Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Legjendat, baladat, motërzimet
E merkure, 23.07.2014, 07:10 PM
LEGJENDAT DHE BALADAT,
MOTËRZIMET DHE NGJASHMËRITË
Në këngët popullore të Çamërisë
Esse nga Prof. Dr. Resmi Osmani
Në pasurinë e krijimtarisë folklorike të popullit tonë, ka legjenda e balada me bukuri të rrallë, në hapësirën mbarëshqiptare dhe ngulimet e mërgatës së hershme, por edhe krahinore, me motërzime, ndryshime e ngjashmëri , shqyrtimi i veçorive të secilës prej tyre, është me interes për folkloristikën tonë, si pjesë e jetës dhe historisë kombëtare, por dhe krahinore. Ndër to më të spikatura janë ato të flijimit, mbajtjes së fjalës së dhënë dhe të rinjohjes. Të trija këto subjekte, me motërzime, ngjashmëri dhe ndryshime krahinore pasqyrohen edhe në këngët popullore të Çamërisë.
Legjenda e murimit ose e flijimit. Është e njohur në tërë vendet e Ballkanit. Në Shqiptarët, është e pranishme në krijimtarinë gojore të thuajse çdo krahine. Më e njohura dhe e kënduara nga rapsodët është ajo e Rozafës, e murimit në themelet e kështjellës e nuses së re, si fli që kështjella të qëndronte. Për këtë legjendë ka boll studime e trajtesa të thelluara, ky nuk është synimi im, por evidentimi i veçorive krahinore dhe tipologjike, si pasuri mbarshqiptare. Në Çamëri, kemi tri motërzime të kësaj legjende: njëra për kalanë e Prevezës dhe dy për urën e Nartës. Në të trija subjekti është i njëjtë: murimi, flijimi i një nuseje të re, të njerit prej mjeshtrave ndërtues në themel të kështjellës apo këmbën e urës që ngrhina të qëndrojë.
Në të trija këto motërzime, në krahasim me ato të krahinave të tjera, janë të qënësishme veçori dhe ngulime krahinore, dallime në ndodhjen e ngjarjes, ngjyresa foljore e stilistikore dialektore dhe veshje me petkun mistiko-legjendar që i ngul rrënjët e tyre thellë në histori. Si të tilla, ato nuk janë thjesht një mbartje nga krahina apo vende të tjera, por krijim i mirfilltë krahinor-çam, mbi një ngjarje të njohur apo të dëgjuar, si interpretim i një tradite të lashtë legjendaro-zakonore.
Për dëshmi lashtësie të legjendës, duhen veçuar
objektet ku bëhet murimi. Kështjella e Prevezës, është ngritur nga Pirrua, kur
ndërtoi qytetin me emrin Berenise, në shekullin e tretë p.e.r. Ura e
Nartës(Artës) mbi lumin e Gliqisë, lidh këtë qytet me pjesën tjetër të
Çamërisë. Edhe Arta, ka qënë kryeqytet i Pirros. Ja disa ndryshime në motërzimin
çam të legjendës së flijimit në kështjellë nga stereotipi i njohur: për
ngritjen e kështjellës: Di ustallarë e dizet pëntorë, / një kala Prevezës I
ndërtojnë. / Tre vjet kanë që ata pënojnë. / Tërë ditën ata po pënojnë, / tërë
natën kalaja rrëzohet. Punojnë dy mjeshtra ( Jo tre). Ata nuk janë
vëllezër. Kanë dyzet puntorë. Kërkesa
për flijimin e nuses, nuk vjen nga plaku i urtë, si në rastin e Rozafës, por
nga Zoti, me një zog që fluturon nga
Të dy mjeshtrat e ruajtën të fshehtën, nuk u treguan grave. U flijua e para që shkoi e u çoi ushqimin. Kurthi për ta zbritur nusen te themelet është gjoja rënia e unazës së burrit nga gishti, nusja zbret që ta marrë dhe aty e mbulojnë me gurë.Dhe sapo në themel nusa hiri,/ që të marrë të shkretën ognazë/ atë kur ognazën ish duke gjuar, / ustallarët me gurë e mbëluan,/ Dhe nusa hjimën dikue rëkuar, / shpirti i nuses ne Zoti na shkoi…. Në këtë legjendë nusja nuk le porosi. Edhe pse flijim,ky ishte një krim dhe krimi I parë u ndoq nga i dyti. Pas një zënke rivaliteti, njeri nga mjeshtrat, deshi që në qemer të portës të shkruhej vetëm emri i tij si ndërtues i kalasë, por në përpjekje për ta hedhur shokun nga muret ranë të dy dhe vdiqën. Në hallazmë mbiu një garrufale: / pranë saj na mbiu edhe një ferrë,/ Garrufaleja kle shoku i pafal,/ dhe ferra shoku falëtuar…..Garrufalenë të gjithë e lëvdojnë,/ ferrën shtrigë të gjithë e mallëkojnë.
Ura e Nartës ka dy motërzime. I pari është disi arkaik e artistikisht më pak i goditur, mesa duket është më i hershëm. Motërzimi i dytë edhe pse me të njëjtën përmbajtje , është më i qëlluar artistikisht dhe më afër stereotipit të njohur , por ka këto dallime: mjeshtrat ndërtues janë tre vllezër, ata përmenden me emra, Pani, Miha dhe Kiçi, me mbiemrin Guri, që i përshtatet mjeshtërisë së tyre. Këtë se gjejmë te Rozafa. Mjeshtrat janë nga Lluri, qytet i vogël pranë Artës. Urën e nartës ndërtojmë, / ditë e natë nuk pëshojmë, / dot në këmbë se qëndrojmë. / Urë moj urë e mallëkuar,ç’fal të kemi ja na thuaj? Plaku i mençur u thotë: se ura s’qëndron dot, / pa vënë një shpirt në botë… i këshillon që të ruajnë të fshehtën dhe tok me nusen e re të flijohen edhe një dash dhe një dem i zi.Dy nga vllezërit se mbajtën fjalën. Për ta zbritur nusen te themelet përdoret sebepi i rënies së unazës. Kur ajo zbret që të gjejë unazën e mbulojnë me gurë. Nusja me fjalë kundërshton, dhe mallkon urën: o moj urë, e zeza urë, / kur të shkojnë të sëmurë, / të dridhesh si dridhem unë. Por kur e sheh që s’ka shpëtim le amanetin burrit dhe të kunetërve: burrë do të them një fjalë, / jamanet të zinë djalë, / kutu nek do vihem unë/ do bijë një fik I bardhë, / kur të bijë kokrrën e parë/t’ia jipni djalit t’e hajë. / Jamanet dhe ju kunetë, / gjoksin të me lini jashtë. Gjoksin jashtë ja kanë lënë,/ rrodhi një krua I ergjëndtë, / djalin e rritte e madhonte,/ të sëmurët i shëronte.
Kënga mbyllet me vargjet: Ura e Nartës mre qëndron dhe sot / dhe nga njerzit bi të kur kalojnë,/ po dëgjohet demi që pëllet, po dëgjohet dashi që bërtet, / zëri I nuses që thotë “oh, medet!”
Mbajtja e fjalës së dhënë. Edhe kjo baladë është e gjëndshme në mbarë shqiptarët, te arbëreshët dhe arvanitasit. Ka motërzime në veri dhe në jug të vendit. Në veri njihet si kënga e Halil Garrisë. Gjetk ka emrin e vajzës, e cila quhet Doruntinë,Garentinë, Dhoqinë, kurse vëllai, në të gjitha motërzimet quhet Kostandin. Pa dashur që të rrëfejmë përmbajtjen, që Kostandini, për të mbajtur fjalën e dhënë, ngrihet nga varri për të sjellë të motrën nga shtatë dit mërguar,se besojmë është e njohur nga lexuesi. Vetëm do të vemë në dukje disa dallime. Në motërzimin çam gjenden këto ndryshime: nëntë djemtë, vllezërit e Dhoqinës, nuk vdesin të helmuar, por vriten në luftë.
Këtu është me interes të vihet në dukje se në aspektin kohoro-historik, ngjarja ka ndodhur para islamizimit të një pjese të popullsisë. Djemtë që kënga I quan “Trima të tërbuar” me Moskov luftuan, bëhet fjalë afërsisht për luftërat ruso-turke. Por për cilën vështirë të thuhet se janë njëmbëdhjetë të tilla duke nisur nga viti 1568. Element tjetër është se ata kanë qenë në luftë, kur ishin në përdorim armët e zjarrit, pushka. Kostandini , kur e pyet Dhoqina pse krahët e tij vijnë erë të rëndë, i thotë: Se në luftë që kam klënë, / tim dufeqi mi ka bënë. Balada mbyllet me vargjet: Hapi derën nana e mjerë, / njera në prak dhe tjetra në derë,/ /që të dija vdijnë përnjëherë.
Në fshatrat e Çamërisë plakat kur mallkonin ndonjë vajzë, i thoshin :”Paç fatin e Dhoqinës”
Balada e Rexhepit, ose e Rexhës. Është një baladë epike e dhimbshme. Ditën e martesës, Rexhën, vëllanë e vetëm të gjashtë motrave,nipin e gjashtë hallave e vret kali në grazhd. Dasma kthehet në mort. Kjo baladë është bërë e famshme pasi u këndua nga këngëtarë të shquar: Nexhmie Pagarusha, Qamili i Vogël, Valbona Mema etj. Ka mendime se vendndodhja e saj është në veri,në Kosovën Lindore. Pa dashur ti hyj këtij diskursi, do të vë në dukje sesi është motërzimi i saj çam.
Ngjarja vendoset në Përmet, por si e thurur në
Çamëri ka gjithë ngjyresat etnografike dhe stilistikore të krahinës. Rexhepi
është djalë nga një familje e kamur,aristokrate. Pasi kënga
Balada, me përshkrimin elegjik të asaj që ishte si një rrufe në të kthiellët, që e ktheu dasmën në mort, me situatat e papritura, pikëllimit të nënës, vajit të nuses dhe motrave me dhimbjen e thellë, mbart një ngarkesë të fortë emocionale njerzore për humbjen e djalit të vetëm.
Rinjohja.Ka disa këngë me këtë temë, por më e njohura është ajo e ymer Agë Ulqinit. Në Çamëri është motërzimi “Imer Agai kur u Martua” e cila fillon me vargjet: Imer Agai kur u martua./ një natë vetëm ndënji me grua, / Ditën tjetër e foli mbreti, / Dhe la gruan në shtëpi,/ vate të bijë ushtrinë.Ushtria për nëntë vjet….mesa duket, Imer Agai, është një spahi apo timarli vendës i pasur, që e ka detyrim shërbimin ndaj sovranit të tij. Dëshmi për këtë është veç titullit Aga, edhe martesa e dytë e së shoqes me një pasha.
Ndryshe nga varianti ulqinak, në të nuk thuhet sesa
do ta priste nusja dhe se ku e bënte ushtrinë Imer Agai. Gjithashtu nuk thuhet
se ai ka rënë rob te një mbret i huaj, por kjo lihet të kuptohet vetëm me një
rresht. Ka disa elementë të diskutueshëm: thuhet se e thirri mbreti.
Pjesa tjetër nuk dallohet për ndonjë veçanti: Imer Agai tregon shenjat e trupit dhe nusja, që quhet Mine, njeh të shoqin dhe kënga mbyllet me fund të lumtur: Udha e mbarë, o krushq bularë, / se u njoha burrin e parë, / fal me shëndet bëni nanesë, / se i erdhi burri Minesë, / Fal me shëndet bëni Pashësë, / se i erdhi burri vashësë….
* * *
Në këto katër esse për këngët popullore të Çamërisë, vetëm sa është gërvishur syprina e kësaj pasurie me vlera të shumanshme. Mbetet që studjues të tjerë të kualifikuar dhe njohës të mirë të folkloristikës, të evidentojnë vlerat e plota të këtij thesari kulturor.
Le të shpresojmë.