Mendime
Kastriot Myftaraj: Një Hero Kombëtar, i panjohur
E diele, 27.04.2014, 05:54 PM
Një Hero Kombëtar, i panjohur, i Shqipërisë
Nga Kastriot Myftaraj
Me vendimin nr. 117 dt. 5 shtator 1945, të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar (organi ligjvënës komunist i kohës), me “propozim të Kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare”, që ishte Enver Hoxha u vendos që Gjenerali Ivan Milutinoviç të dekorohej me Urdhrin e “Heroit Kombëtar”. (Gazeta Zyrtare nr. 46, 20 shtator 1945, f. 5)
Nuk ka një arsyetim të posaçëm për dekorimin e Ivan Milutinoviç. Emri i tij është në krye të një liste të dekoruarish me këtë arsyetim: “Duke marrë parasysh se shumë përsonalitete të huaja të vendeve aleate, gjatë Luftës Nacional-çlirimtare të popullit t’ onë kanë kontribuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet në luftën e popullit Shqiptar qoftë mbrenda në Shqipëri krah për krah me ushtrinë t’ onë qoftë jashtë Shqipërisë dhe për të çfaqur mirënjohjen dhe për ta shpërblyer e nderuar veprimtarinë e tyre në dobi t’ Atdheut e të Popullit Shqiptar”. (Gazeta Zyrtare nr. 46, 20 shtator 1945, f. 5)
Se si ka “kontribuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet në luftën e popullit Shqiptar” Ivan Milutinoviçi, këtë gjë na e shpjegon në librin “Titistët” vetë Enver Hoxha, i cili propozoi dekorimin e tij me dekoratën më të lartë shqiptare të kohës. Në këtë libër të botuar 37 vite pas dekorimit të Milutinoviçit, Enver Hoxha rrëfen një episod që ka ndodhur në vitin 1943:
“Na erdhi, në atë periudhë, një letër prej anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Ivan Milutinoviç (në atë kohë punonte në Mal të Zi), kun a kërkonte ndihma urgjente material etj., për lëvizjen dhe forcat partizane jugosllave dhe në Mal të Zi. Na thoshte se gjatë ofensivës së fundit gjermane, kishin pësuar humbje shumë të rënda dhe ndihmën tonë e quante shumë të nevojshme dhe të rëndësishme. Me këtë rast, shtonte në letër, do të ishte mirë të takohej e të bisedonte edhe me ndonjë shok të udhëheqjes së Partisë e të Shtabit tonë të Përgjithshëm.
Thirra menjëherë Ramadan Çitakun e Vasil Shanton, të dy kuadro kryesorë të Partisë sonë në atë kohë, dhe i ngarkova të shkonin në takimin që propozonte Milutinoviçi.
-Transmetojini shokut Milutinoviç,- u thashë këtyre,- se udhëheqja jonë vendosi t’ ua plotësojë të gjitha kërkesat që na bëjnë për ndihmë material. I thoni se ne jemi shokë e bashkëluftëtarë të së njëjtës çështje dhe të mirën e të keqen do t’ i ndajmë bashkë ashtu siç kemi vepruar gjer më sot. Pastaj,- u thashë shokëve,- dëgjojeni ç’ probleme do t’ ju shtrojë dhe jepni për to mendimet tuaja në bazë të qëndrimeve e të vijës së Partisë sonë. Në të njëjtën kohë ju, -i porosita,- pavarësisht nëse e hap apo s’ e hap bisedën Milutinoviçi, duhet t’ i paraqitni atij propozimet e Partisë sonë në lidhje me çështjen e luftës e të perspektivave të saj në Kosovë, në Rrafshin e Dukagjinit e në viset e tjera me popullsi shqiptare. Ju i dini mendimet tona,- i porosita,- prandaj paraqitini sa më qartë e saktë. I thoni, se flitni në emër të udhëheqjes së PKSH me një shok që, me siguri, do t’ ia transmetojë mendimet tona udhëheqjes së partisë së tij”. (Enver Hoxha, “Titistët”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1982, f. 92-93)
Ata të
cilët Enver Hoxha i quan “dy kuadro kryesorë të Partisë sonë në atë kohë” qenë
i pari Ramdan Çitaku, nga fshati Çitak i Drenicës. Me emrin “çitak” quheshin në
Ballkan, në kohën otomane, ata turq të cilët flisnin gjuhën e vendit. Pikërisht
për këtë arsye, pra si joshqiptar, e patën përzgjedhur të dërguarit komunistë
jugosllavë Ramadan Çitakun për ta bërë anëtar të Byrosë Politike të Komitetit Qendror
të Partisë Komuniste të Shqipërisë që në mars 1943. Dhe Ramadan Çitaku bëri
deri në fund punën e jugosllavëve. Ky
“U nisën dhe, pas pesëmbëdhjetë apo njëzet ditësh, u kthyen. Është pak të thuash ishin të zemëruar.
-Një tjetër Tempo në Mal të Zi!- më thotë Ramadani.- Të hollat na i rrëmbeu menjëherë, kurse të gjitha të tjerat na i ktheu mbrapsht. Nuk i quajti të drejta asnjë nga propozimet e sugjerimet tona. Na akuzoi për ‘shqiptaromadhëri’, për ‘shovinizëm’, për… Shkurt,- tha Baca,- foli tamam sikur ta kishte Tempon prapa veshit.
-Kurse ndihmat jua paska pranuar!- shfreu i pezmatuar Spiro Moisiu që në atë kohë e kishim Komandant të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë.- Me tërë ato të holla që ua nisëm me gjithë zemër, ne mund të kishim pajisur dy brigade partizane me veshje e me armatime. I kemi shokët zbathur e zhveshur.
-S’ ia dhamë Ivanit, o Spiro,- i thashë për ta qetësuar.- Ua dhamë luftës, partizanëve vëllezër jugosllavë”. (Enver Hoxha, “Titistët”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1982, f. 93)
Pra, Enver Hoxha na e thotë qartë se çfarë mendonte Milutinoviçi për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se çfarë kishte bërë ai për Luftën Nacion-çlirimtare në Shqipëri. Milutinoviçi kishte marrë, pa falenderuar madje, paratë me të cilat mund të pajiseshin me veshje dhe armatime, dy brigada partizane shqiptare. Dhe kjo në kohën (verën e vitit 1943), kur në Shqipëri kishte vetëm një brigadë partizane.
Ndonëse Enver Hoxha i dinte të gjitha këto, ai në shtator 1944 i propozoi parlamentit komunist, në cilësinë e Kryeministrit dhe të Komandantit të Përgjithshëm, që Ivan Milutinoviçit t’ i jepej dekorata më e lartë shqiptare e kohës, që ishte “Hero kombëtar”. Dhe pastaj Enver Hoxha kujtohet në 1982 që të shkruajë për Ivan Milutinoviçin ashtu siç e kam cituar më lart! Kjo është një nga provat e shumta të pakundërshtueshme se Enver Hoxha ka qenë njeriu i Beogradit, por që u bë antijugosllav kur Jugosllavia e braktisi Shqipërinë në 1948, se Tito trembej se mos Stalini e përdorte djallëzisht ndërhyrjen jugosllave në Shqipëri për të organizuar një sulm ushtarak kundër Jugosllavisë nëpërmjet Bullgarisë me të cilën Shqipëria kishte që prej vitit 1947 një traktat miqësie dhe ndihme reciproke.
Ivan Milutinoviçi nuk pati ardhur kurrë në Shqipëri. I vetmi kontakt i tij me Shqipërinë qenë paratë (monedha të arta) që i dërgoi Enver Hoxha. Milutinoviçi nuk mund të vinte në Shqipëri as me rastin e dekorimit se ai ishte vrarë në 23 tetor 1944 kur motobarka me të cilën po lundronte në Lumin Danub, në afërsi të Beogradit, shpërtheu kur ndeshi në një minë të vendosur nga gjermanët.
Ivan Milutinoviç, i lindur në Stijena, pranë Podgoricës, ishte nga fisi i Piperovicëve (Piper) të Malit të Zi, të cilët patën qenë në pararojë të luftrave të Malit të Zi kundër shqiptarëve, në shekuj, që nga koha e luftrave të Bushatllinjve të Shkodrës me vladikët e Malit të Zi, në luftrat e Oso Kukës, ato Lidhjes së Prizrenit (Lufta për Plavë-Gucinë etj.), te Lufta e Shkodrës, e deri në luftrat e Jugosllavisë monarkiste kundër shqiptarëve. Nuk ka vrasje të ndonjë shqiptari të shquar që të jtë bërë nga malazezët, ku të të mos kenë qitur pushkë Piperovicët, që nga vrasja e Kara Mahmut Pashë Bushatlliut, ajo e Oso Kukës, Jakup Ferrit, Dede Gjo Lulit, Çerçiz Topullit Isa Boletinit, etj. Sot pjesa më e madhe e Piperoviçëve janë deklaruar serbë në censuset e popullsisë që janë mbajtur sipas përkatësisë etnike në Mal të Zi.
Ivan Milutinoviçi ishte i ushqyer që në djep me urrejtje për shqiptarët, prandaj me siguri që do të kishte folur ashtu siç thotë Enver Hoxha, nëse të dërguarit e PKSH do t’ i kishin folur ashtu siç thotë Enver Hoxha. Por është e sigurt se ata nuk i kanë folur ashtu.
Në kohën që u dekorua Ivan Milutinoviçi në Shqipëri qenë arrestuar dhe pushkutuar si bashkëpunëtorë të Fashizmit shumë atdhetarë të njohur. Shumë të tjerë qenë arratisur jashtë vendit dhe kërkoheshin si kriminelë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Nuk ka shfajësim më të madh për atë që bënë ata se sa dekorimi i njerëzve si Ivan Milutinoviçi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ata atdhetarë shqiptarë që bashkëpunuan me Fashizmin e bënë këtë gjë se e vunë re rrezikun e qartë që në Shqipëri të vinin në pushtet ata që do të shpallnin Heronj Kombëtarë të Shqipërisë njerëz si Ivan Milutinoviçi. Fashizmi do të marrë fund, arsyetonin atë, dhe rreziku i vërtetë është Komunizmi sllav. Pas luftës aleatët perëndimorë nuk do të nguronin të mbështesnin kolaboracionistët e Fashizmit se pas luftës për SHBA dhe Britaninë e Madhe, dy fuqitë e mëdha perëndimore fituese të Luftës së Dytë Botërore, imperative nuk ishte më antifashizmi por antikomunizmi.
A mund të thuhet se Shqipëria është çliruar në 29 nëntor 1944, kur “çlirimtarët” komunistë bënë Hero Kombëtar Ivan Milutinoviçin dhe të tjerë si ai?
Episodi i mësipërm që na rrëfen Enver Hoxha për Ivan Milutinoviçin, na bën të qartë se komunistët jugosllavë nisën ta grabisin Shqipërinë që gjatë Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet komunistëve shqiptarë. Ato ndihma financiare që komunistët shqiptarë mblidhnin nga populli shqiptar gjoja për Frontin Nacional-Çlirimtar Shqiptar, për luftën antifashiste të partizanëve shqiptarë, shkonin në fakt, në pjesën më të madhe në Jugosllavi. Sa raste të tilla mund të ketë patur? Se ky nuk mund të ketë qenë i vetmi. Pas luftës grabitja e Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë do të zyrtarizohej me marrëveshje shtetërore.