E merkure, 01.05.2024, 11:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Shpend Topollaj - “Mallkimi”

E enjte, 23.01.2014, 08:11 PM


Një krijues, në kërkim të rrënjëve të etnopsikikës sonë kolektive

Rreth romanit “Mallkimi” dhe aktit krijues të shkrimtarit Shpend Topollaj

Nga Hyqmet HASKO

Kur tenton të zbulosh fijet që e lidhin një shkrimtar me realitetin dhe përditshmërinë, për të rrokur hapësirën e vektorit të kredos së tij letrare, natyrshëm shtyhesh në raportet e tij me kohën dhe bashkëkohësinë, me natyrën e tij njerëzore, me pëlqimet dhe dashuritë e tij.

Në shoqërinë tonë të sëmurë nga streset e mungesave të përditshmërisë, nga tam-tamet shurdhuese të mediokritetit, që kërkon të serviret si vlerë, kërkimi, zbulimi dhe përcjellja e vlerave të vërteta të kësaj shoqërie është një detyrë më shumë se njerëzore e qytetare, është një apel për të qenë pjesë e atij vektori elitar që mban ndezur pasionin e luftës për të drejtën e të vërtetën, pjesë e të cilave është, sigurisht, dhe letërsia e vërtetë.

Kjo qasje të shfaqet teksa mendon të hedhësh diçka në letër për një figurë të veçantë të letërsisë së çliruar nga klishetë dhe skemat shabllonsite, siç është ajo e poetit, shkrimtari dhe kritikut të mirënjohur durrsak Shpend Topollaj. Figura letrare dhe kulturologjike e Shpend Topollajt lidhet me një veprimtari të dendur, të gjërë e të sukseshme të tij në fushën e shtypit të shkruar, me kontributet estetike në botimin dhe promovimin e zhanreve të ndryshëm të krijimtarisë letrare, ku duket dora e një talenti që guxon të japë mesazhe universale rreth tematikave që bën objekt të pasqyrimit estetik.

Shpend Topollaj është një poet, shkrimtar, eseist dhe kritik letrar, që me veprën e tij të shtrirë në shumë zhanre e gjini letrare, zë një vend të nderuar në analet e letrave tona mbarëkombëtare.

Emri i Shpend Topollajt lidhet me një pasuri të madhe titujsh në gjini e zhanre të ndryshme letrare, mbi njëzet  libra që rrokin një tematikë të gjërë e të larmishme dhe që në thelb shpërfaqin e përcjellin raportet e njeriut bashkëkohor me kohën dhe historinë, me të kaluarën dhe përditshmërinë. Gjithashtu ai është autori i një mori shkrimesh me sens studimor, kritik e reflektiv, ku zënë vendin qendror raportet e njeriut shqiptar me artin dhe kulturën kombëtare, raportet e krijuesit me aktin krijues dhe jashtësinë e tij, etj.

Pena e Topollajt ngjyhet në plagët shqiptare dhe që andej, në një poezi dhe prozë mbresëlënëse, me dashuri e fisnikëri vjen dhe melhemi që autori vendos mbi këto plagë, si një kurë terapie që ka në themel dashurinë dhe mirësinë njerëzore.

Poezia e Shpendit është një imazhinizëm me rrathë koncetrikë që vijnë duke u zgjeruar nga baza në piramidë dhe anasjleltas, me ngarkesa figurative dhe mesazhe të shumëkuptimta, çfarë e bën poezinë e tij të lexohet në disa rrafshe dhe në disa plane. Por sens poetik, në kuptimin e fluiditetit dhe gjallërisë së përshkrimit kanë edhe prozat e tij, të gjata e të shkurtëra qofshin, ku autori derdh një talent të veçantë, duke depërtuar në skutat më të errëta të shpirtërave të protagonistëve dhe duke nxjerrë prej andej pasurinë e panjohur, thesaret e mbuluara nga pluhuri dhe harresa.

Këto më erdhën ndër mend ashtu kalimthi teksa lexoja për të dytën herë romanin e tij “Mallkimi”, një sagë poetike mbi fatin dhe fatalitetin njerëzor, si një kujtesë për të dëshmuar në breza, siç thotë edhe vetë, për të mos u vrarë nga befasimi dhe dhimbja “pafajësia e buzëqeshjes së tyre rinore” (është fjala për brezin e nipit të tij nëntëmuajsh, që kur të lexojnë këtë libër do të kuptojnë mirëfilli se nëpër çfarë rrugësh të thepisura kanë ecur paraardhësit e tyre, në një kohë absurde).

