E hene, 29.04.2024, 03:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Irena Papa, aktorja shqiptare e tragjedive

E premte, 30.05.2008, 08:38 PM


Irene Papas
Nga Blerina Goce
 
Është zbuluar fillimisht nga regjisori i njohur Elia Kazan, ndërsa Federiko Fellini ishte një admirues i madh i veprës së saj. Një nga aktoret më të njohura botërisht, Irena Papa është një emër dhe fytyrë e dashur e botës kinematografike. Një shoqe e dashur e aktores së madhe, Katherinë Hepburn, me të cilën ka interpretuar në filmin "The Trojan Women" më 1971, një nga miqtë e saj më të afërt ka qenë edhe i famshmi Marlon Brando.

Aktorja e madhe greke me origjinë shqiptare, është lindur në Athinë më 3 shtator 1926. E filloi karrierën artistike që në moshën 10-vjeçare si këngëtare dhe kërcimtare në variete. Mbaroi studimet e larta në Shkollën e Dramës të Teatrit Kombëtar të Athinës. Roli i saj i parë në kinematografi ishte "Engjëjt e humbur" më 1950. Ka luajtur përgjithësisht role kryesore dhe veçanërisht të heroinave të tragjedive klasike greke për të cilat ka patur një tërheqje të veçantë, duke qenë edhe nga ana e jashtme "e prerë" për këto role. Debutoi me shumë sukses në kinematografinë botërore e veçanërisht në atë italiane, franceze e amerikane. U njoh për herë të parë me interpretimin në filmin grek "Nekropolita" (Qytet i vdekur), 1951. Që me këtë film ra në sy të kineastëve italianë dhe lidhi një kontratë me kompaninë "Lux Film" me të cilën interpretoi alternativisht në shumë filma. Më pas u angazhua në shumë filma amerikanë dhe koproduksione italo- amerikane, anglo-amerikane, spanjolle-amerikane, greko-amerikane etj., duke u shndërruar gradualisht në një aktore shumë të kërkuar. Së bashku me Melina Merkurin dhe Katina Paksinou, u takon atyre artisteve që kapërcyen kufijtë kombëtarë dhe arritën të sigurojnë një karrierë të suksesshme ndërkombëtare. Ka interpretuar në filma nga Amerika në Francë, nga Anglia në Itali, nën drejtimin e regjisorëve të njohur: Robert Wise, Mihail Kakojanis, nga Jorgo Xhavella tek Elio Petri, Alberto Latuada dhe Françesko Rosi, nga Kosta Gavras tek Ray Guerra etj. Irena Papa ka interpretuar rolet kryesore të heroinave të tragjedive si atë të Elektrës, Klitimestrës, Penelopës, Antigonës, perandoreshës Teodora, Katerina e Aragonës, rolin e vejushës në filmin shumë të suksesshëm "Zorba", të gjyshes në filmin "Erendiras" etj. Në vitin 1959 Irena ka interpretuar gjithashtu rolin e heroinës të revolucionit grek të 1821-t, arvanitases Laskarina Bubulinës.

Ajo e ka ngritur veten në rangun e "yjeve" të kinemasë botërore jo vetëm nga fiziku dhe paraqitja e jashtme, por kryesisht në saje mjeshtërisë artistike duke evokuar tragjeditë e lashta me interpretimet e roleve, secilin të ndryshëm nga njëri-tjetri. Në karrierën artistike ka interpretuar përkrah aktorëve të njohur, si: Antoni Kuin, Zhan Maria Volonte, Bekim Fehmiu, Marlon Brando, Katerinë Hepbërn etj.

Rolet

Interpretoi në mbi 80 role në kinema dhe televizion, ndër të cilët: "Të pabesët" dhe "Drama nella Casbah", prodhim italo-amerikan,1953; "Perandoresha Teodora" dhe "Attila", prodhime italiane, 1954; "Antigona", 1960; "The Guns of Navarrone", prodhim anglo-amerikan, 1961; "Elektra" 1962; "Zorba", 1964; "I dëshpëruari", prodhim amerikano-spanjoll,1967; "Secilit atë që i takon", prodhim italian, 1967; "Brotherhood" (Vëllazëria), prodhim amerikan, 1968; "Z", prodhim franko-algjerian; "Mbretëresha Katerinë e Arragonës" dhe "Ëndrra e mbretërve", prodhime anglo-amerikane, 1969; "The Trojan Women" në rolin e Helenës së Trojës, prodhim greko-amerikan dhe "Roma bene", italo-francez, 1971; "Bambina", "Ifigenia" në rolin e Klitemestrës, 1977; "Krishti ndaloi në Eboli", "Aventurat e Uliksit" etj.

Vlerësimet

Për interpretimet e saj të shquara në kinema dhe në teatër, Irena Papa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si aktorja më e mirë në interpretimin e rolit të Elektrës në filmin me të njëjtin titull në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, 1962, si aktorja më e mirë nderuar nga Bashkimi i Kritikëve të Filmit grek, 1962, si aktorja më e mirë në rolin e dytë në filmin "Z" nga Nju Jork Film Critics Circle, 1969; aktorja më e mirë në filmin "The Trojan Women" nga National Board of Rewiew, 1971; me çmimin Distinguished Achievement Award; me çmimin e karrierës për interpretim në Teatër,1993; me çmimin e karrierës nga International Festival Women's films, 2000; me titullin Doktor i Arteve dhe Letrave nga Universiteti i Romës,2001 etj. Gjithashtu është nominuar edhe për disa çmime të tjera ndërkombëtare si "Fennecus" si aktorja më e mirë në filmin "Into the Night", 1985; aktorja më e mirë në filmin "Island" nga Australian Film Institute, 1989 etj. U nderua me titullin e nderit si "Gruaja e Evropës". Dikur aktorja K. Hepburn, dy herë e nderuar me çmimin “Oskar”, ka deklaruar se "Irena është një nga aktoret më të mira në historinë e kinemasë...". Sikurse edhe aktorja tjetër greke me origjinë shqiptare, Melina Mërkuri, ka regjistruar disa disqe që kanë marrë statusin e muzikës klasike greke dhe janë bërë shumë popullore. Disqet e saj janë titulluar "Ode dhe rapsodi" që përmbajnë 15 këngë dhe himne tradicionale të Kishës Ortodokse Greke. Sot vazhdon të punojë në Portugali, në një teatër ku interpreton tragjeditë greke në gjuhën e saj të vendlindjes. Ndonëse herë pas herë e viziton vendin e saj të lindjes, ajo nuk dëshiron të kthehet në Greqi për të luajtur në teatër, mbasi atje vuan së tepërmi nga një ndjenjë kritikash keqdashëse.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora