Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Në vend të homazhit
E enjte, 06.03.2014, 08:04 PM
Në kuadër të 40 vjetorit të rënies
Në vend të homazhit
Nga Reshat Kripa
Studiuesi i njohur Giovani Sartori në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë“, botuar në vitin 1987, shkruan:
”Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn e thjeshtë dhe të tmerrshëm të shtypjes së njimendtë atje ku ekziston përnjmend“.
Sot, në emër të lirisë, flasin dhe rrahin gjoksin, më tepër se kushdo tjetër, pikërisht ata që e ndihmuan sistemin totalitar të qëndronte në këmbë për një periudhë aq të gjatë. Këta korba të zinj janë pikërisht ata që nuk e kanë ndjerrë kurrë mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të diktaturës. Janë ata që nuk kanë provuar kurrë çdo të thotë të humbasësh një familje të tërë, në holokaustin më të egër që ka parë bota. Një holokaust të tillë mund ta ndjejnë vetëm ata që e kanë pësuar dhe një nga këto është edhe familja Sejko, një familje që i dha gjithçka atdheut dhe nuk mori asgjë prej tij. I dha të parin e familjes, Teme Sejkon, komandantin e flotës luftarake, njërin prej figurave kryesore të luftës për liri. I dha më të riun, Sokol Sejkon, që edhe para togës së pushkatimit pati kurajon t’u thërriste kriminelëve “Afrohuni dhe pak e qëlloni!“. E treta ishte nëna, Shpresa, që e dërrmuan tragjeditë e njëpasnjëshme dhe i dha fund jetës me dorën e saj. I katërti ishte djali tjetër, Rajmondi, që u syrgjynos në humnerat e thella të burgjeve dhe kampeve të tmerrshëm. A keni dëgjuar ndonjëherë që targjedi të tilla të kenë ndodhur në vende të tjera? Ndoshta vetëm në Gjermaninë naziste por edhe këtu ka një diferencë. Ndërsa holokausti nazist zhvillohej në kondita lufte, holokausti komunist zhvillohej në kondita paqeje, me një gjakftohtësi prej ciniku.
Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deklaroi:
Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke i bërë jehonë kryediktatorit të zi dhe epokës së tij si dhe duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë për të cilët jemi mbledhur sot. Janë pikërtisht këta zëra korbash që pretendojnë për ditë çlirimi nga robëria e huaj. Por a u çlirua vërtet? Ajo nuk është dita e çlirimit. Ajo është dita e skllavërimit të këtij populli. Është dita e mbi 6.000 të vrarëve pa faj, mbi 17.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara politikisht, mbi 400.000 të përndjekurve politikë. Atëherë, përse bëni fjalë? Për atë “çlirim që Çamëria nuk është truall shqiptare. Për atë “çlirim” që hëngri edhe bijtë e vetë? Për atë “çlirim” që varfëroi deri në palcë një popull të tërë? Kjo është ajo dita e “çlirimit” që ju kërkoni ta ngrini në qiell?
Pas
Luftës së Dytë Botërore në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as
nazizmi. Kjo bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të
errët të historisë së tij.
Zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës së përmendur më sipër ka thënë:
Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste.
Një deklaratë dinjitoze e një intelektualeje dinjitoze. Por, a keni dëgjuar ndonjë personalitet të së kaluarës në vendin tonë të ketë bërë një deklaratë të tillë? Shumë rrallë. Sepse nuk e kanë burrërinë ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi. Kjo fatkeqësi merr përmasa më të mëdha kur mendon se, qysh në vitin 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën “Për dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në mbështetje të rezolutës analoge të miratuar më parë nga Këshilli i Europës, rezolutë që në shumicën e pikave të saj ka mbetur në letër. Deri kur do të vazhdohet kështu? Ne jemi në pritje.
Së fundi kam edhe një thirrje për historianët dhe studiuesit e djathtë. Kohët e fundit, në vendin tonë, ka filluar një fushatë e shfrenuar e së majtës, për të ringjallur figurat dhe epokën e së kaluarës më të egër që ka kaluar vendi. Ku është zëri i tye? Përse nuk u përgjigjen? Ne duam ta dëgjojmë atë zë me forcën më të madhe. Në të kundërt, nesër do të jetë shumë vonë.
Mbajtur në takimin përkujtimor në sallën e Muzeut Historik Kombëtar