E premte, 04.10.2024, 09:18 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sali Onuzi: Mesazhe miqësie shqiptaro-amerikane

E diele, 12.01.2014, 06:39 PM


MESAZHE MIQËSIE SHQIPTARO-AMERIKANE, NE KOHË LUFTE

-Historia e 30 amerikanëve  që ranë dhe shpëtuan në Shqipëri  gjate Luftës së Dytë Botërore

Nga Sali Onuzi

Në shtator 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri ishte përhapur lajmi  aq i mirëpritur se aleatët anglo-amerikan do të zbarkonin  këtu.Kjo siç dihet nuk ndodhi, veçse opinioni ishte përgatitur. Por gjithë kjo shpresë nuk shkoi  fare kot. Sado pak ,(simbolike)  një togë  ushtarakësh  amerikane të shendetesise  do të zbarkonte,ndonëse pa dashje.

Me 8 nëntor 1943 në Çestije të Belshit, në Elbasan, bie një avion amerikan transporti Dakota C-53. Avioni ishte nisur , bashkë me dy të tjerë, nga Katania e Siçilisë në drejtim të Barit të Italisë.Por për shkak të një stuhie , që e zuri në rrugë,ish ndërprerë ndërlidhja me bazën dhe pas 5 orë fluturimi të shqetsuar mes reve, ish gjetur  një vend i sheshtë ku avioni u ul me zhurmë.Kish rënë në Shqipërinë e pushtuar nga gjermanët.Këta pasi e kishin gjuajtur kur kishte kaluar mbi Kuçovë, u sulën menjëherë drejt vendit ku kish rënë. Por, para tyre,kishin arritur banorët e fshatit Cestije dhe një grup partizanësh , të cilët e dogjën avionin dhe i morën  pasagjerët dhe ekuipazhin në mbrojtje.Njëri syresh,që më vonë doli se ishte Hasan Gina,qëndronte majë një kali të bardhë., mbante një gunë të zezë,një pushkë në sup , një gjerdan fishekësh në gjoks dhe dy granata dore i vareshin te rripi i mesit.

“ Amerikano!Amerikano ! thirri ai. Rrëmbeu dorën e djathtë të Jensen dhe e tundi “Ky dukej ai tip burri që ia vlente ta takoje.Hasan Gina,do të shkruante më vonë Piter Lucas,ishte ose një original ose një Marion Brando i ri në rolin e tij në një film të mirë lufte.( Rrumpalla,2008)Hasan Gina dhe grupi i tij i partizanëve që komandonte e shpetuan dhe e shoqëruan grupin e amerikanëve  në një pjesë të udhëtimit në Shqipërinë e Jugut.

Avioni amerikan kishte pasur në bordin e tij  30 vetë, prej tyre 13 infermjere të skuadrës së evakuimit ajror,(të gjitha nëntogere *)  13 sanitarë ( burra) dhe ekuipazhi prej 4 vetësh.Patën fat që nuk u dëmtuan në rënie( vetëm një plagosje të lehtë në gju),po edhe më shumë që  kishin rënë në një zonë të kontrolluar nga partizanët. Këta , bashkë me banorët e Çestijes, i morën me vehte  i fshehën dhe i mbajtën në shtëpitë e tyre. Kur erdhën nazistët gjetën avionin e djegur.

Por amerikanët nuk mund të qëndronin aty, do të lëviznin.Dhe nuk ish e lëhtë t’i shmangeshin kontaktit me armikun.Në të gjithë rrugën që ata përshkuan nëpër Shqipëri u shoqëruan dhe u siguruan nga forcat partizane  dhe populli. “ Për 62 ditë  29 kolegët e mi dhe unë u shmangeshim menjëherë patrullave armike, ndërsa endeshim në këmbë në malin e ashpër, zvarriteshim në shi, në llohë bore ose nën diellin e shndritshëm, gjithmonë në kërkim të ushqimit dhe të banesës.Ne vazhdimisht ishim përballë fatkeqësisë së dizanterisë, plagëve të mbushura me qelb,hepatitit dhe trupit me morra” do të shkruante për këtë ngajrje pas 49 vjetësh, më 1992, njëra nga personazhet kryesore të kësaj “ aventure shqiptare”, ish nëntogerja Agnes Jensen Mangerich.

Nga  Belshi, grupi 30 vetësh i amerikanëve arriti në Beratin e lirë,asokohe, ku populli në të dy anët e rrugës  i  duartrokiste ata që po hynin në qytet.Qëndruan aty gati dy javë. Me porosi te qarkorit të Partisë  Komuniste ( Kahreman Yllit) me grupin e amerikanëve  shkoi si përkthyes mësuesi Kosta Stefa. Pritja e Beratit ishte shumë miqsore.

Por në një nga ditët gjermanët sulmuan Beratin . Grupi i amerikanëve u tërhoq me luftë  prej aty dhe kaluan në Përmet.Gjthnjë të shoqëruar nga grupe partizane që ia dorëzoni njëri tjetrit grupin e amerikanëve.Deri edhe çobanët ndihmonin.Po në Berat kishin mbetur tri infermjere amerikane,të cilat kështu u shkëputën nga grupi kryesor.

Për grupin e amerikanëve ishte vënë në dijeni edhe misioni anglez që ndodhej në Korçë dhe togerit Geri Dafi të këtij misioni, iu ngarkua detyra të shoqëronte edhe ai  këtë  grup drejt bregdetit.Kjo duhet të ketë ndodhur rreth 30 nëntorit 1943.Togeri anglez  kish mundur të informonte në radio shtabin e tij në Kajro për fatin e grupit amerikan.Per ta ishte informuar  Presidenti i SHBA ,Ruzvelt, i  cili kishte kërkuar vecanërisht gjetjen dhe evakuimin e grupit të vajzave dhe djemve të  rënë në Shqipëri  dhe  e monitoronte cdo dite situatën e tyre. Për këtë AAF- ja amerikane kishte  nisur për  Shqipëri një oficer të OSS ( Shërbimi i zbulimit strategjik,paraardhës i CIA-s), që të lidhej me grupin dhe t’i nxirrte prej ketu.Ky oficer i zbulimit strategjik ishte pikërisht kapiteni 24 vjeçar Llojd Smith. Ky do të  qëndronte në zonën e Bregdetit  shqiptar  të Jonit në pritje të lidhjes me grupin.

Në rrethin e Gjirokastrës grupi bëri një pushim.U mendua dhe u provua që grupi të evakuohej nga ajri. Por kur u bënë gati anglezët për t’i marrë, kjo u bë e pamundur meqë gjermanët kishin pushtuar zonat përrreth dhe aerodromin e Gjirokastrës . Kështu  ulja e  aeroplanëve   në tokë paraqiste rrëzik. Nga Italia anglezët dërguan dy skuadrilje avionësh, të cilët fluturuan mbi Gjirokastër. Oficeri britanik e pruri grupin e  amerikanëve pranë  arerodromit, por meqë atje  gjendeshin dy  makina të blinduara në rrugën kryesore, tamam matanë  lumit, ai me të drejtë refuzoi të jepte sinjalin për aeroplanët që të uleshin, pavarësisht nga lutjet histerike të grupit    shoqëronte (B. Tilman “ Atje  ku njerëzit dhe malet takohen” f.142)

Me 6 janar grupi amerikan kishte arritur në zonën e bregdetit. Në Kallarat e Tërbaç,kujton LLojd Smith, na pritën aq mirë sa s’ka.Aty Smith  takoi Hodo Meton, ish mësues ,agjent i OSS amerikane. .Janë të lodhur dhe të uritur i thashë. “ Mos ki merak “ më tha. Rrugës së bregdetit  i shoqëruan gjashtë shqiptarë, të ndarë dy nga dy në tre grupe, duke lëvizur natën e me shumë kujdes nga shtëpia e Xhelil Ymer Çelës në Dukat në atë të Jeronim Dunit e të Jani Markos në Dhërmi,pastaj në Vuno sa dolën në Gjongjilekë. Këtu një anije naftëmbajtëse angleze i mori pas mesnate dhe i dërgoi në Bari të Italisë. Kishin ecur mbi 800 milje për 62 ditë nëpër Shqipëri. Smith,i graduar major që në janar, nga suksesi i operacionit të parë, do të vinte përsëri në Shqipëri në mars për të evakuar tri infermjeret e mbetura pas në Berat.

MESAZHI- AMANET.

Historia interesante e 30 amerikanëve në Shqipëri që shpëtuan mrekullisht në sajë të ndihmës së partizanëve dhe të popullit , ose ndryshe “ aventura shqiptare” e tyre, që spikat për dramacitetin e saj,por që flet shumë për pritjen miqësore aq karakteristike të shqiptarëve, mbeti e panjohur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.Madje përkthyesi i anglishtes,Kosta Stefa, nga qyteti i Beratit,( në shtëpinë e të cilit dy javë kishte qëndruar Agnes Jensen),pas çlirimit qe pushkatuar i akuzuar si agjent i  SHBA. Ndërsa  në SHBA  njerëzit flisnin  dhe shkruanin me simpati për popullin shqiptar dhe forcat partizane që u shpëtuan jetën vajzave dhe djemve të tyre.  Më 1946 Tilman, që kishte qenë në Shqipëri me 1943, dhe ishte takuar me grupin e vajzave në Gjirokastër, në dy faqe të një libri që botoi shkruante dhe për këtë ngjarje.

Më 1986 në Shqipëri kish ardhur  gazetari i mirënjohur amerikan me origjinë shqiptare Piter Lukas, i cili kishte kaluar gjithë intenerarin  e kohës së luftës të grupit të amerikanëve. Për këtë ai shkroi në shtypin amerikan dhe botoi një libër për ngjarjen.

Në tetor 1995 ai do të shoqëronte  në vizitën e saj në Shqipëri Agnes Jensen Mangerich me të bijën,Karen Anne dhe të birin, Jon Riçhard.E pritur miqësisht , ish nëntogerja  e ushtrisë amerikane( më 1995, 81 vjeçe) ajo bëri një vizitë  në disa nga  vendet ku kish kaluar, nga Elbasani në Berat, dhe ish emocionuar nga takimet me njerëz që kishin jetuar ngjarjen.Tepër prekës kish qenë takimi me miken e saj në Berat,Eleni Stefa, bashkëshorten e ish përkthyesit të kohës së luftës.Të dyja kishin pushtuar njëra tjetrën ndersa u rridhnin lotët çurk. “ E takova miken time dhe e ngushëllova për vdekjen e të shoqit ,Kostës ,ish përkthyesit tonë.Kam ndjerë një dhimbje të madhe, nuk di si ta shpreh”,do të thosh Jensen.

Në një ceremoni të bukur në Ministrinë e Mbrojtjes, Komisioni Qëndror i Statusit të Vereranit  të Luftës Antifashiste Naçional-Çlirimtare i akordoi Agnes Jensen Librezën e Nderit të Vereranes së Luftës së Popullit Shqiptar, të cilën ajo e mori me shumë emocion dhe tha se do ta mbante  si gjë të shtrenjtë në shtëpinë e saj.Vajzës dhe djalit u thosh:”Shqipëria është vendlindja ime e dyte”

Me të shkuar në SHBA, Jensen u tregonte me krenari të tjerëve Librezën e Nderit të Veteranes se Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare . Madje ajo ishte ftuar edhe në një pritje  që kish dhënë ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Wiliam Peri,në të cilën “të gjithë ishin shumë të  interesuar të dëgjonin për ceremoninë  e nderit ( në Shqiperi) dhe të shikonin Çertifikatën time të nderit te veteranes” do të më  shkruante Ajo më pas.

Vizita e Jensen Mangerich në Shqipëri dhe shkrimet e Piter Lukasit kishin  zgjuar edhe një amerikan tjetër. Në shtator 1996 do të vinte në Shqipëri Llojd Smith.Pyetëm historianë dhe veteranë të Luftës se mos dinin gjë për të, por askush nuk jepte një përgjigje. Menduam se do të ishte ndonjë nga amerikanët e grupit të avionit që ish rrëzuar në Çestije të Elbasanit.

Por nuk ishte ashtu.Llojd Smith, ish kapiten i zbulimit strategjik amerikan  ish nisur nga komanda e tij më 1943 të vinte në Shqipëri për të rënë në kontakt me grupin e vajzave dhe të djemve. Shërbimi i tij kishte  qene “ top sekret”.

Edhe Smith, më 1996, plot emocion dhe energji bëri një vizitë  në zonat e bregdetit ku kishte qene gjatë Luftës. Madje i mirëpritur në po atë shtëpi nga djemtë e nipërit e tyre.Tepër i kënaqur nga pritja , por edhe zhbirues si një zbulues profesionist. Në njërën nga këto shtëpi në  një natë janari të vitit  1944,i zoti i shtëpisë i kish dhënë në dorë një pushkë, e cila tek po e shihte, i kishte shkrepur dhe pumbi kishte shpuar tavanin. Kur po

ia tregonte më 1996  të birit ,( që kish qenë i vogël atëherë) ai i thotë :

Po, tamam ashtu, ja dhe vrima e plumbit në tavan që nuk e kemi prishur”. Llojd Smith, i befasuar,por dhe   shumë i kënaqur, ngrihet dhe e përqafon.

Llojd Smith, veteran i Luftës së Dytë Botërore, veç një albumi me foto   nga kjo Luftë ( në të cilin kish zënë vënd dhe ngjarja e grupit të 30 amerikanëve në Shqipëri) kishte sjellë  një dokument  interesant, një mesazh të Komandantit të Forcave Amerikane në Lindjen e Mesme, gjeneral majorit Ralf Rojs, drejtuar popullit shqiptar ku vlerësohej ndihma dhënë vajzave,burrave  dhe ekuipazhit të avionit. Po e japim të plotë këtë dokument **:

SHTABI I FORCAVE TE ARMATOSURA TE SHTETEVE TE BASHKUARA NE LINDJEN E MESME.

Kajro, Egjypt

20 janar 1944

Majorit  Llojd Smith,

Nëpërmjet raportit tuaj, general majori Ralf Rojs, komandant i Forcave amerikane ne Lindjen e Mesme ka qenë i informuar për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ndihmën që i është dhënë  grupit të infermejereve  amerikan dhe aviatorëve që u ulën në Shqipëri.Gjeneral Rojs ka kërkuar që t’u bëhet vlerësimi i mëposhtëm këtyre njerëzve në emër të Ushtrisë së SHBA :

“Si komandant  amerikan i teatrit të Lindjes së Mësme kam dëshirë të shpreh  vlerësimin tim për ndihmën dhe drejtimin e bërë nga ju grupit të infermjereve amerikane dhe aviatorëve të mbetur në vendin tuaj.Evakuimi i tyre i sigurtë i detyrohet shumë bashkëpunimit miqësor të popullit tuaj.Për këtë ne u jemi shumë mirënjohës.”

Në momentin më të parë  ju duhet ta çoni këtë mesazh në vendin e duhur.

Paul West

Nënkolonel i Këmbësorisë.

Piter Lucas ka shkruar se gjatë udhëtimit të tyre nëpër Shqipëri, një pjesë të grupit e kishte takuar vetë Enver Hoxha.( P.Lucas) ”Një natë u gjendëm në një dhomë me Enver Hoxhën”, do t’i shkruante Lucasit Harold Hayes, njëri nga ish sanitarët e grupit.Këtë gjest të partizanëve shqiptarë “që bënë vecse detyrën e tyre të bashkëluftetarit dhe të aleatit “ Enver Hoxha do ta  përmendëte në fjalën e tij para Konferencës së Paqës në Paris,më 21 gusht 1946 .(Më pas  ngjarja nuk do të kujtohej më në këtë kontekst,ndërsa përkthyesi i grupit, Kosta Stefa, do të vritej , Hasan Gina , më vonë ,do të  dënohej me burg  pse kish folur kundër partisë.)

Ndërsa megjithë përpjekjet mesazhi i gjeneralit Rojs nuk u bë e mundur të vinte në Shqipëri. Vetëm pas 52 vjetësh ,kur kish siguruar një fotokopje të deklasifikuar së fundi nga Arkivi i Ushtrisë  së SHBA, koloneli në pension , Smith e solli këtë dokument në Shqipëri, duke plotësuar një  detyrë dhe një amanet.

Kjo  ngjarje interesante e  ndodhur 67 vjet më parë  ishte një mesazh miqësie në kohë lufte .Ajo flet më së miri për për ndjenjat miqësore  të popullit shqiptar për SHBA,por edhe për  lidhjet e bashkëpunimin  në kuadrin e koalicionit të madh Antifashist Botëror.

Më 2012 historiani amerikan Bernd Fischer botoi librin “Shqiperia 1943-1945” në të cilin u botua Raporti dokumentar në lidhje me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë,shkruar më 1945 nga misioni special i Departamentit te shtetit  në Tiranë.Në këtë raport gjejmë një vlerësim edhe për rastin e shpëtimit të infermjerëve amerikanë e të aviatorëve .Ne pikën 2 rreth “ Qëndrimi i shumicës  dërmuese të popullit shqiptar “ shkruhet : “Ai ka demonstruar ndjenjat e tij thellësisht miqësore ndaj demokracive perëndimore në shumë mënyra dhe në shumë raste.Pjestarët e trupave ushtarakë aleate  që u gjenden në tokën shqiptare patën kujdësin dhe u mbrojtën nga njerëzit e thjeshtë të këtij vendi dhe nga grupet e rezistencës,që iu dha një ndihmë dhe një mbrojtje të tillë duke rrezikuar edhe jetën e tyre.” Më poshtë Raporti prek drejpërdrejt rastin e infermjereve amerikane kur shkruan “tridhjetë të tjerë mundën të shkonin për dy muaj nga njëri fshat në tjetrin në Shqipërinë Qëndrore e Jugore, ku gjetën kujdesin dhe mbrojtjen e duhur pa u tradhëtuar” ( Shqipëria 1943-1945”f.108)Për ngjarjen ka botuar kujtimet e saj Agenes Jensen : “ Albanian escape” ( Shpëtimi në Shqiperi)dhe kohet e fundit kabotuar nje liber Cate Lineberry: “ The secret rescue” ( Shpëtimi sekret)

Vitet e fundit kjo temë e shpëtimit të infermejreve amerikane në Shqipëri është parë të trajtohet  edhe ne vendin tone  ne faqet shtypit te shkruar,në internet,në radio e TV .Këtë  ngjarje e sjell ne nje studim edhe  historiani Hamit Kaba,në trajtimin e te cilit bie në sy një vlerësim i njeanshëm,kur shpëtimin e tyre gjatë dy muajve ia dedikon kapitenit Llojd Smith “ i cili ,shkruan H.Kaba, në bashkepunim me Misionin Amerikan dhe atë britanik mundësoi kthimin e tyre në Itali brenda një periudhe dy mujore”.Nuk përmenden këtu kontribuesit kryesor,populli shqiptar,forcat e tij te rezistences antifashiste ,partizanet qe i gjetën, i siguruan dhe i shoqëruan për dy muaj dhe ia dorëzuan kapitenit Smith në bregdet, ku ai po priste.Ndryshe shkruan ne mesazhin e tij , gjeneral-majori  Ralf Rojs , komandant i Forcave amerikane    Lindjen e  Mesme :”Evakuimi i tyre i sigurtë i detyrohet shumë bashkëpunimit miqësor të popullit tuaj”

Sot, kur  15 vjet më parë forcat e NATO- udhëhequr nga SHBA çliruan Kosovën,djemtë dhe nipërit  e atyre vajzave dhe djemve të Luftës së Dytë Botërore i dhanë popullit shqiptar një ndihmë  kolosale me rëndësi të jashtëzakonshme historike. Shqipëria është sot nje shtet demokratik anëtare e NATO-s , përkrah SHBA, përkrah forcave të saj të armatosura , në Irak , në Afganistan ,kudo që e kërkojnë interesat e paqës e të sigurisë

SALI ONUZI, kolonel në rezervë

Ish drejtor i Departamentit të Veteranëve te Luftës ( 1995-2001).

* Nick Cloney ka shkruar në “ Cincinnati Post” :”Duke shfletuar librin ( e Agnes Jensen Mangerich,) arrita në pjesën e fotografive,pashë infermjeret,vajza të reja,pas shpëtimit. Ishin të bukura.Të gjitha.Nëqoftëse Hollivudi do të vendoste ndonjëherë të bënte një film për historinë e tyre, do të ishte e vështirë të gjenin artiste mjaftueshëm tërheqëse dhe trimëresha,për t’i portretizuar ato plotësisht”

**Dokumenti është dorëzuar  në Arkivin Qëndror të Shtetit shqiptar.

*** Hamit Kaba : Qëndrimi amerikan ndaj Shqipërisë në vitet e rezistencës (1943-1944) në Studime Historike,2009 (3-4)f.67-81.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora