Kulturë
Sadulla Daja: Fetah Bahtiri dhe mosha e pjekurisë
E marte, 11.03.2014, 07:03 PM
FETAH BAHTIRI DHE MOSHA E PJEKURISË
(Fetah Bahtiri, Kur i mbusha 70 vjet”, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Botoi Printing Press, Prishtinë 2014)
Nga Sadulla Zendeli - Daja
E
çuditshme duket rinia, përjashtë shkëlqimtare kurse përbrenda nuk ndjen asgjë!
Kjo dhe motoja nën titull kushtuar dashurisë dhe miqësisë, ndikoi që edhe unë
t’i them ca fjalë për moshën e pjekurisë, jo vetëm të krijuesit tonë të
mrekullueshëm (Fetah Bahtiri), por edhe të do emrave tjerë të famshëm që kam
njohur gjatë jetës sime (Thoma Kacori, Ahmet Pere, Xhevat Lloshi, Shefkije
Islamaj, Fatmir Toçi, Odhise Grillo, Hilmi Dervishi, Azem Zylfiqari, Sefer
Selimi, Baki Ymeri, Ramadan Reshitaj, Ullmar Qvick, Vilhelme Vranari Haxhiraj e
shumë të tjerë). Njeriu në këtë moshë e ndjen veten si një lis që u ka bërë
ballë të gjitha stuhive të jetës. Është një traditë e veçantë te shqiptarët që
plaku të nderohet, dhe kur hyn në dhomë burrash apo në gjirin e familjes, të
gjithë ngrihen në këmbë duke i ofruar vendin e nderit.
Fetah Bahtiri ka cilësitë dhe vlerat për të qenë i mirëseardhur çdokund dhe kurdoherë, ngase krejt jetën ia ka kushtuar kombit dhe atdheut, duke i dhënë prioritet pikëspari gjuhës shqipe, vlerave atdhetare dhe krenarisë për të qenë shqiptar. Autori i librit “Kur i mbusha 70 vjet...” gjendet në moshën e pjekurisë. Ai e ka kryer detyrën ndaj kombit dhe është koha ta kremtojmë dhe t’i themi: “Urime, gëzuar dhe i përjetofshë edhe 100 vjet tjera!”
Fetahu
troket në portat e pranverës së 70-të nëpërmjet punës, përgjegjësisë, nderit
dhe respektit që ka krijuar në gjirin e bashkatdhetarëve tanë, jo vetëm në
Suedi. Për këtë flasin vetë faqet e këtij libri, kujtimet dhe admirimet e
dashamirëve të panumërt që ka e që kanë shkruar për te.
Mosha e pjekurisë ndjek një periudhë sakrificash për afirmim dhe admirim. Autori e anashkalon idenë se liria konsiderohet si diçka sipërfaqësore apo artificiale. Ai gjendet në një kontradiktë kontinuitive me idetë që i reflekton. Në një çast sinqeriteti, shpërthen dhe thotë me fjalë të tjera se liria ime është një peshë vitesh gjatë të cilave kam vepruar për atdheun dhe jo më kot! Liria e fjalës dhe mendimit është një nga vlerat më të mëdha të demokracisë. Veprimi zhvillohet përgjatë një periudhe 70-vjeçare, autori duke qenë kryeprotagonist, kurse ata që e kanë njohur, e kanë shpërblyer me një kontigjent vlerësimesh e mirënjohjesh të merituara.
Skandinavia të ofron kushte për të qenë më mirë të shëndetshëm dhe të gjallërishëm, se sa të varfër dhe të sëmurë. Kam patur rastin të njoh dikë që ëndërron pas një jete pune të arrijë moshën e pensionimit pas 65 vitesh, pa pritur nga qeveria t’ua paguajë qeranë apo ilaçet. Të gjitha këto ngjajnë në vendet skandinavike dhe Kanada, disa nga vendet ku jetohet më mirë konform statistikave botërore. Jetën dhe veprën e Fetah Bahtirit e përshkojnë momente të vështira që të shtyjnë të mendosh, por Ju siguroj se finalja është një thesar i një jete të shkrirë për dashuri dhe atdhedashuri. Po Jua jap vetëm një shembull: Pas një jete prej 65 vjet pune me përkushtimi, arrin të marrësh frymë lirisht, duke e përjetuar pensionin. Ndërkaq, Fetah Bahtiri nuk shkon në pension fare! Edhe tani ai vepron me vullnet dhe vrullshëm duke i shëbyer familjes, atdheut dhe kombit të vet. Ai u thotë lamtumirë vetëm shqetsimeve të patronit, blokimit të trafikut gjatë vajtjes në punë dhe mungesës së buxhetit për ta mbajtur gjallë vetëveten dhe familjen.
Ja pra, ky është fati i autorit të këtij libri, të përjetojë moshën e tretë me një varg veprash të cilësisë së lartë. Shumëkush prej nesh e ëndërron një fat të këtillë. Jetojmë falë atyre që u flijuan duke mbrojtur atdheun. Fati ynë është liria e trojeve tona të shkëputura nga shteti amë, Shqipëria. Fati është dielli që nuk perëndon kurrë, duke të mbrojtur nga acari i ekzistencës. Ai është rrezja që na thotë se diku, pas bjeshkëve të vdekjes ekziston ylli i dashurisë sonë.
Nuk tentoj të ju marr kohë lidhur me jetën patriotike dhe librat e këtij shkrimtari të çmuar, sepse ato i gjeni në korpusin e kësaj vepre, por mjafton të konkludojmë se një nga librat e tij që bëri një jehonë të madhe dhe u erësua lart është “Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick (Monografi)”, 2012. Vepra i kushtohet albanologut Ullmar Qvick, i cili me plot gojë edhe sot pohon: ”Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët.”
Përfundimisht vlen të theksojmë se kjo vepër e sheh dritën e botimit në një hapësirë tipografike prej 233 faqesh me një numër të konsideruar fotografishë, ballinash, mirënjohjesh dhe faksimilesh në kolor. Libri është i strukturuar në 6 kapituj dhe përmbyllet me disa poezi të dashura dhe disa shqipërime. Redaktor i librit është autori i këtij shkrimi, përkujdesja teknike Zana Bahtiri ndërsa recensues: Rizah Sheqiri, Hysen Ibrahimi dhe Sokol Demaku.