Në qendër të romanit është historia vertikale e një familje shqiptare nga Shqipëria e Mesme, diku në një fshat të Durrësit, histori që nis që nga koha e prag-pavarësisë kombëtare dhe kulmon në kohën e regjimit komunist, ku ingranazhet e djallit e përfshinë në një makth ekzistencial të tillë që u prapashoqërua me ankth dhe privime nga më të skajshmet.

Jeta në fshatin Metallaj, jeta në familjen Metallaj, gjithashtu, ulje-ngritjet dhe baticë –zbaticat e kohës dhe historisë shoqërojnë rrëfimin e ngjeshur të Shpend Topollajt, i cili vizaton me penelata të kursyera por plot lirizëm dhe poetikë të brendshme relievin e dashurisë dhe dhimbjes njerëzore, përballjet e skajshme të personazheve me ingranazhet diabolike të kohëve primitive, veçmas të Diktaturës komuniste, që i shpalli bijtë e kësaj familje kulakë dhe thuri në kurriz të tyre merimangën e krim-ndëshkimit të radhës.

Tentativa e vrasjes së dashurisë është një proces i ngadaltë, gërryes dhe asfiksues, por që ndodh me një simetri gërricëse nga paragrafi në pargraf, nga  faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, duke shpalosur dramën e njeriut shqiptar nën diktaturë, heroizmin e heshtur, për të mos rënë pre e vesit dhe përdhosjes së gjithëfarshme.

Autori dallohet për një stil të ngeshur e dinamik, konçiz e të përkorë, ku nuk ka lajle lule dhe zbukurime retorike; asnjë fjali nuk është e tepërt në prozën e Topollajt, gjithçka është në vendin e vet, e thënë në mënyrën e duhur dhe me sa më pak fjalë e fjali shprehet sa më shumë gjendje emocionale dhe ngarkesë rrëfimtare. Dialogu dhe monologu thuajse shkrihen me përshkrimet e gjalla, akuarelet e psikologjisë njerëzore, e cila faqe pas faqeje zbërthehet me një fuqi sugjestive të pazakontë.

Në këtë prozë të Shpendit, si dhe në prozat e tjera të tij duket një dorë mjeshtri; depërtimi në mënyrë moderne në fatin e shoqërisë shqiptare dhe të njeriut bashkëkohor si pjesë e kësaj shoqërie, është një nga procedimet e tij estetike dhe psikoanalitike, në kërkim të rrënjëve të etnopsikikës sonë kolektive.

Nga dora e poetit dhe shkrimtarit Shpend Topollaj kanë dalë me radhë vepra si :"Lirikat e zemrës”-poezi (përkthyer  në italisht),  "Gjithë dashuritë e mia” -poezi, “Akropol për të gjithë”,-poezi (përkthyer në greqisht), “Mjaft u grindën perënditë” –poezi, “Tokat e perëndive” –poezi, “Magjistari i dashurisë” –poezi,  “Rrëfimi i kapitenit”-tregime e novela, “Një njeri i çuditshëm” –tregime, “Fisniku dhe horri” –tregime, “Lotët e zambakut”-roman, “Mashtruesi”-roman, “Flakët e fjalës” –kritika letrare, “Porta e dijes” –kritika letrare etj etj. Gjithë kjo pasuri titujsh, të ardhur përgjatë një jete të vrullshme krijuese, plot ritme pasioni dhe përkushtimi, tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar të formuar plotësisht dhe ndër më origjinalët e kërkuesit e brezit të tij, për të përcjellë mesazhe origjinale dhe me rrezonancë këndvështrimi në

kohën dhe hapësirën e botës shqiptare.

Topollaj është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe një emër, që nuk i mungon asnjëherë publikut. Me shkrimet në shtypin e përditshëm, me qëndrimet refletike jokonformiste dhe realiste, me prozat e tij të shkruara me sharm dhe elegancë, personaliteti i tij krijues është i plotë dhe zë vendin  e vet të nderuar në letrat tona kombëtare.

Të shkruash për një figurë të tillë si ajo e Shpend Topollajt nuk është vetëm kënaqësi, por dhe obligim, pasi shoqëria jonë, shkrimtarët dhe artistët, intelektualët dhe elita kombëtare duhet të bëjnë ç’është e mundur që të pëcillet bota e vlerave, ajo botë që mban ekuilibrat jo rrallë të shprishura të shoqërisë sonë, botë për të cilën ka kontrbuar dhe vazhdon të kontribuojë me dashuri e pasion edhe poeti, shkrimtari, esisti e kulturologu Shpend Topollaj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora