Shtesë » Historia
Ylli Polovina: Skënderbeu e mbrojti Evropën, shqiptari Gjedik Pasha e sulmoi
E enjte, 21.02.2013, 08:51 PM
Skënderbeu e mbrojti Evropën, shqiptari Gjedik Pasha e sulmoi
Nga Ylli Polovina
Duhet të
shkosh në qytetin Otranto të kuptosh më mirë përse ngushtica e famshme prej 71
kilometrash, e cila ndan dy brigjet (atë italian dhe shqiptar) dhe dy detet
(Adriatikun nga Joni), ka një peshë të florinjtë gjeostrategjike. Në Romë
strategët e ushtrisë, por përherë edhe të politikës, duke ia njohur këtë vlerë
nuk deklarojnë se
“çelësi”
i saj është qyteti italian Otranto, por shqiptojnë palëkundshëm: është Vlora
shqiptare.
Kur je
këtu, në Vlorë, nuk të bie ndërmend Otranto. E shumta kujtohesh për Brindisin.
Në Otranto përkundrazi, Vlorën e ke si të mbirë në sy dhe në mendje. Kjo vihet
re tek të gjitha banorët vendas, por edhe në dëshmitë e shumta dokumentare.
Këtu nuk është fjala për të kaluarën e afërt, ndeshjet mes austro-hungarezëve
dhe italianëve për ta marrë nën kontroll Shqipërinë në fund të shekullit të
tetëmbëdhjetë. As kur në gjirin e Vlorës, në vitet pesëdhjetë të
njëqindvjeçarit të shkuar, u vendos baza më e madhe detare e Traktatit të
Varshavës në Mesdhe. Mund të shtyhesh
në kohë
edhe më thellë, atje ku edhe shekulli i katërmbëdhjetë lëshon dëshmi të tilla.
Vlora dhe Shqipëria në qytetin e Otrantos janë fare afër, ndihen si të jenë
pjesë
e
kujtesës së tij historike, pse jo edhe e jetës së tanishme. Ka një hotel, në
mes të pjesës së vjetër, i cili quhet “Albania”. Ka edhe një gjysmë lagje,
sërish aty, e cila thirret me emrin e Pellazgëve. Prania shqiptare në të të
tundon. Ta njohësh nga afër ofron shumë të papritura, madje zbulime.
Vizita
ime e parë në këtë qytet qe bërë në fund të dimrit të vitit 1998, shkurt.
Pastaj asnjë rrethanë nuk e kishte favorizuar një rikthim të dytë. Kjo ndodhi
vetëm në fund të majit të këtij viti, ndërsa isha i ftuar nga Universiteti i
Salentos dhe Bashkia e Otrantos për të marrë pjesë në një konferencë me
titullin “Ëndrra italiane”.
Mbahej me
rastin e 20 vjetorit të zbarkimit masiv të refugjatëve shqiptarë në brigjet e
vendit fqinj. Ndryshe prej herës së parë, e cila qe thjesht një pasdite e
ngutshme, fjetja e pastaj të nesërmen largimi para se të vinte dreka, në këtë
rast të dytë zotëroja dyfishin e kohës si edhe një njohje shumë më të thellë të
historisë së trevave të Pulies. Veçanërisht të asaj që këtu italianët e
thërresin Toka e Otrantos.
Toka e
Otrantos mban një thesar të madh: me qindra familje arbërore të emigruara gjatë
pushtimit osman. E kaluan detin dhe u vendosën këtu me shumicë, jo vetëm pas
vdekjes së Skënderbeut, por edhe më parë e më pas. Në krahinat që përbëjnë atë,
nga qyteti i Barit, në Leçe sidomos, në Brindisi e Otranto, e deri në portin e
madh të Tarantos, ndodhen gjurmët e shumicës së familjeve fisnike të krishtera,
të princërve, dukëve, kontëve dhe baronëve shqiptarë të shekullit të
katërmbëdhjetë. Ndryshe nga vendbanimet e arbëreshëve në Itali, fshatra e
qyteza të vetmuara që në fillim të jetës së tyre dhe për këtë arsye edhe të
favorizuara për të mbijetuar deri në ditët tona, tek Toka e Otrantos të tilla
qendra banimi janë shumë të pakta e pothuaj në fikjen e tyre me etni shqiptare.
Por duke mos u dalluar dot mbi sipërfaqen e tokës, bashkëkombësit tanë të disa
shekujve më parë ndodhen “nën të”, në varreza dhe librat e kishave, ku të
gjithë, brezi pas brezi, janë regjistruar në lindje dhe në vdekje. Gjurmët e tyre
janë të fiksuar në dokumentet e arkivave, në emrat e vendeve, të rrugëve, në
studimet e dijetarëve italianë të kësaj treve.
Sepse
dija tashmë shumë prej kësaj pranie të jashtëzakonshme, ndërkohë që mjaft herë
isha kthyer e rikthyer në pothuaj të gjithë hapësirën e Tokës së Otrantos,
ardhja e dytë në qytetin e vogël të Otrantos nuk mund të mos e shfrytëzoja për
t’i depërtuar më në thellësi, të paktën, një ngjarjeje, të cilën mjaft
bashkatdhetarë nuk e dinë: ky qytet në verë të vitit 1480 u pushtua nga osmanët
dhe komandant i trupave turke ka qenë një shqiptar. Domethënë, ndërsa Gjergj
Kastrioti dhe fisnikët e tjerë arbërorë, Arianitët, Muzakajt, Topiajt,
Balshajt, Dukagjinët, Spanët, Zaharitë
etj. prej
të paktën viteve tridhjetë të njëqindvjeçarit të katërmbëdhjetë e sidomos në
çerek shekullin e epopesë së qëndresës 1443-1468, që lidhet me emrin e
Skënderbeut, luftuan me shpirt të madh sakrifice të bëheshin mur mbrojtës për
Italinë dhe të gjithë Evropën e krishterë, në të kundërt veproi një shqiptar tjetër,
bashkëkohës i tyre: Gjedik Ahmet Pasha.
Ky e
sulmoi Italinë dhe Evropën.
E kreu në
të pushtimin e copës të parë të tokës, kapi plasdarmin prej të cilit armata
osmane do të përparonte drejt Napolit, mbretërisë së krishterë të Aragonasve
dhe menjëherë në drejtim të Romës, selisë qendrore të besimtarëve katolikë, por
edhe institucioni i parë i përfaqësimit të Evropës. Gjediku do t’ia dilte
ëndrrës së të gjithë sulltanëve: do t’i shkelte këmba në Itali. Ndërkaq e bëri
këtë duke ngritur një mal të tërë me kufoma e eshtra të tyre. Ishin popullsi
civile. Ua mori jetën vetëm se pasi u bëri thirrje të ndërronin fenë, nga të
krishterë të shndërroheshin në myslimanë, ata nuk pranuan.
Sepse
është kështu, pushtues i Evropës dhe besimtar i dhunshëm, për Gjedikun nuk
flitet asnjë fjalë në Shqipëri, përveç patjetër ndonjë citimi në kumtesa
historianësh, por edhe këta në shumicën e herëve pa iu referuar përkatësisë së
tij etnike. Ndaj tij në të gjitha trojet tona dhe kudo ku sot nëpër botë
jetojnë shqiptarë, i është bërë një refuzim total, një bllokadë heshtjeje, një
përpjekje zemërake për ta harruar. Ajo që bëri Gjedik Ahmet Pasha është e
dënueshme prej tyre dje dhe sot, e papranueshme.
Mirëpo ne
duam ta tregojmë këtë histori, sepse gjithsesi është pjesë që na përket dhe si
ndaj çdo trashëgimie të historisë nuk mund të sillemi me qëndrime ideologjike,
qoftë edhe kur kjo ushtrohet në emër të kombëtarizmit apo edhe të
proeuropianizmit. Ja pse në këtë fund maj 2011, i ftuar bashkë me disa kolegë
shqiptarë nga Tirana apo me punë në Itali (Kosta Barjaba, Genc Lafe, Gjovalin
Çuni, Bledar Torozi, Mikaela Minga, Silvana Banushi, Jorida Labaj etj.) dhe në
prani të punëve të bukura studimore të dijetarëve vendas (si Xhovana Shanatiko,
shefja e katedrës së albanologjisë në Universitetin e Salentos Monika Xhenezin,
Eleonora Karriero, Donato Martuçi dhe Rita Nikoli, Stefano Trinkeze e Mikele
Karduçi, të mençurit sociolog Luixhi Perone,
Eugjenie
Imbriani, Luixhi Za dhe Pietro Fumarola, studiuesve arbëreshë si i shquari
Françesko Altimari, Nikola Skaldaferri, kleriku i krishterë Don Xhuzepe
Kalavero apo botuesi i palodhur mik i shqiptarëve Livio Muçi si edhe shumë i
spikaturi gazetar i
Radiotelevizionit
Italian Rafaele Gorgoni, duhej të mos humbisja rastin të shkoja në kështjellë,
në katedralen e qytetit, atje ku në shtatë dollapë të mëdhenj me kanate
xhamash, janë futur me qindra e qindra kafka dhe eshtra italianësh të vrarë nga
komandanti i trupave të pushtimit të Otrantos, shqiptari Gjedik Ahmet Pasha.
