Shtesë » Historia
Uran Butka: Enveri urdhëroi, ''vrisni kosovarët''
E diele, 07.04.2013, 05:13 PM
Masakra e Tivarit, Uran Butka: Enveri urdhëroi, “vrisni kosovarët”
TIRANE-Masakra
e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha,
më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe
shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në
shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në
këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së
vërtetës.
Shteti
jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar
atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa
konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë
kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli,
duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i
parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të
pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë.
Kjo
masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje
dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.
Platforma
politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i
Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq,
edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat
për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.” Për
Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo
ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve
shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, herzegovinas, malazezë e maqedonas
nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.
Këto
projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim
konkret i PKJ dhe i Lëvizjes NÇJ ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944,
komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe
ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve
shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1)
Ky
gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës
e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të
OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive
të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këtë
luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit
shqiptaromadh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u
konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që
duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.
Por, në
kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë
etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të
Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i
gjithi më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien
shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare
e kriminale të PKJ dhe të Ushtrisë NÇJ. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u
interesonte edhe një luftë tjetër. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më
tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.
Këtë
bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë
për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe
për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte
qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë,
gjeneral-lejtnant Peko Dapçeviç.
Titoja,
në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës
kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të
luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së
Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u
përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në
Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V.Stoiniç, i
bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht
1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga
komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç. (Arkivi i FA,
F.Shtabi i Përgj.)
Pala
shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit,
Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri
(1943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, më 12 shtator 1944, i
dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në
Kosovë. (Dokumente, Shtabi Përgj., vol.II)
Po në
këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e
plotfuqishme e KQ të PKSH-së për Korpusin I:
“Lajmëro
Pavlen ( Pavle Joviçeviç, shën. im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do
të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!” (AQSH, Fondi 14)
Dërgimi i
brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për
britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në
Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e
Korparmatës I:
“Të mos i
tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në
Kosovë”( AQSH, F.14)
Në Kosovë
ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake
nacionaliste, si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e
Prizrenit, e më pas “Besa Kombtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike
Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të
Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem
Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare.
Në këto
kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për
të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën
kundër “reaksionit shqiptar”.
E. Hoxha
e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në
Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte,
urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe
reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën
tolerancë.” (Arkivi i FA, dosja 45, v.1944)
Në muajin
nëntor 1944, u angazhua në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat
III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI ( brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u
kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik,
Ramiz Alia thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë kur ndodhi masakra. Nuk
është e vërtetë. Në 3 mars 1945 ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë,
mandej në gjithë Kosovën. (Dokumenti i datës 3.03.1945 i Shtabit të
Përgjithshëm)
Divizionet
V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ
Jugosllave. Në urdhërveprimin e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe
divizionet e Shqipërisë:
“Të
gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me
çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen
me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë…
Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që
përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet...” (AQSH,
Fondi.181, d.45)
Urdhrat
për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan
të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë
shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945,
komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari
politik, nënkolonel Krsto Filipoviç. (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411)
Masakra e
Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII kosovare që u nis për në Srem, ishin
prologu i masakrës së Tivarit.
Më 8
shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë,
J.B.Tito, pushteti ushtarak.
Divizionet
e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për
shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe
forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera
shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh
nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova
e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe derisa u bënë
zgjedhjet, ku fitoi Fronti NÇ i Jugosllavisë. E konfirmojmë këtë edhe me
Radiogramin e Reiz Maliles, zv.komisarit të Divizionit V: “Me rastin e
zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni
konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të
armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur.
Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes.
Pikë.”
Ndihmesën
më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra
dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek
brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e
dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që u
vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar
tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në
Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i
dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u
nisën tri kolonat (eshalonët) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars
1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe
implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për
mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave,
është evident dhe i dokumentuar.
Kemi në
dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI, nënshkruar nga Komisari
Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar
Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill
1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve
shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e Divizioneve V dhe VI te
ushtria jugosllave.
Lista e
parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga
prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës.
Lista e
dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por
dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë.
Lista e
tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. (AQSH,
F.14, d.206, v.1945)
Po kështu
edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin
thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i
dorëzonin te ushtria jugosllave.
Ja edhe
përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit
e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.(AQSH,
F.206, v.1945)
Si
rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të
mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së
Divizioneve V dhe VI të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe komandës
Ushtarake Jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që
ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në
Tivar apo më tutje..
Për
shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një
batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga
Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte se sa rëndësi i kishin
kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej të përfundonte në një
kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.
Të dhënat
burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në
frontin e Adriatikut 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb,
malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i
kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në
Istria? Për t’i asgjësuar bashkërisht me ushtrinë shqiptare. Qeveria shqiptare,
së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër
territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte
interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe
udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo
lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër
territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur ‘Golgota e madhe
Shqiptare’”- konstatonte Zekeria Cana.
Nga
raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945:
“Eshaloni
shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri
nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua
rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh.
Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe
iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën,
por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend
dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.( Arkivi i
Luftës i Jugosllavisë, k.1411)
Siç
shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës,
u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë,
në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në një
dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:
“Me
mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq,
nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së
Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si
ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të
pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000
kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191)
Këtë
masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm
ushtarak, Bedri Spahiu:
“Xhelatët
e Rankoviçit-it, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit
të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet
rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej
tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë
brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” ( B. Spahiu, Pretenca në gjyqin e
K.Xoxes, 1949)
Autorizimin
(lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e mëse 1000
kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri
i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë ia
faturuan Koci Xoxes, si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij gjithë
përgjegjësitë e kësaj masakre.
Natyrisht,
ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare,
jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur
u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.
Këtë na e
dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës
III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i
vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që
iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit
shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave,
prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i
rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të
lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë
dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë
asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për
keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar,
por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga
kolonat e vdekjes. (Arkivi MB, D.1623)
Po
tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe
rekruti Azem Hajdini - Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por
rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare.
“Kur hymë
në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, - parashtron Azem Hajdini, - duke
menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë,
Shqipërisë, dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar
vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra,
u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur
vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e
Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na
konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve
nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”( A.Hajdini, Letër e hapur)
Sipas të
dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në
gjendje agonie, kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim
me çdo moral, fe dhe ligj.
“Kur
kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba
kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre
ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e
skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!”
(A.Hajdini, Masakra e Tivarit)
Në
Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u
plagosën.
E njëjta
gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në
Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh
të plagosurish.
Në
kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të
tjerë.
Në
mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit ishte ngritur
kurthi, sipas një plani të parapërgatitur, për asgjësimin e gjithë rekrutëve
shqiptarë.
Masakrën
ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet
shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.
Kasaphana
nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në
mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve, rezulton
se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X
malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç.
Edhe nga
kolonat e tjera, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset
shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë
marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën.
Sipas
burimeve jugosllave dhe shqiptare, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë
masakër 2.947 - 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por sipas dëshmive të të
mbijetuarve, ky numër i kalon të 4.000-jët. Nga këta, sipas dokumenteve të
Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës
nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër
territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1500 shqiptarë të Kosovës.
Heshtja 50-vjeçare e shtetit komunist shqiptar dhe e udhëheqjes kriminale
hoxhiste, por edhe e udhëheqësve të Kosovës, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani,
Mehmet Hoxha etj., ishte një përpjekje tjetër për të fshehur të vërtetën dhe
bashkëfajësinë në këtë masakër ndaj bashkëkombësve të tyre.
Për
shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është marrë
ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi, janë vlerësuar e
nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur.
Ndaj edhe
është përsëritur në përmasa edhe më të mëdha, deri në ditët tona.
Krimi, në
çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish.
Një komb
nuk mund të jetë plotësisht i lirë nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të
jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të
jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët.
Krimet, me përmasa, implikime dhe pasoja tragjike kombëtare e ndërkombëtare, si Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar, drejtpeshuar e gjykuar drejtësisht, jo vetëm që të zbulohet e vërteta historike, por edhe që të dalin përgjegjësitë dhe të ndëshkohet krimi, në mënyrë që ai të mos mbetet si një kërcënim, si një njollë e pashlyer, si një plagë e hapur dhe si një urrejtje vepruese midis njerëzve dhe ndërmjet popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim dhe në një mirëkuptim në rrugën drejt paqes dhe integrimit europian.