E hene, 29.04.2024, 10:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Edmond Zhulali: Jam kompozitori i parë shqiptar i Festivalit Europian

E shtune, 31.05.2008, 08:57 PM


Edmond Zhulali: Ka qenë hera e parë që Shqipëria u përfaqësonte në Festivalin Europian  dhe  për ne ishte një emocion i madh

Jam kompozitori i  parë  shqiptar i Festivalit  Europian

Nga Albert Zholi

Në përgjithësi kompozitorët janë tipa shpërthyes, pasi dhe vetë muzika e tillë është shpërthyese, e papërmbajtshme, ku tingujt e saj janë vetë magjia e zotit. Ndërsa Edmond Zhulali është një natyrë e qetë, e qeshur, e butë në bisedë dhe komunikim. Përshtypja që merr me vete për të si njeri, përkon me atë të një intelektuali të sinqertë, studiues, të vëmendshëm që rrallë herë mund të dalë nga vetvetja dhe të lëndojë paksa njeriun. Ndërsa kur bëhet fjalë për muzikën, kur duart e tij lëshohen mbi tastierën e pianos, befasohesh. Në pamje të parë i ngathët, ai mbi tastierën e veglës me tinguj magjie, të shtang, të mbërthen, të dalldis. I shkathët, virtuoz, ai i lëviz duart mbi tastierë si një flutur e lehtë që vallëzon mbi petalet e luleve për ta shkrirë në një të vetme tingullin me atmosferën ndezëse. Njeri familjar që në emër të profesionit nuk bën kompromis me asgjë. Ajo që doja të veçoja në karakterin e tij si intelektual është akti më i sinqertë, më civilizues, ai i dorëheqjes nga nëndrejtor i Radio Tirana, për arsye të disa mosmarrëveshjeve me eprorët. Ky akt emancipues, është një ndër rastet e rralla në administratën shqiptare që numërohen me gishtat e vetëm një dore dhe që ka zënë vendin më të besueshëm tek rasti i Edmond Zhulalit. Në rrugëtimin e tij si kompozitor, është ndër të rrallët, që asnjëherë, nuk e ka këmbyer huazimin e muzikës, apo deformimin e muzikës së mirëfilltë shqiptare me muzikë të huaj në emër të parasë. Ai mbetet një muzikolog 24 karadsh shqiptar. Kompozimet e tij (dhe pse me origjinë nga jugu), i kanë lënë hapësirën dërrmuese këngëtarëve veriorë (pasi aty u rrit), sidomos këngëve epike, duke e çuar në lartësinë e duhur këtë lloj muzike potente, patriotike, që përbën një veçanti në muzikën e mirëfilltë shqiptare. 

Para disa ditësh gazeta shqiptare kishte  pasqyruar  dorëheqjen e shumë politikanëve dhe drejtuesve të Institucioeneve shtetërore ku midis të tjerëve   përmendeshit  edhe ju. Jeni dakort me mënyrën si e ka përshkruar dorëheqjen tuaj kjo gazetë?

-Dorëheqja  për  mua  është një  akt qytetar, civilizimi për çdo  person. Në atë shkrim të Gazetës Shqiptare  unë e shikoj veten më  ndryshe  nga të gjithë  të  tjerët nga  ata që kam  lexuar, për  arsye  se  mua  nuk  më  është  kërkuar  dorëheqja nga asnjë person. RTSH ku unë kam punuar ka luftuar që  unë të  mos  dorëhiqem, por  unë u  dorëhoqa  duke nxjerrë  në pah  disa  probleme  që kishte  Institucioni  i Radio Televizionit Shqiptar. Jam tërësisht i veçantë nga të  gjithë dorëheqjet e tjera të shumicës së personave që pashë aty, të qeveritarëve të të gjitha krahëve politike. Atyre u është kërkuar dhe imponuar dorëheqja nga rrethana të  ndryshme  në të  cilën  ndodheshin. Mua nuk  më  është  kërkuar  dhe prandaj  e shikoj  veten totalisht  ndryshe.

Ju mendoni se gazeta e ka përgjithësuar këtë problem duke mos e cituar rastin tuaj si të veçantë?

Kjo varet me çfarë këndvështrimi e kanë parë, si këndvështrim politik apo në një këndvështrim rastësor. Prandaj edhe unë shprehem se e ndjej veten  ndryshe nga të  gjithë ato  politikanë në raport  me  dorëheqjen.