***
Ishte
shpallur publikisht që osmano-myslimanët kishin si objektiv jo vetëm zaptimin e
Evropës, por edhe nënshtrimin e fesë së krishterë. Qe një kohë që në emër të
Jezu Krishtit edhe ndaj lindjes arabe e turke, nga zemra e Evropës nisnin
kryqëzata kundër botës myslimane. Dihet po ashtu që Gjergj Kastrioti, një
besimtar i krishterë i cili me fenë myslimane kishte bërë një bashkëjetesë nga
të paktën dhjetë vjeç deri në tridhjetë e tetë, kur e braktisi atë publikisht,
ndërsa mori kështjellën e Krujës në fund nëntor 1443, i prirë nga parime të
mëdha si Liria, Perëndimi dhe Humanizmi, nuk ra kurrë në grackën e luftës
ndërfetare.
Por e
bëri këtë renegati Gjedik. Cili ishte ky?
Strateg i
madh, gjeneral klasi i Perandorisë Osmane, idhull i jeniçerëve, pra i
studentëve të shkollës më të mirë ushtarake turke. Ata që kanë vëzhguar jetën e
tij, në Lindje apo në Perëndim, e vlerësojnë si trim dhe shumë të mençur.
Ndërsa në trojet ballkanike të pushtuara nga turqit, në Rumeli, qe guvernator,
po ashtu e kreu këtë funksion të të parit të vendit edhe në kahun tjetër të
atij supershteti, në Anadoll. Më 1474, pas Veli Mahmut Pashës, u bë
kryeministri i perandorisë. Kur qe ende në këtë post, më 1477, Sulltan Mehmeti
II, “Pushtonjësi”, e urdhëroi të sulmonte e merrte Shkodrën. Por ai nuk pranoi.
Refuzimi i tij kokëfortë shpjegohet me teori të ndryshme, por nuk mungon edhe
një arsye shumë e fortë: qe shqiptar dhe nuk desh të derdhte gjak me të vetët.
Pasoja e thyerjes së urdhrit sulltanor i kushtoi shkarkimin si kryevezir, duke
ja lënë vendin Karamanli Mehmet Pashës. Po ashtu u burgos. Me ndërmjetësimin e
një kryeministri të ardhshëm pas ca kohësh u lirua dhe sulltani e emëroi
sanxhakbej të portit strategjik të Vlorës. Bashkë me këtë i dha edhe detyrën e
komandantit
të flotës osmane në Detin Egje, e cila ishte pothuaj vetë
flotilja
e perandorisë.
Misioni i
tij tani e tutje, duke filluar nga 1479, ishte të organizonte sulmin kundër
Italisë. Mehmeti II pasi në 1453 kishte marrë me luftë dhemb për dhemb
Kostandinopojën (ose siç quhej simbolikisht “Roma e Dytë“), dëshironte ta bënte
këtë edhe me vetë Romën. Kështu nën skeptrin e tij të përfshinte edhe atë që
dikur kishte qenë Perandoria Romake. Ishte një projekt shumë i guximshëm, të
cilin
“Pushtonjësi”
besonte se do t’ia dilte mbanë. Gjedikun me siguri e pati zgjedhur edhe sepse
politikisht ai mund t’i kryente një shërbim të veçantë. Mehmeti II dhe i ati i
tij u ndeshën gjithë kohën me Skënderbeun dhe një hak me të e kishin për ta
marrë. Përderisa nuk e mundën dot sa qe gjallë këtë gjë mund t’ia bënin kur ishte
i vdekur: t’ia godisnin kujtimin si një shqiptar që pati mbrojtur Evropën. Le
të qe një gjeneral tjetër i famshëm shqiptar që do ta bënte këtë. Kështu vlera
e Gjergj Kastriotit do të zbehej dhe imazhi i shqiptarëve venitej.
Detyrën e
re luftarake, por edhe shumë strategjike, Gjedik Ahmet Pasha e nisi me
pushtimin e disa ishujve grekë, ku më i madh dhe më kyçi ishte
Rodi. Qe
viti 1479. Të tjerët i mori, por jo këtë të fundit. Një vit më pas, në 1480,
flota, kalorësit dhe këmbësorët e tij, 16.000 apo sipas disa burimeve të tjera
edhe 18.000, iu drejtuan thembrës së gadishullit italian. Qe muzgu i pasdites
së vonë të 28 korrikut. Nata e thellë i zuri në det të hapur. Plani i zbarkimit
dhe i goditjes ishte Brindisi, por një pështjellim i papritur ere e stuhie
detare e devijoi kursin e lundrimit dhe ushtria e madhe dhe e frikshme, me
pamje, veshje, ngjyrë lëkure, gjuhë dhe armatim krejt ndryshe nga evropianët,
zbarkoi në brigjet afër kalasë së Otrantos. Ky ishte një qytet i vogël me
gjashtëmijë banorë, me tregti të lulëzuar dhe mirëqenie, i etur për paqe dhe i
papërgatitur fare për luftë. Kështjellës pothuaj nuk i kishin bërë asnjë forcim
muresh.
Kur nisën
të zbarkonin qe mëngjesi i 29 korrikut. Ishte një thellimë deti në breg, i cili
që prej këtij çasti, prej atij tmerri që u panë sytë banorëve vendas, u quajt
“gjiri i turqve”. Orët e para, deri sa ra nata tjetër, kaluan me shkëmbime të
veçuara luftimesh mes zbarkuesve dhe grupeve me luftëtarë tç garnizonit të
Otrantos. Këta u përpoqën t’i bllokonin sulmuesit që në anije, pa prekur në
tokë, por ajo qe një ushtri e
pafund.
Ishin 150 anije që shkarkonin pambarim osmanë. Kështu më 29
korrik
italianët u rikthyen në kala dhe u mbyllën brenda mureve të
tij.
Veproi njëlloj edhe popullsia civile. Një ditë më pas turqit pushtuan qytetin
jashtë mureve dhe plaçkitën në hapësirat përreth. Në të 30 korrikut Gjedik
Ahmet Pasha nxori në tokë artilerinë dhe e vendosi përreth kalasë. Qenë topa
shumë të fuqishëm.
Tashmë
nisi rrethimi. Sipas rregullit në fillim gjenerali shqiptaro-osman i ofroi
garnizonit prej 400 ushtarësh dhe popullit paqe me kusht që ta dorëzonin
kështjellën. Këta nuk pranuan. Atëherë nisi bombardimi i vazhdueshëm me
artileri. Ditën luftohej në mbrojtje, natën cili kishte mbetur gjallë nga
përleshja e asaj dite, popull i
pafajshëm
dhe priftërinj, futeshin në katedrale dhe luteshin. Por muret e pa forcuar të
Otrantos nuk rezistuan gjatë. Sapo në to u hap një e çarë ushtarët e paktë të
garnizonit nuk arritën dot të përmbajnë numrin e madh të turqve që hynë nëpër
të. Qe 11 gusht 1480. Beteja brenda mureve, e përgjakshme sa s’ka më, përfundoi
në mëngjesin e të nesërmes, kur osmanët hynë në katedrale, atje ku populli qe
mbledhur
me lutje
në buzë e lot në sy. Të gjithëve të zënë tashmë rob Gjedik
Ahmet
Pasha u vuri kusht të ndërronin fenë. Ata nuk pranuan. Kështu nisi kthimi në
skllevër i grave dhe i fëmijëve dhe masakrimi i të gjithë meshkujve mbi
pesëmbëdhjetë. Qenë tetëqind. U lidhën dhe i shtynë deri tek një kodër e
afërme, e cila quhej Minevra. Kishte emrin e një perëndeshe të shenjtë greke,
të cilën e nderonin edhe romakët.
I vranë
të gjithë, i therën. Gjedik Ahmet Pasha dhe pas tij Sulltan Mehmeti II donin
t’i fusnin frikën Italisë, Krishterimit dhe Evropës. Bashkë me të edhe panikun.
Bashkë me ndjenjën e panikut të përhapnin psikozën e të mundurit, të mos
rezistencës, të thyerjes, të vetdorëzimit.
Më 10
shtator 1481 Otranto, pas një beteje të gjatë çlirimtare, do ta rifitonte
lirinë. Gjedik Ahmet Pasha, edhe pse mund të rezistonte edhe më gjatë, do të
pranonte një dorëzim dinjitoz. Ia ktheu qytetin kujt i takonte atë kohë, dukës
Alfons i Kalabrisë. Pjesa më e madhe e eshtrave të të vrarëve, të shpallur
tashmë martirë, u vendosën në
shtatë
rafte druri të mbyllur me xham, brenda katedrales së kalasë së Otrantos. Në
kodrën Minevra u ndërtua posaçërisht për ta një kishë e vogël me emrin Shën
Mëria e Martirëve.
***
Në Otranto
librat e studiuesve vendas për sulmin e sundimin njëvjeçar osman nuk janë
plotësisht të bindur që pushtuesi dhe masakruesi i tyre qe një shqiptar. Ndërsa
e shënojnë madhështinë e tij jo vetëm si ushtarak, por edhe si politikan (çfarë
pohon një cilësi të tij të vërtetë), shtojnë: “Është renegat grek ose mbase
shqiptar”.
“Kryeministër
i Perandorisë Turke, ndoshta me origjinë shqiptare, ...”, pohon një interpretim
tjetër. “Ka shumë pak të dhëna për jetën e tij”, ndërhyn një i tretë, “disa
burime ngulin këmbë se është me origjinë shqiptare, por kjo teori bazohet
pothuaj tërësisht në refuzimin që ai ka bërë pjesëmarrjes në fushatën e
Shkodrës....”.
Ndonëse
dijetarët italianë të Tokës së Otrantos, të cilët janë shumë seriozë dhe
arkivat e vendit të tyre zotërojnë sasi të mëdha dokumentesh, i binduri
tërësisht se Gjedik Ahmet Pasha është shqiptar, e ka emrin Sulejman Kylçe.
Është historian turk i fillim shekullit të kaluar. Sipas logjikës më të
thjeshtë, duke qenë studiues vendas i
Perandorisë
Osmane, ai duhej ta dijë më mirë se italianët origjinën e sulmuesit të Italisë
dhe të Evropës. Ndërkohë origjinën edhe Sulejmani e ka shqiptare. Është nga
krahina e Lumës në Kosovë. Pasi mbaroi Akademinë Ushtarake të Stambollit ai në
vitet 1905-1913 qëndroi në Shqipëri dhe punoi me detyra të rëndësishme.
Sulejman
Kylçe shkruan se Gjedik Ahmet Pasha ishte shqiptar, madje edhe vetë jo i lindur
në Turqi, por në Vlorë.
Informojmë
se Kylçe në vitin 1944, në Izmir, ka botuar librin e tij më të rëndësishëm
\\\"Shqipëria
në historinë osmane\\\" (Sylejman Gylqe, “Osmanli Tarihinde Arnavutluk”).
Aty Gjergj Kastriotit këndvështrohet krejt ndryshe nga sa e ka interpretuar atë
historiografia shqiptare dhe sidomos ajo perëndimore. Bashkëkombësi ynë i ka
ravijëzuar disa vlera, por përgjithësisht e ka grimcuar, zvogëluar, vizatuar si
njeri që kreu një luftë pa motive të larta, por thjesht për interesa personale.
Gjithsesi
kur edhe mes serbëve apo grekëve nuk ka shumë prova, por edhe pasion për t’ia
bashkëngjitur etninë e tyre Gjedik Ahmet Pashës, duke vërejtur se edhe mes
historianëve italianë më shumë ekzistojnë se mungojnë bindje që mund të jetë
shqiptar, hë për hë ai i tillë mbetet.
***
Gjediku
nuk i ka dhënë shumë rëndësi kultit të tij personal, prandaj sot, edhe pse në
Stamboll ka deri edhe një lagje me emrin e tij, për hollësi të jetës së tij
dihet shumë pak. Edhe kur në vitin 1479 nisi të përgatiste në Vlorë operacionin
më kokëkrisës e më të bujshëm të Perandorisë, sulmin dhe pushtimin e Italisë,
të Papatit dhe të
Evropës,
përtej detit të dhënat që mblidhnin informatorët e Mbretërisë së Napolit dhe të
Selisë së Shenjtë nuk i përmbanin e këto detaje. Të njëjtën sjellje, mos
pohimin që ishte shqiptar, Gjedik Ahmet Pasha e ka mbajtur edhe kur qëndroi në
kështjellën e porsa pushtuar të Otrantos. Shumë arsye hamendësohen për këtë
qëndrim të tij, por njëra nuk mund të anashkalohet lehtë. Në Tokat e Otrantos
pas vdekjes së Skënderbeut, e ndodhur vetëm dymbëdhjetë vite para krijimit të
këtij plasdarmi osman në trojet italiane, qenë zhvendosur pothuaj të gjithë
fisnikët e kapitenët arbërorë që e luftuan pa kompromis perandorinë. Në Pulia
(dhe në të gjithë gadishullin Apenin e në të tërë kontinentin) emri shqiptar
ato kohë përmbante dinjitet të madh si
mbrojtës
i Krishterimit dhe i Evropës. Nuk mund të besohej lehtë që mes të tillëve të
përkushtuar ekzistonin edhe persona të kundërt. Në rast se këtë gjë do ta
pohoje shqiptari kundër evropian nuk do të ishte fare i dëshiruar, përkundrazi
do të qe dhjetrafish i urryer. Gjedik Ahmet Pasha pikërisht për këtë arsye nuk
e ka quajtur shumë të mençur të pohonte në Otranto se qe me origjinë arbërore.
Apo
ndoshta e pati kuptuar qëllimin e fshehtë të sulltan Mehmetit II për ta
njollosur imazhin e shqiptarit dhe siç veproi kur nuk pranoi të luftonte kundër
Shkodrës, e përsëriti gjestin në një mënyrë tjetër në Otranto.
Kishte
edhe një shtrëngesë tjetër. Kur në 1 maj 1481 më në fund trupat e një
koalicioni të gjerë italian, për ta bllokuar këtë plasdarmë osmane, kryeurë
sulmesh shkretuese të shpeshta ndaj qyteteve dhe krahinave përreth, futën nën
rrethim garnizonin turk në kështjellën e Otrantos, mes tyre qenë edhe shumë
shqiptarë. Ishte i rreshtuar me armiqtë e Gjedik Ahmet Pashës edhe një emër
mjaft i shquar: Gjon
Kastrioti,
i biri i Skënderbeut.
Por ky në
luftën për të ndalur pushtimin osman të gadishullit italian dhe të vetë
Krishterimit dhe Evropës, si bir i denjë i të atit, nuk u mjaftua me
pjesëmarrjen në luftimet përreth kalasë së Otrantos. Ai mori pjesë edhe në një
operacion të madh antiosman në tokat e atdheut të tij si edhe në një përpjekje
të re, pas kryengritjes së princërve arbërorë të vitit 1443, për çlirimin e
trojeve shqiptare. Këtë mision të madh të tij e favorizoi një ngjarje e
papritur, por shumë gëzimsjellëse për koalicionin që mbante të rrethuar
Otranton dhe botën evropiane: midis 3 dhe katër majit vdiq sulltani Mehmeti II,
Fatihu (“I pamposhturi”, siç ja kishte vënë emrin vetes), dhe “Pushtonjësi”,
siç i kishte vënë emrin bota. Në Stamboll kjo ngjarje u pasua me një zhvillim
të papritur: perandorinë e mbështolli si re e zezë kriza e brendshme. Nisi
lufta për pasuesin mes dy djemve të sulltanit, Bajazitit, djalit të madhe dhe
sipas rregullit
trashëgimtar
i ligjshëm, dhe Xhemit. Gjedik Ahmet Pasha, i cili gjatë dimrit, pasi në
Otranto kishte lënë 8000 këmbësorë dhe 500 kalorës, qe rikthyer në Vlorë për
t’u furnizuar me trupa të tjera të freskëta dhe me ushqime, mori urdhër të
vinte në kryeqytetin e perandorisë. Këtu ai u rreshtua me Bajazitin dhe bashkë
me të fitoi të dy betejat kundër të vëllait rival. Kështu Bajaziti u bë
sulltan. Gjediku e kishte zgjedhur alternativën me të edhe pse ky ishte për
vazhdimin e sulmit mbi Italinë dhe Selinë
e Shenjtë.
Por kur ndodhi kjo hipje në fron dhe tashmë mund të riniste sulmi masiv në
Gadishullin Apenin, në Otranto ngjarjet kishin marrë zhvillim tjetër. Jo falë
asaj që pati ngjarë në zemër të perandorisë, por rolit të shqiptarëve.
Kur maji
qe mbyllur dhe ishte qershor me katër anije të Mbretërisë së Napolit Gjon
Kastrioti mori drejtimin e brigjeve shqiptare. Zbarkoi afër Durrësit dhe u
bashkua me bashkëkombësit e principatës së Kastriotëve, që e patën ftuar dhe po
e prisnin për të rifilluar kryengritjen. Një kushëri e bashkëluftëtar i tij i
shquar, Kostandin Muzaka, i mbartur me po këtë skuadrilje detare, zbarkoi më
poshtë, në brigjet e Himarës, ku edhe atje kishte filluar rebelimi.
Korrik-gushti qe betejë në të dy frontet, me humbje për Gjon Kastriotin dhe
pastaj, në përplasjen e tretë me trupat turke, me një
fitore të
madhe. Shumë më i suksesshëm Kostandin Muzaka. Ky realizoi edhe kapjen rob të
vetë bejlerbeut të Rumelisë, pra guvernatorit të tokave ballkanike të pushtuara
nga osmanët. Quhej Sulejman Pasha. Madje më saktë, për shkak të një aksidenti
në fëmijëri, thirrej Sulejman Pashë Eunuku.
Robi i
pazakonshëm iu dorëzua Gjon Kastriotit dhe ky, pasi nuk ja doli dot të
riçlironte principatën e vet dhe trojet amtare, kur u rikthye në Itali, ia
dhuroi si trofe lufte mbretit të Napolit dhe kryezotit të tij, Ferrantes. Lajmi
mori dheun në të gjithë kontinentin. Qenë ditët e para të shtatorit 1481.
Operacionet e tij për ta sfilitur përtej detit armatën osmane kishin lehtësuar
dobësimin e garnizonit turk në Otranto. Në 10 shtator kalaja iu rikthye vendit
e qytetërimit të vet.
Kjo ishte
“dhurata“ tjetër e Gjon Kastriotit, birit të Skënderbeut: shpëtimin edhe
njëherë tjetër të Evropës.
Po
Gjediku, sulmuesi e shumë i dëshiruari të hynte në histori si pushtuesi i saj?
Bashkëkombësi ynë në shërbim të Perandorisë Osmane vdiq i vrarë nga sulltan
Bajaziti në 18 nëntor 1482. Burimet turke thonë se kjo ndodhi në Edirne,
studiuesit e pasionuar të origjinës së tij shqiptare, ngulin këmbë se ngjau në
Durrës. Madje në këtë variant Gjedik Ahmet Pashën e vranë bashkë me të birin.
Arsyeja e krimit ishte
e
thjeshtë: sulltani, për të cilin gjenerali dhe politikani luftoi, u ndje i
bezdisur nga ndërhyrjet e shumta të mikut të tij në punët e shtetit.
Kronika në mbyllje të kësaj historie të shqiptarit që veproi në të kundërt të prirjes së bashkëkombësve të vet, shënon, për idhullin e jeniçerëve Gjedik, një rebelim të tyre. Pastaj, ndërsa kësaj trupe të zgjedhur ushtarake të perandorisë sulltani u bëri disa lëshime, kujtimi i tij u fosilizua, u tha. Ne e rikujtuam jo për ta ngjallur e nderuar. Monumentin ja kemi bërë Skënderbeut dhe gjithë prijësve të tjerë shqiptarë që në atë mot vendimtar zgjodhën më të drejtën kauzë, edhe pse ishte më e vështira, madje më e përgjakshmja.