Kulturë
Vangjush Saro: "Sherifi"
E marte, 02.09.2014, 08:03 PM
"Sherifi"
Tregim humoristik nga Vangjush Saro
Në hotel kishte mushkonja. Por ato do të bëheshin të mërzitshme e të lodhshme në mbrëmje. Gjatë mbasdites, telashi pati një tjetër emër. Ata nuk ishin sistemuar mirë ndër dhoma, kur diku mes djemve plasi një sherr. I përfshirë në këtë grindje, qëlloi edhe një djalë i ri, verdhacuk, disi i trembur, ca më tepër i lodhur, fyelltar thoshin që ishte... Në grupin e amatorëve që sapo kishin mbërritur atje për një takim kombëtar, gjendeshin edhe dy njerëz krejt të veçantë. Një nga Komiteti dhe një tjetër nga Policia. Njeriu nga Komiteti ishte si punë përgjegjësi; kurse tjetri, ishte thjesht një amator, korist, që punonte polic. Mirëpo për dreq, ai polici quhej Sherif... Dhe, për arsye që merren me mend, edhe atje kishte ardhur dhe rrinte me uniformë.
Epo, meqë
që ishte puna për një grindje, njeriu i Komitetit dërgoi të thërrisnin
pikërisht policin. Me një gur vras tre zogj, mendoi ai. Vetë rri larg, sherrin
e shuaj, ata i tremb. Pra, tani Sherifi u thirr për të rivënë rendin. Ja tek
mbërriti ai drejt e nga tualeti dhe ishte ende duke mbledhur ushkurët. Si është
ngjarja? Ai ishte një burrë i shkurtër, me kokë të madhe dhe me vështrim të
rreptë. I pëlqenin termat, edhe pse nuk i kuptonte. Filloi menjëherë nga
hetimi. Çfarë i the ti të dëmtuarit? Në rregull.
Zëri i policit sa vinte bëhej më i lartë, pse jo edhe më i egër. Fytyra e tij gjithnjë e më shumë po ngrysej, po çfarë të ngrysur. Papritur, ai djali fyelltar u skuq, pastaj u zverdh i shkreti, ca më vonë zu të bëhej blu... I ra të fikët sakaq. Mos! Njeriu nga Komiteti bërtiti si i ndërkryer:
-Sherooo, ç'na bëre! Ujë! Tundeni. Ndihmë! Shkundeni! Obobo! Festivali. Sekretari i Parë.
Të tjerët u hodhën menjëherë mbi viktimën e kësaj skene ngjethëse. Ca i hidhnin ujë. Nja dy përpiqeshin ta mbanin për krahësh. Dikush e qëllonte me pëllëmbë. Një tjetër i fliste te veshi, sikur të ishte hoxhë a prift debili. Asnjë shenjë jete. Ujë! Tundeni! Ndihmë! Shkundeni! Ia filluan sërish duke e spërkatur dhe duke e qëlluar me dacka. Jo Sherifi. Unë nëc, thoshte ai duke mbështjellë gjuhën; dhe vështronte pjerrtazi, me duart prapa kurrizit. Edhe ajo më duhet!
Në gjithë këtë tollovi, sidomos njeriun e Komitetit s'e zinte vendi.
-Si e ka emrin? Hë? Laver? Përmendu, Laver! Laver, more djalë!
Më në fund, djali i hapi sytë dhe po përpiqej të kuptonte çfarë kishte ndodhur. Ashtu, de. Ne vërtet të folëm, sapo donim të të flisnim... Por tjetri, me të parë Sherifin, zgurdulloi sytë; vate, i ra të fikët prapë. Medet. Djalëëë! Ujë! Bukë! Ashtu, lageni, tundeni... Obobo! Shero, ç'më bëre... Të pranishmit filluan nga e para me dacka e me ujë, duke e tundur dhe duke e shkundur. Mezi erdhi në vete. Njeriu i Komitetit iu gjend sërish te koka. More Laver, more djalë. Ne vërtet e thërritëm Sherifin... por ne... por ai...
Djali shikonte përqark i lodhur, i hutuar, madje pak si guak, a thua mezi ç'priste të shquante aty pari ndonjë fytyrë miqësore. S'ishte e thënë. Koka e madhe e Sherifit iu shfaq edhe njëherë tjetër pothuaj copë shkëmbi... Njëherë, në mal, një gjë e tillë ishte shndërruar në ujk se. Ani. Nuk ishte në mal. Duhej të mblidhte veten. Megjithatë, me të parë Sherifin, atij të shkretit prapë i ra të fikët. Uauuu!, u palos tjetri sikur t'i kishin rënë me dru kokës. Njeriu i Komitetit lëshoi sakaq vikamën:
-Sherooo, ç'na bëre! Na more në qafë... Festivali. Sekretari. Laver, bre djalë, zgjohu se të pret fyelli...
-Laver!, - tha një tjetër - Mjaft i re fyellit në një vrimë...
Ishte një mbrëmje për t'u rrëfyer. Si i thonë fjalës, mirë që ka natë, e u qetësuan gjindja, ra të flinte edhe fyelltari i shkretë. Edhe pse mushkonjat ia bënin pareshtur pëzzz te veshi, te sytë... Natën e mirë!
***
Të gjithë
menduan se historia me fyelltarin dhe Sherifin mbaroi me aq. Në koncert, askush
nuk e kishte mendjen te ata. Ja njëra këngë e shko, ja njëra valle dhe
tungjatjeta, iu erdhi radha fyejve. Laveri, që në fshat ishte
-Ujë! Ujë! Koncerti. Sekretari...
Ishte njeriu i Komitetit që këlthiste nga prapaskena. E hoqën të shkretin djalë, e xhvatën më mirë, duke iu bërë shenja të tjerëve të vazhdonin interpretimin, ndërkohë që bariut zunë t'i binin me shpulla e t'i hidhnin ujë, ndërsa dikush përsëriste thirrjen e njohur Laver përmendu more djalë, një tjetër hiqeni fyellin nga skena, por shfaqja vazhdonte dhe ashtu, me sytë në qiell, te yjet, ai mendonte se me sa ngazëllim ishte nisur për këtë turne, që tani ca mushkonja po e përdhosnin, pa le që s'kishte fuqi as t'i përzinte, e fyellit nuk i kishte rënë dot...
***
Gjatë rrugës së kthimit, në autobuz, mbase edhe për shkak se ky i flamosur e zuri pak, në një si pikëpjekje (padashur) me Sherifin, atij djali prapë i ra të fikët. Kishte qenë një turne i mundimshëm. Kështu do të rrëfente dikush kur të mbërrinin në qytet. Në një mbrëmje qorre, pa drita...