Na  thoni  diçka  mbi jetën  tuaj fëminore, lagjja, shkolla, arsimi dhe a keni pasur ndonjë gjë pikante  me  mësuesit apo me prindërit  gjatë  periudhës  së shkollimit?

Unë  kam lindur  në  qytetin e  Peshkopisë. Nënën e kam  nga Gjirokastra dhe babain nga Libohova. Prindërit e mi kanë qenë  arsimtarë  dhe  kanë punuar si  mësues në rrethin e Dibrës. Si të gjithë fëmijët e tjerë kam qenë i  lëvizshëm. E kam  dashur muzikën që  në  moshë  të vogël. Kam pasur  një kitarë në  shtëpi  të  cilën e përdorte  vëllai  im i  madh. Unë fshehurazi i bija  me shumë dashuri. Brenda meje po shfaqej një talent.  Kur isha  në  moshë  gjashtë vjeç  e gjysmë dola  dhe luajta në kitarë me Ansamblin e  Pionierëve në  Tiranë. Më vonë duke parë talentin tim më kërkuan  për në Lice, por  nuk  më lanë,  sepse  në  atë kohë më  kishte vdekur  edhe  babai  dhe isha  i vogël. Dëshira  ime u  realizua  në shkollën e mesme, pasi unë shkova  dhe konkurova dhe fitova shkollën e mesme të muzikës në Shkodër. Pastaj bëra stazhin e zakonshëm  që ishte  një  vit mbas  shkollës së mesme dhe më pas kam mbaruar Akademinë  e Arteve  për  degën  muzikë  trompë dhe  kam  studiuar edhe për kompozicion. Pas përfundimit të Akademisë u  emërova në  qytetin e  Peshkopisë si  drejtues  muzike  i  Estradës së Peshkopisë. Aty kam  punuar rreth 8 vjet. Në vitet 1991-1992 erdha në Tiranë,  ku kam  punuar në  Liceun  Artistik si  pedagog. Disa  vjet  kam punuar  në  Qendrën  Kulturore të Ushtrisë si drejtues  muzike  dhe  prej 1 Nëntor 1997 për 10 vjet kam  qëndruar  në  profesion  të  lirë, në krijmtari  të  lirë, duke  punuar në  studio për aktivitete  të ndryshme. Në  vitin 2007-2008,  punova në   RadioTirana si zëvendësdrejtor dhe drejtor artistik, ku kam drejtuar dhe dy festivalet e fundit në RTSH.

Në  shkollën  8- vjeçare a  mbani  mend  ndonjë ditë  të  veçantë  kur  jeni  ngjitur  në  skenë si  instrumentist  apo këngëtar?

Jo si këngëtar nuk jam ngjitur  asnjëherë  në  skenë. Mbaj  mend  që kam luajtur  një herë në një teatër, ku ka qenë një  dramë  ku  i  përkushtohej  Skëndërbeut  dhe unë  aty  luaja  rolin e djalit të  Skëndërbeut. Aftësitë e mia  muzikore  kanë qenë të fshehura në një  drejtim tjetër. Por kjo mund të them se është diçka e veçantë, si dalja  në  skenë  në  moshën  6,5 vjeç që e thamë më lart.  (në Tiranë, ku  luajta  disa pjesë që i  kisha  krijuar  vetë). Por  aftësitë  e mia  në fushën e  muzikës  u ndjenë  shumë  edhe në  familje  ku  nëna  ime  u  mor shumë me mua, por  edhe vëllai  im  Safet  Zhulali  që më çoi  në  shkollën e  mesme.

Shkodra dhe kujtimet shkollore. Shkodra shquhet për këngë dhe muzikë.

Në Shkodër kam qenë  nxënës i  mirë  me  rezultate shumë të  larta. Fotografia ime  ka qenë  në  qendër  të qytetit të  Shkodrës. Në këtë qytet u lidha me shumë shokë. Formuam një shoqëri të shkëlqyer. Nuk kam qenë  nga ata  nxënës  të  mirë që ishin  vetëm në një drejtim. Gjithmonë në mbledhjet e  rinisë që u bënin atëherë profesori kujdestar më thoshte se  t’i  mbron  shokët. Kam  studiuar  për  trompë  dhe i  bija fizarmonikës dhe pianos.  Veten  time  e kam  kuptuar  në  moshë  shumë të vogël që  kisha prirje më shumë për të  krijuar  dhe jo  për  të qenë  instrumentist, megjithatë kam  qenë instrumentist shumë i  mirë. Krijimet  e para i kam bërë në moshën  16-17 vjeçare në  një festival në  qytetin e  Peshkopisë.

Kush  ka qenë  krijimi  juaj i parë?

Ka qenë  një duet, që e kanë kënduar dy këngëtarë të rinj  që  ishin  atëherë në Peshkopi. U prit shumë mirë edhe orkestrimin  e kam  bërë vetë  dhe e kam  kompozuar.

Si  titullohej  kjo  këngë?

Nuk e mbaj mend. Ka  qenë  një  këngë lirike, i  kushtohej  dashurisë.

Si e kaluat shkollën e  lartë  dhe  a u  plotësua  kjo  dëshirë  që  kishe në shkollën e  mesme?

Unë konkurova për dy degë edhe për  kompozicion dhe për trompë. Shkolla donte që unë  të  shkoja  për  trompë. Vetë nuk kisha dëshirë sepse e kisha shumë pasion kompozicionin. Mbaj mend që kam qenë me vëllain tim dhe me kompozitorin  (Zef Çoba), i cili më pregatiti  shumë për  të vazhduar shkollën e  lartë. Unë  vendosa, erdha në shkollë  të lartë, dhe  në  vitin e  parë  arrita  të  studioj  të  dy degët. Më  pas  nuk  e di  se  çfarë patën nuk më lanë që  t’i vazhdoj të dyja. Në Institut njoha Gjon  Simonin  që ka  qenë një muzikant i shkëlqyer, kompozitor  dhe  një  nga  orkestruesit më të  mirë që ka  njohur  Shqipëria. Ai investoi shumë në përgatitjen time dhe unë i jam shumë  mirënjohës. Pikërisht ndihma e tij ka konsistuar në dy lëndë shumë të vështira në lëndën e harmonisë si edhe në disa elementë shumë të rëndësishëm në fushën  e krijimtarisë. Mbasi  mbarova shkollën e lartë,  ku  edhe në instrumet isha  shumë mirë u fol për një emërim timin në Opera si  instrumentist si  trompist, por Ministria  e Arsimit  më  çoi në Peshkopi. Unë e quaj për nder që më  çuan në  Peshkopi. Aty punova si  drejtues muzike  në  estradën  profesioniste të  Peshkopisë që ishte e kategorisë së parë. Aty kam punuar  shumë  dhe kam përfituar shumë sidomos në  motivet  popullore  që unë kam arritur t’i  përjetoj, krijoj.  Jam marë me të  gjitha llojet e muzikës me atë të lehtë dhe popullore, përpunuar. Në atë kohë Peshkopia ka pasur  këngëtarë më të mirë popullorë në  të gjithë Shqipërinë dhe instrumentistë mjaft të mirë. Këngëtarë si:  Arif  Vladin, Liri  Rashën, Qerim  Sula, Vera Laçi, Abdyl Stuçe, etj.,  këto kishin shumë potencial. Kjo ka qenë një  shkollë  shumë e madhe për  mua, ku unë punova me këngëtarët  duke përfituar nga vlerat e tyre dhe nga  motivet e  jashtëzakonëshme që ka  rrethi i  Dibrës, këngët  dibrane  (është  këngë  tipike  e veriut  ku  shkrihet epizmi  me  lirikën me  një  mënyrë  të jashtëzakonëshme). Të  gjithë  këngët shqiptare  janë të mrekullueshme, por  ato  të  rrethit të  Dibrës  janë  gërshetuar në mënyrë unikale lirika  me  epikën. Ka  një  melodi  të bukur  dhe të këndëshme. Puna në Peshkopi më ka shërbyer shumë për një formim  kombëtar  timin  që më ka  shoqëruar gjatë gjithë  krijmtarisë. Unë kam edhe  një  fat  tjetër që nëpër  dasma  këndohej këngë gjirokastrite, kështu  të dy  folkloret  i  kam në gjak si të  Dibrës edhe ato  të Gjirokastrës.

Ju në vitin 1984 shkuat  në  Peshkopi, kush  është kënga  e parë  që keni  nxjerrë në skenë  në atë  kohë?

 Është një  këngë e njohur  dhe e famëshme në Shqipëri. Në  premierën e parë që kam realizuar, unë përpunova një  këngë të kompozuar nga kompozitori i njohur  në Peshkopi  Kolë Susaj. Është  një këngë që i kushtohej Jakup  Ferit  që  e kanë  kënduar  edhe  Djemtë e Detit. Unë  atë këngë e pata  orkestruar  për  Arif  Vladin. Pata  fatin  që  nuk  e kisha dëgjuar  këngën të  realizuar, por  e mora  dhe e konceptova si desha vetë. I bëra një vokalizëm, e përpunova  dhe ka pasur  një sukses të jashtëzakonshëm.

Tekstin kush e ka bërë?

Këngën e ka bërë një poet nga Tropoja. Kjo është një  këngë  epike  shumë  e bukur. Ka  një detaj të magjishëm  për  këtë përpunim.

Nga anon  sot  më shumë  nga  popullorja  e  Shqipërisë së Jugut  apo asaj  të  Dibrës. Ky është një rast  i veçantë që një kompozitor të rritet në  Dibër  dhe  të  ketë  gjak  gjirokastriti?

Unë faktikisht më shumë  krijime  kam  bërë me motivet e  veriut, edhe për  vetë kushtet që unë këngët i  kam  kushtuar Kosovës  (që janë  me  dhjetëra). Në fakt në këto këngë që kam krijuar, ndjehet motivi shqiptar i  veriut  shumë  qartë. Por nuk  jam  mbështetur në  asnjë këngë të  mirëfilltë, pasi  pa  dashje më kanë dalë këngët me atë lloj intonacioni,  duke e dashuruar  shumë atë muzikë, pasi janë  bërë pjesë e imja. Më  shumë  këngë kam  krijuar për veriun  sepse edhe kërkesat kanë qenë shumë të  mëdha  dhe këngëtarët  me  të  cilët kam bashkëpunuar në fillim kanë qënë nga veriu të cilët më kanë kërkuar dhe më kërkojnë. Nga këngëtaret jugore më  shumë  kam  bashkëpunuar me  Irini  Qirjako, Eli  Fara, me disa  grupe  të Tepelenës si Ali Pashë Tepelena dhe shumë këngëtarë të tjerë  që nuk  më kujtohen të gjithë. Por e theksoj më shumë kam kompozuar  për  veriun si Arif Vladi  “Lum Kosova e  Shqiptarisë”, Manjola  Nallbanin, Kastriot Tushën, Shkurte  Fejzon, Ilir  Shaqirin  etj..

-Cila ka qenë kënga e parë në  anketat  muzikore  që ke  marrë pjesë?

-Në anketa një këngë e parë ka qenë “Kur  lind  një dashuri”, ku  kam marrë  çmim të parë me Ebin Madhin. Kam pasur edhe një këngë tjetër  me  Ludmilla  Baballëkun, ku edhe aty kam marrë çmim të parë, edhe një këngë me Arif Vladin. Këto përfaqësime kanë qenë në  vitet 86-90  në  anketat muzikore.

-A ke pasur  vlerësime, çfarë çmimi  keni  marë  dhe  a keni pasur ndonjëherë  goditje  siç ka  pasur  në  festivale  të  ndryshme  nga  sistemi  monist?

-Unë në qytetin e Peshkopisë kam gëzuar një respekt  shumë të madh. Kam  kujtime  të mira  me të  gjitha  që kam bashkëpunuar. Mbaj mend një takim të estradave Kombëtare  që bëmë në Tiranë, ku orkestra që drejtova unë  mori çmim të parë. Bënim katër premiera në vit me krijimtari  të re dhe unë  duke qenë  se në atë  kohë  Dibra kishte një shkëlqim të madh me këngëtarë popullorë, unë  e kisha të vështirë përzgjedhjen. (u  fut edhe muzika  e lehtë). Para  meje  në  Dibër  kanë  punuar figura shumë të mëdha,  që kanë lënë gjurmë  në Peshkopi si: Zef Çoba, Isak  Shehu, Tonin Rrota, Ymer Seferi, Përparim Tomçini etj., pra kam gjetur  një terren  shumë  profesionistë, kështu  nuk  ishte  merita  ime  që Dibra ishte një vend i zhvilluar, por e kisha  të  vështirë  të fusja  edhe muzikën e lehtë. Unë  futa shumë  dhe arrita të bëj disa realizime orkestrale, disa këngë popullore shqiptare të modernizuar me kitarë, instrumeta modernë dhe me saks që në fakt i regjistruam  në  televizion i  dhanë, por  më  pas  i  kishin hequr  se  i  kishin quajtur  si moderne. Në Peshkopi nuk  kam pasur  kështu  sepse edhe autokontrrolli  ishte shumë i madh. Të  gjithë  këngët që kam bërë kanë qenë këngë lirike.

Kë do të veçonit  ndonjë ditë që ju keni marrë një çmim dhe e keni ndjerë  vetën  ndryshe nga ditët e tjera, ku  ju e keni  cilësuar si ditën më të  suksesshme?

Suksesi  më i  madh  ka qenë,  ku  unë kam marrë pjesë në Turqi në Festivalin  Europian në 2004, që  unë   u  përfaqësova me  Anjeza Shahinin. Me këtë këngë unë  mora çmim të parë në Tiranë. Unë jam  kompozitor i  parë  shqiptar që kam shkuar për herë të parë  në  Festivalin  Europian.

A ishit  në Turqi  vetë  atje?

Unë  kam marrë pjesë në të  gjitha  realizimet e këngës, që në  realizimin që kemi bërë në  Zvicër, në  studion time  etj.. Nuk  kam  munguar në asnjë etapë të realizimt të  këngës.

Si  jeni  ndjerë  kur  ka  dalë Anjeza  në Stamboll në  skenë?

Ka qenë hera e parë që Shqipëria u përfaqësonte në Festivalin Euroipian  dhe   për ne  ishte një emocion i madh. Nuk dinin si do të na prisnin, si do të  realizoheshin provat, nuk dinim shumë gjëra. Për ne  ishte  një përgjegjësi  shumë  e madhe. Kritika e huaj e  cilësoi  si  një këngë evropiane me  mentalitetin  muzikor  të  orkestrimit. Ka qenë një këngë e ndjerë, një krijim pa asnjë paragjykim. Prandaj them që ka qenë një këngë  e suksesshme. Rezultati  ka qenë i mirë që zumë vendin e 7-të dhe të lësh mbrapa  vendet si Gjermania nuk është e lehtë. Unë them se e kemi merituar pasi mbaj mend takimet me  grupet  e  huaja, si austriakët dhe atë  të  Evropës  Qendrore, ku  shprehnin  një  dashuri  shumë të  madhe për këngën  tonë. Një spiker  anglez kishte thënë kush është kjo Shqipëria që po e vlerësojnë kaq  shumë. Thonin  se  ose  do  të jetë një  vend  shumë i madh ose do të  jetë  një  këngë shumë  e bukur. Për  mua  mbetet  pjesa më  kulmore por, pjesën  më të bukur të  krijmtarisë ka qenë lufta në Kosovë kur  unë i jam  përkushtuar dhe krijuar muzikë patriotike. Kjo  do  të  mbetet pjesa  më  e ndritur  e imja.

Flitet shumë që ka huazime në muzikën popullore shqiptare, huazime  greke, kush  është  mendimi  juaj  për këtë?

Mendimi  im është publik, mungon e drejta e autorit. Asnjë këngë nuk duhet të botohet në Shqipëri pa firmën e  kompozitorit. Kjo e shmang dhe e mbron këngën  shqiptare. Ju po të shikoni të gjitha disqet, të gjitha këngët janë pa autor. Në rastet që do të  vihet emër i autorit, në të gjitha  këto  disqe nuk do të dalin në treg këngë turke, italiane apo greke. Çdo kush është  i lirë  të  këndojë çfarë të dojë, por sipas rregullave dhe ligjeve. Të gjithë këto këngëtarë që këndojnë këngë greke të shkojnë në Greqi  të marrin  leje dhe të  këndojnë, por e dinë se në këtë mënyrë nuk do  t’i  këndojnë dot  kurrë.

A merret  me politikë Edmond  Zhulali?

Edmond Zhulali në bashkëpunimet muzikore dhe në realizimet e tij kurrë nuk  është përfshirë nga  politika. Bashkëpunëtorët nuk e dijnë se çfarë bindjesh  politike kam unë. Por Edmond  Zhulali  është i djathtë  dhe është vëllai i ish- ministrit të Mbrojtjes Safet  Zhulali.

Ç’është dashuria  për  ju?

Dashuria  është jeta. Ta them siç e kam  thënë me këngën e këtij Festivali të Radio Televizionit “ Jeta  kërkon Dashuri”. Dashuria dhe jeta janë të dyja  së bashku të gërshetuara dhe nuk  ndahen  nga  njëra - tjetra.

Çfarë  pëlqen dhe çfarë  kritikon tek një njeri?

Më pëlqen ndershmëria dhe urrej pandershmërinë.

Sot  shikohet një krizë  në  familjet shqiptare, kush është mendimi  juaj  për këtë?

Ndërrimet  e sistemeve shkaktuan probleme të mëdha sociale  sepse  jeta  është e lidhur  jo vetëm  shpirtërisht, por ka edhe atë ekonomike që ndikojnë në  mbarëvajtjen e jetës duke krijuar  probleme të mëdha  sociale. Kalimi  nga një sistem i mbyllur komunist dhe nga ky sistemi i lirisë në Shqipëri ka sjellë  probleme të mëdha në të  gjithë sistemin politik, shoqëror,  ku është  pasqyruar  edhe në familje. Familja tek  shqiptarët  është shumë e rëndësishme  dhe nuk  e ka humbur vlerën, ka pësuar  një krizë. Por  për  shqiptarët  është e rëndësishme  dhe e tillë do të jetë. Është e vështirë që shqiptarët të  heqin  dorë nga familja.

Ka inflacion këngëtaresh, kush është mendimi juaj për  këtë?

-Ka të gënjeshtërt të këngëtarëve të muzikës. Janë bërë disa televizione  private, të cilat transmetojnë këngët e reja që dalin  në tregjet  shqiptare. Është i  vetmi vend në botë për  shumë  gjëra, të cilët  këngëtaret  shkojnë në një television dhe paguhen për të dalë në tv. Ndërsa në  të gjitha  televizionet e  tjera  t’i për çdo dalje  në skenë paguan. Duke qenë se një person ka para dhe e realizon këngën, ka  para  që të  paguajë edhe që t’i  transmetohet  dhe ka para  edhe që të bëjë edhe videoklipin pra përfiton kohë. Kjo  është  një dalje në  television  jo nga shijet e publikut  dhe shitjet në tregje, por një dalje jo reale. Rregullatori  duhet të jetë  shteti në  këtë mes.

Çfarë  i  mungon politikës  së sotme  shqiptare për  të  realizuar  dëshirat e  popullit,  e parë në  këndvështrimin e një  kompozitori dhe të një  artisti?

-Ajo që them unë ka një kontraditë. Politikanit, i mungon  sinqeriteti, kur kërkon sinqeritet tek populli.

Ku i bën  zakonisht  pushimet?

Në Durrës.

Po Gjirokastrën  e  ke lënë pas dore?

Të gjithë kushërinjtë  e mi janë në Tiranë, pak  kanë  shkuar  në Gjirokastër. Duke qenë se jam pak i lidhur  me punë  dhe mjediset  nuk janë shumë të lira.

Kush është muzika  juaj  e preferuar?

Unë pëlqej nga muzika klasike, tek muzika xhaz, hip-hop, popullore, folklorike. Gjithçkja që është e bukur unë e pëlqej.

Në  qoftëse do të  ishe  shumë i pasur  çfarë do të bëje?

-Pasuria  nuk është gjithshka, por  po të isha i tillë  unë do të  ndikoja  shumë në  kulturën shqiptare. Në televizionin  shqiptar do të realizoja një studio shumë të bukur dhe të kushtueshme që këngëtarët dhe kompozitorët të gjenin veten.

-Ushqimi  juaj i preferuar?

-Jam  mirë me oreks  dhe ha  çdo gjë. Nuk  jam i vështirë në  familje.

-Kur  zgjohet dhe  kur  fle Edmond  Zhulali?

-Ngrihem në gjashtë e gjysmë që çoj fëmijët në shkollë. Në drekë nuk  pushoj dot. Jam gjithë ditën në lëvizje mbas  familjes,  mbas  edukimit  të vajzave  që i kam futur  edhe për muzikë që  studiojnë për piano. Kam shumë ngarkesë  gjatë gjithë ditës.

-A e ndjek  shtypin?

-E ndjek shumë.

-A ke  ndonjë  gazetë të  preferuar?

-E para është gazeta juaj, sepse  gjithmonë më ka përkrahur dhe më  ka qëndruar  pranë  në të gjitha problemet që kam pasur, edhe me afrimin  tim  në vlerat  e mia artistike. Por meqë ne artistët bëjmë pjesë në faqet 18-20 të gazetave jemi  të preferuar për të gjithë gazetat  sepse  edhe  arti  është i të gjithëve.

-A jeni supersticioz në jetë?

-Sipas rastit (qesh).

-Në jetën tuaj, kur keni kohë të lirë kujt ia kushtoni  më  shumë, familjes vetes  tuaj  apo librit?

-Në  qoftëse do të  kem kohë të lirë do t’ia kushtoj muzikës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora