| E shtune, 31.05.2008, 08:57 PM |
Edmond Zhulali: Ka qenë hera e parë që Shqipëria u përfaqësonte në Festivalin Europian dhe për ne ishte një emocion i madh
Jam kompozitori i parë shqiptar i Festivalit Europian
Nga Albert Zholi
Në përgjithësi kompozitorët janë tipa shpërthyes, pasi dhe vetë muzika e tillë është shpërthyese, e papërmbajtshme, ku tingujt e saj janë vetë magjia e zotit. Ndërsa Edmond Zhulali është një natyrë e qetë, e qeshur, e butë në bisedë dhe komunikim. Përshtypja që merr me vete për të si njeri, përkon me atë të një intelektuali të sinqertë, studiues, të vëmendshëm që rrallë herë mund të dalë nga vetvetja dhe të lëndojë paksa njeriun. Ndërsa kur bëhet fjalë për muzikën, kur duart e tij lëshohen mbi tastierën e pianos, befasohesh. Në pamje të parë i ngathët, ai mbi tastierën e veglës me tinguj magjie, të shtang, të mbërthen, të dalldis. I shkathët, virtuoz, ai i lëviz duart mbi tastierë si një flutur e lehtë që vallëzon mbi petalet e luleve për ta shkrirë në një të vetme tingullin me atmosferën ndezëse. Njeri familjar që në emër të profesionit nuk bën kompromis me asgjë. Ajo që doja të veçoja në karakterin e tij si intelektual është akti më i sinqertë, më civilizues, ai i dorëheqjes nga nëndrejtor i Radio Tirana, për arsye të disa mosmarrëveshjeve me eprorët. Ky akt emancipues, është një ndër rastet e rralla në administratën shqiptare që numërohen me gishtat e vetëm një dore dhe që ka zënë vendin më të besueshëm tek rasti i Edmond Zhulalit. Në rrugëtimin e tij si kompozitor, është ndër të rrallët, që asnjëherë, nuk e ka këmbyer huazimin e muzikës, apo deformimin e muzikës së mirëfilltë shqiptare me muzikë të huaj në emër të parasë. Ai mbetet një muzikolog 24 karadsh shqiptar. Kompozimet e tij (dhe pse me origjinë nga jugu), i kanë lënë hapësirën dërrmuese këngëtarëve veriorë (pasi aty u rrit), sidomos këngëve epike, duke e çuar në lartësinë e duhur këtë lloj muzike potente, patriotike, që përbën një veçanti në muzikën e mirëfilltë shqiptare.
Para disa ditësh gazeta shqiptare kishte pasqyruar dorëheqjen e shumë politikanëve dhe drejtuesve të Institucioeneve shtetërore ku midis të tjerëve përmendeshit edhe ju. Jeni dakort me mënyrën si e ka përshkruar dorëheqjen tuaj kjo gazetë?
-Dorëheqja për mua është një akt qytetar, civilizimi për çdo person. Në atë shkrim të Gazetës Shqiptare unë e shikoj veten më ndryshe nga të gjithë të tjerët nga ata që kam lexuar, për arsye se mua nuk më është kërkuar dorëheqja nga asnjë person. RTSH ku unë kam punuar ka luftuar që unë të mos dorëhiqem, por unë u dorëhoqa duke nxjerrë në pah disa probleme që kishte Institucioni i Radio Televizionit Shqiptar. Jam tërësisht i veçantë nga të gjithë dorëheqjet e tjera të shumicës së personave që pashë aty, të qeveritarëve të të gjitha krahëve politike. Atyre u është kërkuar dhe imponuar dorëheqja nga rrethana të ndryshme në të cilën ndodheshin. Mua nuk më është kërkuar dhe prandaj e shikoj veten totalisht ndryshe.
Ju mendoni se gazeta e ka përgjithësuar këtë problem duke mos e cituar rastin tuaj si të veçantë?
Kjo varet me çfarë këndvështrimi e kanë parë, si këndvështrim politik apo në një këndvështrim rastësor. Prandaj edhe unë shprehem se e ndjej veten ndryshe nga të gjithë ato politikanë në raport me dorëheqjen.
Na thoni diçka mbi jetën tuaj fëminore, lagjja, shkolla, arsimi dhe a keni pasur ndonjë gjë pikante me mësuesit apo me prindërit gjatë periudhës së shkollimit?
Unë kam lindur në qytetin e Peshkopisë. Nënën e kam nga Gjirokastra dhe babain nga Libohova. Prindërit e mi kanë qenë arsimtarë dhe kanë punuar si mësues në rrethin e Dibrës. Si të gjithë fëmijët e tjerë kam qenë i lëvizshëm. E kam dashur muzikën që në moshë të vogël. Kam pasur një kitarë në shtëpi të cilën e përdorte vëllai im i madh. Unë fshehurazi i bija me shumë dashuri. Brenda meje po shfaqej një talent. Kur isha në moshë gjashtë vjeç e gjysmë dola dhe luajta në kitarë me Ansamblin e Pionierëve në Tiranë. Më vonë duke parë talentin tim më kërkuan për në Lice, por nuk më lanë, sepse në atë kohë më kishte vdekur edhe babai dhe isha i vogël. Dëshira ime u realizua në shkollën e mesme, pasi unë shkova dhe konkurova dhe fitova shkollën e mesme të muzikës në Shkodër. Pastaj bëra stazhin e zakonshëm që ishte një vit mbas shkollës së mesme dhe më pas kam mbaruar Akademinë e Arteve për degën muzikë trompë dhe kam studiuar edhe për kompozicion. Pas përfundimit të Akademisë u emërova në qytetin e Peshkopisë si drejtues muzike i Estradës së Peshkopisë. Aty kam punuar rreth 8 vjet. Në vitet 1991-1992 erdha në Tiranë, ku kam punuar në Liceun Artistik si pedagog. Disa vjet kam punuar në Qendrën Kulturore të Ushtrisë si drejtues muzike dhe prej 1 Nëntor 1997 për 10 vjet kam qëndruar në profesion të lirë, në krijmtari të lirë, duke punuar në studio për aktivitete të ndryshme. Në vitin 2007-2008, punova në RadioTirana si zëvendësdrejtor dhe drejtor artistik, ku kam drejtuar dhe dy festivalet e fundit në RTSH.
Në shkollën 8- vjeçare a mbani mend ndonjë ditë të veçantë kur jeni ngjitur në skenë si instrumentist apo këngëtar?
Jo si këngëtar nuk jam ngjitur asnjëherë në skenë. Mbaj mend që kam luajtur një herë në një teatër, ku ka qenë një dramë ku i përkushtohej Skëndërbeut dhe unë aty luaja rolin e djalit të Skëndërbeut. Aftësitë e mia muzikore kanë qenë të fshehura në një drejtim tjetër. Por kjo mund të them se është diçka e veçantë, si dalja në skenë në moshën 6,5 vjeç që e thamë më lart. (në Tiranë, ku luajta disa pjesë që i kisha krijuar vetë). Por aftësitë e mia në fushën e muzikës u ndjenë shumë edhe në familje ku nëna ime u mor shumë me mua, por edhe vëllai im Safet Zhulali që më çoi në shkollën e mesme.
Shkodra dhe kujtimet shkollore. Shkodra shquhet për këngë dhe muzikë.
Në Shkodër kam qenë nxënës i mirë me rezultate shumë të larta. Fotografia ime ka qenë në qendër të qytetit të Shkodrës. Në këtë qytet u lidha me shumë shokë. Formuam një shoqëri të shkëlqyer. Nuk kam qenë nga ata nxënës të mirë që ishin vetëm në një drejtim. Gjithmonë në mbledhjet e rinisë që u bënin atëherë profesori kujdestar më thoshte se t’i mbron shokët. Kam studiuar për trompë dhe i bija fizarmonikës dhe pianos. Veten time e kam kuptuar në moshë shumë të vogël që kisha prirje më shumë për të krijuar dhe jo për të qenë instrumentist, megjithatë kam qenë instrumentist shumë i mirë. Krijimet e para i kam bërë në moshën 16-17 vjeçare në një festival në qytetin e Peshkopisë.
