E marte, 30.04.2024, 03:18 AM (GMT+1)

Mendime

Ireshtansi: Gjykata kushtetuese, nga gabimi në gabim

E diele, 31.08.2014, 07:55 PM


Gjykata kushtetuese, nga gabimi në gabim

Shkruan: Ireshtansi

Gjykata kushtetuese e Kosovës është armë në duart e të fortit, ajo  nuk është e pavarur e rrjedhimisht nuk mund të jetë as profesionale. Me vendimet e saj të anshme, kjo gjykatë po e dëmton rëndë funksionimin e shtetit të Kosovës sepse vendimet e saj nuk rregullojnë vetëm një rast të veçantë por të gjitha rastet e ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen, natyrisht derisa kjo kushtetutë është në fuqi.

Aktgjykimi i tyre i fundit, përveqse ka përmbajtje të kontestueshme, është edhe shumë voluminoz krejt pa arsye. Në mos me ketë kanë pasur për qëllim ta pështjellojnë çështjen, t’i hutojnë njerëzit  apo në gjithë ato faqe t’i fshehin disa fjali ku animet partiake janë krejt të dukshme.

Megjithatë, para se ta shikojmë aktgjykimin e fyndit, t’i kthehemi pak edhe dy aktgjykimeve të tjera ku gjykata kushtetuese ka vepruar si vegël e të fortëve për eleminimin e njerëzve që atyre ua kishin zënë rrugën.

Rasti i parë, që mund të mos jetë i pari por që është interesant për vëmendjen që ka pasur në atë kohë, është rasti i deputetit Limaj i cili edhe pse i përkiste të njëjtës parti si edhe kryeminstiri ishte bërë I zëshëm në kundërshtimin e politikave të qeverisë dhe megjithëse akoma jo hapur,  një kundërshtar I kryeministrit të cilit ai me të drejt I druhej.

Në atë kohë kundër deputetit Limaj zhvillohej një proces gjyqsor por ai nuk mund të arrestohej dhe të mbahej në ndalim për shkak të imunitetit që gezonte si deputet i kuvendit. Sigurisht imuniteti i deputetit u bë qëllimisht temë debati dhe kryeminstri e drejtoi çështjen tek gjykata kushtetuese e cila vërtetoi se deputeti I kuvendit të Kosovës ka imunitet dhe se ai nuk mund të arrestohet as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, por vazhdoi gjykata, ai detyrat e deputetit I kryen vetëm përderisa ka mbledhje të kuvendit ose mbledhje të komisionit parlamentar ku ai bënë pjesë. Shkurtë thënë, ai ka imunitet vetëm kur është në ndërtesën e kuvendit dhe se jashtë ndërtesës së kuvendit ai nuk është duke kryer detyrat e tij si deputet dhe mund te arrestohet dhe të mbahet në ndalim.

Ky interpretim I gjykatës kushtetuese solli arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim të deputetit Limaj që ishte edhe dëshirë e kryeministrit që zotin Limaj ta largonte nga skena politike aq gjatë sa të ishte e mundur.

Ndërsa kushtetuta e Kosovës në nenin 75 pika 2 thotë :  “Deputeti i Kuvendit nuk mund te arrestohet dhe as ndalohet perderisa eshte duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pelqimin e shumices se te gjithe deputeteve te Kuvendit".

Gjykata kushtetuese e interpretoi këtë nen duke e shtrembëruar ashtu siq donte pushteti dhe tha se pëlqimi I shumicës së deputetëve për arrestimin e një deputeti nevojitej vetëm nëse deputeti gjendej në ndërtesën e kuvendit duke kryer detyarat e deputetit ndërsa kur ai të dilte jashtë një pëlqim I tillë nuk kërkohej. Por cila është arsyeja e prokurorit apo e gjykatës që të kërkoj nga kuvendi që të jap pëlqimin për arrestimin e deputetit që gjendet në ndërtesën e kuvendit duke kryer detyrat e deputetit, kur atë mund ta presë policia tek dyert e kuvendit dhe ta arrestoj posa ky të kaloj këtë pragë?!.  Pra një gjykim I tillë është krejt I palogjikshëm, joprofesional, qesharak por mbi të gjitha I rrezikshëm sepse prish barazpeshat e pushteteve në dobi të pushtetit ekzekutiv I cili tashmë ka edhe kutin edhe gërshërët.

Rasti I dytë që mesa më kujtohet ka ndodhur përpara rastit Limaj është rasti I zgjedhjes për president të zotit Pacolli dhe anulimi I këtij vendimi të kuvendit nga gjykata kushtetuese. Megjithëse çështjen në gjykatë e dërgoi opozita, energjia dhe zelli I zotit Pacolli për punë në të mirë të vendit I trembi edhe ata që e kishin votuar prandaj u bë I nevojshëm një aktgjykim që anulonte vendimin e kuvendit.

Dhe gjykata kushtetuese e dha këtë aktgjykim që ishte  I gabuar sepse gjeti shkelje aty ku nuk kishte dhe nuk gjeti aty ku edhe mund të kishte.

Gjykata kushtetuese konstatoi që pas lëshimit të sallës nga opozita kuvendi nuk ka mundur të procedoj me votim pasiqë  në sallë ishin më pak se dy të tretat e deputetëve që kërkoheshin për të zgjedhur presidentin në raundin e parë. Mirpo kuvendi kishte proceduar me votim dhe në raundin e tretë presidenti ishte zgjedhur me shumicë të thjeshtë ashtu siq e parasheh edhe kushtetuta.

Ky vendim i gjykatës kushtetuese që kërkon praninë e dy të tretave të deputetëve kur votohet për presidentin pamundëson zgjedhjen e presidentit pa miratimin e pakicës e cila këtë proces mund ta bllokoj çdoherë duke lëshuar sallën e kuvendit. Këtu pakica bëhet faktor kyç në zgjedhjen e presidentit apo edhe në çuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme që është në kundërshtim me parimin bazë të demokracisë që është sundimi i shumicës.

Dhe pikërishtë për të mos lejuar që pakica të ketë rol kryesor në këtë çështje, kushtetuta ka paraparë që në raundin e tretë presidenti të zgjidhet me shumicë të thjeshtë.

Në këtë pikë nuk ka pasur shkelje dhe se vendimi i gjykatës kushtetuese kësisoj do të jetë me pasoja pasiqë zgjedhja e presidentit në të ardhmen do të bëhet shumë e vështirë dhe se ndryshimi i kushtetutës sa i përket kësaj çështjeje do të bëhet i paevitueshëm.

Megjithatë për mendimin tim,në zgjedhjen e presidentit Pacolli kishte shkelje të cilën as parashtruesi i kërkesës nuk e hapi për diskutim e as gjykata kushtetuese nuk e përmendi, e kjo ndodhi në raundin e parë të votimit ku zoti Pacolli si kandidat i vetëm mori më pak se gjysmën e votave të të gjithë deputetëve, kjo për shkak të mosmarrëveshjeve që shumica parlamentare pati ndërmjet vete e që u deshën intervenime nga anë të ndryshme që grupi i rrebeluar të pajtohej për votimin e Pacollit. Megjithatë fakti që ai në raundin e parë si kandidat i vetëm nuk mori as gjysmën e votave të deputetëve mund të përkthehet si refuzim i kuvendit për këtë kandidaturë dhe votimi i mëtutjeshëm për të njëjtin do të duhej të ndërpritej.

Rasti i tretë, ky i fundit që trajton çështjen e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit të cilin sipas kushtetutës duhet ta propozoj grupit më të madh parlamentar, e i cili sipas shumë njerëzve të profesionit edhe duhet të nxjerr nga gjiri i vetë kryetarin e kuvendit është interpretim i gabuar e të cilin gjykata kushtetuese e legjitimoi. Kjo gjykatë përcaktoi PDK-në si grupin më të madh parlamentar në tentim që kësaj partie t'ia jap kryetarin e kuvendit edhe pse ajo nuk ka një shumicë përlamentare që ta shtyj përpara këtë proces. Grupi më i madh parlamentar propozon kryetarin por të propozosh që ta kesh dhe ta kesh nuk është e njëjta gjë. Këtë e ka ndarë edhe kushtetuta ku përveq propozimit ka përcaktuar edhe votimin, rëndësia e të cilit po harrohet dhe po vihet në pah  propozimi i cili ka mundur edhe të mos përmendej fare në kushtetutë dhe se është përmendur vetëm për të lehtësuar procedurën e votimit e jo edhe për të përcaktuar grupin që do ta ketë kryetarin e kuvendit siq tentohet të përkthehet. Tekefundit kryetarin e kuvendit do të mund ta propozonte secili grup parlamentar e në të gjitha rastet do të zgjidhej ai ose ajo që ka përkrahjen e shumicës parlamentare. Prandaj është e palogjikshme që zgjedhja e kyetarit të kuvendit të bllokohet për shkak të së drejtës së propozimit dhe kjo e drejtë të mbahet si pronë e një grupi që sido që të jetë nuk i ka votat e mjaftueshme ta zgjedh kryetarin

Aktgjykimet që lidhen me këtë rast kanë ardhur si pasojë e refuzimit që partitë e tjera patën kundrejt PDK-së e cila në zgjedhjet e përgjithshme doli e para. Dhe pikërisht përpara se të diskutohej se kë duhet ta nominoj presidentja, cilli është grupi më i madh parlamentar apo a duhet të jenë të gjithë deputetët në sallë kur votohet kryetari i kuvendit, siq përcaktoi me naivitet gjykata, do të duhej të diskutohej se a mund të merret fitorja në tavolinë të nesërmen e përfundimit të zgjedhjeve?. A munden që partitë tjera që kanë humbur zgjedhjet t'ia mohojnë fituesit, jo vetëm krijimin e qeverisë por edhe të drejtën e përpjekjes për ta krijuar atë. Dhe pikërisht e drejta e përpjekjes për krijimin e qeverisë i takon partisë që doli e para në zgjedhje dhe krijimi të nesërmen e zgjedhjeve i një blloku të partive që refuzoi të bisedoj me partinë fituese dhe ia mori asaj të drejtën e përpjekjes për krijimin e qeverisë është jashtë lojës me rregulla demokratike.

Sjellje të tilla janë të dëmshme për funksionimin e shtetit sepse partisë së dytë i lejohet të bëjë përpjekjen e parë për krijimin e qeverisë dhe t'u jap pushtet partive të tjera më shumë se që ka dashur t'u jap populli. Partia e dytë gjithmonë ka tendencë të jetë më dorëlirë sepse edhe ashtu i ka humbur zgjedhjet dhe mu për këtë arsye edhe partitë më të vogla do të ishin më të interesuara të bashkëqeverisin me partinë e dytë. Kjo do ta humbte edhe kuptimin e zgjedhjeve dhe njerëzit do të kishin më shumë arsye për të mos votuar se sa për të votuar.

Konsideroj që në këtë çështje diskutimi do të duhej të ndalej këtu e mbase të lipsej ndonjë rrugë që këtu të përfshihej edhe gjykata kushtetuese e cila duke parë interesin e përgjithshëm do të vendoste për çështjen.

Por gjykata kushtetuese nuk e sheh interesin e përgjithshëm. Ajo gjatë këtyre viteve ka parë interesin e partisë në pushtet të cilin e paraqet si interes të përgjithshëm. Me vendimet e saj që janë përfundimtare kjo gjykatë ka dëmtuar rëndë funksionimin e shtetit të Kosovës që duhet të jetë një interes madhor për secilin banor të këtij vendi. E mosfunksionimi I shtetit e ka një çmim të cilin ne po e paguajmë përditë e që sipas të gjitha gjasave do të vijë duke u shtrenjëtuar.

Ndër të tjerë, edhe gjykata kushtetuese do të kujdeset për këtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora