Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Gjon Pali përballë Gjergj Kastriotit
E shtune, 26.04.2014, 07:02 PM
PAPA GJON PALI II... PËRBALLË GJERGJ KASTRIOTIT ...
25 PRILL 1993...
Nga Fritz RADOVANI
Një varg i pafund njerëzish lidhë aeroportin e Rinasit të Tiranës me Kishën Katedrale të qytetit të Shkodrës së rindërtueme....
Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve, Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruajtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithe së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë.... Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt ...., këtu mblidhuni,...bre Burra...kushtrim!
Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:
“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”...
Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:
Asht Papa Gjon Pali II....
Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464...
Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërhiqen me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim.... Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia....
U realizue andrra e shekujve të shkuem!...
Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.
Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës...
Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun...tue i Bekue!
***
Vjen muzgu i asaj dite të lume... Yjët kanë fillue me shndritë....
Në sheshin ma të madh të Shqipnisë, mu në qendrën e Sajë mes brohoritjeve e duertrokitjeve të Fitorës, sande, si t’ishim një shkamb që s’thërmohet ma thërrasin mbi 150.000 Katolikë, Myslimanë, Ortodoksë, të gjithë vëllazën të një truelli Arbënor:
Rrnoftë Papa Gjon Pali II-të!..
E, qé, pra,.... Erdhi Ajo Ditë e shumëpritun e Historisë!
Takohën Dy Burra!
Njeni me shpatë të futun në kllef e, Tjetri me Kryq në krahnor!
Asht Skenderbeu përballë Karol Vojtilës!
Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë!
Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!
Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë!
Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut!
Mirëse erdhe, o Burr’ i Bekuem! E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë me 12 Dhetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë! E dora e rame mbi gjoks tash 500 e sa vjet, ngrihët naltë!...
“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli i em Shqiptar! E, Ti jé bash Ai Burrë Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë të Ré edhe për Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka thotë!...Edhe unë dikur...
Këta... ndigjova,.. e, Fitova!..”.
Bije një heshtje në nderim të pritjes së fjalës së Mikut Shekullor! “Shqiptarët, dikur, kur përmendej Emni i Tij u çonin në kambë dhe hiqnin kësulen”....Po, sot? - Sot, Ata kanë në Shtëpinë e moçme Ilire Atë Trim që me fjalën e Tij trandi Botën mbarë....E, prap, sot në kambë!...
Shqiptarët e të gjitha trojeve Arbënore me sy të përlotun e shpresë të sigurt, prap sot ndigjojnë porosinë e këshillen Tande, Atë i Bekuem:
“Zotni President!
Të nderuem zotnijë Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!
Vëllazën e Motra Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!
Mbas njëdite me një program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po edhe ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe.
Në çiltërsinë tuej pashë kurajon e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një ateizmi mbytës.
Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju falëmnderës!
Erdha mes jush për me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të munduem, solidaritetin e gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës.
Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh:
Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje të përzemërt.
Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës.
Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërinjtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.
Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.
E gjithë kjo ndodhte në njëkohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.
Ju sot keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun. Jeni ngritë nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri drita e shpresës.
Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.
Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
Populli Shqiptar, - dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit. Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm.
Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju.
Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashjetesë tek Ju. Duhët mësue arti i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm. Ky asht çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.
Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohët puna dhe, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”.
Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun. Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë.
Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Sajë asht kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes për mos me hy në çeshtje thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin, i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër të çdo projekti ekonomik, social dhe politik.
Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyeve të aftësive dhe të spikatjes së solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit ndaj etikës dhe moralit.
Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit! Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës. Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar. Lé ti ndrisë hapat e Tua dashunia për familjën, shpirti i vëllazënimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare.
Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm , të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës. E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim...
Erdhi çasti i ndamjës.
Ju përshëndes i prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.
Përshëndes veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi. Përshëndes autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot. Kam dëshirë ti drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.
Përshëndes të gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës. Lus Zotin, që mbi secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e Këshillit të Mirë.
Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!
Zoti e ruajtë Atdheun Tuaj! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!
Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!
Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”
Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171, viti 1993.
University of San Francisco, USA.
Shenim nga Fritz Radovani: Material ii plotë asht marrë nga dorshkrimi i pabotuem F.R.:
“GURËT E THËMELIT” Melbourne 2004.