Kulturë
Resmi Osmani: E diela pasdite
E hene, 05.05.2014, 06:44 PM
E DIELA
Triptik
Tregim nga Resmi Osmani
Fund shtatori.Ndjehej freskia e vjeshtës.Shëtitorja e liqenit gëlonte nga njerëzia që ishin kthyer nga pushimet e verës,të bronzuar e plot gjalleri. Dukej se më të gëzuar ishin qentë dhe qenushët. Inxhinier Dibra me zonjën, të dy pensionistë, pasi bënë ritualin e zakonshëm të ecejakeve për të shkrifur trupin, u kthyen te lokali ne fillim te diges, buzë liqenit për të pirë kafen e pasditës. Tryezat ishin zënë të gjitha. Djali i shërbimit që i kishte klientë të përditshëm, u gjeti një tryezë në të majtë, fare në fund. U ulën. Përballë ishte liqeni i mpakur, dhe në bregun matanë vilat dhe pallatet që po e gëlltisnin kodrën e pyllëzuar. Në pritje të kafeve ishin të heshtur e të mërzitur. Fëmijëve s’u ecnin punët mirë, por ata veç këshillave, (por qw edhe ato nuk ua dëgjonin) s’kishin me se ti ndihmonin tjetër. Kohë të vështira.
Pranë tyre, ishte një tryezë me katër mesogra , që gjerbnin kafen dhe fjaloseshin me aq zë, sa biseda dëgjohej e gjitha. Në fillim ,inxhinieri nuk u kushtoi vëmendje, por pastaj e tërhoqi mënyra sesi i rrëfenin ato që thoshin.
* * *
-Motra, -
hapi sqepin një bjonde e shplarë me syze qelqetrashë- ishim me Vason dhjetë dit
në ishujt Kanarie. Por ç’tu them më parë për atë mrekulli, për atë parajsë mbi
tokë! Mu mbush mendja që rrojmë në një vënd koti dhe bëjmë jetë koti.-Tha ajo
duke këngëzuar si kanarinë e duke psherëtirë .-
Bashkë me Vason, kemi mall e gjë sa të duash, të fituara e të
trashëguara, kur i thonë lekët me
lopatë, por ç’i do? Mirë thonë:paratë
s’i ha as qeni! Ah, më mirë të mos kisha shkuar në atë mrekulli parajsore, se më është ngritur e shkreta mendje. Eh, ta
shihje oqeanin, sa madhështor dallgëlartë shkumëbardhë, që i sulej bregut, mbi
to rrëshqisnin si peshq serfistët.Pse det është ky yni moj xhane? Ngjan si
pellgaçe dhe uji buzëbregut si supë, det i thënçin. Lere pastaj plazhi, i
pastër i pastër dritë, me rërë të bardhë si sheqer. Koriet e palmave dhe
bananeve, një bukuri më vete ku këndonin kanarinat, që ishin me mijëra. Edhe
dielli, tjetër diell: rrezear. Edhe qielli tjetër qiell: i lartë, i kialtër, pa
një re. Le pastaj netët: yjet ndrinin atje lart me dritë të artë, po të ndeje
dorën të dukej se do ti prekje.
Rrojmë kot,fare kot!
-Ç‘ti bësh,-vërejti njera nga gratë,-ky vend na ra në pjesë
* * *
Pati një heshtje të shkurtër.
-Na thoni ndonjë gjë , moj gra, se për muhabet jemi mbledhur.
Njëra nga gratë, tipare trashë, gushëvarur, që tualeti nuk arrinte ti fshihte rrudhat dhe poret e lëkurës, me një hundë që në majë I shtrembërohej si tryelë, nisi të fliste, me zë të plotë e të ngjirrur. Ngaqë ishte duke tymosur cigare, fjalët i dilnin të mbështjella me tym duhani e tingull pak hundor.
-Dëgjoni
moj gra, atë që kam hequr parmbremë t’ia tregoj dhe natës së varrit. Afër
mesnatës na u sëmur Xhixhi. Nisi të rënkonte sa të këpuste shpirtin dhe nga
sytë i rridhnin lote. Përpëlitej dhe u mblodh e u bë një grusht nga dhimbjet e
barkut. Dridhej nga temperatura, nuk gjente qetësi. S’i kishte ndodhur
asnjëherë tjetër. Na shihte në sy me përdëllim që ti gjenim shërim. Sokrati u
shqetësua së tepërmi. Ishte një gjendje që nuk durohej. E kemi të vetëm dhe e
shohim në dritë të syrit. Larg qoftë,nuk thonë kot: filli këputet atje ku është
më i hollë! Mori numuratorin e
telefonave dhe kërkonte mjekun. Bëri disa telefonata por askush nuk përgjigjej.
U vesh, ndezi makinën dhe u
Zonja psherëtiu dhe gjerbi një hurbë kafeje.
Atypari, u afrua një i ri me një qen – ujk me hundëz,që e mbante nga rripi. Që posht tryezës së zonjave doli një qenush i bardhë,kaçurrel që kushedi pse, nisi t’i lehte egërsisht sivëllait të tij i cili as që i hodhi sytë.
E zonja i tërhoqi rripin dhe i tha me atë zërin hundor e të ngjirrur:
-Urt Xhixhi! Ç’të hipi të trimërohesh?
Xhixhi u bind dhe u strehua sërish te këmbët e së zonjës poshtë tryezës.
* * *
-Vali, po ju ku I kaluat pushimet?-cicëroi kanarina.
-Nuk shkuam kurkund. Me këtë rritje çmimesh, nuk na e mban xhepi. Kohë të vështira,por ka keq e mos më keq. Këtu jam por gjetk e kam mendjen. Në oborr të pallatit tonë, që ështe i vjetër, se nga çatisi dhe ngriti në një cep të lirë një barake një familje e ardhur nga Prrenjasi. Ç’bje jashtë u hyn brenda. Burri është invalid i dëmtuar në minierë. Lëviz në karrocë me rrota. I alkolizuar dhe sherrmadh. Se ndan shishen e rakisë. Eshoqja punon diku pjatalarëse. Ikën që me natë dhe kthehet po me natë. Kanë një djalë emigrant në Zvicër. E kanë kapur me drogë dhe e kanë rrasur në burg. Barakes i vjen rrotull vajza, rreth të pesëmbëdhjetave. E bukur pikë. Nuk shkon në shkollë. Kam frikë se do të përfundojë keq. I ati, kur I mbarohet pija, bëhet bishë, ka dorë dhe është i dhunshëm. E përze nga shtëpia dhe i thotë të mos kthehet pa lekë. Ajo kërkon kanoçe nëpër kazanët e të fshirave, por aq e bukur sa është ia kam frikën mos shket. I ndihmojmë sa mundim, u shpiem edhe ndonjë pjatë gjellë, rrobe të përdorura e çna gjendet, por kjo nuk është zgjidhja. Nuk shtyhet jeta me bamirësi. Ka dit që po merrem për tu nxjerr një ndihmë ekonomike, të paktën tua lehtësojmë pak barrën e jetës.
E ç’tu them, ka keq e mos më keq. Duam apo s’duam merremi për ditë me ta, sa herë plas sherri dhe grindja gjendemi aty……
Ky rrëfim,u duk se i vuri kapak bisedës.
Zonjat u ngritën. Xhixhi lehte për qef të vet.
Edhe çifti Dibra, që i kishte dëgjuar të gjitha, paguan kafet dhe u ngritën.
Zonja Bule i tha të shoqit:
-Ku dreqin vajtëme u ulëm pranë tyre. Mi bënë nervat shkop dhe zemrën baltë. Kjo e diel pasdite shkoi për dreq! Boll me qejfet dhe dhembkat e botës. Ikim, të paktën të shohim telenovelat e të harrohemi ca kohë.