kishe Ortodokse të Ukrainës, me titull të plotë e të rregullt, po i jep dorë Rusisë, që të përdorë autoritetin e Patriarikatit të Moskës për të bërë subversion në Ukrainë, duke i paraqitur gjërat kinse përkatësia e besimtarëve ukrainas ndaj autoritet kishtar të Moskës nënkupton identitetin etnik rus të tyre. Prandaj nuk është teprim të thuhet se Janullatos, bashkë me mikun e tij Vartholomein, është bërë pjesë e frontit të solidariteti me Rusinë, në luftën që kjo e fundit po bën kundër Ukrainës. Janullatos është ekuivalenti ortodoks i xhihadistëve shqiptarë të cilët kanë shkuar të luftojnë në Siri. Ashtu si ata edhe Janullatos i është bashkuar luftës së shenjtë ortodokse që Rusia po bën në Ukrainë.

Ekziston një koherencë kërshërore që nga veprimet e Shën Kozmait e deri në ato të Anastas Janullatosit, sa i përket kyçjes në agjendën gjeopolitike të Rusisë. Kjo nuk mund të mohohet. Dhe nuk mund kamuflohet as me “gjethen e fikut” të arsyetimeve të z. Ximas. Ky i fundit, kur shkruan ashtu siç kam cituar më lart, duket se kërkon të gënjejë Perëndimin, pra SHBA dhe Bashkimin Europian. Z. Ximas kërkon që Perëndimi të shohë vetëm xhihadistët shqiptarë në Siri, por jo edhe “xhihadistin” ortodoks Janullatos në frontin rus kundër Ukrainës. Kësaj i thonë të gënjesh trashë, si bizantin.

Ndryshe nga ç’ thotë z. Ximas, Janullatosit nuk i kanë ardhur asnjëherë kritika nga radikalët islamikë sa i përket Shën Kozmait. Merret vesh, radikalët islamikë kanë një pakt të heshtur me radikalët ortodoksë në Shqipëri, që të dy palët të heshtin për misionarët përkatës (arabë dhe grekë) që iu vinë atyre. Kritikat për celebrimet me rastin e 300 vjetorit të lindjes së Shën Kozmait kanë ardhur vetëm nga nacionalistët laikë shqiptarë. Ajo që nuk e thotë z. Ximas është se në Shqipëri, ata që kritikojnë Shën Kozmain, pra nacionalistët laikë, kritikojnë rreptë edhe xhihadistët shqiptarë të cilët shkojnë në Siri. Ndërsa kritikët ortodoksë të nacionalistëve laikë shqiptarë, si z. Ximas, nuk e kritikojnë Janullatosin për mbështetjen që i jep Rusisë në agresionin e saj në Ukrainë. Ndonëse Shqipëria ka marrëdhënie të mira me Ukrainën dhe e ka mbështetur publikisht këtë vend në përpjekjet që kjo po bën për të përballuar agresionin ushtarak rus, Kisha Ortodokse e Shqipërisë nuk ka bërë asgjë të ngjashme me homologen e saj kishën ukrainase, madje nuk ka asnjë marrëdhënie me të. Kisha Ortodokse e Shqipërisë ka marrëdhënie vetëm me degën e Patriarkatit të Moskës në Ukrainë. Pikërisht këto fakte duhet të shikojë Perëndimi dhe të kuptojë se cilat janë përmasat e vërteta të frontit në mbështetje të Rusisë sot.

Harmonia fetare në Shqipëri nuk rrezikohet nga kritikat ndaj Shën Kozmait dhe atyre që e nderojnë atë, por pikërisht nga vënia e kultit të Shën Kozmait në qendër të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Kritika ndaj Shën Kozmait është në origjinë të luftës për pavarësi të Kishës Ortodokse në Shqipëri. Në të vërtetë, me vrasjen e spiunit rus, Shën Kozmait nisi aksioni për çlirimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri nga kontrolli grek dhe rus. Prandaj në vendin ku ndodhi vrasja e tij si dhe në manastirin e tij, duhet të vihet një pllakë ku të thuhet se fundi i tij ishte i merituar dhe se këtë fund duhet të kenë të gjithë spiunët e fuqive të huaja antishqiptare, siç edhe bën çdo vend i botës me spiunët që punojnë kundër tij. Shenjtërimi i këtij Kozmait nuk është një çështje fetare por një çështje politike. I ashtuquajturi Shën Kozmai është simbol i aleancës greko-ruse nw Ballkan. Shqipëria ka me Janullatosin dhe Kishën e Greqisë, të njëjtin problem që Ukraina ka me Kishën e Rusisë dhe të dërguarit e saj në Ukrainë. Duke i bërë ortodoksët shqiptarë të nderojnë Kozmain, i duan t’ i bëjnë të nderojnë Rusinë.

Kozmai, u shpall shenjt nga Kisha Ortodokse e Greqisë vetëm në vitin 1961. Kozmai njihet si shenjt vetëm nga Kisha e Greqisë dhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë, kjo e fundit e njeh që nga viti 1991 falë Janullatosit. Asnjë Kishë Ortodokse tjetër nuk e njeh shenjtor Kozmain.

Sigurisht që të krishterët ortodoksë shqiptarë kanë të drejtë të ushtrojnë lirisht fenë e tyre, të nderojnë shenjtorët e tyre, por e gjithë kjo nuk ka të bëjë aspak me shenjtorë të rremë si ky Kozmai, për të cilin vetë librat e botuar nga Kisha e Greqisë, si ai që citova më lart, thonë se bënte propagandë politike në interes të Rusisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora