Shtesë » Historia
Masakra e Manastirit - 1830
E diele, 13.10.2013, 04:06 PM
Serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pasha, për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundër sundimit turk në jug organizoi një masakër çnjerëzore më dt. 30 korrik 1830. Ai thirri në Manastir krerët e Toskërisë kinse për t'ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke, ose për t'i nderuar me nishana për shërbimet që i kishin sjellë sulltanit. Në çastin kur po zhvilloheshin ceremonitë ushtarake, një batare pushkësh shtriu përdhe më se 500 vetë nga të ftuarit. Kokat e tyre i dërguan në Stamboll si një fitore e madhe e armëve turke. Duke përfituar nga largimi i ushtrive turke në frontin rus në Shqipëri oxhaqet e feudale dhe derebejtë me repartet e tyre si dhe bandat e hajdutëve kishin gjetur fushë të lirë veprimi. Anarkia në të cilën qe zhytur Shqipëria arriti kulmin në vitet 1828-1829. Repartet e pakta të garnizoneve turke qenë mbyllur brënda kalave dhe mezi i bënin ballë sulmeve që kryenin kundër tyre bandat e armatosura të feudaleve shqiptarë. Funksionarët turq nuk guxonin të vilnin në Shqipëri asnjë taksë.
Më 1829, me
mbarimin e luftës ruso-turke, mori fund dhe çështja greke me njohjen e
pavarësisë së Greqisë. Porta e Lartë tani ia kushtoi vëmendjen rivendosjes së
autoritetit të saj në Shqipëri. Për këtë qëllim, në korrik të vitit 1830, nisi
Mehmet Reshit Pashën në krye të një ushtrie të madhe dhe moderne.
Sadriazemi turk
kishte një plan të caktuar veprimi. Ai mendonte të çfaroste me dinakëri
feudalët e mëdhej dhe derebejtë e pabindur shqiptarë që ishin pengesa kryesore
e centralizimlt të pushtetit otoman, dhe pastaj të fillonte ekspeditën për të
ndjekur e çfarosur kryengritësit dhe kundështarët që do të shpëtonin nga kurthi
i tij dinak, duke vendosur njëkohësisht administratën shtetërore turke.
Pasi arriti në
Manastir, ai ftoi, në gusht të vitit 1830 të paraqiteshin këtu të gjithë
feudalët dhe derebejtë e Toskërisë, kundërshtarë e të dyshimtë, për të marrë
gjoja shpërblimet e prapambetura, dekretet e faljes dhe të drejtat që u
takonin. Midis të ftuarve, rreth një mijë veta, qenë edhe Zylyftar Poda, Tafil
Buzi Çelo Picari, Zejnel Gjoleka, të cilët, bashkë me disa derebej dhe bejlerë
të tjerë, dyshuan ose u informuan për kurthin që ishte kurdisur dhe nuk u
paraqitën. Feudalët besnikë të Turqisë nuk u ftuan ose u lajmëruan nga vetë
sadriazemi të mos paraqiteshin.
Mehmet Reshit
Pasha kishte organizuar për të ftuarit në Manastir një pritje madhështore. Për
nder të tyre u zhvillua më 26 gusht 1830, një paradë ushtarake për t'u treguar
atyre ushtrinë e re turke të organizuar sipas sistemit evropian. Por ndërsa
parakalonin përpara mysafirëve, ushtarët përnjëherësh, sipas udhëzimeve, u
ndalën, u kthyen nga tribunat dhe filluan të qëllonin në befasi mbi feudalët
dhe derebejtë shqiptarë. Brenda pak minutave u çfarosën kështu me tradhëti më
tepër se 500 feudalë e derebej, kokat e të cilëve u dërguan në Stamboll. Në të
njëjtën kohë organizoi dhe Emin Pasha, biri i Mehmet Reshit Pashës, në Janinë
një kurth të tillë. Por këtu u çfaros vetëm një numër i vogël feudalësh e
derebejsh.
Me gjithë
organizimin e mirë të planit të sadriazemit mjaft feudalë dhe derebej mundën
t'i shpëtonin masakrës. Mehmet Reshit Pasha me këtë masakër mori emrin
"shqiptar-vrasësi".
Ngjarja e
Manastirit shkaktoi një pështjellim të madh në Shqipëri. Paniku që u përhap nga
shpërthimi i papritur i terrorit ua dha turqve inisiativën për të sulmuar.
Feudalët dhe derebejtë shqiptarë që shpëtuan nuk i dorëzuan armët por u
detyruan të luftonin për të mbrojtur vehten. Ndjekjet e turqve qenë të shpejta
dhe raprezaljet e tyre të pamëshirshme. Gjatë këtyre operacioneve, mjaft
feudalë dhe derebej bënë një qëndresë të ashpër. Më në fund shumë prej atyre që
shpëtuan u detyruan të fshiheshin nëpër male ose të aratiseshin në Greqi, në
Shtatë ishujt e gjetkë. Ushtritë turke e përshkuan anë e mbanë Shqipërinë
jugore e qëndrore, duke djegur e rrënuar kudo kalatë dhe sarajet e feudalëve të
pabindur e të dyshimtë.
Me këto operacione Porta e Lartë nuk kishte për qëllim të luftonte kundër klasës feudale në tërësi. Ajo synonte të çfaroste vetëm bejlerët dhe derebejtë e pabindur shqiptarë, të cilët nuk pranonin t'i nënshtroheshin disiplinës shtetërore. Qëllimi i qeveritarëve otomanë ishte t'i zevëndësonte sundimtarët vëndas separatistë me funksionarë të bindur turq, për të zbatuar me anën e tyre programin e reformave në interes të Perandorisë Otomane dhe të klasës feudale turke.