Kush ka qenë krijimi juaj i parë?
Ka qenë një duet, që e kanë kënduar dy këngëtarë të rinj që ishin atëherë në Peshkopi. U prit shumë mirë edhe orkestrimin e kam bërë vetë dhe e kam kompozuar.
Si titullohej kjo këngë?
Nuk e mbaj mend. Ka qenë një këngë lirike, i kushtohej dashurisë.
Si e kaluat shkollën e lartë dhe a u plotësua kjo dëshirë që kishe në shkollën e mesme?
Unë konkurova për dy degë edhe për kompozicion dhe për trompë. Shkolla donte që unë të shkoja për trompë. Vetë nuk kisha dëshirë sepse e kisha shumë pasion kompozicionin. Mbaj mend që kam qenë me vëllain tim dhe me kompozitorin (Zef Çoba), i cili më pregatiti shumë për të vazhduar shkollën e lartë. Unë vendosa, erdha në shkollë të lartë, dhe në vitin e parë arrita të studioj të dy degët. Më pas nuk e di se çfarë patën nuk më lanë që t’i vazhdoj të dyja. Në Institut njoha Gjon Simonin që ka qenë një muzikant i shkëlqyer, kompozitor dhe një nga orkestruesit më të mirë që ka njohur Shqipëria. Ai investoi shumë në përgatitjen time dhe unë i jam shumë mirënjohës. Pikërisht ndihma e tij ka konsistuar në dy lëndë shumë të vështira në lëndën e harmonisë si edhe në disa elementë shumë të rëndësishëm në fushën e krijimtarisë. Mbasi mbarova shkollën e lartë, ku edhe në instrumet isha shumë mirë u fol për një emërim timin në Opera si instrumentist si trompist, por Ministria e Arsimit më çoi në Peshkopi. Unë e quaj për nder që më çuan në Peshkopi. Aty punova si drejtues muzike në estradën profesioniste të Peshkopisë që ishte e kategorisë së parë. Aty kam punuar shumë dhe kam përfituar shumë sidomos në motivet popullore që unë kam arritur t’i përjetoj, krijoj. Jam marë me të gjitha llojet e muzikës me atë të lehtë dhe popullore, përpunuar. Në atë kohë Peshkopia ka pasur këngëtarë më të mirë popullorë në të gjithë Shqipërinë dhe instrumentistë mjaft të mirë. Këngëtarë si: Arif Vladin, Liri Rashën, Qerim Sula, Vera Laçi, Abdyl Stuçe, etj., këto kishin shumë potencial. Kjo ka qenë një shkollë shumë e madhe për mua, ku unë punova me këngëtarët duke përfituar nga vlerat e tyre dhe nga motivet e jashtëzakonëshme që ka rrethi i Dibrës, këngët dibrane (është këngë tipike e veriut ku shkrihet epizmi me lirikën me një mënyrë të jashtëzakonëshme). Të gjithë këngët shqiptare janë të mrekullueshme, por ato të rrethit të Dibrës janë gërshetuar në mënyrë unikale lirika me epikën. Ka një melodi të bukur dhe të këndëshme. Puna në Peshkopi më ka shërbyer shumë për një formim kombëtar timin që më ka shoqëruar gjatë gjithë krijmtarisë. Unë kam edhe një fat tjetër që nëpër dasma këndohej këngë gjirokastrite, kështu të dy folkloret i kam në gjak si të Dibrës edhe ato të Gjirokastrës.
Ju në vitin 1984 shkuat në Peshkopi, kush është kënga e parë që keni nxjerrë në skenë në atë kohë?
Është një këngë e njohur dhe e famëshme në Shqipëri. Në premierën e parë që kam realizuar, unë përpunova një këngë të kompozuar nga kompozitori i njohur në Peshkopi Kolë Susaj. Është një këngë që i kushtohej Jakup Ferit që e kanë kënduar edhe Djemtë e Detit. Unë atë këngë e pata orkestruar për Arif Vladin. Pata fatin që nuk e kisha dëgjuar këngën të realizuar, por e mora dhe e konceptova si desha vetë. I bëra një vokalizëm, e përpunova dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm.
Tekstin kush e ka bërë?
Këngën e ka bërë një poet nga Tropoja. Kjo është një këngë epike shumë e bukur. Ka një detaj të magjishëm për këtë përpunim.
Nga anon sot më shumë nga popullorja e Shqipërisë së Jugut apo asaj të Dibrës. Ky është një rast i veçantë që një kompozitor të rritet në Dibër dhe të ketë gjak gjirokastriti?
Unë faktikisht më shumë krijime kam bërë me motivet e veriut, edhe për vetë kushtet që unë këngët i kam kushtuar Kosovës (që janë me dhjetëra). Në fakt në këto këngë që kam krijuar, ndjehet motivi shqiptar i veriut shumë qartë. Por nuk jam mbështetur në asnjë këngë të mirëfilltë, pasi pa dashje më kanë dalë këngët me atë lloj intonacioni, duke e dashuruar shumë atë muzikë, pasi janë bërë pjesë e imja. Më shumë këngë kam krijuar për veriun sepse edhe kërkesat kanë qenë shumë të mëdha dhe këngëtarët me të cilët kam bashkëpunuar në fillim kanë qënë nga veriu të cilët më kanë kërkuar dhe më kërkojnë. Nga këngëtaret jugore më shumë kam bashkëpunuar me Irini Qirjako, Eli Fara, me disa grupe të Tepelenës si Ali Pashë Tepelena dhe shumë këngëtarë të tjerë që nuk më kujtohen të gjithë. Por e theksoj më shumë kam kompozuar për veriun si Arif Vladi “Lum Kosova e Shqiptarisë”, Manjola Nallbanin, Kastriot Tushën, Shkurte Fejzon, Ilir Shaqirin etj..
-Cila ka qenë kënga e parë në anketat muzikore që ke marrë pjesë?
-Në anketa një këngë e parë ka qenë “Kur lind një dashuri”, ku kam marrë çmim të parë me Ebin Madhin. Kam pasur edhe një këngë tjetër me Ludmilla Baballëkun, ku edhe aty kam marrë çmim të parë, edhe një këngë me Arif Vladin. Këto përfaqësime kanë qenë në vitet 86-90 në anketat muzikore.
-A ke pasur vlerësime, çfarë çmimi keni marë dhe a keni pasur ndonjëherë goditje siç ka pasur në festivale të ndryshme nga sistemi monist?
-Unë në qytetin e Peshkopisë kam gëzuar një respekt shumë të madh. Kam kujtime të mira me të gjitha që kam bashkëpunuar. Mbaj mend një takim të estradave Kombëtare që bëmë në Tiranë, ku orkestra që drejtova unë mori çmim të parë. Bënim katër premiera në vit me krijimtari të re dhe unë duke qenë se në atë kohë Dibra kishte një shkëlqim të madh me këngëtarë popullorë, unë e kisha të vështirë përzgjedhjen. (u fut edhe muzika e lehtë). Para meje në Dibër kanë punuar figura shumë të mëdha, që kanë lënë gjurmë në Peshkopi si: Zef Çoba, Isak Shehu, Tonin Rrota, Ymer Seferi, Përparim Tomçini etj., pra kam gjetur një terren shumë profesionistë, kështu nuk ishte merita ime që Dibra ishte një vend i zhvilluar, por e kisha të vështirë të fusja edhe muzikën e lehtë. Unë futa shumë dhe arrita të bëj disa realizime orkestrale, disa këngë popullore shqiptare të modernizuar me kitarë, instrumeta modernë dhe me saks që në fakt i regjistruam në televizion i dhanë, por më pas i kishin hequr se i kishin quajtur si moderne. Në Peshkopi nuk kam pasur kështu sepse edhe autokontrrolli ishte shumë i madh. Të gjithë këngët që kam bërë kanë qenë këngë lirike.
Kë do të veçonit ndonjë ditë që ju keni marrë një çmim dhe e keni ndjerë vetën ndryshe nga ditët e tjera, ku ju e keni cilësuar si ditën më të suksesshme?
Suksesi më i madh ka qenë, ku unë kam marrë pjesë në Turqi në Festivalin Europian në 2004, që unë u përfaqësova me Anjeza Shahinin. Me këtë këngë unë mora çmim të parë në Tiranë. Unë jam kompozitor i parë shqiptar që kam shkuar për herë të parë në Festivalin Europian.
A ishit në Turqi vetë atje?
Unë kam marrë pjesë në të gjitha realizimet e këngës, që në realizimin që kemi bërë në Zvicër, në studion time etj.. Nuk kam munguar në asnjë etapë të realizimt të këngës.
Si jeni ndjerë kur ka dalë Anjeza në Stamboll në skenë?
Ka qenë hera e parë që Shqipëria u përfaqësonte në Festivalin Euroipian dhe për ne ishte një emocion i madh. Nuk dinin si do të na prisnin, si do të realizoheshin provat, nuk dinim shumë gjëra. Për ne ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Kritika e huaj e cilësoi si një këngë evropiane me mentalitetin muzikor të orkestrimit. Ka qenë një këngë e ndjerë, një krijim pa asnjë paragjykim. Prandaj them që ka qenë një këngë e suksesshme. Rezultati ka qenë i mirë që zumë vendin e 7-të dhe të lësh mbrapa vendet si Gjermania nuk është e lehtë. Unë them se e kemi merituar pasi mbaj mend takimet me grupet e huaja, si austriakët dhe atë të Evropës Qendrore, ku shprehnin një dashuri shumë të madhe për këngën tonë. Një spiker anglez kishte thënë kush është kjo Shqipëria që po e vlerësojnë kaq shumë. Thonin se ose do të jetë një vend shumë i madh ose do të jetë një këngë shumë e bukur. Për mua mbetet pjesa më kulmore por, pjesën më të bukur të krijmtarisë ka qenë lufta në Kosovë kur unë i jam përkushtuar dhe krijuar muzikë patriotike. Kjo do të mbetet pjesa më e ndritur e imja.
Flitet shumë që ka huazime në muzikën popullore shqiptare, huazime greke, kush është mendimi juaj për këtë?
Mendimi im është publik, mungon e drejta e autorit. Asnjë këngë nuk duhet të botohet në Shqipëri pa firmën e kompozitorit. Kjo e shmang dhe e mbron këngën shqiptare. Ju po të shikoni të gjitha disqet, të gjitha këngët janë pa autor. Në rastet që do të vihet emër i autorit, në të gjitha këto disqe nuk do të dalin në treg këngë turke, italiane apo greke. Çdo kush është i lirë të këndojë çfarë të dojë, por sipas rregullave dhe ligjeve. Të gjithë këto këngëtarë që këndojnë këngë greke të shkojnë në Greqi të marrin leje dhe të këndojnë, por e dinë se në këtë mënyrë nuk do t’i këndojnë dot kurrë.
A merret me politikë Edmond Zhulali?
Edmond Zhulali në bashkëpunimet muzikore dhe në realizimet e tij kurrë nuk është përfshirë nga politika. Bashkëpunëtorët nuk e dijnë se çfarë bindjesh politike kam unë. Por Edmond Zhulali është i djathtë dhe është vëllai i ish- ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali.
Ç’është dashuria për ju?
Dashuria është jeta. Ta them siç e kam thënë me këngën e këtij Festivali të Radio Televizionit “ Jeta kërkon Dashuri”. Dashuria dhe jeta janë të dyja së bashku të gërshetuara dhe nuk ndahen nga njëra - tjetra.
Çfarë pëlqen dhe çfarë kritikon tek një njeri?
Më pëlqen ndershmëria dhe urrej pandershmërinë.
Sot shikohet një krizë në familjet shqiptare, kush është mendimi juaj për këtë?
Ndërrimet e sistemeve shkaktuan probleme të mëdha sociale sepse jeta është e lidhur jo vetëm shpirtërisht, por ka edhe atë ekonomike që ndikojnë në mbarëvajtjen e jetës duke krijuar probleme të mëdha sociale. Kalimi nga një sistem i mbyllur komunist dhe nga ky sistemi i lirisë në Shqipëri ka sjellë probleme të mëdha në të gjithë sistemin politik, shoqëror, ku është pasqyruar edhe në familje. Familja tek shqiptarët është shumë e rëndësishme dhe nuk e ka humbur vlerën, ka pësuar një krizë. Por për shqiptarët është e rëndësishme dhe e tillë do të jetë. Është e vështirë që shqiptarët të heqin dorë nga familja.
Ka inflacion këngëtaresh, kush është mendimi juaj për këtë?
-Ka të gënjeshtërt të këngëtarëve të muzikës. Janë bërë disa televizione private, të cilat transmetojnë këngët e reja që dalin në tregjet shqiptare. Është i vetmi vend në botë për shumë gjëra, të cilët këngëtaret shkojnë në një television dhe paguhen për të dalë në tv. Ndërsa në të gjitha televizionet e tjera t’i për çdo dalje në skenë paguan. Duke qenë se një person ka para dhe e realizon këngën, ka para që të paguajë edhe që t’i transmetohet dhe ka para edhe që të bëjë edhe videoklipin pra përfiton kohë. Kjo është një dalje në television jo nga shijet e publikut dhe shitjet në tregje, por një dalje jo reale. Rregullatori duhet të jetë shteti në këtë mes.
Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare për të realizuar dëshirat e popullit, e parë në këndvështrimin e një kompozitori dhe të një artisti?
-Ajo që them unë ka një kontraditë. Politikanit, i mungon sinqeriteti, kur kërkon sinqeritet tek populli.
Ku i bën zakonisht pushimet?
Në Durrës.
Po Gjirokastrën e ke lënë pas dore?
Të gjithë kushërinjtë e mi janë në Tiranë, pak kanë shkuar në Gjirokastër. Duke qenë se jam pak i lidhur me punë dhe mjediset nuk janë shumë të lira.
Kush është muzika juaj e preferuar?
Unë pëlqej nga muzika klasike, tek muzika xhaz, hip-hop, popullore, folklorike. Gjithçkja që është e bukur unë e pëlqej.
Në qoftëse do të ishe shumë i pasur çfarë do të bëje?
-Pasuria nuk është gjithshka, por po të isha i tillë unë do të ndikoja shumë në kulturën shqiptare. Në televizionin shqiptar do të realizoja një studio shumë të bukur dhe të kushtueshme që këngëtarët dhe kompozitorët të gjenin veten.
-Ushqimi juaj i preferuar?
-Jam mirë me oreks dhe ha çdo gjë. Nuk jam i vështirë në familje.
-Kur zgjohet dhe kur fle Edmond Zhulali?
-Ngrihem në gjashtë e gjysmë që çoj fëmijët në shkollë. Në drekë nuk pushoj dot. Jam gjithë ditën në lëvizje mbas familjes, mbas edukimit të vajzave që i kam futur edhe për muzikë që studiojnë për piano. Kam shumë ngarkesë gjatë gjithë ditës.
-A e ndjek shtypin?
-E ndjek shumë.
-A ke ndonjë gazetë të preferuar?
-E para është gazeta juaj, sepse gjithmonë më ka përkrahur dhe më ka qëndruar pranë në të gjitha problemet që kam pasur, edhe me afrimin tim në vlerat e mia artistike. Por meqë ne artistët bëjmë pjesë në faqet 18-20 të gazetave jemi të preferuar për të gjithë gazetat sepse edhe arti është i të gjithëve.
-A jeni supersticioz në jetë?
-Sipas rastit (qesh).
-Në jetën tuaj, kur keni kohë të lirë kujt ia kushtoni më shumë, familjes vetes tuaj apo librit?
-Në qoftëse do të kem kohë të lirë do t’ia kushtoj muzikës.