Mendime
Blerim Ramadani: Gjyqësia e turpit
E enjte, 24.04.2014, 07:55 PM
Gjyqësia e turpit legjitimon
votuesit fiktiv të Pustecit!
Nga Blerim RAMADANI
Maqedonia që nga pavarësia e saj tregoi një shkallë të ulët të nivelit të gjyqësisë. Mungesa e pavarësisë së gjykatave tona është faktor i përhershëm i cili në vazhdimësi ka kërkuar ndërhyrje. Në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, në Nenin 98 është theksuar se gjykatat janë të mëvetësishme dhe të pavarura. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara në pajtueshmëri me Kushtetutën. Edhe përkundër kësaj, gjithmonë ka egzistuar një ndikim dhe presion i paparë nga ana e pushtetit egzekutiv dhe subjekteve politike ndaj gjykatave, por nga këto sulme nuk ka shpëtuar as edhe Prokuroria Publike. Sot, sistemi nonë gjyqësor është i paralizuar dhe në pikë kritike. Megjithatë, gjyqësori është përkeqësuar ndjeshëm, duke vendosur veten që të mbrojë pozicionet dhe qëndrimet politike-kontraverze të subjektit më të madh politik në vend, VMRO-DPMNE-së dhe me këtë duke u partizuar skajshmërisht, në veçanti, si Gjykata Administrative ashtu edhe Gjykata Kushtetuese. Edhe përkundër reformave të ndërmarra, kohët e fundit dhe ndryshimeve në Kushtetutë, deri më sot, do duhej këto reforma të mundësonin një hap përpara në praktikën e gjykatave drejt pavarësimit dhe jo-animit të gjykatave. Por në praktikën e përditshme gjendja e gjykatave tona nuk e ka arritur nivelin e pavarësisë së kërkuar. Gjykata Administrative legjitimoi votuesit nga Pusteci, e cila erdhi si një kundër përgjigje ndaj refuzimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të këtyre votuesve. Sa për dijeni, bëhet fjalë për votues nga Pusteci, duke pranuar të gjitha 524 nga 639, ankesa të dorëzuara. Me këtë vendim të Gjykatës Administrative, 524 personat do të kenë të drejtë vote në Ambasadën e Tiranës, për deputetin e diasporës në Njësinë e 7 e cila përfshin kontinentin e Evropës. Kjo shkelje kundërligjore pa u argumentuar aspak jep një alarm në opinion rreth pavarësisë dhe objektivitetit të gjykatave tona. Rrjedha e tillë e ngjarjeve ngrit shqetësim për presion ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Por, kjo nuk është hera e parë që kjo gjykatë mbështet hapur bindjet politike të partisë maqedonase në pushtet. Në zgjedhjet e fundit lokale në Strugë dhe Kërçovë, ishte po Gjykata Administrative ajo që miratoi vendimin e kontestuar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe hodhi poshtë vendimet e Komisioneve Komunale Zgjedhore, me këtë duke lejuar që dy partitë maqedonase që ta realizojnë planin e tyre për koalicionin e përbashkët dhe lista të përbashkëta zgjedhore. Arsyetimi i antarëve të VMRO DPMNE-së para KSHZ-së ishte se vendimet e Gjyqësorit nuk duhet të komentohen. Mirëpo, të njejtit kishin harruar se në të kaluarën, pikërisht subjekti politik, të cilin përfaqësojnë ata, kishte komentuar hapur vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sa për t’u rikujtuar, në të kaluarën, VMRO-DPMNE-ja, partia qeverisëse, solli në pikëpyetje legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte vendosur kundër futjes së arsimit fetar në shkollat shtetërore. Gjykata Kushtetuese në atë kohë reagoi me një deklaratë për shtyp dhe denoncoi se i është nënshtruar një “presioni të paparë” dhe “përpjekjeve për të dëmtuar reputacionin e saj”. Ky incident ngriti shqetësime në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit. Në vitin 2010, vazhduan kritikat në adresë të Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri, ministri i Drejtësisë, Kryetari i Parlamentit dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, haptas e kritikuan punën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke i llogaritur të njejtat si të motivuara politikisht. Akoma edhe më absurd dhe qesharak ishte vendimi me të cilën doli këto ditë Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se largimi i gazetarëve nga Parlamenti, më 24 dhjetor të vitit 2012, ka qenë për shkak të mbrojtjes së tyre. Me këtë vendim gjykata i hodhi poshtë kërkesat për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të parashtruara nga gazetarë të Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë. Vendimi i tillë është edhe më qesharak, duke e ditë që gazetarët u larguan me dhunë nga hapësirat e parlamentit nga sigurimi dhe është absurd konstatimi i gjykatës se gazetarët u nxorrën për shkak të mbrojtjes dhe sigurisë së tyre. Vendime dhe ngjarje të tilla konfuze me prapavijë politike ngrisin shqetësimin për presion ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Kur do të ndërpiretet ky partizim absolut i gjyqësorit tonë?! Rrjedha dhe partizimi i këtillë i gjykatave nënkupton se duhet një ndërhyrje e menjëhershme.