E diele, 10.11.2024, 05:59 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Isuf Spahiu: Para dhe pas 5 Majit

E hene, 19.05.2014, 05:52 PM


Para dhe pas 5 Majit

Nga Isuf Spahiu

Në çdo 5 maj, të gjithë nxitojnë të nderojnë kujtimin  e të rënëve të luftës. Drejtuesit e politikës flasin e ‘përbetohen’ para memorialeve. Pas tyre qendrojnë armata e të ashtuquajturve: ‘analistë’ e ‘historianë’ të cilët mbushin ekranet e televizioneve, duke i deformuar ata, me  zverqet e dhjamosur dhe fytyrat e mbuluara me maskat e shërbëtorëve. Edhe gazetat shkruajnë në mënyrë selektive ndonjë shkrim të kursyer për emra tepër të veçantë, më shumë në shërbim të marketingut mediatik.  Dhe kjo ndodh vetëm në datën 5 të muajit maj të çdo viti. Po para datës 5 apo pas saj, dëshmorët pushojnë së qëni martirë të atdheut? Ç’bëhet me kujtimin dhe në nderim të gjakut të tyre të derdhur? Po me familjet qe ata lane pas? E dini që ka shumë prej tyre, të cilat i kanë dhënë edhe nga dy bij, në kohët e vështira të pushtimit dhe s’u përmëndet emri   asnjëherë dhe asgjëkund? Askush prej të privilegjuarve të pushtetit dhe politikës nuk shkojnë për të pirë një kafe, qoftë edhe të hidhur, në pragjet e shtëpive të tyre, të cilat, ata i morën me vete në botën e ëndrrave. E dini që ka shumë dëshmorë, të rreshtuarit e djeshëm të brigadave partizane me misionin fisnik të mësuesit në ato vite të vështira sakrificash, dhe në shkollat që mbajnë emrat e tyre sot nuk ulet asnjë nxënës? Trishtuese, por e vërtetë, sepse kështu është katandisur arsimi shqiptar. Ka edhe më keq. E dini që dëshmori Beqir Spahiu, kujtimi i të cilit më nxiti për të shkruar këto rreshta, ka hapur jo një, por disa shkolla; në Kukës, Gjakovë, Prizren etj, emrin e tij se mban asnjëra prej tyre? Atherë, për çfarë nderimi bëhet fjalë në ditën e tyre përkujtimore? Po mirë, po me fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre, trashëgimtarë të këtij gjaku fisnik, çfarë kërkon të realizojë shteti dhe pushtetmbajtësit e tij me indiferencën dhe shpëfilljen e dukshme e të mishëruar ende? Për ata s’ka vënde pune në administratën shtetërore, madje largohen nëse i konstatojnë, s’ka ndihma ekonomike, s’ka përkrahje sociale. Ja pra, gjaku dhe idealet e të rënëve u tradhëtuan, fillimisht nga komandantët dhe komisarët e rreshtave partizane, të cilët mbetën gjallë dhe u ulën në kolltukët e pasluftes, ndërsa më vonë nga pinjollët e këtyre të fundit. Mirëpo gjaku s’a ngyrime politike, ka vetëm aromë atdhetarie, apo jo?

Pikërisht, këto meditoja ndërsa ju  bëj me dije një histori tronditëse, një vrasje të realizuar në Prizren më 6.5.1943.

Pas 28 nëntorit 1944-1945 në Kukës u krijua komisioni i hetimit të kriminelëve të luftës. Komisione të tilla u krijuan në të gjitha qarqet e Shqipërisë.Konkretisht, në Kukës, komisioni përbëhej nga:

Rexhep Mborja – kryetar /Abedin Shehu – përfaqësues i K.N.Ç. të prefekturës /Persifoni Musa – përfaqësuese e gruas/ Ajdin Bajraktari – përfaqësues i ushtrisë /Gafurr Korça – përfaqësues i ushtrisë /Qetsor Kaftani – përfaqësues i rinisë /Mahmut Xhema – përfaqësues i Frontit. Disa herë Abedin Shehu zëvendësohej nga Zylfi Saliu, me detyrë në asistencën sociale Kukës dhe Ajdin Bajraktari zëvendësohet nga Gafurr Korça.U krijua kështu Dosja 9979 A (zyrtare)/viti 1945, 152 fletë /Komisioni hetimor për krimet e kriminelëve të Luftës – Kukësit-Nr. 15.Të pandehurit ishin: Ismail Destan Hoxha – i arratisur/Ali Xhem Gjana – i burgosur/Sul Prrenjasi, nga katundi  Marjan i Pogradecit – i arratisur.Vendi i të arratisurve nuk është dokumentuar. Akuza: Pse kanë vra Beqir Spahiun, me datë 6-V-1943. Dërgohet kopja komisionit qendror.Komisione të tilla ishin krijuar në Tiranë dhe në të gjithë qarqet dhe rrethet e Shqipërisë. Ky komision punën e vet e kishte ndarë në tri pjesë:1-Persona të arratisur jashtë shtetit ose që qëndrojnë në male. 2-Persona që kanë bashkëpunuar me okupatorin. 3-Dëshmitarë që vërtetojnë punën armiqësore të akuzuarve. Në listën e parë bënin pjesë: Nik Sokol Çuni/ Tahir Kolgjini/Xhafer Deva/  Gjon Gjeto Vokri/ Rexhep M.Krasniqi/Asllan Zeneli/ Tahir Zajmi/Gjon Marka Ndoi/ Xhem Sadri Biberaj/ Halit Osmani/ Tahir Hajdari               /Liman Peposhi/Zef Marka Gjoka            /Haziz Fetahu/ Ismail Destani/ Marka Bib Vokri/ Sul Marian Prrenjasi/ Mark Zenel Ndreka   etj. Në listën e dytë bënin pjesë persona që kishin bashkëpunuar me okupatorin, si:Hasan Tosuni/Xhemali Jakupi/Ramadan Palushi/Mark Gjini/Ramadan Berami/Sheh Ali Bojdani/Sali Çarri/ Shaip Zita/ Ram Tërçuku/ Osman Lita/ Gani Shaqiri/ Ahmet Dema etj. Në listën e tretë bënin pjesë dëshmitarët, të cilët do të vërtetonin fajësinë e të akuzuarve. Komisioni i hetimit të kriminelëve të luftës luante rolin e prokurorisë, e cila lëshonte fletë arrestin dhe, pasi provonte fajësinë e përcillte për në gjykatë.Ja shkresa:

V.F.                                                                                                                                         L.P.

N prot. 10/10. Res.            Kukës   9/08/1945

Komisionit hetimor për krimet e luftës

Këtu

Përgjigje e shkresës nr. 15 datë 5/03/1945

Me anën e kësaj shkrese ju sillet për hetimet e rastit i pandehuri Ali Xhema nga katundi Ujmisht, i lagjes Malçene, të rajonit Bicaj.

Sa për tjetrin, Ismail Dostan Hoxha, që kërkohet me të sipërmen, ende nuk asht gjetë për t’u arrestue. Pasi të kapet, do të dërgohet.

Për komandën e Qarkut

Ajdin Bajraktari

d.v.

Komisioni hetimit për krimet e kriminelëve të luftës Kukësit

Nr.15

Të pandehun:1. Ismail Dostan Hoxha – në arrati/2. Ali Xhema – i lirë/3. Sul Prrenjasi nga katundi Marjan – Pogradec, i arratisun. Akuza: Pse kanë vra Beqir Spahiun me 6/05/1943

I dërgohet komisionit Qendror. Hetimi: U thirr Abedin Shehu (më vonë ministër).1-Para komisionit të sipërm u thirr duke u prezantuar si dëshmitar Abedin Shehu, vjeç 27, nga Bicaj e banues në Kukës, komisar i Këshillit të Qarkut, i cili deklaroi se ka ardhë me dëshmue si dëshmitar mbi dijeninë që ka rreth vrasjes së Beqir Spahiut. (P.P) Unë di, me sa kam ndigjue prej Xhavit Nimanit, i cili e di ngjarjen krejtësisht se, Beqir Spahiun e ka vrarë Ismail Dostan Hoxha dhe ky i shtyrë prej Dr. Çiritës, Inspektor Federal i Prizrenit, Beqir Malokut, Tahir Kolgjinit, Asllan Zenelit e Sherif Litës dhe vrasja e tij ka ndodhë për shkaqe politike, mbasi Beqiri ka bërë pjesë në Këshillin N.Çl. të Prizrenit. Vrasjen e ka kryer Ismaili për t’u konsiderue kjo si hakmarrje, mbasi Beqiri me familjen kanë qenë hasëm qysh në lëvizjen e Fa Nolit me 1924, ku nga një përpjekje që është bërë midis partive të atëhershme mbeti i vrarë babai i Ismailit. Di, gjithashtu, se para vrasjes, Beqir Spahiu me Ismailin rrinin bashkë e kishin luajtur shpeshherë me domino, mbasi janë mes tyne, nip e daje; kaq di. 2-Zylfi Saliu: Para komisionit të hetimit u paraqit Zylfi Salihi, nga Shtiqni, qëndrues në Kukës, përgjegjës i asistencës sociale dhe anëtar i këtij komisioni: P.P. Beqir Spahiu është vra nga Ismail Dostan Hoxha. Kjo vrasje sipas shpjegimeve të Xhavit Nimanit dhe Elami Nimanit është bërë për qëllime politike, tue qenë i shtymë prej dr. Çeritës, Tahir Kolgjinit, Beqir Malokut, ASLLAN Zenelit, për shkak se Beqiri ishte antifashist dhe bënte pjesë në organizatën N. Çl. të atjeshme, tue i dhënë asaj të gjitha informatat që mund të merrte nga autoritetet e vendit, si inspektor i arsimit, që ishte. Të njëjtën gjë më ka thënë Eliami Nimani, ish-anëtar i KQ PKSH., themeluar me 8 nëntor 1941, i cili ishte shok i ngushtë me Beqir Spahiun. Në kohën e vrasjes së Beqir Spahiut, Eliami Nimani kishte qenë në burg. Thuhet se Beqir Spahiu ka qenë fis me Ismail Dostan Hoxhën. Kaq kisha për të dëshmue. Autori i këtyre rreshtave mendon se nuk ka mundësi që Tahir Kolgjini të ketë pasë gisht në vrasjen e Beqir Spahiut, meqë ai i ka hequr flokët e djalit të vëllait Beqirit – famull, ndërsa Asllan Zeneli ka qenë nip i fisit Spahiu.

3. Para komisionit hetimor të kriminelëve të luftës u prezantua Ali Xhem Gjana, dhe nga deponimet e tij para këtij komisioni, rezulton se me datë 6/05/1943, në Prizren dhe pikërisht në vendin “Saraçhane”, nga të shtëna revolveri, ka ngelë i vramë Beqir Spahiu, nga Kolesjani, anëtar i organizatës N.Çl të atij qyteti. Ngjarja është zhvilluar kështu: Ismail Hoxha, polic i kuesturës dhe Beqir Maloku, Asllan Zeneli etj., në interes të okupatorit, mbasi mori me vete edhe një polic tjetër, Sul Prrenjasi, të cilit ikishte thënë: “Kam urdhër me kapë një komunist”, - që të dy me uniformë, dolën në treg dhe kur arrijnë në “Saraçhane”, Ismaili dikton Beqirin, nxjerr revolen dhe shtin kundër tij, tue lanë të vdekur dhe mandej arratiset. Vrasja është bërë vetëm e vetëm në favor të okupatorit, i shtymë nga fashistët e treguem. Shton se Ismail Hoxha bënte pjesë në skuadrën e policisë politike pranë Kuesturës. Unë shpesh e shoqëroja Beqirin natën, kur shkonte për të dhënë informacione a mbledhje, sepse ai nuk e dinte parullën e Kuesturës. Kur u largova për shtëpi, sekretari i zyrës sekrete më tha: “Jepi prej meje një kafe Ismail Dostan Hoxhës, sepse ka eliminuar një komunist të rrezikshëm”. 4.Para komisionit të formuar ma sipër u prezantua Xhafer Shema, vj.52 banues bë Shtiqën, i cili deklaron se ka ardhë si dëshmitar në dijeni të vrasjes së Beqir Spahiut: Beqir Spahiun e ka vra Ismail Hoxha, prej Ujmishti, i shtymë prej dr. Çiritës, Hafuz Tahirit, Asllan Zenelit dhe është vra për arsye politike, mbasi një muaj a dy muaj para, është bërë një demonstratë në Prizren dhe këto thoshin e ka shkaktue Beqiri, mbasi ky bënte pjesë edhe në Këshillin N.Çl. të vendit. (Kjo kombinon me shkresën Nr. 5640 të komandës italiane drejtuar Tiranës dhe shkruar nga gjeneral komandanti Silvio Robino).

Para komisionit të mësipërm u prezantua Rexhep Mahmuti, vj.40, banues në Kukës, kryetar i Këshillit N.Çl.krahinor, i cili deklaron se ka ardhë me dëshmuar rreth vrasjes së Beqir Spahiut. Ai dëshmoi se Beqir Spahiu është vrarë me 1943, dhe pikërisht ditën e Shëngjergjit, nga Ismail Dostan Hoxha, nga Ujmishti, në Prizren, i cili ka qenë vrasësi agjent i kuesturës dhe i veshur me uniformën e saj. Unë vetë kam ndodhur në Kukës dhe, me të marrë vesh, jam interesuar dhe e di se Ismaili në kohën e ngjarjes ka pasë me vete edhe një polic tjetër nga jugu,  emrin  nuk ia di, por ky nuk ka pasë dijeni që Ismaili do të vrasë Beqirin dhe, kur ka nxjerrë armën, ka mbetë si i hutuar. Polici në fjalë ka shkue me Ismailin, mbasi ky i ka thënë: Eja me mua se kemi urdhër të kapim një komunist. Kam marrë vesh se shkaku i vrasjes ka rrjedhur për shkaqe politike, vrasësi ka qenë i shtymë prej dr. Çeritës, në atë kohë fderal i Prizrenit, prej Tahir Kolgjinit, prej Beqir Malokut dhe prej Asllan Zenelit. Për Ali Gjanën kam ndigju se nuk kishte dijeni, meqë Beqir Spahiu ishte kundra okupatorit italian dhe i lidhun me Këshillin Nacionalçlirimtar të Prizrenit. Shtytësit e sipërshënuar ngarkuan për kryerjen e krimit, Ismail Hoxhën, për arsye se gjoja Ismaili kishte për të marrë hak, prej familjes së Beqirit, pasi në kohën e lëvizjes së Fan Nolit, në një përpjekje që është bërë në mes Partisë së Zogut dhe të Fan Nolit, ka mbetë i vramë baba i Ismail Hoxhës, Dostan Hoxha.

Kukës 10/5/1945.

Ismail Dostan Hoxha, mbasi paguhet si vrasës me pagesë nga fashistët italianë arratiset në Maqedoni, ku gjatë viteve 1943-1944 lufton me armë në dorë kundër forcave partizane. Në një llogore me të vritet Izet Debërdolli. Armiqtë kishin besim tek Ismail Hoxha, se sipas opinionit, ai kishte vra nji komunist, Beqir Spahiun. Vëllai i tij, Sinan Hoxha, ishte vra në Berat, duke luftuar kundër forcave partizane, daja i tij ishte toger i milicisë fashiste, babai i tij ishte vrarë kundër forcave fanoliste etj., prandaj ai ishte i lidhur me fashizmin kokë e këmbë. Dihej publikisht se Beqir Spahiu ishte i lidhur me Emin Durakun, të cilin e kishte pasë nxënës në Gjimnazin e Tiranës, Xhevdet Dodën, i cili ishte anëtar i grupit komunist të Korçës, dhe iniciator i themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, kishte shokë të ngushtë Eliami Nimanin, Muhamet Aruçin, Abaz Shehun, Meriman Braha, që ishin të krahut të majtë, por ai kishte lidhje edhe me Kol Margjinin, Kudret Kokoshin, Eqrem Telhajn, sheh Hasanin, Halim Spahinë, sheh Zaden, Bedri Pejanin etj. të krahut të djathtë. Ai ishte atdhetar i vërtetë dhe nuk distancohej as nga krahu i majtë, as nga krahu i djathtë. Për të mjaftonte që shokët e zgjedhur të ishin antifashistë dhe atdhetarë.

Në vitin 1945 Ismail Dostan Hoxha mbeti në mal dhe përfshihet në listën e kriminelëve. Nga mesi i vitit 1945 i dorëzohet Aqif Lleshit. Ky e çon te Haxhi Lleshi, se gjoja ndiqej, me pushtet nga Spahiet.

Haxhi Lleshi ishte ministër i P. Brendshme në vitet 1945-1946. Ismail Hoxhën e përfshinë në Sigurimin e Shtetit, me pseudonimin “Vula”. Muharrem Bajraktari, në vitet ‘45-‘46 ishte në mal. Ai po i nxirrte shumë punë shtetit shqiptar. Sigurimi i shtetit mendon ta infiltrojë Ismail Dostanin në bandën e Muharrem Bajraktarit, ashtu siç bëri me Pal Mëlyshin. Ismaili paraqitet te Muharrem Bajraktari në Tejdrine, te Sulejman Ademi dhe kërkon të përfshihet në radhët e tij. Muharrem Bajraktari nuk e pranon, duke i thënë: “Ti ke lyer duart me gjakun e Beqir Spahisë, që ishte lulja e arsimit dhe kulturës kombëtare shqiptare”. Ismail Dostan Hoxha vepron në drejtime të tjera. Vritet më 1951 për motive të dobëta. Vrasësin e tij, Haxhi Gjana, e pushkatojnë pa gjyq, siç u pushkatuan 21 veta të bombës së hedhur në ambasadën sovjetike. Unë në vitin 1970 i bëra një letër Enver Hoxhës. Për këtë letër Sigurimi i Shtetit krijoi dosjen 443/16. U mor në analizë çështja e Beqir Spahiut. Pretendimet e Isuf Spahiut u vërtetuan plotësisht. Ismail Dostan Hoxha në vitin 1963 ishte shpallë dëshmor i Sigurimit të Shtetit. Iu hoq ky titull në vitin 1972. (Shih artikullin te gazeta “Fjala e lirë”). Ishte koha kur tradhtarët bëheshin dëshmorë dhe dëshmorët bëheshin tradhtarë. Beqir Spahiu u shpall dëshmor nga Partia Socialiste, me dekret nr. 27, datë 4 maj 2004, duke rregulluar një nga gabimet fatale të Sigurimit të Shtetit. (“Fjala e lirë” – Isuf Spahiu). Duke përfunduar, kam një mesazh për maxhorancën, me rastin e 5 Majit, ditës së dëshmorëve: “Kujdes me të përndjekurit politikë dhe me pjesëtarët e familjes së dëshmorëve, mos cenoni plagët e tyre se janë plagë shumë të ndjeshme e të dhimbshme, acarohen shpejt”.

Më thotë vajza ime, Blerina Elezi (Spahiu), e cila është hequr nga puna në Hipotekë nga drejtori Ilir Muho, së bashku me shumë të tjerë: “Ç’kanë me mua?! Unë nuk jam në asnjë parti politike, masterin e juridikut e mbarova me notën 10; në punë isha korrekte dhe e pakorruptuar”.I përgjigjem: “Po lajnë gjynahet e babait tënd, moj vajza ime, sepse jam një ndër themeluesit e degës së PD në Kukës qysh më 5 janar 1991, duke dhënë një kontribut modest në rrëzimin e diktaturës komuniste”. Historia përsëritet, herë si tragjedi e herë si komedi. Kjo s’eshte vetëm mënçuria që të sjellin vitet e moshës, atherë kur flasin me shumë thinjat e rralluara apo rrudhat e ballit, por edhe mendimi filozofik i të tjerëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora