Mendime
Jorgji Zguri: Denigrimi cënon sigurinë kombëtare
E shtune, 26.04.2014, 06:00 PM
Denigrimi i institucioneve cënon sigurinë kombëtare
Nga Jorgji ZGURI*
Detyra paresore e çdo qeverie është administrimi i institucioneve, me tej, përsosja e tyre sipas modeleve që imponojnë kulturat e vëndeve të zhvilluara, apo të atyre ku ne aspirojmë të jemi pjestarë. Më shume sesa e kreut të shtetit, kjo është detyrë bashkëpunimi dhe i përket ligjerisht, por jo vetëm kaq, edhe ekipit bashkeqeverises. E njëjta logjikë vlen edhe për institucionet në veçanti, kryesisht për ato që kanë detyrimin e ruajtjes (minimalisht në nivele të pranueshme) të sigurisë kombëtare. Më konkretisht; meqënëse “hallet e shtëpisë” kanë dalë në pazar, e kam fjalën për Sh.I.Sh-in, (pas bërjes publike të ndonjë dokumenti të kategorisë ”sekret” apo “tepër sekret”, pas deklarimit të plotë të emrave, të cilët përbëjnë edhe ekipin drejtues të këtij institucioni, duke kursyer kështu edhe lodhjen e zbuluesve të huaj me interesa strategjike në vëndin tonë), nderkohe qe gazeta te veçanta ende vazhdojne me te njejtat tematika, nuk e di se çfarë kanë planifikuar të bëjnë me këtë institucion, së pari drejtuesit e qeverisë përmes heshtjes së tyre apostolike, dhe se dyti agjenturat e huaja përmes lidhjeve të infiltruara brënda apo rreth kësaj Agjensie informacioni.
Le të
bëjmë një analizë më të detajuar të problematikave te Shërbimit Informativ
Shtetëror, në funksion të idesë së mësipërme. Të administrosh këtë Agjensi të
rëndësishme informacioni, për titullarin e saj do të thotë të administrojë
karakteret, profesionalizmin, pse jo, edhe bindjet apo qëndrimin atdhetar të
drejtuesve të lartë të aparatit qëndror (le ta quajmë superstruktura e këtij
institucioni), të cilët i ka zgjedhur vetë, gjykuar mbi bazën e vlerave,
besueshmërisë, apo për arsye që jo vetëm s’i dimë, por, për nga rëndësia s’vlejnë të merremi me to. Këta të fundit, të
bërë publikë në media, u duhet të administrojnë karakteret dhe veprimtarinë e
përditshme të drejtorëve apo kryetareve të degëve në bazë, në përputhje me
realizimin e detyrave, prioritetet e të cilave i orjenton vetë qeveria. E
njëjta gjë do të vlente edhe për drejtuesit në bazë, të cilat kanë edhe
vështirësitë më të mëdha.
Paraardhësit e tij e kanë mbushur këtë institucion, (nje numer i konsiderueshem) me njerëz mediokër, yes-menë e puthadore, pa ambicje profesionale, shumica e tyre me shkolla të larta të papërfunduara dhe diploma të blera te universitetet private, por duhet theksuar, kanë qënë njerëzit e tyre apo imponimet e interesave për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet e tij. Kështu u krijua moçali i injorancës në të cilin është i detyruar të notojë edhe vetë drejtuesi i Sh.I.Sh-it, kushdoqoftë ai. Nëse ka ndjekur të njëjtën rrugë edhe Visho Ajazi (ashtu si shkruajnë mediat), atherë kjo do ishte fatkeqësi, jo vetëm për Sherbimin. Kur situata e stanjacionit bëhet dominuese, demoralizohet edhe pjesa e shëndetshme e ekipit. Mes këtyre të paaftëve (për punë, jo për intriga) janë edhe një numur i madh,( rreth 100), oficerë të ish-sigurimit të shtetit. “Djallin kerkojeni atje ku eshte zjarri i ndezur”, meson populli. Që të jem objektiv, mes oficerëve të ish-sigurimit të famshëm të shtetit të diktaturës, ka edhe nga ata që janë diplomuar në vitet 85-90, të cilët, pas 4-5 viteve punë me metodat e shtrëngimit dhe “kontigjenteve”, shpresoj të jenë reformuar në kohën vijuese, edhe pse kjo vlen për t’u parë. Gjithsesi, kjo kategori si shpëtojnë dot sindromës së pakorigjueshme: në kushtet që ata s’pyeten për planet apo veprimtarinë e pritshme të këtij institucioni, janë të gatshëm të shkatërrojnë gjithçka.
Kushdo
mund të pyes: kush përpiqet kaq shumë për të gjakosur me thonj e me dhëmbë
trupin e drobitur të Shqipërisë?
Unë nuk i njoh disiplinat e spiunazhit, por gjersa informacionet sekrete janë bërë objekt publik diskutimi, si qytetar dhe punonjes i nje tjeter institucioni te rendesishem per shume vite, s’jam i privuar për t’u marrë me fenomenin. Prandaj, më duhet të pyes: Drejtoria e Zbulimit në Shërbimin Informativ Shtetëror, në bashkëpunim me atë të K/Zbulimit, i kanë mjetet financiare, logjistike apo kapacitet njerëzore për të evidentuar punonjësit që paguhen nga shteti shqiptar, por që kanë pranuar dhe vazhdojnë të bashkepunojnë me agjentuarat e huaja? Sepse ato, permes lidhjeve te tyre punojne per denigrimin e institucioneve tona, duke goditur keshtu edhe sigurine kombetare. A janë të aftë profesionistet tane të mësojnë se çfarë zhvillimesh kanë ndodhur para disa kohësh brënda divizionit të tetë, mes Janinës dhe kufirit tonë shtetëror, po aktualisht çfarë përgatitet në dëm të interesave tona kombëtare? Sepse agjenturat e huaja punojne per denigrimin e institucioneve tona, duke goditur keshtu edhe sigurine kombetare. Në kushtet që ish-Drejtori i Drejtorisë së K/Zbulimit të Prefekturave të Janinës (Konicë-Janinë) dhe asaj të Thesprotisë (Prevezë-Gumenicë-Korfuz), Thanas Llaka vinte me petkun e tregtarit në Gjirokastër e Sarandë dhe takohej me ndihmësin aktual të Inspektores së Kryeministrit, ndërsa ky i fundit, me ftesën e mikut grek bënte vizita familjare dhe pushime matanë kufirit, punonjësit e Sh.I.U-t e kanë dokumentuar këtë lidhje dhe kanë lënë gjurmë në materialet e shkruara, përse duhet të heshtet?
Në vitin
2007, kur punonjës të Shërbimit Informativ kryejnë veprime operative në qytetin
e Sarandës lidhur me një shtetas tjetër
grek të implikuar në veprimtari spiunazhi në dëm të vendit tonë, rezulton se
pikërisht ky shtetas i huaj banonte me ‘qera’ në njërën nga hyrjet (sipër
portit të qytetit) në pronësi të ndihmësit aktual të Inspektores së
Kryeministrit, i cili në atë periudhë kryente detyrën e Drejtorit të Drejtorisë
në Prefekturën e Tiranës. Në këmbim të ç’privilegjeve heshti Drejtori i
Sh.I.Sh-it kur u informua? Nuk e di se kush e ka penguar Visho Ajazin të
shfrytëzojë jo vetëm bashkëpunimin, por edhe metodat e shërbimeve prestigjoze,
kryesisht atyre amerikane, të testojë koeficentin e inteligjencës analitike apo
asaj praktike, të kontrollojë pa asnjë lloj droje, shëndetin trupor dhe mendor
të ekipit me të cilin punon. Sepse të përballosh të kaluarën, do të thotë të
gëzosh një mbështetje të brëndëshme solide. Me siguri që kjo duhet kërkuar jo
te dëshira e drejtuesit të parë, por te interesimi dhe devotshmëria e vartësve
të tij. Nëse kemi vërtet një Strategji Kombetare, pjesë e kësaj strategjie
duhet të ishte edhe reformimi i këtij institucioni, edhe pse s’ështe i vetmi që
merret me problematikat e kësaj sigurie.
Çdo vend, i vogël apo i madh qoftë, ka vetëm dy pasuri: pasuritë natyrore dhe pasuritë njerëzore. Ndërsa të parat i rrënuam apo i lamë të grabiten barbarisht, elementi njerëzor meriton një trajtim e kujdes të veçantë. S’kam asnjë kurreshtje apo interes për të njohur të djeshmen aq te perfolur te Bahri Shaqirit, as për të ardhmen e tij (s’do çuditesha po ta shikoja si drejtues në një agjensi tjetër informacioni!). Gjithashtu, s’kam asnjë kurreshtje për të nesërmen e Visho Ajazi Likës, ne kushtet qe s’njoh as te tashmen e tij, s’kam asnjë shtysë të brëndëshme apo përtej saj, që të merrem me të. Ajo që më shqetëson është qëndrimi i hapur antishqiptar, i atyre që fshihen prapa disa gazetave duke publikuar dokumente sekrete, me një mision të paracaktuar: të cënojnë elementët e sigurisë kombëtare dhe denigrojnë Shërbimin Informativ Shtetëror. Mos duhet pritur që të dalin edhe emrat e inspektorëve apo objekteve të punës së tyre? Mund të thoni se s’ka asgjë për t’u çuditur. Ndoshta, sepse luftën me armë e ka zëvëndësuar pushtimi shpirtëror: kisha dhe shkolla në gjuhën e tyre, pa harruar varrezat (përse duan ta mbushin me varre këtë vënd kaq të bukur?!), dhe më tej, ekspansioni i tregjeve.
Në
kushtet që sistemi i vlerave pothuajse s’ka funksionuar asnjëherë brënda
Shërbimit Informativ, drejtuesi i këtij institucioni duhet ta bindë veten për
realizimin e asaj që unë do ta quaja sfidë: mënjanimin nga drejtimi i të
paaftëve në çdo sektor që të ndodhen, zëvëndësimin qoftë edhe pjesërisht të
ekipit të përfolur nga media e shkruar dhe ajo vizive (duke gjykuar mbi bazën e
materialeve kompromentuese, nëse ka të tilla, apo aftesise profesionale, sepse
të arsimuarit me shkolla dy vjeçare të policisë, kushdoqofshin ata dhe lidhjet
e tyre, s’mund të drejtojnë atë kategori punonjësish, që çdo ditë, ushqimin e
tyre shpirtëror kanë interesat kulturore), për të shëndoshur kështu
institucionin dhe për të mënjanuar krizën e besueshmërisë.
*Specialist ne strukturat e sigurise kombetare.