E premte, 19.04.2024, 04:35 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Një ngjarje në bulevard

E enjte, 20.02.2014, 09:01 PM


Një ngjarje në bulevard me kordon policor femëror në trotuar

Nga Kastriot Myftaraj

Pas demonstratës së 21 janarit 2011, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të PS-së, për të justifikuar dhunën e protestuesve përsërisnin vazhdimisht se: “Ne kemi parë se ndizet flakë Athina, Roma, Parisi, Londra, Madridi, New York-u, kur ka protesta, por nuk vdes askush”. Kështu që protesta e sotme të PD-së, e cila kaloi krejt të qetë dhe pa asnjë konfrontim me Policinë, aq sa bulevardi ngjante si i mbushur me manekinë, nuk mund të krahasohet me ato në Athinë, Romë, Paris, Londër, Madrid, që të gjitha kryeqytete të vendeve të Bashkimit Europian. Për të mos folur këtu për protesta në vende ish-komuniste, anëtare të Bashkimit Europian, si Bullgaria, Rumania, Hungaria etj, ku kemi parë jo pak dhunë. Mund ta krahasonim me protestat në vendet skandinave, nëse para disa kohësh nuk do të kishte pasur dhunë edhe gjatë protestave në Suedi. Në Danimarkë kjo gjë ka ndodhur më parë. Dikush mund të thotë se protestat për të cilat flas unë këtu janë kryer nga grupe dhe organizata jashtëparlamentare dhe jo nga parti që kanë qenë ose presin të vinë në pushtet. Epo këtë gjë e dinte edhe Edi Rama kur fliste si më lart, apo jo?

Protesta e sotme në Tiranë, e cila kaloi krejt qetësisht dhe pas asnjë incident, nuk mund të krahasohet me asnjë protestë në asnjë kryeqytet perëndimor. Tashmë PD duhet të krenohet se ka vendosur një standard botëror të protestave, të cilit duhet t’ i referohen të gjithë. Por çuditërisht, ose ndoshta jo, as Lulzim Basha dhe Berisha, nuk dolën pas protestës të krenohen me vendosjen e një standardi botëror. Sepse pjesëmarrësit e sotëm në protestën e PD-së nuk janë më të qytetëruar se suedezët, apo banorët e vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Ajo që ka ndodhur sot në Tiranë është e ngjashme me atë që ndodhi në marshimin e PS në bulevard një javë pas 21 janarit 2011. Ditën e premte, në 28 janar 2011 PS bëri një marshim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të përkujtuar katër të vrarët e një jave më parë. Ndonëse në 28 janar kjo parti kishte tashmë katër të vrarë, ky marshim kaloi krejt i qetë. Të njëjtët njerëz të cilët morën pjesë në marshimin e 28 janarit patën qenë dhe në atë të 21 janarit, por në 21 janar qenë të egërsuar dhe të dhunshëm, që para se të ndodhnin vrasjet. Arsyeja kuptohet. Në 21 janar ata qenë nxitur paraprakisht që të ishin të dhunshëm, në 28 janar qenë porositur të ishin të qetë.

PD në 20 shkurt marshoi në bulevard si një kortezh funebër, si PS në 28 janar. Pyetja është se për cilin të vdekur qenë duke bërë përshpirtje në bulevard pjesëmarrësit në tubimin e sotëm. Qartësisht për vetë partinë e tyre. Ashtu siç pritej, Edi Rama sot e kishte rrethuar selinë e Kryeministrisë me një kordon policesh femra, të cilat qëndronin pesë metra larg njëra-tjetrës. Këto qenë rreshtuar përgjatë skajit të trotuarit para ndërtesës, duke i ndaluar protestuesit që të ecnin në trotuar. Kordoni vazhdonte në linjë diagonale në lulishten në anë të selisë së Kryeministrisë, nga ana e “Piramidës”. Ky ishte perimetri ligjor i mbrojtes së Kryeministrisë nga pikëpamja e e qeverisë së sotme, domethënë e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Por brenda hapësirës të rrethuar sot me kordon nga Policia e Shtetit, u vranë tre nga katër protestuesit e majtë në 21 janar. Kur ishte në opozitë, PS-ja pretendonte se perimetri ligjor i mbrojtjes së selisë së Kryeministrisë ishte i njësuar me gardhin rrethues që sot nuk ekziston më, se e prishi Edi Rama, me t’ u bërë Kryeministër. Pikëpamjen që kishte atëherë Edi Rama për perimetrin ligjor të mbrojtjes, e bëri të sajën zyrtarisht edhe Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, me tezën e famshme të ngjarjeve në bulevard. Partia Demokratike në protestën e sotme kishte të drejtë dhe duhet ta kishte shkelur hapësirën midis kordonit të policeve femra dhe të vijës së ish-gardhit rrethues të Kryeministrisë, por nuk pati guxim ta bënte as këtë gjë. Kështu PD e poshtëroi dyfish veten sot, si për shkakun se nuk guxoi të shkelte hapësirën në të cilën u kriminalizua për 21 janarin, ashtu dhe për faktin se këtë herë kjo hapësirë mbrohej nga police femra, gjë me të cilën Edi Rama i tha sot Shqipërisë dhe botës se Lulzim Bashën dhe turmën e tij unë e përballoj vetëm me femra.

Meqënëse Lulzim Basha, dy ditë më parë, u kishte dhënë garanci për protestë të qetë ambasadorëve të vendeve kryesore perëndimore në Tiranë, Edi Rama kishte një detyrim që të tregohej i përmbajtur së paku sot para protestës, dhe këtë detyrim e kishte ndaj ambasadorëve, jo ndaj Bashës. Por Edi Rama pikërisht sot përmendi 21 janarin në Kuvend, duke kërcënuar me rihapjen e hetimeve për të. Kur vetëm ato që kanë thënë Rama dhe Basha para dy protestave të krahasohen, janë të mjaftueshme që Rama të shkojë i pari në burg. Sikur të mos mjaftonte kjo që bëri Rama, në mes të protestës, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri doli në tarracën e ndërtesës së Kryeministrisë dhe nisi të ecte përgjatë parmakut të saj, duke imituar atë që kishte bërë Lulzim Basha në 21 janar kur kishte qenë ministër i Punëve të Brendshme. Por në 21 janar ministri i Punëve të Brendshme e kishte për detyrë të ishte në tarracë se Edi Rama kishte folur publikisht në televizion për një shesh të mbushur me të vdekur nëse Saliu nuk jepte dorëheqjen dhe PS kishte thënë zyrtarisht se nuk mbante përgjegjësi nëse demonstrata, siç e quajti ajo do të dilte jashtë kontrollit. Sot nuk kishte asgjë të ngjashme, kështu që dalja e ministrit Tahiri ishte vetëm një provokim. Por edhe këtë dalje ai e ktheu në komedi se, duke dashur që trupi t’ i dilte mbi parmak së paku deri afër mesit, kishte urdhëruar që të vendosnin në rrëzë të parmakut një varg me kuti që gjendeshin në bodrumet e Kryeministrisë, në mënyrë që ai të ecte mbi to. Kur Edi Rama i dërgoi një sms me fjalët “Zbrit mor gomar se pot ë filmojnë nga sipër se ku po shkel!” (vërtet dikush ishte duke e filmuar me telefon celular nga katet më të larta të kullave përballë nga ku mund të dukej edhe hapësira e tarracës në rrëzë të parmakut), Tahiri dërgoi policët ta kapnin “kriminelin” dhe t’ ia merrnin celularin.

Ashtu siç pritej, televizioni Top Channel, i cili dikur e kishte transmetuar drejtpërdrejt demonstratën e 21 janarit, nuk e transmetoi drejtpërdrejt protestën e 20 shkurtit. Por ashtu siç nuk pritej, as Tv Klan nuk e transmetoi drejtpërdrejt protestën e sotme. Madje në edicionin e lajmeve të orës 15: 30, Tv Klan i dha protestës së sotme më pak hapësirë se ngjarjeve në Ukrainë. Kjo tregon se PD, në opozitën e gjatë dhe të vështirë që e pret, nuk ka më as mbështetjen e televizionit privat pronarin e të cilit Berisha e shpërbleu me dhjetëra milionë euro nga paratë e taksapaguesve kur ishte Kryeministër. Mero Baze nesër ka plotësisht të drejtë të tallet në editorialin e tij të përditshëm dhe në rubrikën satirike “Antena brenda familjes” me protestën e sotme. Çfarëdo që të shkruajë vështirë se do të jetë ekzagjerim. Mero Baze e ka quajtur një UFO në PD Lulzim Bashën dhe ky i fundit sot e pohoi që është i tillë, me fjalimin që mbajti në protestë. Basha tha në fjalimin e tij se ky ishte tubimi më i madh që kishte parë ndonjëherë Sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi i madh i Tiranës. Por njoftimi zyrtar i PD-së më pas tha se pati 150 mijë pjesëmarrës. Kështu që PD pohoi se ky nuk qe tubimi më i madh në historinë e saj. PD ka mbajtur disa herë tubime ku kanë qenë qartësisht mbi 200 mijë pjesëmarrës, në 1991, 1992, 1996, 2001, madje ndonjëherë edhe me 300 mijë. Lulzim Basha me këtë tregoi se ai nuk ka qenë kurrë në tubimet e PD-së para vitit 2005 kur u bë deputet i kësaj partie, ndonëse në vitin 1991 ai ka qenë 17 vjeç.

PD pati sot në protestën e saj vëmendjen e medias së madhe ndërkombëtare, dhe e zhgënjeu atë. Nuk them se PD duhet të kishte bërë një protestë të dhunshme për të bërë lajm në televizionet dhe shtypin e madh ndërkombëtar, por PD nuk duhet të ishte trembur nga dhuna e imponuar nga provokimet. Nëse PD do të kishte kërkuar të shkelte hapësirën midis kordonit të policëve dhe vijës ku kishte qenë gardhi rrethues i ndërtesës së Kryeministrisë, me siguri që do të kishte pasur përplasje të dhunshme me Policinë. Dhe kjo do të kishte bërë lajm në televizionet dhe gazetat e mëdha të botës. PD ishte në të drejtën e saj të kërkonte të shkelte hapësirën deri te perimetri ligjor i mbrojtjes së ndërtesës, edhe sikur të kishte qenë e detyruar të ushtronte dhunë për ta arritur këtë cak. Nëse PD do të kishte vepruar kështu, ajo do ta tregonte veten si një forcë e cila nuk toleron kur është fjala për të drejtat kushtetuese. Nëse PD kujton se ka fituar pikë në sytë e ndërkombëtarëve me performancën e sotme në bulevard, e ka gabim, se sjellja e sotme e PD-së u perceptua si dobësi. Edi Rama e perceptoi atë që ndodhi sot si një fitore të tij, dhe koha do ta tregojë se ai është inkurajuar nga ajo që ndodhi sot për ta shtypur PD-në dhe për ta bërë një parti kotele që përkëdhelet në këmbët e tij.

Asaj që bëri PD sot i shkon ironikisht përcaktimi që i bënë 21 janarit Bamir Topi dhe Ina Rama, dhe që e indinjoi aq shumë Berishën atëherë: “Një ngjarje në bulevard!” Pjesëmarrja e madhe e njerëzve në protestë tregoi se Qeveria “Rama” për pesë muaj e ka konsumuar veten sa për pesë vite për shkak të veprimeve të paprashikuara që ka bërë duke goditur shtresa të gjëra sociale, drejtpërdrejt apo tërthorazi, si në rastin e ndalimit të furgonëve që solli si pasojë goditjen ndaj një grupi njerëzish që si numër është shumëfishi i shoferëve të furgonave. Me pjesëmarrjen e madhe, PD kishte legjitimitet të bënte diçka të madh që do të përbënte lajm botëror. PD nuk e bëri këtë gjë dhe ky është gabim fatal.

Eksperienca e Ukrainës tregon se liderëve me prirje diktatoriale u duhen dhënë kumte të qarta qëndrese që në fillim, ndryshe më vonë ballafaqimi me ta ka kosto shumë të lartë. PD mund ta kishte bërë këtë gjë sot me Edi Ramën, duke shkelur hapësirën e bllokuar deri te perimetri ligjor i mbrojtjes së ndërtesës. Edi Rama do ta kishte marrë mesazhin dhe do të mendohej mirë para se të bënte veprime kundër PD-së, të çdo lloji qofshin, duke përfshirë edhe diversionin me Bamir Topin ndaj PD. Por edhe ambasadorët e huaj do ta kishin marrë mesazhin dhe do t’ u thoshin qeverive të tyre se ndaj Edi Ramës duhet ushtruar presion që të tregohet i përmbajtur me opozitën. Janukoviç në Ukrainë u inkurajua nga mosreagimi adekuat i opozitës ndaj tij kur ai nisi të shkelte të drejtat e saj në fillim të qeverisjes së tij, dhe sot opozita në Ukrainë gjendet praktikisht në luftë të armatosur me regjimin e Janukoviçit. Edi Rama është tipi i politikanit të Janukoviçit, i cili nuk vret katër protestues, por vret qindra. Opozita, në kundërpërgjigje ndaj dhunës së Janukoviçit ka vrarë dhjetera policë në Ukrainë këto ditë. Kështu precipitojnë gjërat kur liderët me prirje diktatoriale inkurajohen nga dobësia e treguar prej opozitës. Koha do të tregojë se fakti që opozita sot nuk provoi të shkelë hapësirën midis kordonit policor femëror dhe perimetrit ligjor të mbrojtjes së ndërtesës te ish-gardhi rrethues, do të sjellë si pasojë që nesër opozita të gjendet në situatën kur do t’ i duhet të mbrojë oborrin e selisë së saj. Rezultati i 20 shkurtit ishte se një Kryeministër, i cili i ka treguar ambicjet për të qenë diktator afatgjatë me ndryshimet që kërkon t’ i bëjë Kushtetutës, u inkurajua nga dobësia e opozitës për ta shtypur atë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora