Shtesë » Historia
Halil Shabani: Delvina dhe Çamëria në kryengritjet e viteve 1910 - 1912
E shtune, 10.11.2012, 09:20 PM
DELVINA DHE ÇAMËRIA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1910 - 1912
NGA HALIL SHABANI
Fillimi i
shekullit të XX në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe kryengritjeve të
armatosura në mbarë trojet shqiptare ishte një prurje e rilindasve të Kombit
Shqiptar. Ajo lëvizje u iniciua edhe në jug të Shqipërisë: nga krijimi i
“Komiteteve të fshehta” për shpëtimin e kombit nga Bajo Topulli, Mihal Grameno,
Themistokli Gërmenji etj. Krerë të lëvizjes patriotike krijuan në Delvinë në
1908 klubin patriotik “Bashkimi” me qëllim që të ngrinin mësonjëtoret e para
shqipe dhe lëvizjen kulturore e artistike. Në 18 shtator 1909 rrethi artistik i
klubit vuri në skenë dramën “Dashuri e Mëmëdheut” në gjuhën shqipe. Drama të
tjera u shëndërruan në një manifestim publik, para godinës së klubit nga
zejtarët, nënpunësit përparimtarë dhe vegjëlia e Delvinës. Ajo ishte fryt i
punës së arsimtarëve dhe patriotëve delvinjot: Namik Delvina, Nimet Abazi,
Shyqyriu Abazi, Spiro Gjika, Petro Ilia Delvina etj.
“Unë jam
shqiptar, unë desha të mësoj gjuhën time” ishin thëniet e dramës “Besa” të Sami
Frashërit, që ata vunë në skenë dhe u dhanë edhe në Labëri, Kaninë, Tepelenë,
Manastir, Janinë e Çamëri. Në Konispol në 1909 u çel klubi i shoqërisë
patriotike “Vëllazëria” nga Alush Taka, Rushit Dine etj. Në Filat Musa Demi e
të tjerë çelën klubin e vet patriotik.
Klube të
tilla u çelën në fshatrat Koskë, Ninat, Janjar, Lops e Shalës. Këtyre vatrave
të para të luftës për liri Kombëtare i dhanë shtytje të mëtejshme: Bajo e
Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Nikolla Ivanaj e Dervish
Hima. Doemos ata i dhanë rezultatin e zgjidhjes së rrugës së fillimit të luftës
me armë në dorë nëpërmjet krijimit të çetave kryengritëse.
Çeta e
Delvinës u krijua më 10.05.1910 me komandan Namik Delvinën dhe atdhetarë të
tjerë delvinjot. Çeta e Muharrem Rushitit u krijua në verë të vitit 1909 me
lutërarë nga Filati, Koska, Janjari, Konispoli, Shalësi etj. Çeta e Nazif
Hadërit u krijua në vitin 1909 nga luftëtarë të krahinës së Rrëzomës nga
fshatrat: Vergo, Kopaçëz, Palavli, Tatzat etj.
Më vonë u
krijuan edhe çeta e Alush Takës në Konispol dhe Musa Demit në Filat.
Krerët e
çetave kryengritësve mbanin lidhje me çetat e tjera më në veri si me atë të
Çerçiz Topullit në Gjirokastër, Themistokli Gërmenji, e Spiro Ballkameni në
Kolonjë, Përmet dhe Korçë. Ndër betejat më të rëndësishme të çetave kryengritëse
ishin ato të Muharrem Rushitit në: Qafën e Smërtes. Vreshtat e Mursisë,
Pleskovicë, Bogasi i Qeraminës, etj. Për çetat
e Delvinës dhe Rrëzomës u zhvilluan luftime në Pagri të Përmetit,
Cakran, Hanin e Selishtës dhe në brigjet e Ramësit. Veprime të kombinuara
luftarake të tyre qenë ato të : Delvinës, Konispolit dhe në Filat.
Kuvendet
më me rëndësi për marrjen e vendimeve të shtimit të luftëtarëve, aksioneve të
kryengritësve dhe kërkesa të momerandumeve ndaj Portës së Lartë ishin ato të
vitit 1911 në Vella të Vergoit, si edhe ai i ndërkrahinori i të gjitha çetave
të Shqipërisë Jugore në 21 korrik 1911 në Manastirin e Cepos në Gjirokastër, me
pjesëmarrjen e 800 luftëtarëve. U firmos një momerandum nga shtabi i
kryengritjes për t’ja dorëzuar fuqive të mëdha europiane. Midis të tjerash atje
shkruhej: “Në qofë se turqit e rinj vunë në programin e tyre e vetëm zotohen
dhe asgjë nuk mbushin, pushka ka për krisur dhe gjaku do të bëhet lumë”.
Krerët e çetave kryengritëse bashkë me nga 4-5 delegatë të këtyre krahinave shkuan në ngritjen e flamurit në Vlorë në 28 Nëntor 1912. Qeveria e Ismail Qemalit vlerësoi ndihmesën e tyre dhe ngarkoi me detyra: Alush Takën komandant të garnizonit për mbrojtjen e qytetit të Vlorës dhe Namik Delvinën këshilltar për mardhëniet në ministrinë jashtme në Qeverinë e Vlorës.