E hene, 29.04.2024, 02:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Bep Shiroka: “Kam munguar se artin s’e merr njeri seriozisht”

E diele, 01.06.2008, 11:30 AM


Bep Shiroka
Nga Anila Dushi
 
Emocion dhe frikë provon Bep Shiroka (Artist i Merituar) pas dhjetë vite mungesë, para premierës së dramës “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut. Artisti që me interpretimet e tij të spikatura dhe profilet e paharruara të krijuara sidomos në ekran, nuk e mohon se ndjen frikën e përgjegjësisë para publikut dhe për interpertimin e rolit kryesor në këtë dramë. Interpretues i mbi 150 roleve në teatër dhe rreth 20 në kinematografi, 75-vjeçari, është modest dhe vetëm dëshiron që të mos zhgënjejë spektatorin e Shkodrës. Për gazetën “Shekulli”, Bep Shiroka tregon detajet e rikthimit dhe emocionet para shfaqjes.

Pse ka munguar kaq Bep Shiroka?

Është e vërtetë që i kam munguar skenës për mbi 10 vjet dhe kjo ka ardhur jo se nuk kam patur oferta si nga Teatri Kombëtar ashtu dhe nga teatro të tjerë, por për arsye shëndetësore. Ky rikthim vjen pas shumë hezitimesh. Dramaturgu dhe regjisori Stefan Çapaliku që për mendimin tim është ndër dramaturgët aktualë më të mirë, më kërkoi të interpretoja rolin e Rozarit në këtë dramë por unë hezitova. Kjo për shkak të shkëputjes së gjatë por edhe të përgjegjësisë për një rol të tillë. Është një dramë e bukur, një rol interesant dhe me peshë dramatike. Ishin fëmijët e mi që ndonëse jetojnë jashtë vendit, më shtynë ta pranoja rolin. Emocionet e rikthimit janë të forta. Mendoj se drama do të jetë interesante për publikun dhe synojmë që ta kthejmë atë në teatër, duke bërë që ai të ketë mundësi të shijojë fytyrën e vërtetë të teatrit “Migjeni”, këtij teatri i cili që nga fillimi i aktivitetit të tij ka konkurruar denjësisht me Teatrin Kombëtar. Sot nuk është e lehtë të bësh teatër, sepse nuk merret seriozisht as nga drejtuesit dhe as nga ata që ndonëse nuk hipin në skenë, e kanë në dorë skenën.

Na thoni diçka për rolin, çfarë është ky Rozari juaj?

Është një intelektual qytetar, i diplomuar në Perëndim por që si mjaft të tjerë që vendosën të kthehen në atdhe apo që të luftonin për çlirimin e vendit, u panë më pas nga diktatura me syrin e njerkës. Ndodhi që u burgosën, u internuan, u pushkatuan, të tjerëve iu mohua puna dhe zanati, u shfrytëzuan si kuajt që mbajnë pesha, u lanë fëmijët pa shkollë, disa dhe pa u martuar duke mos mundur të krijonin dot familje. Rozari është një intelektual i tillë që jeton në një familje të ndërkryer shkodrane, i mbyllur në shtëpi dhe në zakonet e veta. Kemi njohur intelektualë me fat të tillë, por ta sjellësh këtë fat në skenë nuk është e lehtë. Është një rol i komplikuar, e kam punuar me dëshirë, kam emocione, po kam dhe frikë. Frikë në kuptimin e përgjegjshmërisë, pasi unë nuk jam aktor fillestar as nuk kam për qëllim të bëj emër tani në moshën 75-jeçare. Unë kam krijuar diçka dhe frika qëndron pikërisht në atë që nuk dua të prish imazhin që kam krijuar me interpretimet e mia, nuk dua me e njollosë atë. Spektatori më ka pritur shumë mirë, dashuria dhe respekti i tij edhe pse prej vitesh nuk kam luajtur, nuk më ka munguar, kudo respektojnë punën time dhe iu jam mirënjohës. Por frika është.

Përveç përgjegjshmërisë, a ka ndonjë motiv tjetër “frika” juaj, ndoshta diçka që lidhet me spektatorin e tanishëm të teatrit?

Unë e thashë që me këtë dramë, si autori dhe regjisori i saj Çapaliku, ashtu dhe të gjithë aktorët synojnë që teatrit t’i kthehet fytyra e tij e vërtetë, serioziteti që ka vite që i ka munguar. Jemi dëshmitarë të asaj që në teatër këto vitet e fundit po ngjiten gjithëfarëlloj trupash e këngëtarësh komercialë që interpretojnë “këngë kanalesh” siç thotë një miku im. Teatri është në krizë pasi ai është një art elitar që shpreh mendim në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kohët e fundit është bërë e kollajshme me ba teatër apo dhe me shkru teatër. Shfaqjet kanë personazhe por nuk e di nëse kanë dramë. Nuk bëhet teatër i vërtetë. Pikërisht këtu qëndron dhe një motiv për të patur frikë. Frikë sepse spektatori prej vitesh është mësuar me “teatër të lehtë” që nuk të bën të mendosh shumë për të nxjerrë mesazhin. Kështu që ekziston rreziku që dhe spektatori të ketë humbur ndjesinë e reflektimit ndaj teatrit të vërtetë. Unë nuk mendoj se mund të luaj role të tjera në të ardhmen, jo se nuk dua, por se nuk mundem. Megjithatë kjo nuk është e prerë pasi do jenë arsyet shëndetësore ato që do të vendosin. Ndoshta ndonjë rol më të lehtë.

Autorët e dramës “Putargat e thata” mendojnë për një rishfaqje të saj dhe në skena të tjera, në Tiranë apo edhe në festivale brenda e jashtë vendit. Si e mendoni të ardhmen e teatrit dhe veçanërisht të teatrit “Migjeni”?

Fatkeqësisht është punuar pak në këtë drejtim, për elementin e ri. Në Shkodër është mjaft e ndjeshme. Këtu nuk ndodh që të vijnë dhe të paguhen aktorë nga qytete të tjera. Kjo tregon mungesë vullneti nga ata që merren dhe drejtojnë punët e artit në Shkodër. Aktorët shkodranë janë më të papaguarit në Shqipëri. Mund të them se roli që unë interpretoj është disa herë më pak i paguar se do të ishte në teatro të tjera të vendit. Arsyet finaciare duket se janë ato që kanë bërë që Shkodra, dikur me një teatër me peshë, sot nuk arrin të organizojë as një festival teatri që në fakt mungon në gjithë veriun.

Ju mendoni se ky është roli i fundit për ju. Atëherë mund të na thoni se cilët role mbeten më të dashurit?

Nuk mund t’i veçoj, qoftë rolet kryesore apo dytësore. Dua të përmend rolet në dramaturgjinë botërore ku kam interpretuar në vitet 60-të në teatrin e Shkodrës, po edhe ato të autorëve shqiptarë, duke nisur nga “Nora e Kelmendit” në vitin 1960, me të cilën trupa e Shkodrës mori disa çmime, e deri tek role të tjera si “Baca i Gjetajve” etj.. Nga kinematografia, ato që kanë mbetur më shumë në mendjen e spektatorit e telespektatorit janë fanatiku tek “Çifti i Lumtur” dhe Veseli tek “Koncert në vitin 1936”. Kinematografia sot bëhet vetëm në Tiranë dhe funksionon me grupe shokësh. Në teatrin “Migjeni” zhvillohen veprimari përkujtimore dhe që s’kanë lidhje me teatrin. Pra, ndodh që nganjëherë edhe harrohemi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora